PRISHTINË,5 Mars/-Manifestimi qendror në shënimin e 17 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në nderim të Komandanti Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit, u mbajt në Kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë.
Përvjetori i 17-të i rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari u shënua nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i cili foli në manifestim ku morën pjesë edhe kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari, ambasadorë, ministra, deputetë, veteranë, invalidë dhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, qytetarë dhe nxënës të shkollave kosovare.
Manifestimi filloi me Himnin shtetëror të Republikës së Kosovës të ekzekutuar nga Orkestra frymore e FSK-së. Më paskryetari i Parlamentit Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati dhe Smajl Elezaj përfaqësues i Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, vendosën kurora me lule pranë Obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.
Në manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, në emër të Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve, manifestimin e përshëndeti Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit.
Në kuadër të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, ministri i FSK-së Haki Demolli dhe komandanti gjenerallejtënant Kadri Kastrati ndanë medalje për ushtarët, nënoficerët, oficerët dhe stafin civil të dalluar të Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ceremonia ushtarake u mbyll me Marshin ushtarak të ekzekutuar nga Orkestra Frymore e FSK-së.
Me rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, Qeveria e Republikës së Kosovës, me 5, 6 dhe 7 mars, po organizon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës