Luljeta Xhediku/
E diela e fundit e nëntorit mblodhi së bashku, miq, dashamirës dhe anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. për të festuar ditën më të shenjtë për shqiptarët 28 Nëntorin, ditën kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Tashmë është kthyer traditë që kjo shoqatë të mblidhet së bashku për të festuar festën më të madhe të shqiptarëve që këtë vit përkon edhe me festën e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Programi u hap me këndimin me dorë në zemër të dy himneve atij amerikan edhe shqiptar. Më pas fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., z Imer Lacaj, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe u uroi të gjithë shqiptarëve kudo që janë Gëzuar festën e Flamurit dhe qofshin ngahera të bashkuar ashtu si sot. Z. Lacaj, gjithashtu mbajti fjalën e rastit dhe na njohu me pikat kyçe të historisë deri në shpalljen e pavarësisë. Më pas në skenë performoi grupi artistik “Skënderbej” këngën “Për ty atdhe”, ku si solist interpretoi balerini i talentuar, z. Klevis Tafaj. “Përtej oqeanit” ishte titulli i performancës së dytë nga grupi “Skënderbej”, i cili u duartrokit nga të pranishmit, jo vetëm për performancën, por për vetë titullin që mban kjo këngë që vetëm emigrantët e ndiejnë vërtet çdo të thotë të jesh përtej oqeanit. Nderoi me pjesëmarrjen e tij, sekretari i Federatës Pan shqiptare “Vatra”, Dr. Pashko Camaj, i cili u shpreh: Në emër të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” ju uroj këtë ditë të shenjtë që është Dita e Flamurit. Dy gjëra janë të rëndësishme për shoqatat siç është kjo e juaja dhe “Vatra”, misioni ynë për të mbajtur vlerat tona kombëtare dhe për t’ua lënë breznive që vijnë, duke afrimuar se kush jemi, historinë tonë, vlerat tona, që këta fëmijë që ne shohim sot ta dinë ku i kanë rrënjët e tyre që kur të rriten të jenë amerikanë të mirë, por edhe shqiptarë të mirë, duke i kultivuar dhe ruajtur këto vlera, duke i kaluar prej gjeneratave tona, në gjeneratat që vijnë”. Një përshëndetje dhe urim i përzemërt edhe nga ish-ushtari i UÇK-së, z. Blerim Gjocaj, i cili i uroi të gjithë Dardanisë gëzuar Festën e Pavarësisë. Programi vazhdoi me dy interpretime të tjera të grupit artistik “Skënderbej”, të cilat ishin këngët “Thuaja Rini”, dhe vallja “Moj Hatixhe Shamikuqe”. Bukuria e këtij grupi në këtë festë ishin ata fëmijë të vegjël nën 5 vjeç që jo vetëm i janë bashkuar grupit, por vallëzojnë plot pasion e dëshirë dhe duken por si ato fluturat e bukura që fluturojnë plot jetë e gjallëri. Kryetari Lacaj nderoi grupin artistik “Skënderbej” me drejtuese znj. Adelina Lacaj, znj. Gela Bulku, dhe balerinin Klevis Tafaj me një certifikatë mirënjohjeje me motivacionin: Për kontributin e çmuar në ruajtjen dhe promovimin e traditave dhe kulturës shqiptare, si dhe interpretimeve të tyre në aktivitetet e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc dhe të diasporës në NY. Këngëtarja Elona Leka përshëndeti me disa këngë të krahinave të ndryshme shqiptare. Nxënësja Erla Lamce ftoi në skenë për të përshëndetur z. Agim Kotaj, kryetar i shoqatës “Xhamadani” si përfaqësues i rinisë së Diasporës. Nxënësi Kelvin Rustani recitoi poezinë “Anës Lumenjve” të poetit të madh rilindas, Fan Noli. Fjalën mbyllëse e mbajti përsëri kryetari shoqatës shqiptaro-amerikane, “Skënderbej” Inc. z. Imer Lacaj, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi të gjithë shqiptarët: Gëzuar festat e Nëntorit dhe kështu festofshim gjithmonë!