• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISUF LUZAJ- dhe Atdheu që i përbuz Mendimtarët

July 11, 2021 by dgreca

C:\Users\Admin\Desktop\Isuf Luzaj-Mendimtari.jpg

   “Eshtë detyra e Mendimtarëve që të mos mbajnë krahun e ekzekutorëve.” -Albert Camus/

  Shkruan: Melsen Kafilaj/                                                                                                                            

Tashmë është legjitimuar nga shekujt dhe historia njerëzore ajo shprehja që “Profetët dhe Mendimtarët ose i dëbojnë prej Atdheut të tyre ose i vrasin me gurë.” Dhe sa më i madh profeti, mendimtari dhe mesazhi që ai përçon, aq më e madhe përndjekja dhe aq më e ashpër për rrjedhojë edhe forma e dëbimit a ndëshkimit… Në rajonin e Evropës Juglindore ekziston një vend i cili tradicionalisht i ka përbuzur, linçuar, syrgjynosur apo vrarë mendimtarët e vet. Një fat të tillë të hidhur përbuzjeje dhe syrgjynimi (si gjatë Komunizmit, po ashtu edhe në Demokraci) e ka pësuar edhe njëri prej bijve më të shkëlqyer të këtij vendi; mendimtari Isuf Luzaj.

Ndërsa bluaja këto mendime në kokën time dhe ngjisja shkallët për ndjekjen e një aktiviteti kulturor, mu shfaq përballë një stendë gjigande me gërma kapitale: “Konferencë Shkencore për vetitë e shkëlqyera të lëngut të kërrmillit në trajtimet bio-estetike.” Konferencë për lëngun e kërrmillit?! Jo. Nuk isha në ëndërr. Të pranishmit në masë po ngjiteshin një e nga një dhe po i drejtoheshin sallës ku do të organizohej ky “event i madh shkencor”…U çmerita! Një shoqëri e cila është e angazhuar më tepër për të kuruar Fytyrën (Dukjen) dhe jo veset dhe të metat e saj (Natyrën) është një shoqëri e destinuar për faliment vleror.Një dorë e padukshme më kishte dhënë një shuplakë të fortë dhe e kishte revoltuar befas ndërgjegjen time. 

Fatkeqësisht, në Shqipërinë tonë të varfër (mendërisht akoma edhe më të varfër) të organizosh konferenca shkencore për heronj të tillë mendimi si Branko Merxhani, Kristë Maloki, Mehdi Frashëri, Arshi Pipa apo dhe Isuf Luzaj përbën një herezi të madhe. Një akt i tillë, i cili sipas logjikës së Pushtetit, “del kundër rrymës”, “prish status quo-në” apo dhe zgjon “tema me natyrë sensitive”… Ajme! Se kemi parë ende në sy diellin e Intelektit dhe jemi ende në fazën ku mendimtarët trajtohen sipas nocionit të “kampeve ideologjike”, duke i klasifikuar në “Ne dhe Ata”, duke u diferencuar, stigmatizuar apo edhe duke ju gjendur “cene” për ti diskretituar, por pa u marr në thelb me esencën dhe vlerat e botëkuptimit të tyre…Një problematikë të tillë e kam hasur edhe me mendimtarin Isuf Luzaj.

Ka të paktën disa vite që përpiqemi institucionalisht (në nivel universitar dhe akademik) për të organizuar një konferencë shkencore për nder të këtij mendimtari të madh por deri në këtë moment që shkruajmë këto radhë na ka rezultuar diçka e pamundur. Por kush kërkon që ta mbaj larg prej katedrave universitare dhe qarqeve shkencore shqiptare mendimtarin e përbotshëm Luzaj?! Cilët janë ata individë, instrumente dhe mekanizma që profesorin e nderuar nga 2 Amerikat dhe 2 Presidentë Amerikanë ta refuzojnë dhe përbuzin në Atdheun e vet, ndërsa veprat ia “çensurojnë” për të mos hyrë dhe për të mos u bërë pjesë e kurseve universitare ?! Cili Njeruc dhe Liliput ka frikë nga hija e madhështisë dhe pesha e mendimit të këtij titani Kaniniot ?! A do ta refuzojmë edhe për shumë kohë këtë kolos i cili Bergsonit, Borgesit, Maritain-it, Sartrit dhe plotë mendimtarëve të tjerë me klas botëror kur ju prezantohej, u thoshte me plotë gojë: “Jam Shqiptar?!”

Edhe për sa vite të tjerë me radhë një mëndje prodhimtare si ajo e Tij do të lihet në azilin e harresës ndërsa vepra të tilla me peshë filosofike (të cilat duhet të hulumtoheshin) si: “Ekzistenca dhe Boshësia”, “Sëmundjet e Shekullit Tonë”, “Filosofia e Bukurisë”, “Rindërtimi i Fuqive Shpirtërore”, etj përbuzen dhe nuk ju kushtohet interesi, respekti dhe serioziteti i duhur shkencor?! 

Mendoj që organizimi i një konferencë shkencore në nivel kombëtar për këtë intelektual “par excellence” është më e pakta që mund të bëjmë. Por pse të mos ketë gjithashtu edhe një katedër të studimeve humanistike në Shqipëri, e cila të mbaj emrin e nderuar “Isuf Luzaj ?!” Kemi një parti politike Social-Demokrate. Pse jo akademia e saj politike (nuk e di nëse e ka një të tillë apo jo) të mos ketë emrin e njërit prej themeluesve të saj të parë (1943), pra Isuf Luzajt ?! Luzaj qe gjithashtu edhe një lëvrues i shkëlqyer i esesë. Pse të mos kemi një konkurs në rang kombëtar dhe për esenë më të mirë letraro-filosofike të akordohet çmimi “Isuf Luzaj?!” Do të doja të vazhdoja edhe më tej me propozimet por kam frikë se Atdheu që i përbuz mendimtarët nuk reflekton dhe për rrjedhojë është i destinuar që ti përsëris sërish të njëtat gabime…

Luzaj kishte shpresë tek bërja e Rinisë Mendonjëse. Ai besonte se përmes saj ne mund ta bëjmë Shqipërinë e së Nesërmes.Profesori do të zhgënjehej shumë sikur ta thërrisja në medium dhe ti tregoja që Rinia Shqiptare tek e cila ai aq fort besonte, sot nuk është gjë tjetër veçse një Rini Tik-Toku dhe Instagrami, pa kurrëfarë patriotizme, vizioni a ideali…Do të zhgënjehej shumë edhe me mësonjësit dhe politikanët tanë të sotëm, të cilët ai i kërkonte që të ishin të virtytshëm, me integritet, të pakompromistë dhe në shërbim të Mëmëdheut por që këto 30 e kusur vite demokracie nuk kanë dëshmuar gjë tjetër veçse se janë themel-prishës dhe matrapazë të zellshëm të Interesit Kombëtar. E megjithatë, jam i sigurt që Profesor Luzaj do ta mblidhte veten në mënyrë stoike prej të tilla lajmesh të mynxyrshme  dhe duke rrudhur ballin e gjerë prej mendimtari do të na këshillonte si komb me po të njëjtin ton optimist: 

“Gjithçka ndryshon.Vepro tani! E gjithë ndërmarrja varet veç nga ti !”

