Nga Keze Kozeta Zylo/
Shoqata “Rugova” me anëtaret përkatës dhe bashkatdhetarë nga të gjithë trevat shqiptare u mblodhën për të festuar 6 vjetorin e krijimit të saj si dhe për datën më të shenjtë të Kombit shqiptar, Ditën e Flamurit. Ne restorantin “Maestro” shoqata “Rugova” kishte përgatitur sallën e mipkpritjes si për ditë feste, kuq e zi. Në krye të sallës qëndronin hijerëndë Flamuri Kombëtar, Flamuri i shtetit të Kosovës dhe Flamuri Amerikan.
Mbrëmjen e ka moderuar me plot elegancë dhe ngrohtësi znj.Vjosa Nikçi. Ajo falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në emër të gjithë Rugovasve, kryetarit të shoqatës z.Ademi Murici dhe kryesisë së saj. Znj. Nikci iu ka shprehur mirënjohjen të gjithë donatorëve, kryesisë që punojnë me aq përkushtim dhe vullnetarisht për shoqatën “Rugova”.
Znj.Nikci ftoi para të pranishmëve në festë kryetarin e shoqatës z.Adem Murici i cili tha: Ju falënderoj shumë që keni gjetur kohë të jeni këtu sonte, ku së bashku do të festojmë edhe një përvjetor të shoqatës sonë dhe tuajës. Gëzuar Ditën e Flamurit! Në emër të shoqatës “Rugova” dua të falënderoj z.Ali Lajci që pranoi ftesën tonë të na vizitoj dhe po ashtu një falënderim për të gjitha ata rugovas që kontribuan financiarisht dhe në mënyra të tjera duke mundësuar vizitën e z.Lajci. Shoqata “Rugova u krijua në vitin 2008 në New York nga rugovasit që jetojnë e veprojnë në ShBA. Misioni kryesor i shoqatës është që përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme të ruhet dhe të kultivohet gjuha, kultura dhe tradita rugovase e shqiptare.
Në kohën kur u krijua shoqata “Rugova” në të njejtin vit kur u shpall Pavarësia e Kosoves, lindi dhe një Rugovas këtu në New York. Me mburrje dhe krenari mund të themi që ai rugovas i cili sot është 6 vjeçar di të flasë gjuhën shqipe, të këndoj shqip dhe të vallëzojë vallen e Rugovës.
Kjo ndodh sepse kur jemi të bashkuar bëjmë mrekullira. Rugovasit janë pjesë e proceseve kombëtare dhe kanë luajtur një rol të pakontestueshëm në rrugën e Kosovës drejt Pavarësisë, luftës së UÇK-s etj.
Ajo që do të më bënte përshtypje gjatë fjalimit të tij është projekti madhor i shoqatës si: regjistrimi i të gjithë rugovasve që jetojnë dhe veprojnë në SHBA. Ai u bëri thirrje të mbushnin formularët e registrimit pasi do i ndihmonte më shumë. Njëkohësisht ai i ftoi të gjithë pjesëmarrësit të bëheshin anëtarë të shoqatës “Rugova”, pa dallime krahinore, shoqata “Rugova” është për të gjithë shqiptarët që pranojnë statusin e saj.
Znj. Nikci bëri një prezantim të shkurtër për të ftuarin kryesor të mbrëmjes z.Ali Lajçi. Z.Lajçi është njeriu që vuajti shumë nëpër burgjet serbe që Kosova ta gëzojë lirinë që ka sot. Ai është simboli i rezistencës dhe një ndër organizatorët kryesorë të demonstratave të vitit 1981, ish deputet i Republikës së Kosovës, ish kryetar i Komunës së Pejës dhe aktivist i palodhur i çështjes kombëtare.
Z.Ali Lajçi i përshëndeti të gjithë të pranishmit, falënderoi shoqatën “Rugova” për ftesën dhe tha se ndihej shumë i emocionuar që ndodhej midis tyre në këtë festë të bukur dhe në Ditën e Flamurit. Nuk ka më bukur vazhdoi z.Lajçi midis të tjerash, që ju ruani me fanatizëm traditat dhe kulturën e mrekullueshme shqiptare. Ne duhet t’i jemi mirënjohës Amerikës për mundësitë e mëdha që i ka krijuar komuniteteve të ndryshme, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm që dha për Pavarësinë e Kosovës, që siç thoshte Ibrahim Rugova ne duhet të kemi marrëdhënie me gjithë komunitetin ndërkombëtar, por më të ngushta me Amerikën për atë çfarë ka bërë për Kombin shqiptar.
Ansambleisti i shtetetit të Nju Jorkut, shqiptari i parë i zgjedhur në këto isntanca të larta të politikës amerikane Mark Gjonaj erdhi midis Rugovasve dhe bashkatdhetarëve për t’i përshëndetur me zjarrin që mban në gji për shqiptarët kudo që janë. Ai të befason se si i del koha të shkojë kudo, të jetë në të gjitha aktivitetet e ndryshme, portreti i tij të krijon simbolin e një politikani vizionar, mirësisë dhe te bashkëpunimit të ngushtë midis shqiptareve. Ai iu uroi bashkëkombasve dhe shoqatës gëzuar Festën e Flamurit. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur shikoj pranë prindërve fëmijët e tyre në këto festa të bukura. Bekuar qofshi që transmetoni tek fëmijë traditat e mrekullueshme shqiptare.
Pas fjalës së z.Gjonaj, salla ka bucitur e tëra si oshëtimë Gryke e Rugovës kur në skenë u shfaq Ansambli Folklorik “Rugova” një ansambël që mban gjallë traditat e mrekullueshme shqiptare. Artistët e Ansamblit dhanë një shfaqje madhështore sikur të ishte Ansambli i Këngëve dhe Valleve shtetërore. Veshjet e tyre me ngjyra të shumëllojshme të punuara nga duarartat rugovase dhe interpretimet e lojërave dhe kërcimeve të ndryshme sjellin mahnitshëm pasurine e Alpeve dhe të Rugovës nëpër shekuj. Ndërsa burrat në veshjen e traditës mbështillen me shall të bardhë prej pëlhure shumë të gjatë dhe të gjerë dhe e fashojnë rreth kokës dhe nën mjekërr. Ata kënduan këngë kreshnike, luajtën valle dyshe, katërshe, mjeshtërisht kanë përdorur lahutën, e cila është një instrument muzikor kordofon nga më të vjetrat në Europë, ndaj dhe egziston shprehja ndër malësi se shtëpia pa lahutë është si shtëpi e lanun.
Pas shfaqjes së Ansamblit “Rugova” plot art, kulturë dhe dinjitet kryesia ndau çmimet e mirënjohjes këtyre aktivistëve:
Mark Gjonaj, Ali Lajçi, Lan Murici, Flutëra Murici, Xhevahire Kurta, Sinanaj, Tahir Bajramaj, Flamur Husaj, Hysen Kurtaj dhe Vjosa Nikci.
Pjesëmarrësit janë argëtuar me muzikë të interpretuar nga këngëtarët e komunitetit Besim Murici, Lisa Nikprelaj dhe Mirlinda Bytyqi.
Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm mediat si: gazeta “Dielli”, “Kultura Shqiptare”, “TV 21”, Lumi, Skënder Pali, dhe “Alba Life TV”.
18 Nëntor, 2014
Bronx, New York