Nga At Zef Pllumi/
Së pari u njoha me Kasëm Trebeshinën në atë vorr të madh të përbashkët të Ballshit, i cili kishte nji emnim shumë të gjatë: “REPARTI I RIEDUKIMIT TË TË DËNUARVE PËR KRIME KUNDËR SHTETIT”.
Në atë vorr gjigand gjezdisshin kufomat tona, në atë oborrin e vogël mes barakave, ndërmjet orëve të mësimit të veprave të pavdekshme të një njeriu që e kishte shpallë veten “zot”. Unë atëherë isha nji i burgosun i vjetër, dhe si i tillë këqyrsha me nji sy kureshtar e hetues të gjithë ata që vijshin rishtas në vorrin tonë: kush asht, përse e kanë pru, nga vjen e me cilin rrin? E kështu gjatë e gjatë, deri në pafundësinë e pyetjeve. Bahej në fillim fotografimi i personit, mbledhja e dokumentacionit dhe kundërdokumentacionit verbal. Ma vonë vinte takimi vetëm me sy, ose ndonji rastësi e pregaditun, nga e cila shkaktohej, të shumtën e herës, vazhdimësia ose shkëputja e marrëdhanieve: këtë e përcaktonte kryesisht ajo që na nuk e njohim në jetë, por e thërrasim” puqje e karaktereve.
Informatat ose, ma mirë me thanë, thashethaniet për Kasëm Trebeshinën ishin aq kontradiktore, sa me u çmendë: asht komunist i orëve të para, nji kriminel i regjun: – komandanti ma i ri i çetave partizane, ma trimi e ma i pregadituni; – asht njeri i çmendun, maniak, skizofren, edhe spiun; – asht shumë i ndershëm, patriot i vërtetë, burrë i papërkulun; shkrimtar, filozof, nji gjeni i vërtetë, etj., etj.
Do të më duhej nji virtyt tepër i madh për me i shpëtue tundimit t’asaj kureshtjeje që pata për njohjen personale me këtë njeri që kishte kaq shumë epitete. Rastësinë e takimit e koordinoi nji mik i të dyve, Parid Derani. N’atë rasë formova bindjen e thellë se Kasëm Trebeshina ishte nji ndër talentet ma të rralla të letërsisë. Po veprat ku ishin? Jo vetëm unë, por pothuej kurrkush nuk kishte lexue ndonji libër të tij: ata nuk ishin botue dhe as nuk mund të botoheshin, mbasi nuk i përfshinte kallepi i “realizmit socialist”, sepse nuk hidhshin kem, thimjam, n’altarin e “zotit të ri”, “satanbeut”.
Periudha e tiranisë qe nji fat tepër i keq për letërsinë shqipe. Tirania nuk ndrydhi vetëm mendimin e lirinë e veprimit, por damin ma të madhin e bani tue deformue shijet artistike…U dënuen me vdekje ato vepra letrare me të cilat letërsia jonë mund të rrinte në radhë me tjerat letërsi botnore.
…Lufta partizane kishte mbarue më 1944, por ajo vazhdonte po me ato metoda, po me atë tërbim në lamijet e kulturës e sidomos në letërsinë shqipe, tue u përpjekë se kush e kush me zanë majat ma të naltat. Vandalizmi kulturor, letrar, gjuhësor e artistik, që u zhvillue ndër ne, qe i pashembullt edhe në historinë botnore. Në këtë funeral të kuturës shqiptare merrte pjesë për t’i këndue me eufori Requiem-in i gjithë kori i pseudoshkrimtarëve, i pseudoshkencëtarëve, i pseudoakademikëve e i pseudointelektualëve, të gjithë në garë për t’i dhanë lavde “zotit të ri”, krijuesit të gjithpushtetshëm të nji inteligjence injorante.
Sot qi shifet kjartë nga të gjithë falimentimi i plotë i brutalitetit kultural, shumë kush po nxiton të shpallet e të vetëshpallet “shkrimtar disident”, dhe në vend që të thonë nji “mea culpa”, e t’i kërkojnë ndjesë këtij populli të rrejtun, dhe t’i dishmojnë se o nga frika o nga injoranca ose nga arrivizmi, ata vetë ishin dhunuesat e visareve, shkatërruesat e letërsisë, vandalët e kuturës e t’ arteve, shtypsat e mendimit të lirë dhe adhuruesat servilë të tiranisë ma skllavnuese të shekujve, sot pretendojnë gjithnjë të jenë pishtarë ndriçues të së sotmes e të së nesërmes!