Filed Under: ESSE Tagged With: Atdheu qe perbuz mendimtaret, Isuf Luzaj, Melsen Kafilaj

Prof. Isuf Luzaj shkroi :”Prosopopean” , mendohej se ishte krijuar nga Musine Kokalari

September 24, 2018 by dgreca

 Prof.Dr. Isuf Luzaj

Vepra është daktilografuar me makine shkrimi në 36 faqe, të formatit të zakonshëm. Titulli është “Prosopopea”, që në shqip do të thotë:” libri i shenjtë, pjesë nga ungjilli. Autori nuk shënohet, ndërsa shënohet viti dhe vendi i përfundimit të poemës: Vlorë, fruer 1944. Vepra është një poemë epiko-lirike, ose poemë dramatike. Autori i panjohur ua kushton poemën: Dëshmoreve të Kombit me citimin: “Asnjëri gjatë jetës së tij nuk bën për Atdhe, aq sa bën heroi në një çast”./

Nga Gëzim Llojdia/

1.Nisja e Isuf Luzajt, në udhën e letërsisë fillon në vitin 1937 ,thotë studiuesi Enver Memishaj ,kur botoi në Korçë “Rrëfime”, vargje lirike. Libri u konfiskua dhe autori u burgos për 94 ditë. Po këtë vit, bashkëpunon me revistën “Përpjekja” të Branko Merxhanit.Vepra e Isuf Luzajt është thellësisht atdhetare dhe përshkohet fund e krye nga parimi: “E keni për detyrë kombëtare dhe fetare, që për atdheun ta jepni jetën, pa u menduar fare”.Emri i Isuf Luzajt, si letrar i ri është i njohur në vitet ’40, në shtypin letrar shqiptar, me daljen e tij në mërgim në SHBA u njoh si pedagog, poet e shkrimtar të fushës së filozofisë, shkruan Dr. Leka Ndoja, në temën e tij doktorate.Mendimtar i cili arriti të bëjë analiza socio-politike për situatën e Shqipërisë gjatë sundimit komunist. I përfshirë në travajet politike të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore në radhët e Ballit Kombëtar,‖ ai në vitin 1945, mërgoi fillimisht në Itali pastaj në Argjentinë dhe me vdekjen e‖Mithat Frashërit‖ më 1963, thirret në SHBA për të marrë drejtimin e partisë:”Balli kombëtar”‖ në mërgim. Gjatë kësaj periudhe mbrojti gradën profesor të filozofisë në Kolumbia University‖ dhe ushtroi profesionin e pedagogut në universitete të ndryshme të SHBA. Njëkohësisht Prof Luzaj i njohur me shkrimet e tij letrare në Shqipëri vijoi të shkruajë në poezi e të hartojë ese filozofike të cilat i botoi pjesërisht në të përkohshmet e mërgatës dhe në Shqipëri në vitet (‘90).Poezia e tij është me frymë popullore të trevës së Vlorës dhe ndikimet e tij të para i shkojnë poezisë së Ali Asllanit.

2.Në vitin 1996, ndërsa po punoja për veprën “Hysni Lepenica…”, në gazetën “Liria”, gjeta poezinë:”Martiri,, me vlera ideo-artistike, kushtuar Hysni Lepenicen, sipas gazetës ishte një krijim i Musine Kokalarit,thotë   E.Memishaj:”Mbi një vepër të pa njohur të prof. Isuf Luzaj”.Po në këtë gazetë, Makensen Bungo në artikullin “Një vepër e panjohur”, bënte të ditur se gjatë hulumtimeve të tij ,kishte gjetur në fondin e Musine Kokalarit poemën :”Prosopopea”pa emër autori, të pa njohur më parë dhe të pa botuar. Z. Bungo bënte thirrje, që nëse ndokush e dinte emrin e autorit të kësaj poeme ta publikonte atë. Poezinë, apo poemthin “Martiri”, e përfshiva ne librin tim “Hysni Lepenica…”, që botova në vitin 2000, me këtë post shënim:”Marrë nga “Zëri i Lirisë”, Tiranë, Organ i Partisë Socialdemokrate, dt. l janar 1944. Ka mendime se autorja nuk është Musine Kokalari. Kur punoja me këtë libër u njoha me z. Hektor Kokalari, i cili ruan origjinalin e librit “Prosopopea”. Atë e posedonte i ati, Vesim Kokalari para pushkatimit. Hektori pohon se babai tij këtë libër, ia ka marrë autorit të saj ,që  është z. Isuf Luzaj, që banon në Çikago, SHBA”.Pavarësisht nga këto informacione, unë e botova poezinë si krijim të Musine Kokalarit. Më pas gjatë hulumtimeve në fushën e historisë, gjeta në Arkivin Qëndror të Shtetit, poemën “Prosopopea”, të plotë, e cila ashtu si edhe Makesen Bungos,më tërhoqi vëmendjen për vlerat e sajë ideo – artistike.  Aty gjeta se poezia “Martiri”, ishte pjesë e kësaj poeme dhe ishte nxjerrë prej sajë e botuar në gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i Partisë Socialdemokrate, në Nr.l, date 1 kallnor 1944 ditë e shtunë, identifikonte autorin e kësaj poeme dhe nuk ka dhënë asnjë mendim për autorin e saj, por në vitin 1997 ai shkoi në Amerike dhe atje pati korrespodencë me Isuf Luzin për të cilin shkruan:”Me të unë këmbeva vetëm tri letra. Kur i shkrova së pari, ai pranoi të bisedonte me mua me gëzim, megjithëse nuk njiheshim.Duke vijuar shqyrtimin rreth kësaj gjetje, autori E.M shkruan:”Isuf Luzi, kur u largua nga Shqipëria, dorëshkrimet e disa veprave, që kishte bërë gati për botim, nuk i mori me vete, i la në atdhe. Kështu, më ka shkruar në njërën nga letrat, që më dërgoi këtu në Amerikë. Fati tyre është për të ardhur keq ,se duhet të kenë humbur. Njëra nga këto më ka rënë mua në dorë rastësisht. U lidha me atë dhe me anë të një letërkëmbimi të thjeshtë mësova të dhëna mbi formimin e Partisë Socialdemokrate më 12 tetor 1943 dhe veç të tjerave edhe se kur ishte larguar nga Shqipëria, Prof. Isuf Luzaj kishte lënë në atdhe disa vepra të pabotuara, midis te cilave edhe një poeme titulluar “Prosopopea”.

 Nga ky letërkëmbim me Prof. Dr. Isuf Luzaj, mësova se cili ishte autori i veprës “Prosopopea” .Edhe studiuesja Mimoza Hysa, pohon autorësinë e Isuf Luzajt për poemën “Prosopopea”, kur shkruan: “Pas kapitullimit të  Italisë, Isuf Luzaj kthehet në Vlorë i lodhur, i dërrmuar, i zhgënjyer nga politika e krerëve të Ballit Kombëtar. Me largimin nga radhët e Ballit, përpiqet të realizoje ëndrrën e projektuar, që në burg në Itali, krijimin e Partisë Socialdemokrate. Kësaj here ia arrin qëllimit së bashku me Musine Kokalarin, Vesim Kokalarin, Kujtim Koculin, Manush Peshkëpinë dhe Selami Jelen. Partia e posakrijuar e shtrin aktivitetin e sajë në Tiranë, Shkodër e Vlorë dhe nxjerr gjithashtu shtatë numra të gazetës “Zëri i Lirisë”, ku profesori do të botojë me pseudonim, shkrime dhe krijime: programi i Partisë Socialdemokrate, artikuj edhe shkrime filozofike e vjersha, poezi për Hysni Lepenicën. C’farë gjetëm në dosjen e Raile Muhamet Luzi ?

Për të mos lënë asnjë dyshim për autorin e veprës, pas këtyre të dhënave mendova të shfrytëzoja dosjen e Raile Luzit, motrës së vogël të Isuf Luzit, e cila ishte dënuar për motive politike ,shkruan studiuesi E.Memishaj.S hkurt ,autori thotë se Raile Muhamet Luzi, kishte lindur në vitin 1928 në Kanine dhe banonte ëe lagjen Uji i Ftohtë Vlorë, fshatare e mesme, shtëpiake, me arsim fillore pa triska fronti. Ajo u arrestua më 29 janar 1953 dhe në procesverbalin e kontrollit të banesës së kësaj date, shënohen shumë materiale të sekuestruara me interes historik si thirrje, Statut i Partisë Socialdemokrate, procesverbal mbi formimin e kësaj partie, historik i ngjarjeve të luftës, etj, por që nuk u gjetën në dosje. Këto materiale ose janë marrë nga studiuesit komunist ose janë zhdukur për shkak të injorancës së hetuesve. Pavarësisht nga shqetësimi im, që materialet e sekuestruara nuk i gjeta në dosje më gëzoi fakti se në faqen 15-16 të dosjes gjeta dorëshkrimin e poezisë “Martin” ,që i dedikohej Hysni Lepenices.

