Veri Talushllari/
Edhe ushtarakët shqiptarë (në pension e të liruar), familjarë dhe miq të tyre, me banim në New York dhe New Jersey i janë bashkuar mjedisit festiv të Nëntorit, në Tiranë dhe në Prishtinë, në Vlorë dhe në Shkup, në Europë e kudo në botë ku jetojnë e punojnë shqiptarë.
Në një festë të bukur familjare e shoqërore, nën tingujt e orkestrës së këngëtarit Muharrem Borova e miqve të tij, zv. Presidentja e Shoqatës Dirka Xhakolli, pasi ftoi pjesëmarësit të nderojnë Himnin e Flamurit dhe Himnin e ShBAve, njoftoi për rezultatet e zgjedhjeve të reja për Kryesinë e Shoqatës.
Tashmë President Nderi i Shoqatës, Kapiten i Rangut të Parë(P), z. Bujar Hasani uroi për detyrën e re dhe ftoi të mbajë fjalën përshëndetëse Presidentin e sapozgjedhur, Prof. Assoc. Dr. Kol. (L) Gëzim Mustafaj.
Profesor Mustafaj bëri një sintezë të rrugës dhe luftës së popullit shqiptar duke evidentuar ngjarjet e mëdha të historisë sonë nga 28 Nëntori i Skënderbeut e i Ismail Qemal Vlorës, fitoren mbi nazifashizmin në krah të Bllokut Antifashist, ndryshimet demokratike në Shqipëri e deri te fitorja e UÇKsë në aleancë me NATOn mbi regjimin gjakatar serb dhe krijimin e shtetit të dytë shqiptar, Republikës së Kosovës. Ai përmendi faktin që 110 vjetori i pavarësisë i prin 110 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Shqiptare.
Dhe për gëzimin tonë, këto festa përkojnë edhe me 5 vjetorin e krijimit të Shoqatës sonë.
Me këtë rast u dhanë çertifikata mirënjohjeje për veprimtarë të saj, dhe në një moment të bukur u soll një tortë për datëlindjen dhe daljen në pension të z. Agim Pira, një nga veprimtarët më aktivë të Shoqatës dhe punës në komunitet.
Për lexuesin, “Association of SKËNDERBEJ USA” në Nju Jork, ka në radhët e saj ushtarakë në pension ose në lirim tashmë me banim në Nju Jork dhe
zonën verilindore të Nju Xhersit, familjarë të tyre, miq e dashamirës. E krijuar më 10 dhjetor 2017 dhe e miratuar nga Departamenti i Shtetit të NY në shkurt 2019, Shoqata jonë ka një historik të pasur veprimtarish.
Ne festojmë madhërisht Pavarësinë e Shqipërisë dhe Fitoren mbi Nazifashizmin, Ditën e Pavarsisë së ShBAve dhe përkujtojmë data e ngjarje historike të Atdheut tonë. Duke pasur një antarësi me nivel të lartë shkollimi dhe intelektual, Shoqata “SKËNDERBEJ USA” ka zhvilluar veprimtari shkencore e letrare, si Simpoziumi për 100 vjetorin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe Luftës së Vlorës, promovimin e librave me përmbajtje letrare apo studimore të botuara nga anëtarët e Shoqatës, ka përkujtuar Dëshmorët e luftrave për liri e pavarësi, apo të rënë në krye të detyrës viteve të fundit etj.
Në bashkëpunim me Shoqatat simotra të ushtarakëve në Shqipëri, kemi kontribuar me shkrime apo me pará për botime librash dhe shfaqje dokumentarësh për historikun e Ushtrisë shqiptare, që këtë vit shënon gjithashtu 110 vjetorin e krijimit më 4 dhjetor.
Kështu, në 5 vjetorin e krijimit të saj Shoqata “SKËNDERBEJ USA” NY, vjen me një bilanc të pasur veprimtarish, çka e bën të ligjshëm gëzimin dhe harenë në këtë festë të bukur të 110 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë.
Dhe me urimin për më shumë veprimtari të pasura e të larmishme, festuesit shpërndahen në të pestë lagjet e Nju Jorkut dhe në Nju Xhersi, për t’u takuar, siç thuhet në moton e Shoqatës “Së bashku për punë të mira!”
NY, 30 Nëntor 2022.