Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së tij (1913 – 2013)/
Nga Zyba Hysen Hysa/
Gjatë bisedave të ndryshme që kam bërë në lidhje me shkrimin e librit “Sharrajt në jetën e kombit”, ka dalë në pah edhe emri i Isuf Luzajt, si një ndër patriotët e devotshëm që veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare e ka nisur që në bangat e shkollës së mesme në Shkodër e më pastaj deri sa dha frymën e fundit.
Që kur më ra në dorë libri “Filozofia e bukurisë”, më pas “Përtej të mirës e të ligës”, “ Glorja e çmendjes”… të gjitha ato libra që kanë pasur fatin të botohen, nuk ka bisedë mes miqsh dhe krijuesish që të mos shpalos adhurimin tim për veprën e tij dhe me mundësitë e mia shpirtërore jam përpjekur që të ndikoj sado pak në institucionet shqiptare për të financuar në botimin e plotë të veprës (rreth 120 vepra) së të veçantit, që siç tha Z. Elaham Sharra në një bisedë se: “Isuf Luzaj, duke lëmë mënjanë politikën e të flasim të drejtën, nuk pati fatin e shumicës së shqiptarëve që ikin jashtë shtetit dhe ‘humbën’, ai bëri emër dhe këtë emër e bëri në Amerikë”
Shpesh në debate, shpalosen mendime të ndryshme për Isuf Luzajn. Më trondit ky fakt, ndaj mendoj se këto kanë qenë dhe janë qëllime dashakeqe të njerëzve antikombëtarë, që familjet patriote në Vlorë t’i vendosin përballë njëra – tjetrës, pra të krijojnë përçarje për të sunduar më lehtë. Unë nuk kam pse zgjatem për madhështinë e familjes Sharraj në kontributin për çështjen kombëtare, se diçka kam thënë (nuk kam arritur të them shumëçka, aq sa e meritojnë, kurrë nuk do të ketë penë ta përshkruajë), por një gjë shihet qartë, se në këtë familje, Isuf Luzaj hynte e dilte si në shtëpinë e kombit e ndaj dhe goditet kjo figurë me një “gur” që vret këtë bashkëpunim patriotik në Vlorë. Unë kurrë nuk do nxirrja nga goja ime, aq më pak nga mendja ime ndonjë fjalë ndryshe për shenjtërinë e veprimtarisë patriotike të Sharrajve, por nëse do hesht për Isuf Luzajn, do të thotë që unë jam shumë fytyrëshe, këtë nuk e pranoj kurrën e kurrës, ndaj duke folur hapur, duhet që të zbardhim hijet e së kaluarës, ato hije që na çuan në keqkuptime, mëri, vëllavrasje, përçarje deri në thelb. Unë mendoj, që e kaluara jonë nuk ka qenë bardhë e zi, por nuk ka qenë edhe vetëm e bardhë, apo vetëm e zezë, se siç tha një ditë z. Shemsi Rrapaj se “Isufi, këtu në Vlorë, për fat të keq, interpretohet bardhë e zi, por nuk ka argumente për ato që fliten, Isufi është intelektual brilant i shkallës së lartë nga më të rrallët”
Të kesh ide ndryshe nga tjerët është më se normale e të kesh kundërshti për to nga të tjerët, përsëri është më se normale, por e rëndësishme është që këto ide të nxisin iniciativën individuale për t’i vënë në jetë, se siç thekson Isuf Luzaj në librin “Rindërtimi i tipareve shpirtërore” në faqen 52 “Janë burra vetëm ata që e lëvrojnë vetë vijën e ugarit të tyre” dhe më poshtë shton: “Poet ose filozof, apostul ose artist, ki besim në veten tënde dhe mos ndiq rrugë të huaja, mos e var vullnetin tënd prej vullnetesh të tjera, mos e lidh dhe mos u ngatërro me hije që errësojnë, as mos kërko mbrojtje nga të tjerët, sepse ajo mbrojtje të përul. Nga ata që dinë më shumë, mëso pa i imituar, nga ata që japin më shumë, largohu, mos kërko kurrë. Në qofsh i aftë të realizosh idealin tënd, nuk të nevojitet asnjë diçka potente; asgjë, askush nuk të bën të zotin për të realizuar ëndrrën tënde, duaj, duaj, me këmbëngulje, me të gjithë mendjen tënde e me të gjithë zemrën tënde…”
