* PRESIDENTI UDHËZON TESTIME, GJURMIME DHE RIHAPJEN E EKONOMISË/
* New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave/
* Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve./
* Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët./
* Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës
* Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit./
* Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj /
Përgatiti: Dalip Greca/
Dita e Hënë ishte me tregues jo alarmant për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në betejën e përditshme me Koronavirusin. Të infektuarit e rinj zbritën në kuota më të ulta se ditët parardhëse, vetëm 20 mijë e 789(nga 26 mijë e 509 të dielën), ndërsa numri i të vdekurëve ishte i përafërt me ditën e djeshme, numri i të shtruarëve në spitale ka rënë ndjeshëm deri në 1 mijë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve e kaloi shifrën 1 milion 7 mijë e 949. Presidenti Trump në konferencën me gazetarët e mbajtur në mbrëmjen e së hënës i vlerësoi pozitivë të gjithë treguesit duke thënë se shteti po ecën në drejtimin e duhur. Ai tha se i gjithë vendi është në gjendje të mirë dhe është koha e rihapjes së bizneseve dhe ringritjes së ekonomisë.
Udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë po përqëndrohen tek testimet dhe gjurmimet. Shtetet mund të testojnë rreth 2,6 përqind në popullsisë në muaj, ndërsa shtetet dhe zonat më të goditura mund të testojnë dy herë më shumë, ose dhe më tepër. Amerika i ka kapacitete për të kryer testimet dhe gjurmimet.
Në konferencën për shtyp presidenti tha se do t’i udhëzojë shtetet se si të rrisin testimin dhe gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar.
New Yorku prek shifrën më të ulët të viktimave
Ndërkohë që Shteti i New Yorkut ka regjistruar ditën e Hënë treguesin më të ulët të vdekjeve ditore, 337(nga 367 ditën e dielë) dhe në rang shteti u regjistruan në total 22 mijë e 612 viktima, pesë bashkitë që përbëjnë NYC (New York City) kanë raportuar 11,708 vdekje të konfirmuara nga koronavirusi dhe 5.222 vdekje të mundshme të koronavirusit, sipas faqes së internetit të qytetit. Pra vetëm NYC ka 16 mijë e 930 të vdekur, ndërsa pjesa tjetër e shtetit kap shifrën 5 mijë e 682.
Departamenti i Shëndetit në New York City përcakton vdekje të mundshme nga nga COVID-19 ata pacientë që nuk kishin një test laboratorik pozitiv të Covid-19, por çertifikata e tyre e vdekjes kanë të shënuar si shkakun e vdekjes “COVID-19”.
Ka pasur 156.100 raste të koronavirusit në NYC, dhe rreth 40,000 njerëz të shtruar në spitale gjatë kësaj kohe, sipas statistikave të qytetit.
Të infektuarit e rinj të raportuar në 24 orshin e fundit për shtetin e New Yorkut ishin vetëm 3 mijë e 333(nga 5 mijë e 678 të dielën) duke e çuar shifrën e përgjithsme të të infektuarëve në 297 mijë e 224. Testimet në shtet janë në shifrat më të larta se në çdo shtet tjetër të Amerikës dhe më të larta se në shtetet europiane si Franca, Britania e Madhe etj. Deri ditën e hënë New Yorku kishte kryer 826 mijë 95 testime, nga 463 mijë e 662 që ka kryer Franca dhe 719 mijë e 910 Britanai e Madhe.
Guvernatori Cuomo do t’ua zgjasë mbylljen disa qarqeve
Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, gjatë konferencës së përditshme të së hënës, tha se ai ka të ngjarë të zgjasë urdhrat për qëndrim në shtëpi dhe të mos hapjes së bizneseve për disa qarqe përgjatë afatit aktual të shtetit që është përcaktuar me 15 maji.
Në fakt, numri i shtrimeve të reja në lidhje me koronavirusin është ulë deri rreth 1.000 në ditë, sipas të dhënave të shtetit, ndërkohë që edhe shifrat e tjera flasin për për mirë.Po ashtu spiatlet kanë hapsira të bollshme dhe ventilator më shumë se duhet. Nga ana tjeter edhe anija e marinës që erdhi për ndihmë po merr rrugën e kthimit.
Cuomo përsëriti se shteti duhej të bënte më shumë testime dhe gjurmime të kontakteve në mënyrë që të fillonte rihapja në pjesët e mundshme të shtetit.
Kryebashkiaku Bill De Blasio tha se do të hapë 100 milje rrugë për qytetarët
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha të hënën me 27 prill se ai dhe këshilli i qytetit arritën një marrëveshje mbi një plan që do të mbyllte 40 milje rrugë për trafik automjetesh dhe do t’u jepte qytetarëve më shumë hapësirë të lirë pasi edhe moti po bëhet më i ngrohtë. De Blasio tha se ai është i angazhuar të hapë deri në 100 milje rrugë për këmbësorët nëse do të jetë nevoja me qëllim që qytetarët të mos grumbullohen për mungesë hapsire por të ruajnë distancën.