Po shënojmë për interes të lexuesit se: vajza 25 vjeçare Raile Luzaj u akuzua dhe dënua se:Familja e sajë ka ndihmuar deri në fund Organizatën e Ballit Kombëtar, vëllezërit e sajë: Isuf dhe Ifrahim Luzi kanë qenë udhëheqës dhe organizator të Ballit Kombetar, të arratisur jashtë shtetit në vitin 1944 si dhe disa akuza konkrete. Më poshtë E. M thotë:Tani pasi u njohëm me vuajtjet e padrejta të kësaj zonje, le të shqyrtojmë poezinë “Martiri”, që gjetëm në dosjen e sajë kushtuar Komandantit të Përgjithshëm të Ballit Kombëtar Hysni Lepenica. Poezia është shkruar me shkrim dore në format të zakonshëm, po në atë format, që është daktilografuar edhe poema “Prosopopoea”. Nga krahasimi i kësaj poezie me atë të botuar në poemën ” “Prosopopoea” dhe në gazetën “Zeri i Lirisë”, të cituar më lartë, del se është e njëjta poezi fjalë për fjalë. Autori nuk e shënon emrin e tij në këtë poezi, por mendja vet-vetiu na shkon se ai s’është tjetër veçse Isuf Luzi, vëllai i Ralile Luzit. Sipas hetuesve kriminel kjo poezi ishte kaq e rrezikshme sa që e kanë detyruar zj. Raile të konfirmojë me dorën e sajë pas letrës format ku është shkruar poezia: “Vërtetoj që u gjet në kontrollin, që u bë në datën 26.1.1953. Firma”.Por për të mos lënë asnjë dyshim për autorin e kësaj poezie dhe për pasojë edhe të poemës ‘Trosopopea”, dorëshkrimi i poezisë së bashku me një letër të Isuf Luzit datë 16.11.1992, drejtuar deputetit Ibrahim Vasiari në Vlorë, shkrimi iu nënshtruan një këqyrje dhe analize nga një specialist i Ministrisë së Brendshme. Specialistit iu kërkua t’i përgjigjet pyetjes: Dorëshkrimi i poezisë tek e cila nuk është shënuar autori dhe letra e shkruar nga Isuf Luzaj, a janë shkruar nga e njëjta dore nga i njëjti person?

Përgjigja e z. Arvit Mitkolli ishte: “Po .Poezia dhe letra janë shkruar nga i njëjti person”, gjë do të thotë se autori i poezisë dhe poemës “Prosopopea”, ishte pa asnjë dyshim Isuf Luzi. Edhe një detaj tjetër duhet marrë parasysh se Raile Luzi ka disponuar një makinë shkrimi ,të cilën ia ka dhënë Petref Bajramit nga Vlora, të dënuar më vonë me pushkatim, për pjesëmarrje në organizatën antikomuniste “Rilindja Kombëtare”.Ky fakt na bën të mendojmë se edhe poema “Prosopopea” është daktilografuar në shtëpinë e Isuf Luzit dhe Raile Luzit me këtë makinë shkrimi.

 Përmbajtja e poemës dramatike “Prosopopea“

Vepra është daktilografuar me makine shkrimi në 36 faqe, të formatit të zakonshëm. Titulli është “Prosopopea”, që në shqip do të thotë:” libri i shenjtë, pjesë nga ungjilli. Autori nuk shënohet, ndërsa shënohet viti dhe vendi i përfundimit të poemës: Vlorë, fruer 1944. Vepra është një poemë epiko-lirike, ose poemë dramatike. Autori i panjohur ua kushton poemën: Dëshmoreve të Kombit me citimin: “Asnjëri gjatë jetës së tij nuk bën për Atdhe, aq sa bën heroi në një çast”. Në këtë poemë janë himnizuar denjësisht heronjtë dhe dëshmoret ,që u dalluan ne betejat për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar ,që nga plaku Ismail Qemali e deri tek Selam Musai, duke mos harruar Bajram Currin, Preng Bib Doden, Naim Frashërin e Themistokli Gërmenjin.Vepra i bën jehone heroizmit të popullit në shekuj dhe veçanërisht vullnetarëve të lirisë gjatë Lëvizjes Antifashiste, 1939 – 1944. Poema dramatike, fillon me “Proemio”, ku autori i drejtohet Zotit. Rëndësia e këtij zbulimi ka disa arsye:Kjo vepër kushtuar figurave madhore të kombit mbante autorë tjetër. Dhe e dyta është një vepër, që i kushtohet një pjese patriotike, që ndonëse humbën luftën rreth 80 vjet më parë ,nxirren në pah vlerat  e tyre atdhetare. Ndërsa së fundi kjo vepër është shkruar nga një filozof shqiptar i vlerësuar shuam në perëndim,i dënuar nga Stalini i vlerësuar nga SHBA ,që kishte letërkëmbim me Sartërin ,ka marrë titullin “Profesor emeritus” në SHBA, një dekoratë, që mban shënimin “Profesor i Amerikës” dhe të cilën ia pat dorëzuar vetë presidenti  Regan, ka dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Ka botuar libra në fushën filozofike. Poet dhe  mendimtar. Duhet vlerësuar punimi shkencor rreth kësaj gjetje historike për rëndësinë e saj artistike  me rreth 130 faqe me shënime të dhëna dhe fotografi të studiuesit të shquar, E.Memishaj,

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Llojdia, Isuf Luzaj, Prosopopean

RRETH LIBRIT “ISUF LUZAJ – NJË SHTIZË DIELL MBI ATDHENË”

