-Ministri i Jashtëm Hoxhaj në seancën e Kongresit Amerikan flet për zhvillimet në Kosovë dhe rajon/
WASHINGTON, 22 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të qëndrimit në Washingron, në seancën e Kongresit Amerikan foli për zhvillimet në Kosovë dhe rajon dhe ka vazhduar me realizimin e shumë takimeve në dhomën e përfaqësuesve dhe me senatorë të kongresit amerikan, nga partia Republikane dhe Demokrate.
Njoftimi dërguar nga Washingroni thekson se, gjatë këtyre takimeve, Hoxhaj u ka folur për progresin e Kosovës në konsolidimin e brendshëm, në forcimi e subjektivitetit ndërkombëtar, njohjet e Kosovës, si dhe sfidat që e presin në vijim.Në prag të kompletimit të 10 vjetorit të shtetësisë, Hoxhaj ka diskutuar me ligjvënësit amerikanë për raportet e shkëlqyera të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u kërkuar që të vazhdojnë mbështetjen edhe më të madhe në këtë drejtim, tani kur Kosova dhe rajoni përballen me rreziqet nga ndikimi rus.
Po ashtu, Hoxhaj ka marrë pjesë në një seancë të Kongresit amerikan ku i ka informuar kongresistët dhe një audiencë shumë më të gjërë për zhvillimet politike në Kosovë, pas vizitës së këtyre kongresistëve në Kosovë.
Në anën tjetër, Hoxhaj sot do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të koalicionit anti-ISIS, me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson./b.j/
Kosove-Hoxhaj në SHBA takon Hoyt Yee/
-Mbështetje për njohjet dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata/Washington, 21 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar axhendën e ngjeshur të vizitës në Washington, duke takuar zyrtarë të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit.Pas takimeve me kongresmenë dhe senatorë, Hoxhaj ka takuar Hoyt Yee, Zëvendës Asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit, me të cilin kanë diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve, si dhe mbështetjen për njohje dhe anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Hoxhaj ka thënë se SHBA mbetet mbështetës kryesor i Kosovës në proceset e integrimeve euro-atlantike, ndërsa ka theksuar se ka potencial për bashkëpunim edhe në fusha të reja të interesit të përbashkët. “Kemi biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, mbështetjen e parezervë të SHBA-së për njohje të reja për Kosovën, anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe zhvillimet më të fundit në rajon. SHBA-ja mbetet mbështetës dhe pikë reference për Kosovën kudo në botë dhe kjo marrëdhënie do të vazhdojë edhe në shumë fusha të tjera ende të pa-eksploruara”, ka thënë Hoxhaj. Hoxhaj do të vazhdojë me takime në Kongres ditët e ardhshme, si dhe do të marrë pjesë në takimin vjetor të koalicionit Anti-ISIS./b.j/