Kryetari i Bashkisë gjithashtu njoftoi se qyteti do të punësojë 1000 gjurmues kontakti, ose detektivë sëmundjesh. Ai i bëri thirrje çdo punonjësi mjekësor me përvojë përkatëse të aplikojnë përmes internetit në faqen e departamentit të shëndetit publik.
Departamenti i Arsimit në NYC ka humbë 68 punonjës
New Yorku ka humbur shumë punonjës të vijës së parë në këtë betejë me virusin e padukshëm, si punonjës të shërbimeve publike, por ka humbur jetë punonjësish edhe në arsim.
Departamenti i Arsimit në New York City ka humbur 68 punonjës në COVID-19 që nga e hëna, deklaroi departamenti i arsimit. Në këtë shifër përfshihen 28 mësues, 25 profesionistë profesionalë, tre punonjës të zyrës qendrore, dy administratorë, dy këshilltarë udhëzues dhe dy punonjës të shërbimit ushqimor.
Shkollat e New York City do të vazhdojnë të jenë të mbyllura për pjesën tjetër të këtij viti shkollor.
Guvernatori i New Jersey-t preferon rihapjen e përgjithshme të shtetit
New Jersey është shteti i dytë pas New Yorkut më i prekuri nga pandemia e COVID-19. Ai ka regjsitruar deri tani 111 mijë 188 të prekur nga Koronavirusi dhe 3 mijë e 3 të vdekur, ndërkohë që ka kryer 227 mijë e 390 testime. Parametrat e prekshme të koronavirusit janë në ulje në të gjitha drejtimet. Në ditën e sotme, e hënë 27 prill,kishte 106 të vdekur. Në këto kushte po mendohet për rihapje. Nëse në shtetin e New York-ut mendohet për hapje rajonale, Guvernatori i New Jersey, Phil Murphy, u shpreh në fillimjavë se ende është herët për të thënë nëse rihapja do të bëhet mbi baza rajonale ose në mbarë shtetin që drejton. Ai vetë preferon këtë të fundit.
-Paragjykimi im do të mbështetet drejt marrjes së vendimeve shtetërore- tha ai, duke shtuar “nëse nuk shohim një arsye të vërtetë unike për të bërë ndryshe, ose nëse nuk shohim një realitet me të vërtetë të dyzuar në drejtim të virusit dhe ndikimit të tij në shtet.”
Rihapja do të fillojë në vendet e punës dhe vendet ku shteti ka një “shkallë të lartë besimi”, që distanca sociale dhe normat e tjera mund të zbatohen në mënyrë efektive, kometoi ai gjatë konferencës të së hënës.
Përsa i përket radhës së rihapjes së bizneseve, Guvernatori Murphy tha se ndoshta duhet filluar me “zinxhirin ushqimor” dhe elementët e tjerë thelbësorë. Ai shtoi se e do shumë muzikën, por koncertet nuk mund të kthehen shpejt.
Murphy vuri në dukje se disa vendime ka të ngjarë të merren në harmoni me shtetet e tjera, duke dhënë shembullin se ai nuk mund ta imagjinojë që një restorant në Jersey City (New Jersey), do të kishte një protokoll të ndryshëm rihapjeje nga një restorant në anën e poshtme perëndimore të Manhattanit(New York)
Iowa do ta fillojë rihapjen në 77 qarqe me 1 Maj
Guvernatorja e shtetit Iowa, Kim Reynolds, njoftoi të hënën se 77 nga 99 qarqet e shtetit mund të rihapin restorantet, qendra palestre, dyqane me pakicë dhe qendra të mbyllura me kapacitet 50%, duke filluar nga 1 maj.
Reynolds tha gjithashtu se ajo po heq ndalimin e tubimeve fetare, por jo të grumbullimit të më shumë se 10 personave.
Kjo qasje synon që të lirojë kufizimet në qarqet ku nuk ka veprimtari të virusit ose ku aktiviteti i virusit ka qenë vazhdimisht i ulët dhe ka treguar një prirje rënëse, tha Reynolds.
Vendet ku aktiviteti Covid-19 është më i lartë do të qëndrojnë të mbyllur deri në 15 maj, tha guvernatorja.
Hapja e qarqeve bazohet në aktivitetin e virusit dhe sasinë e rasteve të reja gjatë 14 ditëve të fundit, sqaroi Reynolds.
Ajo shtoi se biznesi dhe kishat e aprovuara për rihapjen duhet t’i përmbahen distancimit shoqëror, higjenës, masave të shëndetit dhe udhëzimeve të biznesit nga departamenti i shëndetit publik për të zvogëluar përhapjen e Covid-19.
Reynolds tha gjithashtu se restorantet do të duhet të mbajnë tavolina të paktën gjashtë metra larg dhe të kufizojnë numrin e njerëzve që mund të jenë në një tryezë.
New York, 27 Prill 2020