August 16, 2014 by dgreca

Kisha ditë që prisja telefonatën e zotit Shaban Xhyheri (studiuesi, historiani, autor i disa librave, ish anëtar i Ballit Kombëtar, i dënuar politik, personit që i dhurova të parit librin “Isuf Luzaj – Një Shtizë Diell mbi Atdhenë” për të më dhënë një opinion rreth tij, por heshtja më tmerroi…
Ashtu si çdo shkrimtar, edhe unë dëshiroj një opinion të sinqertë për çdo libër, sidomos për këtë libër që kishte një specifikë të veçantë, se zakonisht në Vlorë e japin opinionin pa e lexuar librin dhe për t’u çuditur trillojnë e trillojnë opinione, saqë po të jenë të kujdesshëm ata që i flasin e t’i shkruajnë, do të kishin fabrikuar një gjini të re të letërsisë poskomuniste, që mund të quhej “Rrëfime imagjinare për të diskredituar autorin”, art, të cilin e praktikonte komunizmi ndaj një vepre për të shkatërruar autorin, por sot as tek vepra nuk shkojnë, por merren me autorin, pra thjesh kanë ndërruar taktikat, strategjia është po ajo.
Përveç një gruaje, që e mori librin në panairin “Vlora 2014” e fill pas dy orësh, erdhi dhe më tha: “Faleminderit zonjë, më bërë të lexoj libra të autorëve shqiptarë… për dy orë lexova 50 faqe…Urime! Erdha vetëm për të uruar dhe për të falënderuar për dhuratën e çmuar që më dhatë! Faleminderit! Mbase do shihemi herë tjetër dhe do të flasim më gjerë…” Iku dhe as emrin nuk ia mora, vetëm më tha “Jam me origjinë nga Kanina”, nuk më ka folur njeri, mbase ishte fati për të mbetur anonim ajo grua që të merrja opinionet e para nga lexuesi im i parë, ndaj, sa herë që më binte rruga andej, doja të shkoja ta takoja, por kisha frikë…
Krijuesit e dinë sa të priten duart kur ta hedhin poshtë veprën që ke ndenjur muaj e vite duke e shkruar me një synim të vetëm: të pëlqehet nga lexuesi për të përcjellë ato mesazhe që ne i kemi menduar si të drejta e të vyera.
As sot nuk e kisha vendosur që do të shkoja ta takoja, por as vetë nuk e di, këmbët më dërguan tek lokali ku ai rri zakonisht. Ishte ulur në lulishte me një burrë tjetër dhe sa më pa, thirri me të madhe sikur kishte kohë që më priste.
– Shyqyr që erdhe, 100 herë i kemi ranë telefonit dhe përgjigjja ishte “Numuri nuk është i saktë”, mos ma keni dhënë gabim?
– Jo, por mbase keni ngatërruar ndonjë numur… – thashë duke e përqafuar.
Burri që ishte aty, nuk priti gjatë, u ngrit, na përshëndeti dhe u largua, ndërsa zotin Shaban nuk e mbante vendi nga gëzimi. E mora opinionin për librin, se asnjëherë nuk më kishte pritur kështu. Provuam numurin dhe ishte në rregull, si duket ishte shkruar gabim…
– Të thashë që do të jap i pari opinionet mbi librin dhe e kam mbajtur fjalën, por nuk jam lidhur dot me ju…
– I pari je, vetëm një zonjë më ka folur pak…
– Dua të jem i pari për një arësye, sepse të them, se je e para që merreni me këtë temë
dhe ata që do e lexojnë do pëlcasin nga inati, se nuk e bënë dot para tya. Sa e mora librin, kisha parasyshë që ti pret nga lexuesi vërejtjet, ndaj nxitova, se kam atje tek koka gjithë ato libra, kisha një libër tjetër të Eqerem Bardhit dhe kisha lexuar deri 50 faqe, kur më dhatë librin, e lashë atë dhe lexova librin tënd. Stili yt nuk të lodh, absolutisht nuk të lodh dhe keni një gjuhë të pastër. Ke disa gabime në shkrimin e disa emrave, apo mbiemrave, por nuk janë gabimet tua, por të burimeve nga janë marrë, por këto nuk e prishin bukurinë e librit, nuk e mërzisin lexuesin, por të tregoj një gjë, të jesh më e kujdesshme në gjetjen e emrave që plotësojnë figurën e Isufit dhe e dyta; ti je një intelektuale, po të mos ishe intelektuale, nuk do t’i hyje këtij studimi.
Puna ta do, kërkuesi futet kudo, por bazën ta kesh tek intelektualët, se intelektualët janë ata që çdo gjë që të jep, ta jep saktë, por një e keqe shumë e madhe është tek ne, egoizmi. Unë nuk quaj intelektual atë që mbaron universitetin, por atë që pasuron dijen e tij vazhdimisht, universiteti të çel rrugët, mund të mbarosh 10 universitete, po s’mund të jesh intelektual, se bën gjumë. Sa më shumë të lexosh, sikur dhe një çerek fjale të përfitosh i fituar je. Kur të thashë, se je intelektuale, nuk u bazova se çfarë shkolle ke bërë, shkolla të hap rrugën e thamë një herë atë, nuk të bën njeri, po se çfarë ke arritur të bëhesh, se po nuk pate talent, nuk mund ta fitosh atë, po nuk linde poet, nuk bëhesh poet.
Unë të përgëzoj e po të them me sinqeritetin më të madh, kam mbetur jo vetëm i kënaqur, por të them dhe i befasuar, se nuk ma merrte mendja, se dy takime kishim bërë me ju; në takimin e parë kur nise të shkruash librin “Sharrajt në Jetën e Kombit” dhe herën e dytë, në përurimin e tij, i kënaqur mbeta, por që të merresh me këtë temë, shumë më ndryshe nga ajo dhe që të trajtosh këtë temë, kërkon të kesh një bagazh të mirë intelektual, të kesh këmbëngulje, vullnet e të studiosh, prandaj nuk ma mori mendja, troç po ta them, por kur hyra brenda në libër pashë gjithë ato përpjekjet e tua këmbëngulëse për të rrëmuar sa më shumë në adresë të kësaj figure, për t’ua paraqitur lexuesve jo vetëm çfarë ka thënë i Madhi Isuf Luzaj, por bën edhe komentet e tua, ku përfundojnë me thirrjen brezave për ta lexuar e të mësojnë shumë nga Isufi.
Unë jam lexues, i rregullt kam qenë, s’jam studiues, s’kam pse them ato që nuk i kam (foli me modesti), kur lexova librin tuaj, mbeta shumë i kënaqur, mbeta i kënaqur unë, jo se u kënaqa unë, por kuptoj se duhet të kënaqen këta brezat që janë, se jemi shumë pas në analizë me njohjen e figurave Shqiptare dhe kombëtare. Më shumë se sa e ke përshkruar ti figurën e Isufit, nuk mund ta bëj unë, por përderisa mu mbush mbush mendja edhe mua që me të vërtetë është një ndër 7 filozofët e shekullit të kaluar, për këtë të përgëzoj shumë.
Thirrja jote është e hapët dhe e çiltër dhe kërkon opinionit, organet kupetente e shkon deri tek ministrat që të tunden e të shkunden e të merren sa më parë me botimin e veprave të Isufit, se kemi në Shqipëri, mbase nuk më lejot, por e kam nga mërzia, ca pseudointelektualë, pseudoshkrimtarë, pseudohistorianë, pseudostudiues, pseudoakademistë e nuk e kuptoj me çfarë merren këta, kur lënë në harresë një figurë të tillë, me çfarë mburren këta, moj motër, me çfarë mburren këta?
Ti shumë vetave ua preve rrugën, ua more inisiativën, që të merren me veprën e Isufit. Unë kam dëgjuar që flasin, por që të merret njeri me studimin e figurës së Isufit, nga sot të themi, nuk kam dëgjuar, mbase janë duke punuar, ajo është një punë tjetër, por tashi për tashi, stafetën e ke marrë ti.
Dua të shprehem edhe më shumë, kam shumë gjëra për të folur, se është një temë që më pëlqen, se kam një moshë të madhe dhe s’do të arrij të lexoj veprat e Isufit. Do ta rilexoj librin tënd dhe do të mbaj shënime. Pardje mora një nga librat e Isufit “Lamtumira e Yjeve” dhe fillon me një thënie shumë të madhe: “Nga të pesë artet, letërsia dhe nga të pesë degët e saj, poezia, nuk e pranojnë mediokritetin.” Që janë shumë domethënëse. Që të lexosh Isufin, e them me sinqeritetin më të madh, duhet të jesh dhe shpirtërisht i qetë dhe jo çdo njeri e kupton, pa pasur një intelek, pa qenë intelektual i mirë, nuk bisedon dot me Isufin, nuk mund ta kuptosh atë. Ai ka qenë intelektual i mirë, nuk bisedon dot me Isufin, unë kështu e shikoj, nuk bisedon dot me Isufin. Kam shumë gjëra nga ato që kam lexuar dhe nga ato që ke venë theksin ti, ndjej një lehtësi dhe kënaqësi shumë të madhe se kam dhe një moshë të tillë që e kam peng që nuk i shoh veprat e Isufit.
Përgëzoj Xhevat Beqaraj, megjithëse në një moshë të thyer për punën që ka bërë, ka një meritë të veçantë, siç ke thënë edhe ti, intelektualët e vërtetë duhet të skunden dhe duhet të merren me këtë figurë madhore.
Më bëhet qejfi shumë se doli një fëmër që të merret me studimin e ta paraqesë këtë figurë, se ti ke rrëmuar shumë, jo vetëm tek njerëzit e familjes së tij që ke këmbëngulur disa herë e ke marrë të dhëna, por unë lexova përshëndetjet që kanë bërë disa shkrimtarë mund të them nga Vlora, pse jo dhe studiues, se nuk dua të ofendoj njeri, jo të një shkalle kështu, mbeta e kënaqur që edhe ata kanë dhënë mendime dhe ti ke bërë shumë mirë që i ke paraqitur në libër.
Ti ke harxhuar kohë, lodhje mendore… takon personazhe me kulturë e pa kulturë të gjerë për ta bërë të plotë figurën e Isufit dhe ti ke nxjerrë disa të vërteta që edhe unë nuk i kisha ditur, siç ishte lidhja me familjen Ulqinaku, e cila paska jetuar në familjen e Isufit dhe të njëjtën qëndresë bëri dhe Isuifi në Vlorë, por asnjëherë nuk u përmend. Ti e nxjerr shkakun që pse nuk botohet vepra e Isuf Luzajt dhe shkaku është komunizmi. Për ta bërë më të besueshme, ju keni përsëritur fjalë të shumë personeve dhe keni bërë edhe refleksionet tua. Një gjë më ka mbetur në mendje që nuk e kam dëgjuar deri më sot, kur e cilëson luftën e klasave “mulliri i luftës së klasave”, është e para herë që e dëgjoj këtë shprehje kaq të goditur. Ka shumë gjëra me vlera në këtë libër, se ke një të mirë që bën edhe analizën.
Zonja Zyba, me sinqeritetin me të madh të përgëzoj dhe njëkohësisht të falënderoj që u more me këtë vepër dhe të jesh e bindur e do të ndëgjoç me kalimin e kohës edhe shumë falënderime, do marrësh dhe vërejtje, por për mua, ti je e para dhe duke qenë e para, u hape sytë të tjerëve. Besoj se do dalin edhe tjerë më vonë dhe sado që të shkruajnë e mund të bëjnë, tashti për tashti, vendin tënd nuk e zë njeri.
E falënderova dhe u ndamë për t’u takuar sërish, për të marrë kritikën e detajuar të tij, pasi ta rilexojë librin.(Z .H)

