
Dr. Nikollë Loka/
Prania shqiptare në kryeqytetin e Perandorisë osmane është e vjetër: shqiptarët u shfaqën aty që në fillim të pushtimit osman. Deri në shekullin e 17-të, praktika e devshirmesë ndihmoi në ruajtjen e një pranie shqiptare në ushtri dhe administratën osmane, gjë që nuk përjashtonte ekzistencën e migrimeve vullnetare. Vendbanimi Arnautkoj dikur ishte i populluar nga shqiptarët. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX, prania shqiptare mori një rëndësi të re me zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku një nga qendrat më aktive ishte Stambolli. Ndër personalitetet e kohës që jetuan në Stamboll mund të përmendim Pashko Vasën, Abdyl Frashërin dhe dy vëllezërit e tij: Naimin dhe Samiun, Namik Qemalin, Abedin Pashë Dinon, Ismail Qemalin etj. Shumica e tyre shërbyen në administratën e Perandorisë Osmane. Në përgjithësi, lëvizja e shqiptarëve në Perandori dhe vendosja e tyre në Stamboll dhe rajone të tjera, në brigjet e Detit të Zi dhe në Anadollin Perëndimor favorizoi krijimin e diasporës shqiptare në Turqi, kur rrethanat politike të fillimit të shekullit të 20-të i detyruan një numër të madh të shqiptarëve që të largoheshin nga Ballkani.
Nga mesi i shekullit të 16-të deri në Revolucionin Xhonturk, botimi dhe publikimi i librave në gjuhën shqipe në Perandorinë Osmane kaloi në tre faza: deri në fillim të shekullit të 19-të u botuan disa libra të rrallë fetarë për një audiencë të kufizuar; deri në Lidhjen e Prizrenit ka një periudhë tranzicioni, me kalimin nga libri “i shenjtë” në librin “kombëtar”, i cili u botua dhe u shpërnda më shumë gjatë fazës së tretë, midis viteve 1878 dhe 1908.
Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe edhe pas dekretit perandorak (Hatt-i-Humayun, 1856), kur me ligj, të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim. Krahas rezistencës antitanzimatiste, e cila synonte të kundërshtonte vendosjen e pushtetit centralist burokratik në Shqipëri, në viset shqiptare lindi dhe u zhvillua Rilindja Kombëtare me një frymëmarje të gjerë politike, shoqërore e kulturore, e frymëzuar nga ideologjia e çlirimit kombëtar të atdheut nga zgjedha osmane dhe e formimit të një shteti kombëtar shqiptar.
Përpjekjet e shqiptarëve brenda atdheut u bashkuan me veprimtarinë e madhe të atdhetarëve në mërgim, të cilët nën ndikimin e zhvillimeve në vendet pritëse ishin organizuar në shoqëri atdhetare, arsimore e kulturore, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për përhapjen e mësimit shqip, botimin e teksteve shkollore etj.
Nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, shumë intelektualët shqiptarë, që kishin zënë vend në kryeqytetin osman, energjitë e tyre ia kushtuan në radhë të parë synimeve të zgjimit kombëtar shqiptar. Intelektualët shqiptarë në Stamboll krijuan në tetor 1879 “Shoqërinë e shtypjes së teksteve shqipe”, e cila propozoi krijimin e shkollave kombëtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera ku jetonin shqiptarët. Shoqëria përbëhej nga 10 myslimanë, 4 katolikë dhe 14 ortodoksë, të cilët përfaqësonin të gjitha shtresat shoqërore dhe u përkisnin tri besimeve fetare të ndryshme. Edhe pse qëndrimi osman ndaj kësaj shoqërie nuk dihet, ka të dhëna se shteti osman fillimisht shfaqi një politikë të moderuar kundër kërkesës për arsimin shqip. Por, sulltani Abdyl Hamiti II e lejoi shkollimin shqip aq sa i nevojitej dhe në ato vende ku i duhej, në jug të vendit për shkak të veprimtarisë së ethëshme të Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit grek. Sulltani ishte i interesuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar të kontrolluar dhe vetëm për aq sa I duhej atij. Në viset jugore të krahinës së Janinës dhe në krahinën e Manastirit, ku vepronte kultura ortodokse greke, pas vitit 1877 u lejuan të ngriheshin disa shkolla shqipe, por, Porta e Lartë nuk mund ta toleronte ngritjen e shumë shkollave që do të bënin zhvillimin kulturor kombëtar dhe laik midis shqiptarëve myslimanë, prandaj i mbylli shpejt ato shkolla dhe bashkë me to “Shoqërinë e shtypjes së teksteve shqipe” të Stambollit. Në ato rrethana, disa nga anëtarët e lane veprimtarinë atdhetare në mes, ndërsa pjesa tjetër së bashku me kryetarin e Shoqërisë Sami Frashërin e vazhduan veprimtarinë e tyre individuale në ilegalitet. Për të siguruar vijimësi, veprimtaria e Shoqërisë së Stambollit u zhvillua në Rumani, ku nuk kishte mundësi që të ndërhynin autoritetet osmane. Kjo situatë ishte parashikuar, pasi qysh në vitin 1880, Shoqëria e Stambollit kishte dërguar në Bukuresht Jani Vreton, njërin nga anëtarët aktivë të saj, me mision për të krijuar një degë të shoqatës atje.
Revolucioni xhonturk i vitit 1908 ishte moment thelbësor për pohimin e lëvizjes shqiptare, duke i krijuar mundësi asaj të vepronte haptas pas rivendosjes së Kushtetutës. Në rrethana të tilla, shqiptarët shpresonin se do të përmbushnin aspiratat e tyre dhe pothuajse të gjitha rrymat politike u bashkuan në mendimin se Lëvizja Kombëtare duhej të zhvillohej brenda regjimit xhonturk, duke përfituar prej lirive të njohura me kushtetutë. Në kuadrin e gjallërimit të lëvizjes kulturore shqiptare, në gusht të vitit 1908, në Stamboll nisën përpjekjet për ngritjen e një shkolle shqipe, e cila duket se nuk ka vazhduar gjatë, pasi nuk përmendet në vitet në vijim. Kjo gjendje vazhdoi deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Në kushtet, kur Perandoria Osmane humbi në luftë dhe çlirimi I vendit ishte detyra prioritare e autoriteteve osmane, një grup personalitetesh shqiptare në Stamboll vendosën të themelojnë një shoqëri me emrin “Shoqëria Ndihmëse e Kolonisë shqiptare në Turqi”, njëra prej angazhimit të të cilës ishte hapja e shkollave shqipe. Në Stamboll u krijua edhe shoqeria “Djalëria”, që kishte si qëllim kryesor arsimimin në gjuhën shqipe të fëmijëve të shqiptarëve në Turqi. Kjo shoqëri arriti të hapte tre qendra për mësimin e gjuhës shqipe në disa nga lagjet e Stambollit si: Topkapı, Eyüp dhe Üsküdar. Vështirësi ka pasur në sigurimin e teksteve shkollore, të cilat, siç dihej, kishin një kosto të lartë. Tekstet: abetare, gramatikë dhe këngë për vitin e parë, të cilat u shtypën nga shtypshkronja e Elbasanit u dërguan menjëherë në Stamboll. Krahas këtyre shkollave, atdhetarët shqiptarë u përpoqën të hapnin shkolla të reja edhe në lagje të tjera të Stambollit, si në Ferikoy, ku shkolla mori emrin e Naim Frashërit, njërit prej poetëve më të shquar kombëtarë.
