
Editorial nga SOKOL PAJA/
Shpopullimi i Shqipërisë është kthyer ne një problem shqetësues për çdo shqiptar, brenda apo jashtë atdheut. Ikja masive e shqiptarëve nga Shqipëria përfshin shtresa të ndryshme të shoqërisë, pozicione dhe profesione. Ikja është kryefjalë. Nga Shqipëria kryesisht po ikin të rinjtë që janë fuqia vitale e punëtore si dhe të profesionistëve të ndryshëm krijon një destabilizim e shbalancim të brendshëm të tregut të punës, shoqëruar kjo me pasoja të rënda për të ardhmen e vendit tonë. Largimi nga Shqipëria e moshës më vitale dhe rritja e kërkesës se shqiptareve për azil në vendet e BE po sjell shqetësime edhe për vete Komunitetin Evropian. Pozicionimi i Shqipërisë në vendet e para, sipas statistikave zyrtare të Institucioneve prestigjioze dhe serioze të Sigurisë Globale dhe Humanitare, të INSTAT dhe te institucioneve te tjera qe merren me çështjen e emigracionit shprehin shqetësim te madh rreth fenomenit te largimit te shqiptareve nga Shqipëria. I madhi Faik Konica do të shprehej: “Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme, do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj”. Fatkeqësisht aktualiteti na pohon se gjendemi vetëm në vuajtjet e Shqipërisë. Pseudo-Rilindja e drejtuar nga kryetari Edi Rama gjatë 8 viteve qeverisëse, jo vetëm qe nuk i përmbushi premtimet elektorale por me keqqeverisjen e tij, kryeministri Rama zhgënjeu, varfëroi, dëboi shqiptarët. Shqiptarët nuk ndjehen më të sigurtë, të dashur dhe të ngrohtë në atdheun e tyre, në shtëpinë e tyre. Ky zhgënjim dhe dështim i qeverisë Rama që qëndron si xhelat mbi kokat e shqiptarëve, u shoqërua me rritjen e taksave, agresivitetin e shtetit ndaj qytetarëve, shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, të ujit e shume shërbimeve bazike ndaj qytetareve. Pasiguria në vend, krimi i organizuar, kthimi i Shqipërisë në portë trafiku ndërkombëtar dhe shkarkimi nga puna për arsye politike si kundërshtarë, hapi konflikte të shumta dhe rriti papunësinë duke varfëruar ekonominë e familjeve shqiptare. Fatkeqësisht çdo ditë e më shumë shqiptaret po arratisen dhe kërkojnë mirëqenien e tyre në “dhe të huaj”. Shqiptarët ikin edhe pse ndihen të tradhtuar nga klasa politike që e mban peng vendin prej 30 vitesh duke shkatërruar të ardhmen e gjeneratave të kombit tonë. Shqiptarët ikin se ndjehen të vjedhur, të braktisur, të vetmuar dhe të pambrojtur nga qeveria. Gjithashtu, ndjehen të shantazhuar, të papërfaqësuar e të harruar prej klasës politike qe kujtohet për popullin vetëm kur ka zgjedhje politike.
Shqipëria ka nevojë me shumë se kurrë për njerëz me integritet te larte që gëzojnë besueshmëri në popull, të pa inkriminuar e të pa korruptuar që të ngjallin shprese dhe vizon për vendin. Një investim i domosdoshëm për ndalimin e kësaj hemorogjie largimi nga është të punohet shumë me rininë duke ju krijuar mundësi konkurrimi dhe jo me rekomandim partiak për një vend pune si dhe hapja e sa me shume shkollave e kurseve profesionale. Konkurrimi i ndershëm ne postet publike, pra jo në kushte fiktive duke dërguar dosjen ne DAP (Departamenti i Administratës Publike) me rekomandime politike sipas kontributit në fushata elektorale apo rasti i fundit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 qe patronazhistat kishin te dhënat e te gjithë elektoratit dhe bënin presion apo kërcënonin me forma nga me te ndryshmet elektoratin gri apo opozitar. Edukimi i mirë i rinisë është shpresa më e madhe e vendit tonë dhe investimi afatgjatë për të ardhmen e shtetit dhe kombit tonë.