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: – NJË SHTIZË DIELL, Isuf Luzaj, MBI ATDHENË”, rreth librit, Shaban Xhyheri, Zyba Hysa

SOFRA POETIKE E DIELLIT- POEZI NGA ISUF LUZAJ

April 5, 2013 by dgreca

FISHTËS /

Nga Isuf Luzaj/

Concerto/

Allegro/
Burimi te zalli nën hënë udhëtimin/

Tek qau e ndaloi./

Bilbili malor/

Mbi lulet bërbuqe të pishës cicrrimin/

Në fllad mëngjesor:/

E preu, e ndau, e, e pushoi./

Kreatyra gjallore/

E ujit, piskatse, tek ikte, vishkllimin/

Nën valë të rrepta të plakut dimror/

Me ndejenjë mugullore/

E këputi that, veshi ngrehosi/

Fare s’pipëloi,/

Natyra e gjithë me dimra e vera/

Me pemë e shtazë e kreatyra të tjera/

Heshti:

Një fytyrë shenjtëesije u duk sikur deshti

Të ndëgjojë

Atë tingull të ëmbël që zu të prodhojë

Një shpirt I madh I gjërë e I trishtuar

E rrezët të gjitha I ndau caktuar

Seicilli n’udhë të tija

Një hije të zezë bota ish mbuluar

Me yje lozi shah, Mat, vetë Perëndija

Botën gjith e bëri e e bëri rop të saj

Rruzujt vdiqën e lënda e tyre

Iku ngadalë, si këngë në bylyre

A si vaj

I një nëne plakë për të birë q’u palos.

Shqipet shqipot dhe nën shqiponja

Një mjegullë t’rënd ishin errsuar

Një tingull lyre

U ndëgjua atëher or Zot

Një gjisht Zaroastre i madh sa hapsira

U ënt, nëpër sfera të gjakut Shqiptar

Tregoj shpirtin e madh të pa vdeksuar

Atë shpirt të frymzuar

Ndjenjash të tija

E në të gjithë pamë, e djalërija

Bres pas brezi do t’a mbajë mënt

Këtu në këtë vent.

Fjala e shenjt që jehoj qe zotrote

Kushtrim legjendar qe Lahuta jote

Or Zot që tinglloi tek Ty

E LEKET pran saj I mblodhi

Zjarrin në dej t’arbrorit e hodhi

Dhurata të shënjta të Zotit t’Madh Hy.

Oh po u hidhrove t’padrejtës shekullore

Shqipot e egër një nga një për dore

I zure, u fole e u tregove

Bijt e kujt ishin, e detyrat që kishin

Detyrat e shenjta të nderit të tyre

Tinglloi at-her ajo fare lyre

Mbi fushat pjellore

Në brigje të zalltë lumënjsh argjëntar

Në kum të breshëritur të hupët si ar

E mbi male prej bore

Ti

Dritë

Brezit t’ri

Dhe q’at ditë

Agimi veror

Shëndriti ëmbël ne

Lype t’bëhshe theror,

Për liri nder e atdhe

Fyelli kushtronjës frymzoi

Gjaku t’ënë të zjarrtë në vite

Një hershi

Një komp të tërë në këmbë e ngrite

Mbi zjarr kush mundi m’I pari vrapoj.

E kushtrim më I mire në botë s’u pat dhënë

Vec atij të bilbilit Frashërit zë madh.

Kur fyelli kushtronjës që me frymë I fryve

Të ra në dorë

Fiset kombi e rraca t’u përgjunj

Shpata vetëtima e armë të lara

u-kkryqëzuan përpara teje

me shkëndi rrufeje

e me frëngëllime

Burrat në gerxhe si shqipet në erë

Ball e vetull gjak e gryka me vrerë

Arbreshkat ngarkuar me bore

Q’e shkrinin

E bijve luftëtarë

Uj’ u a epnin t’a pinin

I pe!

Dejet e grisur të shqipove bujar

Kuqën cdo shkëmb e cdo bucë dheu

Balli I tyrej m’kuror dafin e ar

Bëri cdo gërxh altar memedheu.

Arbreshi I Shashicës me zjarr nëpër deje

Stërnipt e Komnenvet që në shekuj që’shkuan

Mbi shpata u betuan

Arbreshi I Cikës në maja prej veje

I ujit boror me flakë rrufeje

Rritur me shpënt e egra në natyrë

Gaboi I Gramozit e I Lunxhërisë

Që në tym zjarr’ e mjegull I dha sisë

E ëma kur lindi

Shqipua I Tomorit Dodanës kreshnike

Që n’muret e vjetra në kohra jetike

La fame zulmë madhi tek derdhi gjak

Një popull të egër aziatik e bindi

E e hodhi në lak

Atë bishë myxyre

Leka sy kuq vetëll madhi Hotit

Tmeronjës, flakën e barotit

Armikut I a fut në zemër e në sy

Leka I Grudës porsi vetëtima

Si hastrit bje në luftë. Si bubullima

Shpata e tij gjëmon.

Shaljani trim I hollë e I gjatë

Që luftën me t’mirë e bën nëpër natë

E plagëve të tija kurrë s’u ankon

Si bishë e tërbuar merr udhën përpara

E ti o shpirt I madh me gojë të Martit

U flet:

“Urra djem u dhasht e mbara”

Në statutin t’ënd këta janë skalitur

Marash sy vetëtima e Oso rrufeja

Askujt më shumë s’I ngjajnë

Se kastriotve që kur u the eja

E u bë beja

Në zjarr ranë

Zonjushëza shqipe, zonjë në vete dolli.

.               .               .               .               .               .

Kënga jote lumturinë e mbolli

Kur e pe shqiptarin ashtu si t’a kish kënda

E këndove ëmbël e e përkëdhele

Herojt e ketij kombi janë fryti I pendës t’ënde

Gjaku I nxeht që n’a vlon nëpër deje

E kemi zjarr të marrë prej teje

Rilindjen e shpirtit na I fale ti.

Pomendoren e kombit të platintë e ngrite

Bijt e mëmëdheut në të I skalite

Burra të cilve kur fringllonte ajo pallë

Botën drithmonin e rrallë

Dielli të tjerë si ata pa.

Piramid e mermertë që ti themelove

GJuhë e popull me të lëmtërove

E I pasqyrove

Të mbet ty gur mos harrimi

Për ne mbeti altar gjunjëzimi

Kur po falemi te Zoti

E si do që t’a bjerë stina e moti

Emri yt për ne ësht plot “Një Shenjtësi”

Statutn t’ënt të Shenjt e mori “Përjetësi”

Koha nuk ka të bëj fare me të.

Bota jote me ndjenja bujare

Shëmbëll do jetë për rracën shqiptare

Në vijat e gjëra të jetës së saj

Ti dhe vetëm ti

Parathe popullit udhën e shpëtimit

Këndove me laved gazin e fitimit

Këtë vetëm ti e ke bërë

Një njeri bën të njohur një popull të tërë

Në fletët e kohës ngadalë e skalite

Në stina e vite

E atë mëngjezin e ftohtë të nëntorit

Kur pranë një deti lot I arbërorit

I shkiste mbi faqe, mbi një varr tëmath

Burrat e kombit rrinin gjunjëzuar

Përpara heroit veprash të shkuar

Q’e bëri Shqiprinë gëzimin si a pa

Se iku e e la,

Adagio

Atë ditë or Zot zana jote qau

Me lote në faqe e në shoqe e ndau

Hidrimin e saj

E zun dhe ato të ckriheshin në vaj

Pastaj ajo hipi

Te shpell e Petritit

Mbi mal të Bishkasit

E Asaj të Tirteut I thirri e I tha

–          Ti s’erdhe të qaje me mua që mbaj zi

Por qofsh sa për vete un s’ta kam lakmi!

Ndënji dhe pak e lotet I fshiu

E bashk me një erë veriu

Notën e lshoi

Vark

E zëri sajë jehoi

Sa lark e shumë lark.

–          Oj ti e bukura ne ora perrallzore

Oj ti Herë zonja

E ti o Afërditë dashurore

Broj ti Kaliope sy shqiponja

Oj ti Melpomenë, oj ti zona e Tirteut

Pa ndëgjoni një zanë shqiptare

Te vjeshkve Ljubotimit

Burimesh të akulltë të uji të Drinit

T’Arbërit

Që këndova në të katër anët e dheut!

