Nga Ndue BACAJ
Si sot 5 shtator të vitit 1997 nga planeti Tokë u shua një yllë mbi yje që sillte dritë, paqe, harmoni e shpresë për jetën. U shua nga kjo botë e përkohëshme për t’u ngjitur lart në Qiell, në atë Botë të amshueme që pushojnë shpirtërat e pafund të njerëzve që përcuallën mijëra e mijëra vite, të mjeruara e lumturuara. U shua Nënë Tereza, duke na lënë si kujtim veprat e saja të kryera për njerëzit në nevojë thuajse në çdo cep të globit tonë, duke na lënë në këtë tokë trupin të cilin e kishte marrë përkohësisht, ndërsa shpirti i saj e ka vendin në Parajsën që rrinë Engjëjt. E ne veten tani e kuptojmë se Nënë Tereza nuk kishte qenë një njeri i kësaj toke, por kishte qenë një Engjëll i vërtetë që vetë Zoti ja kishte falë përkohësisht kësaj bote halleshume. Është fat i paçmuar për Racen tonë Iliro-Shqiptare që vetë Krijuesi zgjodhi bijën tonë për ta shenjtëruar, pasi në trupin e saj kishte dërguar shpirtin e shenjtë, duke e bërë shenjtore të kësaj bote ndoshta në zgrip të besimit se Zoti e kishte “harruar” njerëzimin që e kishte falur vetë… si shëmbëlltyrën e tij. Zgjedhja e bijës sonë Nënë Tereza për ta bërë shenjtore nuk kishte qenë e rastësishme, pasi nga Raca jonë ndër dy-mijë vitet Kristianizëm, i kishim falur këtij besimi jetdhënës rreth 600 shenjtorë e martirë, që gjaku dhe veprat e tyre janë në themelet e këtij besimi e qytetërimi, frutet e të cilit i gëzojnë edhe ata që nuk e duan sot në shekullit XXI. Gjithsesi kur besimi dhe qytetrimi Kristian i Europës ishte në zgrip në shekullin XV, vetë Krijuesi bëri emër që po nga raca jonë të lindë “Mesia” Gjergj Kastrioti, i cili me shpatën e shenjtë mbrojti qytetrimin dhe besimin e Arbërisë dhe vetë Europës plakë… Siç e thamë më sipër, përsëri nga raca jonë në shekullin e XX lindi një Shenjtore tjetër, fama dhe shenjtëria e së cilës u shpërnda në të gjithë Botën. Ajo lindi në vitin 1910 në një lagje të Shkupit nga prindërit shqiptarë Kolë e Dranne Bojaxhi, dhe emri i saj si krijesë e brishtë e kësaj bote kishte qenë GONXHE, dhe këtë emër e mbajti derisa kjo gonxhe çeli lulen e shenjte, që pas thirrjes shpirtërore nga vetë Jezu Krishti, kjo bijë e racës sonë ju përkushtua me sakrifica besimi e ndjejave njerzore, për të sjellë shpresë tek të dëshpëruarit, për të sjellë jetë tek ata që po vdisnin, për të sjellë shërim tek të sëmurët, për të sjellë besim tek të paorinetuarit. Nënë Tereza këtë emër e mori gjatë misionit të saj të bamirësisë, tek motrat Loreto e pastaj krijoi misionin e saj që e përhapi në 123 vendet e botës, ku India e Largët ishte epiqendra e deri në atdheun e saj të sapo çliruar nga diktatura komuniste. Misioni i shpresës së bamirësisë së Nënë Terezës ishte aq i madh sa e njohën jo vetëm shtete e qeveri, por edhe vetë Vatikani. Misioni i Nënë Terezës zgjati mbi 60 vite, kohë që e bëri të thirrej bijën tonë Moter, Nënë e më në fund Shenjëtore, të të gjithë botës. Bota e civilizuar jo vetëm ja njohu veprat e bamirësisë e mëshirës për njerëzit në nevojë, por e vlerësoi Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe mbi të gjitha Çmimin NOBEL për Paqe me 1979, ndërsa mjerisht shteti komunist në ato kohë e anatemonte dhe nuk e lejonte të vinte as tek varret e njerëzve të saj të dashur në Tiranë (Nënës e Motrës). Shqip “Ne” duke i mbyllë dyert bijës sonë, Nënë e Botës e paqes dhe bamirësisë , ne i mbyllëm vetvehtes shpirtin e Shenjtë që Zoti kishte dërguar mbi ne… Gjithsesi Nënë Tereza na fali ne shqiptarëve, sepse e dinte se nuk jemi ne populli që e përbuznim e mbyllnim dyert, por ishin djajtë e kuq që na kishin kapur për fyti (ndoshta si sprovë nga vetë Krijuesi). Nënë Tereza lutej për të gjithë popujt e botës që vuanin nga mjerimi, skamja, padrejtësia si dhe sëmundjet e Epidemitë, dhe ndër lutjet më të fuqishme duket se kishin qenë edhe ato për popullin e saj shqiptar që lëngonte nga epidemia e kuqe. Zoti duket se i dëgjoi lutjet e bijës sonë Nënë Tereza, dhe bëri emër që lëngata e kuqe të rrëzohet nga froni sundimtar, duke na futur në rrugën e pluralizmit, lirisë e demokratisë