Gezim Zilja/
Në këtë zallamahi korrupsioni, aferash, intrigash, vjedhjesh, spiunllëqesh, e kodoshllëqesh, që ka pllakosur Shqipërinë, hyn dhe afera me TEC-et lundrues, që po instalohen (nuk ka afat në kontratë për vënien në punë) prej shtatë muajsh në Triport të Vlorës. Qysh nga data 04.09.2022 që këto hekurishte të braktisura në Bangladeshin e largët, mbërritën në Gjirin e Vlorës nuk kanë prodhuar as edhe 1(një) MWh energji. Megjithatë në bazë të kontratës së nënshkruar nga ministrja e gjithëditur shqiptare dhe aprovuar nga KM-ja, globalisti shqiptar, firmat e huaja me të cilat është bërë afera kanë marrë gjithsej për qera dhe mirëmbajtje deri më 10.02.2023 shumën e llogaritur si më poshtë:
Ditë gjithsej 26+31+30+31+31+10=159 ditë
Qira në Euro 63.000Euro/ditë x 159ditë = 10.017.000 Euro
Mirëmbajtje 31.500 Euro/ditë x 159 ditë = 4.908.500 Euro
Gjithsej 10.017.000 Euro + 4.908.500 Euro = 14.925. 500 Euro
Gjithë kjo shumë që mund të jetë edhe më e madhe ( përjashto paratë shqiptare që po harxhohen për instalimin, thellimin e detit dhe lidhjen me sistemin energjitik të RSH-së) u është paguar firmave të huaja pa prodhuar deri më 14.02.2023 asnjë “gram” energji elektrike. Pyetja është shumë e thjeshtë për deputetët e PS-së, ministren Balluku (mori me vete dhe ambasadoren KIM kur mbërritën këto vjetërsira në Vlorë,) dhe ndonjë kokëtul: Si ka mundësi të paguhen dhjetëra milionë (qindra milionë në vazhdim) euro duke marrë si këmbim zero energji elektrike? A nuk është kjo një aferë e pastër korruptive? A nuk është mëkat për këtë popull që është bërë për gjynah, e në shumicë po arratiset nëpër botë ( Rruga jonë dreqo rrugë/Zgjatet për një copë bukë.) dhe ka qindra vjet që nuk ia del të mbush barkun me bukë!? A është e ndershme, logjike, shoqërore, fetare vëllazërore e ligjore kjo që po ndodh me popullin shqiptar? A ia vlen të sakrifikohet një popull i gjithë për një grup grash e burrash brenda e jashtë parlamentit, që sot zotërojnë 95% të pasurisë së shqiptarëve? Drejtësia shqiptare (Jo Ylviu dhe ylivinjtë) ka shancin të hyjë në historinë e këtij kombi, duke bërë detyrën e saj karshi popullit të vet dhe asaj për të cilët paguhet. Le të caktojë SPAK-u një prokuror edhe atë me më pak përvojë por trim dhe atdhetar të kontrollojë problemin e TEC-ve në Vlorë. Ndoshta fijet do të na çojnë edhe te skandali, që ka shpërthyer me drejtuesin e lartë të FBI-së këto ditë. Përndryshe nuk ka si paguhen kaq miliona dollarë nga një vend kockë e lëkurë, që nuk mbush barkun me bukë, kotekot apo për “bamirësi?!” Mirë do të ishte që vlonjatët e çdo ngjyre të linin një ditë kafenetë, partitë, filozofitë, historitë me luftëra e trimërira e të shkonin të shikonin me sytë e tyre se ç’po ndodh në Triport. Ndoshta do kuptojnë se ç’po gatuhet atje (veç TEC-ve) në të ardhmen për qytetin e tyre me terminalet e karburanteve dhe rafineritë që do të ngrihen për përpunimin e tyre.
PS. Më e rëndë është gjendja me portet e Durrësit e Porto Romanos. Nuk ka matematicien, ekonomist apo inxhinier me dy gram mend në kokë të mos kuptojë se në atë vend, ku nuk është marrë parasysh Strategjia e Sigurimit Kombëtar të RSH-së dhe në kundërshtim me marrëveshjen e SA-së me BE-në, po i bëhet gjëma Shqipërisë. Porti i Durrësit dalëngadalë po shkon në gjendje kome. 28 milionë euro grant nga BE-ja për zgjerimin e modernizimin e portit të Durrësit u anulluan. Operatorët po hedhin në gjyq qeverinë shqiptare për prishje kontratash arbitrarisht dhe kësaj i duhet të paguaj qindra milionë dollarë gjobë. Porto Romano më i madhi në Ballkan dhe më i bukuri në Europë sipas Ballukut, do të paktën 10 (dhjetë) vjet të ndërtohet me të gjitha parametrat bashkëkohorë si thotë Balluku, edhe sikur paratë të jenë të siguruara. Ndërkaq operatorët dhe anijet tregëtare po spostohen të marrin shërbime në portet e Malit të Zi, Kroacisë dhe Selanikut.