Kundër gjithë këtyne ndigjohet nji za: ai i Kasëm Trebeshimës, për të cilin po flasim, tue ju ba të njohtun romanin e tij “Rruga e Golgotës”
Me keqardhjen ma të madhe duhet t’u shpjegohet sot shumë shqiptarëve të shkolluem ajo që dikur e dijshin të gjithë fëmijët tonë, se GOLGOTA, që hebraisht don me thanë Vend i Rrashtave, asht nji kodrinë e vogël e Jeruzalemit, në të cilin u kryqëzua Krishti. Në letërsinë botnore të këtyne dymijëvjetëve ky toponim asht përdorue aq shpesh, sa asht shndrrue në symbol apo edhe asht shpërdorue, siç ka fillue ndër këto ditë edhe me symbolet biblike në letërsinë tonë shqiptare.
Në “Rruga e Golgotës”, të cilën autori nuk e ka quejtë as roman as novelë, por ka parapëlqye ta emnojë: “një përralle dimni”, ai nuk na paraqet e shtjellon vuejtjen e gjatë që bajti mbi shpinë ai e i gjithë populli. Me mjeshtërinë ma të madhe të një artisti me këtë vepër autori ka krijue Epikën e Filozofisë. Lufta e Dytë Botnore ishte apo jo nji luftë ideologjike? Ai posteri l’ardua sentenza – thotë Manxoni – (brezave t’ardhshëm po ua lamë këtë gjykim të vështirë!). Pra, po e lamë, jo për t’i ikë nji gjykimi ose analize të thellë shkencore historike, nga i cili mund të lindin shumë diskutime të pavlefshme ose të gabueme, por sepse autori këtu na pasqyron me ngjyra të gjalla atë epokë të çoroditun, kur shumë njerëz të mirë, të drejtë e të pastër në idealet e veprimet e tyne qenë luftarë e heroj të nji kauze aq absurde, e cila pretendonte se vetëm me violencë mund të ndertohej pallati madhështor i Drejtësisë njerëzore mbi tokë.
Autori shfrytëzon nji episod krejt të zakonshëm, të parandësishëm dhe të panjoftun t’asaj lufte që vëtëquhej “çlirimtare”, për me na tregue bërthamën e vërtetë t’asaj lufte titanike që zhvillohet gjithmonë, gjithmonë gjatë shekujve, ndërmjet Pambarimit dhe Hiçit, ndërmjet Ujkut dhe Qingjit, ndërmjet të Drejtës dhe të Shtrembtës.
Gani Tahiri dhe Evangjelisti, protagonista të romanit, përshkojnë të njajtën rrugë me kambët e tyne, por jo me kokat: ata kanë të njajtin qellim final, të njajtat dishira supreme dhe të njajtat synime. Ndërsa këta ecin së bashku krah për krah, të drejtë dhe të patrembun, anash tyre ndërthurën rrugët zig-zage, leqet, pritat, kurthet e Osmanit, Sekretarit Politik, cfurk i “Satan-Beut”, hajdut i lavdisë historike.
Mbrenda tri ditëve zhvillohet ajo luftë e madhe që ishte dhe do të vazhdojë deri në pafundësinë e shekujve.
Mbas leximit të këtij romani, i cili shtjellon po atë temë me të cilën u muer letërsia shqiptare që nga vjeti 1945 e deri në 1990, ajo periudhë e gjatë e “realizmit socialist”, mbetemi të tronditun: gjindemi para dy botëve të kundërta.
Asht tepër e njoftun në kritikën letrare ajo thania e vjetër se protagonisti i veprës identifikon vetë autorin. E gjithë letërsia e realizmit socialist paraqet vetëm nji tip të Komisarit Politik: Trimin, të Mendshmin, të Dijtunin, t’Urtin, Farkëtarin, Arkitektin, ai i cili asht kërthiza e botës, “zoti i ri” ndaj të cilit përulemi, adhurim total. Ndërsa këtu protagonisti Gani Tahiri asht po ai Prometeu mitologjik, por i palidhun, që lufton me forca vigane kundër njerëzve, kundër botës, kundër vetes, kundër Zotit, vetëm e vetëm për me gjetë Drejtësinë mbi tokë, veten, atdheun e Zotin e vërtetë.
Vizionet e shumta të shkrimtarit në “Rrugën e Golgotës” janë aq të fuqishme, të nalta, të frymëzueme si ato të nji Apokalipsi.
Kam besim të plotë se lexuesi shqiptar, edhe pse i traumatizuem nga periudha e gjatë e letërsisë servile, ka për t’i shijue vlerat reale të mendimit, kulturës, artit dhe karakterit moral që ravizohen te “Rruga e Golgotës” dhe të tjera vepra të Kasëm Trebeshinës, të cilat pa dyshim po çelin nji periudhë të re në letërsinë shqiptare.
Njikohësisht baj urimet për të gjithë njerëzit e letrave të shqipes, artistave dhe intelektualëve, që si “Djali Plangprishës” të kthejnë përsëri në shtëpinë e vet atnore për t’i dhanë sot e mbrapa popullit shqiptar jo helmim e hidhun, por mjaltin e ambël.
* Ky shkrim u botua si parathënie e romanit “Rruga e Golgotës”. Në Dielli botohet i shkurtuar.(Dielli-Arkiv- Janar-Mars 2004)