Pas ardhjes në pushtet të qeverisë së Sulejman Delvinës, Komiteti Qendror i kolonisë shqiptare në Stamboll i kërkoi Kryeministrit shqiptar Sulejman Delvina tekstet dhe programet e shkollës fillore në Shqipëri. Kryeministri Delvina, që kishte vepruar në Stamboll si përfaqësues i asaj kolonie, do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës. Një vit më vonë, të njëjtën kërkesë përfaqësuesit e Komitetit të sipërpërmendur ia drejtuan kryeministrit të ri, Iljaz Vrionit. Programi i ardhur nga Shqipëria u botua i plotë në gazetën “E vërteta” nën kujdesin e Nesip Erës (Voshtinës). Gjatë kësaj periudhe u happen shumë shkollave shqipe në rrethe të tjera të Stambollit si në Beshiktash.
Shkolla kishte tri paralele me gjithsej 110 nxënës. Mësuesi i saj, Nesip Era, gjatë takimeve të shoqërisë shqiptare, u kishte bërë thirrje bashkatdhetarëve shqiptarë që të ndiqnin shkollën, ku krahas mësimit të gjuhës amtare, ai u përpoq të jepte mësime praktike dhe jetësore për kulturën tregtare dhe disa mësime zejtarie. Edhe kjo shkollë nuk arriti të plotësonte nevojat e shqiptarëve që jetonin në qytetin e madh të Stambollit, prandaj në lagjen “Fatih” u hap një shkollë tjetër e re që do të merrte emrin “Çamëria”. Po kështu, përfaqësues shqiptarë të klubit “Eyup”, hapën dhe një shkollë në lagjen e tyre të njohur si “Kosova”, me mësues Muntaz Kokalari, një djalë nga Gjirokastra. Shtypi shqiptar në Turqi do të vlerësonte hapjen e kësaj shkolle në qendër të Stambollit, duke shkruar se ”në qytetin e Stambollit ishin hapur disa shkolla në gjuhën shqipe, në të cilat mësonin rreth 500 nxënës”. Sipas të dhënave, shkolla shqipe ishin hapur edhe në Izmir, Bursë, Edrene, Inegol. Në vitin 1919, klubi i Izmirit i kërkoi Komitetit Qendror të Kolonisë Shqiptare në Stamboll 400 libra abetarje në gjuhën shqipe. Po më 19 gusht të vitit 1919 erdhi një kërkesë nga një shkollë tjetër në Bursa për 40 copë abetare.
Gjatë vitit 1920, u gjallëruan përpjekjet për mësimin e shqipes. Në janar 1922 Komiteti Qendror i shoqërisë në Stamboll vendosi të formonte një komitet i cili do të merrej kryesisht me çështjen e kujdesit për shkollat shqipe. Anëtarë të Komitetit ishin: At Bonati, Cem Dibra, Sabri Qyteza, Shefqet Dibra, Q. Dani, Sermet Xhaxhuli, Dhimitër Fallo. Gazeta “Shqipëria e Re” në këtë periudhë shkruante për një rënie të nivelit të organizimit të shkollave të gjuhës shqipe në Turqi, për mungesë organizimi të Komitetit Qendror të kolonisë shqiptare në lidhje me këtë problem.
Në shtyp shkruhej gjithashtu se “qeveria shqiptare kishte caktuar një fond për hapjen e një shkolle shqipe në Stamboll në fillim të vitit të ri akademik”. Gjatë vitit 1924, konfirmohet ekzistencën e një shkolle shqipe në Stamboll, në ndërtesën, ku ishin vendosur edhe zyrat e kolonisë. Në këtë shkollë jepnin mësim vullnetarisht Asaf Xhaxhuli, Vasil Andoni, Stavro Skëndi, Teodor Sina etj.
Pas përfundit të luftës dhe nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, Republika Turke iu kthye çështjeve arsimore, duke pamundësuar krijimin e një rrjeti shkollash shqipe, praktikë që në forma të ndryshme vazhdon dhe sot. Hapja e disa shkollave shqipe në Stamboll u bë e mundur në kushte të veçanta, kur osmanët ishin në luftë dhe nuk paten mundësi të hapnin një konflikt të ri me shqiptarët. Pas vitit 1925, shkollat shqipe u mbyllën dhe nuk u hapen më në vitet në vazhdim.