Aurela Poti (Koldashi), mësuese e shkollës shqipe në Bolonja të Italisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Bolonja, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Aurela Poti (Koldashi), bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
SHKOLLA SHQIPE IDEUAR NGA SHOQATA “KORABI”
Shkolla Shqipe është ideuar dhe realizuar nga shoqata “Korabi” me qendër në Bolonja. Qëllimi i shoqatës është të japë kontributin e tij për të gjithë shqiptarët që tashmë jetojnë dhe punojnë në këtë rajon. Një nder obligimet e saj është ruajtja e vlerave tona kombëtare edhe pse jetojmë jashtë atdheut. Gjuha si element kryesor i identifikimit të një kombi mbart një peshë të madhe për të gjithë ne që kemi migruar për një jetë më të mirë. Duke parë nevojën për ruajtjen e kësaj vlere si dhe kërkesat e njëpasnjëshme të shqipëtarëve që jetojnë këtu për mësimin e gjuhes mëmë, hodhëm hapin për realizimin e hapjes së shkollës në gjuhën shqipe. Shkolla jonë ka nisur si fillim me pak nxënës dhe është në hapat e parë të saj… Sot që po flasim numri i nxënesve të regjistruar është 40 dhe u përkasin grupmoshave të ndryshme.. Mësimi në shkollë bëhet një herë në javë. Me rritjen e kapacitetit mendojmë që të shtohet numri i klasës si dhe orë mësimore
KURRIKULA MËSIMORE
Në shkollën tonë përdoret kryesisht kurrikula bërthamë që kanë në thelb lëndën e gjuhës shqipe, ku nxënësit mësojnë të shkruajnë dhe të flasin në gjuhën tonë. Përveç kërkesave të vazhdueshme të prindërve për të sjellë fëmijët e tyre në shkollë, ne kemi patur dhe mbështetjen e tyre për të promovuat vlerat dhe për të rritur dëshiren tek fëmijet e tyre në mësimin e gjuhës tonë.
MËSIMI I GJUHËS SI FORME E RUATJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPËTARËVE NË ITALI
Ne vijmë nga një vend i vogël, por me histori të madhe,vijmë nga një vend i varfër por me vlera të mëdha si komb. Vijmë nga një vend ku diktatura na mohoj liritë për rreth gjysëm shekulli duke na detyruar të largohemi drejt vendeve ku nuk të mohohen këto të drejta por njeriu respektohet si i lirë. Një ndër këto vende që hapi dyert e para që në fillim të vitit 1990 ishte dhe vendi ku tashmë jetojmë, Italia dhe për këtë shpreh mirënjohjen time dhe të bashkëatdhetarëve të mi. Pavarsisht që ne tashmë jemi integruar këtu, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi detyrimin moral për të ruajtur të freskët simbolet tona kombëtare si gjuhën,flamurin, kulturën dhe traditat. Nuk duhet të harrojme që kjo ka ndodhur rreth 6 shekuj më pare ku një popullsi jo e pakët në numër kanë emigruar në jug të Italisë dhe sot identifikohen me emrin Arbëreshe të cilët kanë ruajtur gjuhën dhe traditat e atdheut të tyre. Dy popujt kanë patur gjithmonë ura bashkimi.
SI PRITET MËSIMI SHQIP NË ITALI
Në nismën tonë ne kemi patur mbështetjen e pakursyer të jo vetëm të qytetarëve italian që na rrethojnë, por edhe të organevr shteterore te Bolognas dhe të komunës së Castenasos ku është hapur shkolla Korabi. Ne kemi bashkëpunime të ngushta me shoqatat e tjera të intelektualëve shqiptare jo vetëm në Itali por edhe në Diaspore. Idenë e bashkimit më shumë se kushdo e ndjejnë emigrantët që ndodhen larg vendit të tyre, për tu ndjerë më afër njëri-tjetrit e së bashku në raste festash kombëtare e në moments të ndryshme.
MËSIMDHËNIA, SFIDA DHE ARRITJE
Në shkollën tonë përdoren metoda të ndryshme gjithëpërfshirëse duke bërë të mundur përfshirjen e të gjithë fëmijëve. Natyrisht që përdorimi i teknologjisë është jo sfidë por domosdoshmëri tashmë… Për këtë jemi munduar të gjithë nevojat për nxënësit tanë. Përsa i përket vështirësisë së mësimdhënies me fëmijët me dy gjuhësi, natyrisht që hasim vështirësi. Mos harrojmë që shqiptarët kanë 30 vite që kanë emigruar, shumë fëmijë kanë lindur në Itali, frekuentojnë shkollat italiane. Ndaj mësimi i gjuhës shqipe ka një rëndësi të madhe. Dëshira e madhe e tyre për të mësuar gjuhën mëmë kalon çdo sfidë! Sigurisht mësimëdhenia në ditët tona nuk është aspak e lehtë , jo vetëm për grupmoshat e nxënësve, por edhe sepse për ata/o gjuha shqipe është gjuhë e dytë. Dhe në këtë rast nevoje na ndihmojnë vajzat e grupit të të rriturve (11-16 vjeç)
EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT MËSIMI I GJUHËS SHQIPE
Natyrisht që ka luajtur një rol të madh. Nëpërmjet aktiviteteve që organizojmē në ditët e festave tona kombëtare është zgjuar dhe dëshira e tyre për të kënduar këngë patriotike ,lexojnë vargje në gjuhën shqipe, vizatojnë simbolet tona kombëtare.
KUSH ËSHTË MËSUESE AURELA POTI (KOLDASHI)
Kam mbaruar studimet e larta në vendin tim. Me formimin akademik kam marrë njohuritë e duhura për të qenë në shërbim të mësimdhënies cilësore për brezat që vijnë. Dëshirën dhe pasionin për këtë profesion e kam të trashëguar nga babai im. Kam patur mundësinë që të punoj për një periudhë 2- vjeçare me grupmosha të ndryshme dhe kjo më shërbeu si përvojë për të nxitur dëshirën që këtë profesion ta vazhdoj dhe këtu në Itali… Kam ndërtuar familjen time prej 4 vitesh këtu me një bashkëshort mbështetës dhe dy vajza të vogla që së shpejti do të bëhen pjesë e shkollës. Dashuria për gjuhën time, bashkëpunimi me mësuese Valbona Toçi, dëshira për të kontribuar në arritjen e qëllimit të gjithësecilit janë indikatorë nxitës në punën time. Dua të falenderoj shoqatën ‘Korabi’ për mundësinë që më ka dhënë, për të qenë pjesë këtij misioni kaq të bukur. Ju falenderoj për intervistën dhe kontributin që jepni në promovimin e vlerave të komunitetit shqiptarë në Itali.