Të mendosh se Isuf Luzaj shkonte deri në antagonizëm me personat që e kundërshtonin në idetë që shpaloste ai, është absurde, por gjithashtu nuk e mendoj Isuf Luzajn të mos kishte kurajë të shpaloste idetë e tij dhe të luftonte për t’i vënë ato në jetë, por unë dal në përfundim se: Isuf Luzin pak e kuptuan e shumë pak e mbështetën, ai nuk ishte vetëm nacionalist që i përkiste vetëm organizatës së Ballit Kombëtar, se në fillim kjo organizatë u krijua mbarëkombëtare, më pas denigroi në parti politike e unë sikur kam qënë aty, e mendoj Isuf Luzajn, për kushtet në të cilat ishte vendi ynë, të ishte prijësi i popullit tonë, se idealet e tij i kapërcenin bindjet politike, ai ishte patriot dhe kërkonte bashkimin kombëtar. Një veteran, Serri Petanaj në opinionin e tij për Isuf Luzajn tha: “Unë e kam parë dhe dëgjuar vetë Isuf Luzaj, kur erdhi një herë në Llakatund, mblodhi popullin dhe u foli: “Të bashkohemi rreth organizatës së Ballit Kombëtar, si e vetmja organizatë që do na çojë në marrjen e Kosovës dhe trojeve tjera etnike, se komunistet kanë rrugën ruso – serbe dhe kurrë nuk do na lejojnë të bashkojmë kombin tonë’. Unë isha rreth 12 – 13 vjeç, por nuk kisha dëgjuar njeri orator si ai, ai fliste pa letër dhe të bënte për vete me fjalët që thoshte”. Pra Ai është i gjithë shqiptarëve, ndaj atë nuk e përmendin as të majtët, as të djathtët e sotëm, se si të majtët, si të djathtët e pse e kanë të shkruar në kushtetutë që do të luftojnë për bashkimin tonë kombëtar, nuk kanë as më të voglën ide dhe nuk kanë asnjë projekt për këtë bashkim,nuk kanë trokitur në asnjë organizatë apo shtet në botë qw t’i paraqesin me shkrim platformën e Bashkimit tonë kombëtar, përveç se shfrytëzojnë ndjenjat kombëtare të popullit për të siguruar një kolltuk për vete. Ai ishte një njeri iluminist dhe si i tillë kurrë nuk mund të ishte tiran, diktator, ndaj e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh për realizimin e idealit të lartë që i vuri vetes për çështjen kombëtare, e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh, për të realizuar idealin e madh të Bashkimit tonë kombëtar, (kjo është normale), është absurde për mua,të besoj akuzave që dashakeqët i zhveshin nga vetja dhe kërkojnë t’ia veshin Isuf Luzajt, por sa ditët kalojnë, sa vitet rendin, Ishuf Luzaj po del më në dritë dhe lum ai që di të përfitojë nga veprat e tij dritë pa fikura, se kam lexuar disa libra tij dhe unë që shkruaj, di të njoh fisnikun nga krimineli, hajduti… se kriminelët shkruajnë vetëm për ato prapësi, ndërsa Ai flet për Kombin, për te bukuren, te pastrën, për dritën, te mirën, për fisniken dhe nuk e bën njeriun absolut të keq, por me te mirat e te ligat e tij. Meritë është e atyre që mendojnë veprojnë dhe jetojnë përtej të mirës dhe të ligës. Unë kurrë nuk do ta besoja se Isuf Luzajt do t’i shkonin për shtat epitetet e pabaza që i kanë vënë ndër vite. Mendoj se ka ardhur koha, që të mos merremi më me fjalët “e lopçarëve”, apo me të atyre që kurrë nuk e arritën dot lartësinë e tij për ta parë në sy, por i ka bezdisur hija e tij prej drite, prej një drite që sa vinte e shkëlqente më shumë, prej një drite që sa vite shkojnë, aq me shumë ndrit.
Isuf Luzaj dallohet edhe pas kaq vjetësh që ka ndërruar jetë e njihet përmes shkrimeve të tij, po kush mund ta shikojë e ta dallojë shpirtin e tij? Sigurisht ata që kanë sy të shohin përmes të vërtetës dhe të lexojnë edhe përmes rreshtave të krijimtarisë së tij, se në bardhësinë mes rreshtave shtrihet shpirti i tij prej një mendimtari, luftëtari, poeti dhe filozofi nga më të rrallët që ka pasur Shqipëria.
Të përmendësh Isuf Luzajn, është nder, është privilegj, është vlerë për atë që e përmend, se ai nuk ka nevojë për fjalët tona për t’u ndriçuar, se ai ndriçoi në një shtet aq të madh sa është Amerika, ne na duhet ta shfletomë e të mësojmë prej tij, se vepra e tij janë drita e së ardhmes sonë, janë udha e bashkimit tonë si komb.