Duhet ndalur në mënyrë të menjëhershme largimi i trurit të kombit tonë nga Shqipëria, i profesionistëve dhe i forcave të reja krijuese e inovative. Shqiptarët kanë nevojë për besim, për shanse të barabarta, për siguri, për projekte afatgjata dhe me kryesorja, vendit i duhen shtetarë që e duan atdheun me zemër dhe kane vizion për te ardhmen e vendit, e jo prioritet interesin personal apo një grupi te caktuar qe për te realizuar qëllimet nuk iu dhimbset asgjë. Përqindja e emigracionit në Shqipëri është rritur në masë shumë të madhe dhe vijon te përshkallëzohet ne ritme te larta. Ajo qe është me dramatike për popullin shqiptar është fakti se në mbarë popullsinë është ngulitur ideja për të ikur dhe se ky vend nuk bëhet?! Makineria e propagandës qeveritare përpiqet qe nëpërmjet medies pranë qeverise dhe te atyre qe i ka kapur ne një mënyrë apo tjetër, te shes largimin nga Shqipëria si një çështje e cila është ngjarje normale e globalizimit qe ndodh ne te gjithë boten. Këtë përpiqet ta paraqesë në mediat e kontrolluara nga qeveria për konsumim masiv në publik duke i shoqëruar me sekuenca suksesesh qeveritare, të cilat kur i krahason me realitetin e Shqipërisë që braktiset, ata nuk kane asnjë lidhje me realitetin e dëshpërimit te një populli qe e sheh te ardhmen e tyre, vetëm ne emigracion. Konica pohonte me te drejte “Ata që do të donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve”. Qasje që të ngjallin vetëm trishtim të tejskajshëm me realitetin shqiptar. Çdo qeveri e votuar për ti shërbyer qytetarëve dhe nuk vë interesin qytetar të parin, ajo do jetë kurdoherë një qeveri që tradhton interesin kombëtare me dëme te mëdha, si ndaj qytetarëve te majte e te djathte, ashtu dhe të shtetit e te shoqërisë shqiptare. Kjo qasje politike me produkte të gatshme për konsumim masiv dhe ndërtimi i një infrastrukture mediatike-propagandistike, e cila vihet në funksion të zbatimit të propagandës qeveritare është tipar themelor i funksionimit të diktaturave me një regji qendrore që prodhon e shpërndan dhjetëra apo qindra aktorë e faktorë që përsërisin të njëjtin mesazh të fabrikuar, orkestruar dhe shpërndarë nga “agjit-propi” qeveritar. Ndalimi i shpopullimit të vendit duhet të jetë kryefjalë e qeverisë, e medias dhe e shoqërisë civile në Shqipëri. Qeveria duhet të ketë një plan konkret kombëtar për qeverisje të mirë, për rritje të mirëqenies, të sigurisë publike e kombëtare, zhvillimit të ekonomisë e tregut të lirë, te bujqësisë e blegtorisë, te kthimit te Shqipërisë në një atraksion për vendasit dhe të huajt. Po ashtu, qeveria duhet jetë dinjitoze e transparente në prokurimin e fondeve publike dhe jo te presim qe skandalet mega korruptive, si te rastit te funtit, te incernatoreve te qeverisë me ministrin Koka, te vidhen me një të rënë lapsit, skandali i vjedhjes së të dhënave personale, i nxjerrjes së databazës për pagat e shqiptareve e shume skandale, e kanë kthyer shtetin qesharak në syte e publikut. Shteti shemb shtetin. Shteti trafikon të dhëna që mbrohen me ligj. Shteti tradhëton qytetaret e tij. Shteti, nga garantues kthehet në abuzues, shteti kthehet në antishtet.
Për të penguar këtë plagë të tmerrshme të braktisjes së Shqipërisë nevojitet një pakt kombëtar mes partive politike, botës akademike e universitare, komuniteteve fetare e shoqërisë civile, artistëve e njerëzve me ndikim në shoqërinë shqiptare, ku secili prej tyre të luajë rolin e tij dhe të marrë përsipër një përgjegjësi në këtë dramë për Shqipërinë tonë. Shqipëria është në rrezik te madh dhe sot ajo ka më shumë se kurrë nevojë për të gjithë Ne. Sot…nesër do jetë shumë vonë!