Dije oj zanë e lumtur dija

Moj e gjezdisura hije më hije

Dije se kenga m’e bukur hyjnore

S’u gjet vetem tek ju e s’u gjet vargu pike platin

Vetëm tek ju. E as kurrë kushtrim

Kaq të forte ju s’kini dhën kurrë

Sa që me mija armiq vec një burrë

Të qëndrojë në luftim.

Jo vetëm Ju dijtët t’këndonit së pari

Fitimet e larta të popujve t’vjetër

Jo vetëm ju late zulmë në letër

E ngadhnjyesit I vutë kurorë ari

Jo vetëm ju ndër sfera bujare

Me Zot Pindarin fluturuat

E atje lart Zotin vështruat.

Jo kurrë e as fare

As ndryshe Tirteu

As Homer famë madhi

Dot s’e pat thënë

Kushtrim kaq të zjarrtë si ky që imzot

M’Lahutë amalcorë rracës arbrore

Po I thëret sot

Ashkush s’e ka then dot.

Me mija shekuj dot’ jehojë eteri

Frym’ e t’im zot vjen nga Jupiteri.

Këtë melodi të këputur në shpella

E në gryka të thella

Me oshëtima

Në lisa të lartë ku qëllon vetëtima

Jehoi e lumtura lugin

E Malit Ljubotin.

Ja o I madh c’thosh e lumtura zanë

Atje në veri, e botës m’at anë

U ndëgjua jehona e saj

Mërisë, Ora e Qorrit t’ndëgjuar

Mbi varr t’llionit ngurruar

Filloi të qaj

Allegro Finale

Oh merri të lutem këto lulet e mija

Të rëna prej ere nga zonjë selvija

Brenda në vorrezë

Vorreza e madhe varre ka me mija

Por s’gjendet një emër as një pllak e shkruar

Për t’u kujtuar

Cila familje paska mbetur e zezë

Për trupat heronjsh që kalb balt mavrija

Oh po vorrez e heronjvet shqyptarë

Që për komb flamur e atdhe jan ndarë

Nga jetat e reja

Vorrez e heronjvet luftash të tua

Që ti u a ke hua

Pomendoren e madhe të kombit t’ënë

Ata u nisnë kur pat qënë bër beja

Kur paten ndëgjuar që ti thoshje: “Eja”

Tash Lahutës t’ënde I a kërkojnë zënë.

Ku rata jetonin or Zoti im hyjnor

Atdheu gjendej në buzë të humnerës

Vetëm vdekja e tyre vëndin arbror

I a hiqte nga duart bishës n’prak t’derës

Që po e gëlltit’ te më së fundi

Pa menduar Perëndi

Ata u lëshuan si lshohet rrebeshi

Lëftuan pa frik si lëfton arbreshi

Burrat më këmbë

Vetëm shesh për shesh

U ndesh, luftim I pa barazuar

Si Anteu me armikn e tërbuar

Herkulin përrallzor. Të gjith dhëmb për dhëmbë

Shqipua I Arberit lëftoi

Armikn’ e tmeroi.

Atje u bë tym e flake e mjegull

Bota gjithë u ngëthye në crregull

Dolli uji I zi!

Dheu u ca u bë zgavër e vrima

Malet e pemët e gjata vetëtima

Për dhe I ka shtri.

Botën të gjithë e drodh si tërmeti

Deri yjet cuditen me veti

Udhën e ndërrojnë

Djelli I kuq si I gjakosur

Rruzulli I gjithë merr si të plagosur

Duket se Shqipua lëfton

Për besë lëfton në këmbë shqiptari

E ikën përpara kush të vejë m’I pari

Armikun t’a zerë me dorë

Zjarr e mjegull për dhe e për erë

Me gojë shkrrumuar mbushur me vrerë

Kocka të cara nëpër shkëmbenj

Gjaku rrëke

Trajtoi lumënj

Lumënj gjaku që rrjeth tatëpjetë

Shqipua në këmbë qëndron

E lëfton

E shënon

Me sy të rrëshqepur bërë kupë filxhan

Të qofsha falë aman Zot aman

Lufta pushoi e I huaji iku

Shqipua c’duku cdo gjurmë armiku

E tymi I barotit t’luftës kur nga qielli

U ngrit përpjetë

Për të then te Zoti sipër në për retë

C’pa në këtë jetë

Në mes një pylli një mjegull të zezë

Mbeti një vorrezë

Me varre me mija

Ku hidhsi përralli e driza ka mbuluar

Heronjtë q’I dogji Atdhe Dashurija

As një pllakë atje njeri s’e ka shkruar

Ja lulet selvish të heronjvet mbuluar

Me baltë të zezë

Janë këta lot që po më bijen mua

Këtyre hernonjvet Epopoenë hua

U a ke ti or Zot!!!

E si vjet si sot si mot

N’atë yorrezë në mes selvish t’mija

Mbuluar pirgje lulesh që hija

Ftohtëson

Pushojnë or Zot Heronjt e Kombit t’on.

Në mbrëmëje aty vonë

Nga kok e cdo varri

Dalën cikëndi nure cika zjarri

Atje vjen edhe një Hy

E rri me ta. Un këndoj Haj Botë Haj

Kur lodhem nga fyelli I care,

Filloi duke qarë

E ckrihem në vaj

Por o Zot as njeri

S’do të më ndëgjojë se thon jam I ri

Ashkush s’do të dijë se qaj se ankoj

At botë un foshnjës në vesh I këndoj

I këndoj fosnjës e varrit

Që nxjerr shkëndi zjarit

Hyu I varrevet fillon t’më pushojë

Me gjishtin tregonjës q’e pështet përmbi gojë

–          Ka kush ti qajë

Me lot e me vajë

Këta – më thot I madhi Hy.

“Heronjtë dëshmorë or Zot kërkojn Ty.”

 

Druvarit

të

Qafës së Vreshtavet

 

nga Isuf Luzaj

 

O ti druvar, që me spatën e ngarë

hedhur në qafë zë udhën e mbarë

që në mëngjes e n’agim të parë

I bje pishës së lartë e e rrëzon,

Ndalou të lutem shumë e ndëgjomë mua

Sa herë të shtrihec të picë ujë në krua

Fytyrën t’ënde ti ke për t’a parë

në ujë: si të nëmur si nga lija e vrarë

në eshtra e lodhur e syri i carë

nga nëmat mallkonjse që druri t’ka dhënë

sa herë q’e ke prerë

e Zoti dhe bimvet u a ndëgjon zënë

Po ti a e ndëgjon?

– Ja’ kricma e trungut që kur e can rënkon.

Pastaj mos harro se cdo pemë e lartë

me moshën e vjetër tregon kohën e artë

Ai ah i madh që ti pa mëshirë fare

prej reje ku piqej me të e në dhe

Te shtritur sa gjerë e gjatë e shkurton

Esht për të gjitha kohët legjendare

Krenar që ndodhit e kombit dëshmon

Gjakun e ri të flijes djaloshare

…………….që për atdhe

…………….pa u trembur ra

…………….Syri i tij e pa

Tek ai ah buz’ atij burimi

Pështeti shpatullat e gjëra burrërore

……………luftëtari trimi

e plagës së plubmit madh në krahruar

……………si pëndë ndalimi

të gjakut, i vuri një feste verore

Si currjegë cesme tatëpjetë rridhte gjaku

……………në rrënjët t’atij ahu

dufeku në sy e në këmbzë rrih dora

– O djema përpara se u muar zjarr Vlora –

bërtiti goja e luanit nga vreri

……………e me burrëri

mësynte si tigri armikun e ti

e shkonte gjaku rrëke

si gjaku i kaut me shkumë qe theri

……………mishtari i zi.

– O djema përpara

Kush të vdes për atdhe! –

……………Tha goja e tij.