Gjetja e së drejtës përherë dhemb, por nuk ka dhimbje më të bukur se ajo që shkakton zbulimi dhe thënia e së vërtetës, ajo ngjan me dhembjet e lindjes, që më pas nëna provon kënaqësinë më të bukur të jetës, kur merr foshnjën në prehër dhe e vendos për herë të parë në gji. Ndaj është e vështirë të kërkosh të vërtetën, ajo është një perlë që për fat të keq gjendet në thellësi, sa më shumë mundim, aq më shumë shkëlqim i falim jetës, kohës, shoqërisë, së ardhmes…
Shumë kanë shkruar për Isuf Luzajn, shumë më shumë do të shkruajnë, por të kërkosh deri fijet e rrënjëve të tij, do të thotë, se ke bërë pjesë të shpirtit dhe mendjes kauzën e tij, atë kauzë që e ushqeu me dritë shpirti dhe mendjeje, me luftë, sakrificë, vetmi, dhembje malli për familjen, plisat, gurët dhe drurët e këtij vendi që e rriti dhe që e ushqeu me një dashuri sublime, deri në antagonizëm të thellë mendimesh dhe veprimesh me antikombëtarët e sot duket si në dritë të diellit se cili kishte pasur të drejtë dhe se idealet e Isuf Luzajt për bashkimin e Kombit tonë, janë dhe sot e kësaj dite më se të ndritura, ndaj t’i njohim dhe të luftojmë për t’i vënë në jetë, ato që ai nuk mundi t’i realizonte prej përndjekjes nga diktatura komuniste.
Në një studim të kryer më 28 prill 2012 publikuar tek “Diaspora shqiptare, ndër të tjera shkruhet: “Ndoshta dikush do të hapë e të pasurojë në të ardhmen një bibliotekë, galeri apo muze, që do ta ketë zili edhe simotrat e trojeve shqiptare! Pale, kur të bashkëngjiten arkivat e bibliotekat e Vatrës, të dijetarëve Fan S. Noli e Faik Konica me shokë, të nobelistëve Nanë Tereza e Ferid Murati, të shkencëtarit e artistit fotograf me famë botërore Gjon Mili, kineastit Sten Dragoti, të studiuesit dhe autorëve të disa librave me vlera të veçanta, Prof. Petër Prifti e Xhevat Kallajxhi, Prof. Nikolla Cako, Prof. Isuf Luzaj, Prof. Rexhep Krasniqi, studiuesit e arkivistit të pasionuar Idriz Lamaj, koleksionistit Bekim Lajci e Sait Kryeziu, Nexhat Peshkopia, Hasan Dosti, Qerim Panariti, Gaqo Goga, Halim Begeja,Shaqir Gjoka, Dr. Nuci Kota, Tonon Mirakaj dhe nga shumë patriotë të tjerë, të bisnesmenëve bujarë të Atdheut të kahershëm e gjer te më i riu Richard Lukaj, vëllezërit Bitici, studio “Iliria”, të Shoqatave, institucioneve e individëve të shumtë. Gjithçka do të jetë e vlefshme dhe në përkushtim të rritjes shpirtërore, krenarisë e identitetit të gjithë popullit e Kombit Shqiptar”.
Siç e shohim, Isuf Luzaj nuk ka nevojë për vlerësimin që i bëj unë, apo dikush tjetër, ai është i vlerësuar dhe i vendosur në radhën e ndritur të kokave që i kanë dhënë këtij vendi mundin dhe mendjen, që i kanë falur Kombit shpirtin, si të vetmen pasuri të pavdekshme që ka njeriu e këtë shpirt ai e ka shpalosur mes rreshtave të librave dhe të bëmave në dobi të çështjes kombëtare. Ne na mbetet për detyrë ta njohim veprën dhe të frymëzohemi prej saj për të nxitur brenda vetes ide përparimtare që na zgjojnë dëshirën për veprim në dobi të çështjes kombëtare, për të cilën jetoi, punoi, luftoi dhe shkroi Prof. Dr. Isuf Luzaj. Kush nuk ka në gji mirësinë dhe dëlirësinë, se siç thotë vetë Isuf Luzaj “Të fluturojmë lart, përtej të mirës dhe të ligës dhe të hyjmë në një sferë mbinjerëzore ideale në të cilën njeriu jeton i zhveshur nga të gjitha pasionet, veset dhe ethet e mishit dhe të gjakut…” (Përtej të mirës dhe të ligës), nuk besoj se ka dritë të mjaftueshme për të dalluar veprën e Isuf Luzajt e aq më pak për ta bërë pronë të tij.