dhe besimit në Zot, dhe në vlerat tona të mohuara për dekada. Në pak vite që i kishin mbetur mbi këtë tokë bijes sonë të Shenjtë Nënë Terezës, ne e nderuam e respektuam si asnjë popull tjetër në botë, ndërsa bija jonë hyjnore na fali e na njohu si “GJININË” e saj, shpesh mëkatare jo për fajin tonë… Me 5 shtator 1997 i madhi Zot thirri pranë vehtes në Qiell bijën tonë Nënë Tereza, së bashku me shpirtin e Shenjtë që vetë ja kishte dërguar për dhjetëra vite… Fatësisht vetë selia e shenjtë me anë të ish Papës Famëmadh Gjon Pali II falenderoi kombin tonë për këtë bijë të shenjtë që i dhamë kësaj bote halleshume, ku ndër të tjera do të thoshte: “… Edhe në kohën e Izolimit të plotë të Shqipërisë kjo rregulltare e përvuajtur ishte ajo që përçonte emrin e atdheut tuaj në mbarë Boten. Në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë, pasi ky ishte misioni i saj dhe i gjithë atyre ndjekësve të vërtetë të Krishtit dhe Apostujve të tij që përhapnin dashurinë dhe jetën mbi dhembshurinë e kësaj bote. Për këtë ju falenderoj sot (Ju shqiptarëve) në emër të Kishës Katolike, që i falët botës këtë bijë të madhe të tokës e popullit tuaj…” Vatikani me 19 tetor 2003 nisi proçesionin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, procesion që “kulmoi” me firmosjen e dekretit të shenjtërimit të Nënë Terezes me daten 4 shtator 2016 nga Papa Francesku, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes saj (5 Shtatori), që njihet edhe si dita e festës së saj. Është me vlera të thuhet se, në shtetin e Nju Jorkut (USA), Senati dhe Asambleja e këtij shteti kanë shpallë (në 2017) , 4 shtatorin festë zyrtare që do njihet si të gjitha festat e tjera të veçanta. Neper Botë në përgjithësi e në trojet etnike Shqiptare në veçanti filluan t’i kushtojnë shumë vepra arti e emërtime të ndryshme, ku spikat ndertimi i Katedrales kushtuar Shenjtores Terezë në Prishtinë (Kosovë) , shugurimi i të cilës u bë me 5 shtator 2017 , me rastin e 20 vjetorit që Nënë Tereza ndërroi jetë. Vlenë të shënohet se në Shkodër para disa viteve pas shumë vështirësive (që suallen disa gjykime me mendësi antieuroperëndimore) , u bë e mundur që në qendër të qytetit të kemi “truporen” e saj , e cila me sa duket do të zëvendësojë për Shkodrën e Malësinë Zojën e Shkodrës, të larguar nga rreziku i aziatikëve (turko-osman) që në vitin 1467… Nënë Tereza , sot Shën Tereza na ka lënë të shkruar edhe qindra shkrime e vargje me fjalë shpirti, të cilat i perkasin filozofisë toksore e hyjnore, ku me këtë rast mendova të citoj atë me titull Himni i jetës:
“ Jeta është bukuri, admiroje.
Jeta është një shans, kape.
Jeta është lumturi, shijoje.
Jeta është ëndërr, bëje realitet.
Jeta është sfidë, përballoje.
Jeta është detyrë, kryeje.
Jeta është lojë, luaje.
Jeta është e çmuar, kujdesu për të.
Jeta është pasuri, ruaje.
Jeta është dashuri, dhuroje.
Jeta është mister, zbuloje
Jeta është premtim, plotësoje.
Jeta është trishtim, kaloje.
Jeta është himn, këndoje.
Jeta është betejë, pranoje.
Jeta është aventurë, rrezikoje.
Jeta është lumturi, meritoje.
Jeta është jetë, mbroje”.
Duke i ardhur fundi këtij shënimi të vogël, me rastin e 5 vjetorit të madhnueshëm të shenjtërimit të Nënë Terezes, mendova të kujtoj fjalët domethënëse të shkruara nga dora e saj në gjuhen shqipe, Oslo, 10 dhjetor 1979: “Unë gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shumë i luti Zotin që Paqja e Tij te vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutim shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”
Faksimile e letres së shkruar nga Nënë Tereza, dhe publikuar nga Ministria e Jashtme , Oslo 10 dhjetor 1979.
Ndersa edhe unë si autor i këtij shenimi përkujtimor, kam një lutje për Shë Terezen, shenjëtorns tonë:
“SHENJTA TEREZA LUTU PËR NE MËKATËNOR TË KTHEHEMI NË SOFRËN EUROPERËNDIMORE TË LARGUAR PREJ KOHËSH PADREJTËSISHT DHE PA DËSHIRËN E SHUMICËS SË SHQIPTARËVE…. Lutu Shenjtorja jonë të na kthehet Shenjtëria, paqja dhe Harmonia, aq të nevojshme për të gjetur rrugën e begatisë e mirëqënies… LUTU.”
Malësi e Madhe, 4-5 shtaator 2021