MARRËVESHJE PËR PËRGATITJEN E RINISË PËR NJË SHQIPËRI DHE KOSOVË EVROPIANE
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Korrik 2015-Kosova dhe Shqipëria u bënë sot me marrëveshje për Bashkëpunim në Fushën e Rinisë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Blendin Klosi, dhe ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala nënshkruan në Prishtinë Marrëveshjen për Bashkëpunim në Fushën e Rinisë, me të cilën Shqipëria dhe Kosova harmonizojnë politikat në fushën e rinisë.
Sipas kësaj Marrëveshje, Kosova dhe Shqipëria do të ndërmarrin politika dhe programe të përbashkëta në mbështetje të frymës së bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë ndërmjet të rinjve të dyja vendeve.
Ministri Blendi Klosi e vlerësoi këtë Marrëveshje si një hap tejet të rëndësishëm që ndihmon në përgatitjen e rinisë për një Shqipëri dhe Kosovë Evropiane.
Ministri Shala e vlerësoi Marrëveshjen si vazhdimësi të bashkëpunimit të frytshëm, që tashmë Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e Kosovës ka me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ai po ashtu u shpreh se me marrëveshjen e sotshme edhe formalisht konkretizohen veprimet e përbashkëta për politikat e rinisë.
Pas nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit në fushën e kulturës, kjo marrëveshje u vlerësua se është një mundësi më shumë që Kosova dhe Shqipëria të përafrojnë politikat dhe programet, me aktivitete dhe veprime të përbashkëta në fusha të ndryshme, dhe në funksion të përgatitjes së dy vendeve për integrim në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e nënshkruar sot ndërmjet ministrave Klosi e Shala parasheh hapa konkretë, nëpërmjet të cilave nxitet bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e rinisë.
Ministri Klosi sot në Prishtinë zhvilloi takime edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, zv/kryeministrin e parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
PËRKUSHTIM I QEVERISË SË SHQIPËRISË PËR THELLIMIN E BASHKËPUNIMIT ME QEVERINË E KOSOVËS NË TË GJITHA FUSHAT
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u bisedua për progresin e deritashëm dhe mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e punësimit, mirëqenies sociale dhe rinisë.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për të arriturat në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë për reformat dhe prioritetet e Qeverisë që lidhen me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, si dhe reformat në arsim e shëndetësi.
Kryeministri Mustafa theksoi se mirëqenia sociale, punësimi dhe rinia janë prioritete qendrore të programit qeveritar, duke e njoftuar për hapat konkretë që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në fushën e punësimit, aftësimit profesional, mirëqenies, përkrahjes së veçantë për rininë dhe gruan në fushën e punësimit.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë në proceset zhvillimore ekonomike e sociale, që lidhen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ngritjen e mirëqenies dhe punësimit në të dyja shtetet.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, e falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës në të gjitha fushat, duke përfshirë aspektet prioritare që lidhen me punësimin, mirëqenien sociale e rininë.
KOSOVA DHE SHQIPËRIA DUHET TË HYJNË NË FAZËN E BASHKËPUNIMIT KONKRET EKONOMIK
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në takim ministrin e Mirëqenies sociale dhe rinisë së Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin. Në takim u diskutua për aspektet e mirëqenies sociale, tregun e punës, edukimin profesional të rinisë dhe çështjet tjera me interes të përbashkët.
Kryetari Veseli mirëpriti këtë vizitë duke vënë në pah gatishmërinë e legjislativit për bashkëpunim të gjithanshëm, në veçanti me Komisionin që mbulon fushën e mirëqenies sociale, punën dhe rininë. Veseli tha se raportet në mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të lëvizin përtej shprehjes verbale të dashurisë vëllazërore dhe të hyjnë në fazën e bashkëpunimit konkret ekonomik, duke hequr barrierat që po e pengojnë ende këtë bashkëpunim.
“Sot, axhenda ekonomike dhe mirëqenia sociale është prioritet jo vetëm i legjislativit por tërë institucioneve tona. Projektet konkrete në fushat e caktuara me interes të përbashkët mund të fillojnë menjëherë, jo vetëm për edukimin profesional, duke vënë në theks specifikat dhe komplementaritetin e këtij lloji të edukimit por edhe përvojat e mira me kurikula, punësimin e të rinjve nëpërmjet edukimit profesional. Rinia jonë duhet të jetë e aftësuar jo vetëm për tregun tonë të punës, por edhe për tregun global, ngase ajo përbën aset të rëndësishëm nacional”, theksoi kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.
Ministri Klosi vuri në pah nevojën e të dyja vendeve për aktivitete të përbashkëta që i lëvizin iniciativat e deritanishme drejt konkretizimit të projekteve.
“Përvojat e mira që kanë sjell rezultate në vendet tona mund të jenë pikënisje e mirë për thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm për edukimin profesional, tregun e punës dhe trajnimet profesionale, por edhe në trajtimin e fëmijëve pa përkujdesje prindërore”, theksoi ministri Blendi Klosi.
Kryekuvendari Veseli dhe ministri Klosi u dakorduan që iniciativat konkrete të përbashkëta sa më parë të vihen në zbatim me qëllim të plotësimit të nevojave të qytetarëve në fushën e përkujdesjes sociale, përgatitjen e rinisë për tregun e punës dhe në pajtim me interesat e biznesit.
KOSOVA DHE SHQIPËRIA NUK KANË KURRFARË PENGESE NË BASHKËPUNIM
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e ri të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin.
Zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri Klosi kanë diskutuar për projektet e përbashkëta në shërbimet sociale, për tregun e punës dhe ofrimin e pakove komplementare në fusha me interes të ndërsjellë përbashkët. “Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kurrfarë pengese në bashkëpunim, por këtë duhet ta thellojmë edhe më shumë në rrafshin praktik, sepse vullneti dhe gatishmëria nuk ka munguar asnjëherë”, ka thënë Thaçi.
Ministri Klosi theksoi se vendet tona kanë nevojë për axhenda të përbashkëta për skemat sociale. “Është e nevojshme që të praktikojmë shërbime dhe skema të njëjta aty ku mundemi, si për të moshuar, ashtu edhe për tregun e punës, duke u ofruar trajnime të interesuarve, në përputhje me nevojat e bizneseve”, ka thënë ministri Klosi.
Zëvendëskryeministri Thaçi i ka ofruar përkrahjen e tij ministrit Klosi për përgatitjen dhe zbatimin e çdo projekti me interes të përbashkët dhe ka shprehur gatishmërinë që të lehtësojë dhe përshpejtojë implementimin e tyre.
Zëvendëskryeministri Thaçi i ka ofruar përkrahjen e tij ministrit Klosi për përgatitjen dhe zbatimin e çdo projekti me interes të përbashkët dhe ka shprehur gatishmërinë që të lehtësojë dhe përshpejtojë implementimin e tyre.
NDARJET JANË SHUMË TË PAKËTA, E ATO QË NA BASHKOJNË JANË SHUMË TË ARRIRA
Ndarjet janë shumë të pakëta, e ato që na bashkojnë janë shumë të arrira, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, sot në Prishtinë, në vizitën e parë zyrtare si ministër i pyetur nga korrespondenti në Kosovë, Behlul Jashari, për të ardhmen e bashkëpunimeve, derisa fjalën shumë e ka përsëritur tre herë.
“I përkas një brezi të ri në politikën shqiptare e të Kosovës dhe mendoj që ndarjet janë shumë të pakëta, e ato që na bashkojnë janë shumë, shumë, shumë të arrira. Kemi fusha që ne duhet ta ndiejmë veten në politika të njëjta. Unë jam shumë dokard me të gjitha ato çfarë kemi folur në shumë takime sot”, u shpreh ministri Klosi.
Ne si politikë, vijoi ministri shqiptar, kemi shumë për të bërë për të arritur ritmin e qytetarëve, të cilët jetojnë një jetë të përbashkët.
“Nuk është më ngjarje kur marrim pjesë në aktivitete të përbashkëta kulturore. Nuk përbën më lajm kur shkojmë për pushime tek njëri-tjetri për arsye të ndryshme. Nuk përbën më lajm kur kalojmë kufirin. Prandaj, nuk do të përbëjë më lajm edhe kur të bëjmë takime të përbashkëta pune. Mbledhja e qeverive në mars mendoj do na gjejë me një sërë arritjesh në fushat e bashkëpunimit”, theksoi ministri Klosi.
“E thash që politika vazhdon të jetë mbrapa dëshirave të qytetarëve”, u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi.