
Rafaela Prifti/
John Goodenough, (Xhon Gudinaf) i cili fitoi çmimin Nobel në vitin 2019 në moshën 97 vjeçare, mposhti shumë vështirësi në jetë dhe arriti të jepte aq shumë për shkencën dhe njerëzimin. Shpërblimin nuk e kërkoi kurrë në reklamimin e vetes dhe marrjen e çmimeve, por vetëm te arritjet shkencore. Në kohën e sotme kur vetëreklama dhe marketingu nuk njohin kufi, ai është shembulli që tregon se reklama dhe madhështia e njeriut janë dy gjëra të ndryshme. Edhe nëse nuk ju kanë rënë rasti ta njihni apo nuk e keni dëgjuar emrin Xhon Gudinaf, produktet e punës së tij i keni në duar për çdo ditë.
Bateritë mund të jenë një artikull të cilit nuk i kushtojmë shumë vëmendje por pa to jeta jonë e përditshme dhe e gjithë bota moderne nuk do të ekzistonte. Ato janë në qendër të kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore në laboratorë të firmave të mëdha industriale, universiteteve dhe natyrisht sektorit komercial. Qysh nga viti 1800 kur Alessandro Volta shpiku baterinë e parë, njerëzimi ka qenë në kërkim të baterive që janë të sigurta, të fuqishme, të lehta, punojnë shpejt dhe nuk janë të kushtueshme. Materialet e përdorura për anodën, katodën dhe elektrolitet përcaktojnë sasinë dhe shpejtësinë e joneve që përbën në thelb fuqinë e baterisë. Roli i John Goodenough (Xhon Gudinaf) në përditshmërinë tonë është i pakontestueshëm. Nobelisti për baterinë me jone litiumi ndërroi jetë në moshën 100 vjeçare. Në 2019 John ishte bashkëfitues i Çmimit Nobel në Kimi për rolin kyç në arritjen e shpikjeve që çuan te bateritë e rikarikueshme të cilat janë të kudogjendura në pajiset elektronike dhe hibride. Atë vit ai ishte 97 vjeç dhe hyri në histori si njeriu më i moshuar që ka fituar çmimin prestigjioz. Përpara se të përzgjidhej si laureat, Dr. Goodenough ishte relativisht i panjohur në qarqet akademike dhe nga gjigandët komercial që e shfrytëzonin punën e tij. Në laboratorin e Universitetit Oxford ai pati sukses në krijimin e baterisë që më vonë pushtoi botën me telefonat e dorës, dhe tableta kompjuterike, veç pajisjeve që shpëtojnë jetë si defibrilatorët kardiologjik dhe automjeteve elektrike si Tesla, që çojnë në zbutjen e efektit të ndryshimit të klimës.
Për sa i takon historikut të baterive, ecuritë teknologjike kanë ndodhur hap pas hapi dhe në sajë të një numri të madh shkencëtarësh dhe teknikësh për vite me radhë. Por Dr. Goodenough është ai që ka krijuar hallkën lidhëse në kimi, fizikë dhe inxhinieri në shkallën molekulare. Ai nuk mori përqindje të pagesave për punën e tij në fushën e Teknologjisë së baterive veç rrogës së gjashtë dhjetëvjeçarëve si shkencëtar dhe pedagog në MIT ( Instituti i Teknologjisë Masaçusets) në Oksford dhe Universitetin e Teksasit. Ai madje nuk rezervoi as të drejtat ekskluzive dhe ua jepte patentat e shpikjeve kolegëve si dhe i dhuronte donacionet që fitonte për kërkime dhe bursa. Edhe pasi arriti moshën 90 vjeçare Goodenough ishte aktiv në punën e tij për një “superbateri”. Ai thoshte se kjo do të bënte të mundur ruajtjen e energjisë së erës, atë diellore dhe bërthamore që do të revolucionalizonte rrjetin elektrik dhe transportin.
Jetën e tij e përshkruan në librin me kujtime “Dëshmitar i Madhështisë” “Witness to Grace” (2008) I ardhur në jetë si fëmi i padëshiruar i një profesori të teorisë së fesë në Yale University dhe një nëne me të cilën nuk e pati kurrë lidhjen mëmë-bir, atë e dërguan në një shkollë private në moshën 12 vjeçare. Vuante nga disleksia, dhe iu desh që më shumë durim dhe punë të jashtëzakonshme të kapërcente vështirësitë për të lexuar. Studioi Latinisht, Greqisht dhe u specializua në shkencat matematikore në Yale dhe pastaj në fushën e meteorologjisë prej nga vazhdoi në degën e fizikës ku u doktorua nga University of Chicago (Universiteti i Çikagos) 1952. Gjatë atij dhjetëvjeçari ishte pjesë e ekipit të MIT – nismëtar për memorien kompjuterike (RAM), shkruhet në nekrologjinë e tij. Në vitet 70 shkoi në Oksford ku jepte mësim dhe njëherit filloi hulumtimet për teknologjinë e baterive në laboratorin e kimisë. Duke përmirësuar vetitë e baterive me litium si elektroda negative, ai arriti të përdorte me sukses jonet e litiumit duke krijuar bateri të rikarikueshme që mundësonte përdorimin e tyre në sfera të reja dhe më shtrirje të gjerë që nga pajisjet elektronike e mjekësore deri te automjetet dhe rrjeti i komunikacionit.
Shkencëtarët e quajtën “bateria që shpëtoi botën”. Sipas nekrologjisë të publikuar në shtyp, për këtë shpikje nuk pati interesim fillimisht, madje Oksfordi nuk pranoi të lëshonte patentën për këtë zbulim të tij. Por ndërkohë në Japoni dhe Zvicër po dilnin me sukses teknologji që kombinonin litiumin me grafit karboni. Në 1991 Sony ishte kompania e parë që e kuptoi vlerën fitimprurëse dhe potencialin për shumë aplikime të zbulimit të Goodenough. Laboratorët e zvogëluan madhësinë e baterisë rimbushëse e cila hyri në prodhim masiv duke sjellë një revolucion në telefonat mobilë si edhe në rrjetin e komunikacionit.
Xhon Gudinaf u lind në Gjermani në 25 Korrik 1922. Ishte i dyti nga katër fëmijët e Ervin dhe Helen Goodenough. Kur Xhoni ishte foshnjë, familja u kthye në Amerikë pasi babai përfundoi studimet në Oxford dhe filloi punë si pedagog në Yale. Në nekrologjinë e tij thuhet se marrëdhëniet me prindërit ishin të ftohta. Për shkak të problemeve nga disleksia, Xhon konsiderohej nxënës i dobët. Studimet rigoroze dhe standardet e larta mësimore në Groton School në Masaçusets dhe Yale i dhanë një bazë të fortë disipline në jetë. Doli me rezultate të shkëlqyera në shkollën e mesme dhe fitoi bursë për Yale. Në 1943 u mobilizua në Forcat Ajrore Ushtarake. Pas luftës, iu dha bursë nga qeveria amerikane për të studiuar fizikë në Universitetin e Çikagos. Mori shkallën e parë shkencore në 1951 dhe një vit më vonë doktoraturën. Ka shkruar tetë libra dhe mbi tetëqind artikuj në revista dhe buletine shkencore. Ai ishte 100 vjeç kur ndërroi jetë në 25 qershor në Austin, Teksas.

See Insights and Ads
All reactions:
44