Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara të shtojnë përpjekjet për t’iu kundërvënë disa veprimeve të Rusisë në Ballkan, e cila, tha ai, synon të bëjë për vete vende të ndryshme. Gjatë një seance për buxhetin në Senatin amerikan, zoti Kerry tha se Rusia po përpiqet të rindezë një lojë të rrezikshme. Sekretari i Shtetit u bëri jehonë komenteve të senatorit Chris Murphy, i cili vitin e kaluar vizitoi disa vende të Ballkanit. Në seancën për buxhetin, Sekretari amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për t’ju kundërvënë veprimeve të Rusisë në Ballkan. “Rusia ka nisur një përpjekje në shkallë të gjerë për t’i kthyer vendet e ndryshme në anën e saj. Në thelb, ajo po përpiqet të rindezë një lojë ku askush nuk fiton. Ne mendojmë se kjo është e rrezikshme dhe e panevojshme,” tha Sekretari amerikan i Shtetit. Zoti Kerry foli në komisionin e Senatit për ndarjen e fondeve, gjatë debateve mbi buxhetin për këtë vit financiar. Ai iu përgjigj komenteve të senatorit Chris Murphy, i cili vjeshtën e kaluar vizitoi disa vende të Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën:-“Ajo për të cilën ne nuk flasim çdo ditë janë veprimet e Rusisë në Moldavi, Gjeorgji, Serbi, Mal të Zi, Letoni apo në vendet baltike. Kjo është një lloj lufte asimetrike që Rusia po e perfeksionon, duke blerë mediat apo duke paguar zyrtarët publikë. Njerëzit që nuk i blejnë dot, ata i frikësojnë,” tha senatori. Senatori Murphy tha se Perëndimi nuk po arrin t’i kundërvihet kësaj veprimtarie me mjete ligjore për t’i bërë të paefektshme mjetet që përdor Moska. Senatori, i cili vizitoi vendet e Ballkanit vjeshtën e kaluar, solli si shembull Serbinë, ku ai tha se Rusia po përpiqet të depërtojë në mënyrë masive, me një ndikim më të madh se kurrë më parë. Senatori Murphy tha se janë disa dhjetra vendet që po kërcënohen nga e ashtuquajtura “Rusia e Re”. Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit Kerry, u bëri jehonë komenteve të senatorit Murphy, duke kërkuar që SHBA të mobilizojnë më tepër burime në këtë proces:-“Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në vijën e zjarrit. Po kështu edhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Transdnestria. Ne përpiqemi të bindim njerëzit se nuk kërkojmë një lojë me Rusinë, ku askush nuk del i fituar. Ne besojmë se Ukraina mund të bëhet një portë si për Lindjen ashtu edhe për Perëndimin”, tha Sekretari i Shtetit. Zoti Kerry tha se, SHBA po e ndëshkojnë veten në mënyrë të panevojshme duke kufizuar mundësitë që kanë, për të qenë më të pranishëm në disa nga këto beteja ku ato mund të sjellin një ndryshim.
Marë nga VOA, 25 shkurt 2015(foto-arkiv)