Patriot Haskaj says
Nuk mund të shkruash kaq rëndomtë dhe me thashetheme për një kolos të mendimit si Isuf Luzaj. Aty përdoret fjala “i tërbuar” kur mund të thuhet antifashist i vendosur. Kjo tregon anën e ulët kulturore të artikull-shkrueses dhe mos-njohjen e anës aristokrate të zotit Luzaj, të cilin e kam njohur personalisht, që po të ishte gjallë, do ti thoshte zonjës :Shko te mëma të të edukojë! Ai fliste në radion Europa e Lirë dhe i linte të gjithe gojëhapur.
S. SHARRA says
Boll mi zonj shkrove per familjen tone. Emrin kusheriri e ka Elham dhe jo Elaham. Eshte turp ti rrenacake t; vazhdosh me budallalliqe si ne liber ku marrveshten Tittoni Venizellos e beje Tito-Venizellos. Ju t; Diellit me duket se jeni ne mjegull e nuk po shihni idjotesite e kesaj qe nuk dihet nga eshte. Po Vlora ka ploe emra kjo nga doli?
Laureta Petoshati says
Në varrimin e së vërtetës gënjeshtra mbajti një fjalim prekës duke derdhur lotë. Por e vërteta u zhyt, por nuk u mbyt ajo doli në shesh, në dritë të diellit. Si drita e diellit e dinë vlonjatet se nga kush i dëgjoi dhe nga kush i mori zonja në fjalë ato që shkroi dhe kujt ia la kujtimet e tij të vyera i madhi Kudret Kokoshi.
Zyba Hysen Hysa says
Për sqarim të opinionit publik:
Kam 38 vjet që jap mësim (gjuhë shqipe) dhe di mirë të përdor ligjëratën e drejtë, kështu kam vepruar jo vetëm me citimin e fjalëve të Petoshatit, por edhe të shumë autorëve tjerë (mbi 40), duke i cituar, duke respektuar drejt shenjat që e japin të vlefshën përdorimin e fjalëve të thëna nga dikush tjetër, pa ndryshuar asgjë.
Në librin “Sharrajt në Jetën e Kombit”, faqe 23, 24, 25, janë cituar kujtimet e Kudret Kokoshit dhe shprehimisht kam thene: “… Ndaj kujtimet e Kudret Kokoshit, botuar në gazetën “Republika”, datë 30 shtator 2012, faqe 14 – 15 nga Laureta Petoshati: “Kujtimet e Kudret Kokoshit mbi qëndistaren e flamurit, Marigo Pozio”, më duken bindëse, se ndër të tjera thuhet: “Te koka shpesh i gjeja Zhak Sollomonin… gjella e Shën Mërisë Virgjër”. Po të ishte gjallë Kodret Kokoshi do të më kishte falenderuar, por secili ka të drejtën e fjalës së tij, flet dhe mendon i lirë… Më vjen keq që shumë kolegë, krijues, miq të Petoshatit dhe të mitë më kanë kërkuar dhe më kanë thënë: “Sill edhe librin me vete” Kur e kanë parë, më kanë dhënë dorën e më kanë uruar… Kushdo që do ta vërtetojë këtë fakt, le të lexojë librin në faqet që sapo publikova …
Faleminderit!
Zyba Hysen Hysa says
Gjej rastin te falenderoj gazeten “DielLi”, SIDOMOS Z. DALIP GRECA, qe gjate vitit JUBILAR te 100 vjetorit te Shpalljes se Pavaresise, me kane botuar e publikuar shume shkrime si per Fan Nolin: “ESHTRAT E NOLIT DUHET TE PREHEN NE SHQIPERI,PRANE KONICES”, fisin e Bloshmit te Librazhdit: “JAM SHQIPTAR DHE NUK IKI NGA ATDHEU” Prof. Dr. Isuf Luzaj: “PROF. ISUF LUZAJ DHE “GLORIA E ÇMENDJES” Reshat Kripen: “FLAMURI ESHTE YNI” Ilir Ikonomin “UDHETIMI I PAHARRUAR – NJE LIBER KU SHPALOSET DASHURIA PER KOMBIN”, Ambasadorin Amerikan Arvizu: “VEPRO TANI! UNE THERRAS FORT: RROFTE AMERIKA!”… DHE NUK KAM PASUR ASNJE RAST TE TILLE, PERKUNDRAZI VEC FALENDERIME…
GJITHESESI, UNE JAM E HAPUR PER CDO KRITIKE, ATO ME VENE NE POZITA PUNE.
FALEMINDERIT!
Laureta Petoshati says
Unë jam e vetëdijshme për ato që them dhe jo për ato që nënkuptoni ju. Por siç duket vete gjuha jote ku dhëmb dhëmbi.