Nga Shefqet Kërcelli/
U zhvillua sot në ambientet e garnizonit Zall-Herr, ceremonia e fillimit të stërvitjes së përbashkët “Joint Effort-16”, e cila do zhvillohet nga data 19 deri më 29 shtator, në rajonet e Garnizonit “Skënderbej”, Zall-Herr, Bizë, Kepi i Palit,Vau i Dejës, Poshnjë, Rinas dhe Kuçovë. Në Stërvitjen “Joint Effort-16”, marrin pjesë qindra trupa nga Shtabin i Përgjithshëm, Forca Tokësore, Forca Ajrore, Forca Detare, Komanda Mbështetëse dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe trupa dhe mjete ushtarake të Forcave të Armatosura nga SHBA, Britania e Madhe, Italia, Kosova dhe Mali i Zi. Qëllimi i stërvitjes “Joint Effort-16”, është thellimi i njohurive dhe aftësive vendimarrëse të drejtuesve në planëzimin dhe realizimin e stërvitjeve të përbashkëta, duke zbatuar doktrinën dhe standartet e NATO-s, përmirësimi i mëtejshëm i bashkëveprimit me partnerët ndërkombëtare në planëzimin dhe ekzekutimin e operacioneve ushtarake me spektër të plotë, si pjesë e TASKFORC-e të bashkuara të NATO-s, me theks nivelin taktik e operacional.
Vec trupave pjesmarrëse, në ceremoninë e hapjes moren pjesë ZëvendësMinistri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneral brigade Nazmi Cahani, Komandanti i KDS, Gjeneral brigade Dedë Prenga, Komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Ardian Bali, atashetë ushtarakë të SHBA, Britani e Madhe, Kosovë, Mali i Zi, Itali, komandantë repartesh si dhe drejtorë drejtorish nga MM dhe SHP.
Fjalën e hapjes e mbajti Komandanti i Forcës Tokësore, Gjeneral brigade Nazmi Cahani, i cili ndër të tjera u shpreh se, “Është një kënaqësi e veçantë që sot me rastin e fillimit të stërvitjes “Joint Effort 2016”, të përshëndes dhe t’ju uroj mirëseardhjen në stërvitje përfaqësuesve nga Italia, Kosova, Mali i Zi, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Jam i sigurt që kjo mundësi, do të përdoret për të përmirësuar aftësitë luftarake, rritur bashkëveprimin dhe kuptimin e përbashkët ndërmjet trupave tona si dhe për të shkëmbyer eksperiencë dhe për tu stërvitur së bashku.
Në të njëjtën kohë, kjo është një mundësi për të njohur njëri tjetrin, për të mësuar rreth historisë dhe kulturës si dhe gjithashtu për të shijuar sa më shumë mikpritjen shqiptare…”
Ceremonia u përshëndet nga zv.ministri i Mbrojtjes z. Petro Koci, i cili pasi i uroi mirëseardhjen në stërvitje përfaqësuesve nga Italia, Kosova, Mali i Zi, Mbretëria e Bashkuar,dhe SSBA, i falënderoi ata për mbështetjen, angazhimin, eksperiencën dhe profesionalizmin që mirëpresim të demonstrohet.” Sot bashkarish nisim Stërvitjen “Joint Effort-16”, eventin më të rëndësishëm stërvitor të vitit për FARSH. Kjo është një stërvitje komplekse, dhe për të mbërritur deri këtu janë investuar mijra orë pune në një periudhë kohe më shumë se një vjeçare. Ky është një operacion me spektër të plotë, i cili është planëzuar dhe do të ekzekutohet në nivel operacional dhe taktik, është “live“ dhe e asistuar me kompjuter, është e perbashket, pra FT, FAj, FD janë pjesëmarrëse si dhe është e shpërndarë në disa poligone të FARSH-së”, theksoi ndër të tjera në përshëndetjen e tij zv.Ministri Koci.
Më tej, duke përfunduar, Zv.Ministri Koci kërkoi nga të gjithë siguri të plotë gjatë gjithë stërvitjes, -pasi jeta dhe shëndeti i gjithsecilit prej jush, është shumë e rëndësishme për ne,-theksoi ai.
Përgjatë 10 ditëve të zhvillimit të “Joint Effort”, nëpërmjet skenarëve të ndryshëm të përgatitur më përpara, synohet që trupat pjesëmarrëse në këtë stërvitje të rrisin ndërveprueshmërinë ndërmjet forcave pjesëmarrëse dhe kapaciteteve operacionale të shtabeve dhe njësive të Forcave të Armatosura të RSH, në procesin e planëzimit dhe ekzekutimit të operacioneve luftarake në mjedis të përbashkët (JOINT) dhe multinacional, në nivel taktik dhe operativ.
Objektivi kryesor i stërvitjes është trajnimi dhe stërvitja e pjesëmarrësve për të përballuar sfidat operacionale aktuale dhe për të ardhmen me qëllim për t’u përgjigjur krizave shumëdimensionale dhe operacioneve me spektër të plotë në mbështetje të paqes.