I përgjunjur burri me këmbë të ndara

nga turpi, u unj e nduku n’at ah

ku kish mbetur në eshtra qindra vjet përpara

stërgjyshi i tij në luftë si rrufe

e u ngrit luftëtari pa thenë një Ah

– burra me dorë me palla të lara

O burra o djema kush të vdes më përpara

…………….Kush të vdes për atdhe –

E shkuan pas sajë stina luftëtare

Q’i soditi mirë ajo pemë legjendare

Që nga gjaku i barotit e tek gjaku i heshtave

I ka parë nëpër shekuj ajo qafa e vreshtave

C’do buce gjelbrine ësht ngopur me gjak

Kur fisi i shqiptarit dha e mori hak

Dëshmitarë tek janë ato pemë të larta

Që mbëllyjnë në moshë kujtime të arta,

Prandaj o druvar të lutem ndalo

spatën e shpejtë e rri pak e mendo

se sa ahu që pret ësht i shenjtë për ne

……………..Për komb e atdhe

T’a dicë ti, t’a dinte spata jote

Se ahu i madh që pa mëshirë zotrote

…………….po e pret

Sa vleftë pati në kohët që shkuan

me njerzit e vjetër që fare u harruan

……………Ti kurrë s’e pret

Atje nënë hije për anë burimit

heronjt e një kombi e bënin betimin

Krahët me shpata zgjatur kryqëzuar

përmbi armët e lara nderuar

Në luftra ku gjaku pat marrë kullimin

E bërtisnin burrat një zëri

që kush e ndëgjonte e ngiste hajgërri

-Na burrat e maleve betohemi për Besë

Të vdesim në luftë për mëmëdhe

Asnjë i gjallë nuk duhet të mbesë

Përpara se armiku të shkelë ndër ne.

E pastaj si gjarprinj e astrita mali

I visheshin pyllit ai farë djali

E bëhej lufta e tmershm sa s’ke.

Kur turma barbare me shuma e mësynte

Djalërija shqiptare për pritë i vinte

Armikut, kraharorin e saj

E vetë ferri me turmat e tija

Të ngrihej mbi dhe e vetë mizërija

Botash të egra të vinte kundër ne

Shqiptari kurrë nuk do e lshonte

pritën e fortë që me dhëmbë e mpronte.

O krahë të druvarit e ti spata e tija

Kini mëshirë pse ahu zotrija

që gjysmën e pyllit të madh e mbulon

Ka parë në burra se si mbahet beja

Si shkëlqejnë shpatat nga fjala dhe theja

Se si merrte flakë era dhe reja

Kur luft’ e pa ndarë një vënt e tmeron.

Oh ai ah me syt e tij i ka par

…………….Heronjt legjendar

…………….të kombit Shqiptar

Prandaj o druvar të lutem mos e pre!

(Marre nga “Rrefimet” (1932)

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Fishtes, Isuf Luzaj, Sofra Poetike

Shpirti i Isuf Luzajt, endur mes rreshtave …

January 23, 2013 by dgreca

Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së tij (1913 – 2013)/

Nga Zyba Hysen Hysa/

Gjatë bisedave të ndryshme që kam bërë në lidhje me shkrimin e librit “Sharrajt në jetën e kombit”, ka dalë në pah edhe emri i Isuf Luzajt, si një ndër patriotët e devotshëm që veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare e ka nisur që në bangat e shkollës së mesme në Shkodër e më pastaj deri sa dha frymën e fundit.

Që kur më ra në dorë libri “Filozofia e bukurisë”, më pas “Përtej të mirës e të ligës”, “ Glorja e çmendjes”… të gjitha ato libra që kanë pasur fatin të botohen, nuk ka bisedë mes miqsh dhe krijuesish që të mos shpalos adhurimin tim për veprën e tij dhe me mundësitë e mia shpirtërore jam përpjekur që të ndikoj sado pak në institucionet shqiptare për të financuar në botimin e plotë të veprës (rreth 120 vepra) së të veçantit, që siç tha Z. Elaham Sharra në një bisedë se: “Isuf Luzaj, duke lëmë mënjanë politikën e të flasim të drejtën, nuk pati fatin e shumicës së shqiptarëve që ikin jashtë shtetit dhe ‘humbën’, ai bëri emër dhe këtë emër e bëri në Amerikë”

Shpesh në debate, shpalosen mendime të ndryshme për Isuf Luzajn. Më trondit ky fakt, ndaj mendoj se këto kanë qenë dhe janë qëllime dashakeqe të njerëzve antikombëtarë, që familjet patriote në Vlorë t’i vendosin përballë njëra – tjetrës, pra të krijojnë përçarje për të sunduar më lehtë. Unë nuk kam pse zgjatem për madhështinë e familjes Sharraj në kontributin për çështjen kombëtare, se diçka kam thënë (nuk kam arritur të them shumëçka, aq sa e meritojnë, kurrë nuk do të ketë penë ta përshkruajë), por një gjë shihet qartë, se në këtë familje, Isuf Luzaj hynte e dilte si në shtëpinë e kombit e ndaj dhe goditet kjo figurë me një “gur” që vret këtë bashkëpunim patriotik në Vlorë. Unë kurrë nuk do nxirrja nga goja ime, aq më pak nga mendja ime ndonjë fjalë ndryshe për shenjtërinë e veprimtarisë patriotike të Sharrajve, por nëse do hesht për Isuf Luzajn, do të thotë që unë jam shumë fytyrëshe, këtë nuk e pranoj kurrën e kurrës, ndaj duke folur hapur, duhet që të zbardhim hijet e së kaluarës, ato hije që na çuan në keqkuptime, mëri, vëllavrasje, përçarje deri në thelb.  Unë mendoj, që e kaluara jonë nuk ka qenë bardhë e zi, por nuk ka qenë edhe vetëm e bardhë, apo vetëm e zezë, se siç tha një ditë z. Shemsi Rrapaj se “Isufi, këtu në Vlorë, për fat të keq, interpretohet bardhë e zi, por nuk ka argumente për ato që fliten, Isufi është intelektual brilant i shkallës së lartë nga më të rrallët”

Të kesh ide ndryshe nga tjerët është më se normale e të kesh kundërshti për to nga të tjerët, përsëri është më se normale, por e rëndësishme është që këto ide të nxisin iniciativën individuale për t’i vënë në jetë, se siç thekson Isuf Luzaj në librin “Rindërtimi i tipareve shpirtërore” në faqen 52 “Janë burra vetëm ata që e lëvrojnë vetë vijën e ugarit të tyre” dhe më poshtë shton: “Poet ose filozof, apostul ose artist, ki besim në veten tënde dhe mos ndiq rrugë të huaja, mos e var vullnetin tënd prej vullnetesh të tjera, mos e lidh dhe mos u ngatërro me hije që errësojnë, as mos kërko mbrojtje nga të tjerët, sepse ajo mbrojtje të përul. Nga ata që dinë më shumë, mëso pa i imituar, nga ata që japin më shumë, largohu, mos kërko kurrë. Në qofsh i aftë të realizosh idealin tënd, nuk të nevojitet asnjë diçka potente; asgjë, askush nuk të bën të zotin për të realizuar ëndrrën tënde, duaj, duaj, me këmbëngulje, me të gjithë mendjen tënde e me të gjithë zemrën tënde…”

Të mendosh se Isuf Luzaj shkonte deri në antagonizëm me personat që e kundërshtonin në idetë që shpaloste ai, është absurde, por gjithashtu nuk e mendoj Isuf Luzajn të mos kishte kurajë të shpaloste idetë e tij dhe të luftonte për t’i vënë ato në jetë, por unë dal në përfundim se: Isuf Luzin pak e kuptuan e shumë pak e mbështetën, ai nuk ishte vetëm nacionalist që i përkiste vetëm organizatës së Ballit Kombëtar, se në fillim kjo organizatë u krijua mbarëkombëtare, më pas denigroi në parti politike e unë sikur kam qënë aty, e mendoj Isuf Luzajn, për kushtet në të cilat ishte vendi ynë, të ishte prijësi i popullit tonë, se idealet e tij i kapërcenin bindjet politike, ai ishte patriot dhe kërkonte bashkimin kombëtar. Një veteran, Serri Petanaj në opinionin e tij për Isuf Luzajn tha: “Unë e kam parë dhe dëgjuar vetë Isuf Luzaj, kur erdhi një herë në Llakatund, mblodhi popullin dhe u foli: “Të bashkohemi rreth  organizatës së Ballit Kombëtar, si e vetmja organizatë që do na çojë në marrjen e Kosovës dhe trojeve tjera etnike, se komunistet kanë rrugën ruso – serbe dhe kurrë nuk do na lejojnë të bashkojmë kombin tonë’. Unë isha rreth 12 – 13 vjeç, por nuk kisha dëgjuar njeri orator si ai, ai fliste pa letër dhe të bënte për vete me fjalët që thoshte”. Pra Ai është i gjithë shqiptarëve, ndaj atë nuk e përmendin as të majtët, as të djathtët e sotëm, se si të majtët, si të djathtët e pse e kanë të shkruar në kushtetutë që do të luftojnë për bashkimin tonë kombëtar, nuk kanë as më të voglën ide dhe nuk kanë asnjë projekt për këtë bashkim,nuk kanë trokitur në asnjë organizatë apo shtet në botë qw t’i paraqesin me shkrim platformën e Bashkimit tonë kombëtar, përveç se shfrytëzojnë ndjenjat kombëtare të popullit për të siguruar një kolltuk për vete. Ai ishte një njeri iluminist dhe si i tillë kurrë nuk mund të ishte tiran, diktator, ndaj e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh për realizimin e idealit të lartë që i vuri vetes për çështjen kombëtare, e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh, për të realizuar idealin e madh të Bashkimit tonë kombëtar, (kjo është normale), është absurde për mua,të besoj akuzave që dashakeqët i zhveshin nga vetja dhe kërkojnë t’ia veshin Isuf Luzajt, por sa ditët kalojnë, sa vitet rendin, Ishuf Luzaj po del më në dritë dhe lum ai që di të përfitojë nga veprat e tij dritë pa fikura, se kam lexuar disa libra tij dhe unë që shkruaj, di të njoh fisnikun nga krimineli, hajduti… se kriminelët shkruajnë vetëm për ato prapësi, ndërsa Ai flet për Kombin, për  te bukuren, te pastrën, për dritën, te mirën, për fisniken dhe nuk e bën njeriun absolut të keq, por me te mirat e te ligat e tij. Meritë është e atyre që mendojnë veprojnë dhe jetojnë përtej të mirës dhe të ligës.  Unë kurrë nuk do ta besoja se Isuf Luzajt do t’i shkonin për shtat epitetet e pabaza që i kanë vënë ndër vite. Mendoj se ka ardhur koha, që të mos merremi më me fjalët “e lopçarëve”, apo me të atyre që kurrë nuk e arritën dot lartësinë e tij për ta parë në sy, por i ka bezdisur hija e tij prej drite, prej një drite që sa vinte e shkëlqente më shumë, prej një drite që sa vite shkojnë, aq me shumë ndrit.

Isuf Luzaj dallohet edhe pas kaq vjetësh që ka ndërruar jetë e njihet përmes shkrimeve të tij, po kush mund ta shikojë e ta dallojë shpirtin e tij? Sigurisht ata që kanë sy të shohin përmes të vërtetës dhe të lexojnë edhe përmes rreshtave të krijimtarisë së tij, se në bardhësinë mes rreshtave shtrihet shpirti i tij prej një mendimtari, luftëtari, poeti dhe filozofi nga më të rrallët që ka pasur Shqipëria.

Të përmendësh Isuf Luzajn, është nder, është privilegj, është vlerë për atë që e përmend, se ai nuk ka nevojë për fjalët tona për t’u ndriçuar, se ai ndriçoi në një shtet aq të madh sa është Amerika, ne na duhet ta shfletomë e të mësojmë prej tij, se vepra e tij janë drita e së ardhmes sonë, janë udha e bashkimit tonë si komb.

Gjetja e së drejtës përherë dhemb, por nuk ka dhimbje më të bukur se ajo që shkakton zbulimi dhe thënia e së vërtetës, ajo ngjan me dhembjet e lindjes, që më pas nëna provon kënaqësinë më të bukur të jetës, kur merr foshnjën në prehër dhe e vendos për herë të parë në gji. Ndaj është e vështirë të kërkosh të vërtetën, ajo është një perlë që për fat të keq gjendet në thellësi, sa më shumë mundim, aq më shumë shkëlqim i falim jetës, kohës, shoqërisë, së ardhmes…

Shumë kanë shkruar për Isuf Luzajn, shumë më shumë do të shkruajnë, por të kërkosh deri fijet e rrënjëve të tij, do të thotë, se ke bërë pjesë të shpirtit dhe mendjes kauzën e tij, atë kauzë që e ushqeu me dritë shpirti dhe mendjeje, me luftë, sakrificë, vetmi, dhembje malli për familjen, plisat, gurët dhe drurët e këtij vendi që e rriti dhe që e ushqeu me një dashuri sublime, deri në antagonizëm të thellë mendimesh dhe veprimesh me antikombëtarët e sot duket si në dritë të diellit se cili kishte pasur të drejtë dhe se idealet e Isuf Luzajt për bashkimin e Kombit tonë, janë dhe sot e kësaj dite më se të ndritura, ndaj t’i njohim dhe të luftojmë për t’i vënë në jetë, ato që ai nuk mundi t’i realizonte prej përndjekjes nga diktatura komuniste.

Në një studim të kryer më 28 prill 2012 publikuar tek “Diaspora shqiptare, ndër të tjera shkruhet: “Ndoshta dikush do të hapë e të pasurojë në të ardhmen një bibliotekë, galeri apo muze, që do ta ketë zili edhe simotrat e trojeve shqiptare! Pale, kur të bashkëngjiten arkivat e bibliotekat e Vatrës, të dijetarëve Fan S. Noli e Faik Konica me shokë, të nobelistëve Nanë Tereza e Ferid Murati, të shkencëtarit e artistit fotograf me famë botërore Gjon Mili, kineastit Sten Dragoti, të studiuesit dhe autorëve të disa librave me vlera të veçanta, Prof. Petër Prifti e Xhevat Kallajxhi, Prof. Nikolla Cako, Prof. Isuf Luzaj, Prof. Rexhep Krasniqi, studiuesit e arkivistit të pasionuar Idriz Lamaj, koleksionistit Bekim Lajci e Sait Kryeziu, Nexhat Peshkopia, Hasan Dosti, Qerim Panariti, Gaqo Goga, Halim Begeja,Shaqir Gjoka, Dr. Nuci Kota, Tonon Mirakaj dhe nga shumë patriotë të tjerë, të bisnesmenëve bujarë të Atdheut të kahershëm e gjer te më i riu Richard Lukaj, vëllezërit Bitici, studio “Iliria”, të Shoqatave, institucioneve e individëve të shumtë. Gjithçka do të jetë e vlefshme dhe në përkushtim të rritjes shpirtërore, krenarisë e identitetit të gjithë popullit e Kombit Shqiptar”.

Siç e shohim, Isuf Luzaj nuk ka nevojë për vlerësimin që i bëj unë, apo dikush tjetër, ai është i vlerësuar dhe i vendosur në radhën e ndritur të kokave që i kanë dhënë këtij vendi mundin dhe mendjen, që i kanë falur Kombit shpirtin, si të vetmen pasuri të pavdekshme që ka njeriu e këtë shpirt ai e ka shpalosur mes rreshtave të librave dhe të bëmave në dobi të çështjes kombëtare. Ne na mbetet për detyrë ta njohim veprën dhe të frymëzohemi prej saj për të nxitur brenda vetes ide përparimtare që na zgjojnë dëshirën për veprim në dobi të çështjes kombëtare, për të cilën jetoi, punoi, luftoi dhe shkroi Prof. Dr. Isuf Luzaj. Kush nuk ka në gji mirësinë dhe dëlirësinë, se  siç thotë vetë Isuf Luzaj “Të fluturojmë lart, përtej të mirës dhe të ligës dhe të hyjmë në një sferë mbinjerëzore ideale në të cilën njeriu jeton i zhveshur nga të gjitha pasionet, veset dhe ethet e mishit dhe të gjakut…” (Përtej të mirës dhe të ligës),  nuk besoj se ka dritë të mjaftueshme për të dalluar veprën e Isuf Luzajt e aq më pak për ta bërë pronë të tij.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Luzaj, Zyba Hysa

Artikujt e fundit

  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor
  • “Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise”
  • Shqipja Futet në Komunikimet Zyrtare të Shkollave Publike në Nju Jork – Një tjetër arritje historike për arsimin dhe familjet shqiptare në Diasporë
  • EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO
  • Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare
  • Albanian Parade in New York City
  • “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”
  • EDHE NJЁ VEPЁR ME PESHЁ TЁ MADHE STUDIMORE PЁR EPOSIN E KRESHNIKЁVE
  • Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe kompromisi austro-rus në lindjen e shtetit shqiptar
  • Ambalazhet plastike ushqimore dhe siguria e shëndetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT