* Byroja e Kuvendit përjashton deputetët e opozitës dhe ministrin Bushati/
Në Shqipëri seanca e sotme e parlamenti u zhvillua mes tensioneve të forta në sallë. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke kërkuar përjashtimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më pas disa prej tyre hodhën miell, vezë e shishe uji në drejtim të tij. I ulur në krah të kreu të qeverisë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u kundërpërgjigj duke hedhur dhe ai ujë drejt deputetëve të opozitës./
Qese me miell, vezë, e sende të ndryshme dhe shishet me ujë mbizotëruan sot në sallën e parlamentit ku sërish seanca u zhvilluan thuajse në një koas të plotë.
Opozita e bëri të qartë që në fillim qëndrimin e saj, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Bashan në përfundim të fjalës së tij kërkoi përjashtimin e kryeministrit Edi Rama, për shkak të “fjalorit fyes nga qytetarëve” në seancën e shkuar duke paralajmëruar se “nuk ka për të pasur procedim normal të kësaj seance pa larguar njeriun që ka fyer si askush tjetër shqiptarët. Ai do të largohet, ai do të mbajë përgjegjësi për këtë fyerje, për krimet dhe grabitjet që i ka bërë vendit”.
Opozita javën e shkuar bëri kërkesë zyrtare për përjashtimin e kryeministrit, por ajo u hodh poshtë nga Byroja e parlamentit. Kryetari i parlamentit ndërhyri disa herë duke i kujtuar zotit Basha se ishte në shkelje të rregullores së parlamentit. Ky ishte momenti i ndërprerjes së parë të seancës. Rifillimi i saj e gjeti sërish opozitën të grumbulluar rreth foltores duke hedhur thirrje kundër kryeministrit dhe duke kërkuar lirimin e 11 qytetarëve nga Kukësi, të mbajtur në arrest me burg për shkak të ngjarjeve të dhunshme të 10 ditëve më parë në Rrugën e Kombit, gjatë protestës kundër tarifës së parashikuar për kalimin në aksin rrugor që çon drejt Kosovës.
Reagimet u ashpërsuan, ndërsa disa prej deputëtevë të opozitës, lëshuan qese me miell drejt kryeministrit Rama. Pas miellit do të vinte radha e sendeve të tjera apo dhe shisheve të ujit. Kryeministri Rama nuk reagoi dhe qëndroi pa lëvizur në vendin e tij. Në krah, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk e shmangu dot kundërpërgjigjen, duke hedhur ujë drejt deputetëve të opozitës.
Më vonë përmes një statusi në Facebook ai u shpreh i keqardhur “për reagimin instinktiv ndaj agresionit të ulët me miell, vezë e të tjera mjete rrethanore, nga grupi i pushtuesve të dhunshëm të foltores së Kuvendit, pa llogaritur lumin e të sharave vulgare”, shkruajti zoti Bushati duke i kërkuar ndjesë qtetarëve që nuk arriti të ruajë “gjakftohtësinë në ato kushte krejt të papranueshme për çdo mjedis publik, e lere më pastaj për një parlament demokratik”, u shpreh zoti Bushati.(VOA)
***
Byroja përjashton deputetët e opozitës dhe ministrin Bushati/
Byroja e Kuvendit ka vendosur të përjashtojë 6 deputetë të opozitës dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
Byroja ka vendosur përjashtimin për 10 ditë të deputetëve, Edi Paloka dhe Ervin Salianji, Flamur Noka, Klevis Balliu, Endrit Brahimllari, Keidi Mehmetaj.
Pas mbledhjes së Byrosë, deputeti demokrat, Edi Paloka, tha se vendimi pritej, ndërsa shtoi se kryeministri nuk përjashtohet edhe pse ka ofenduar popullin duke e krahasuar me organin gjenital.
Paloka: Vendimi që pritej. U dënuan deputetët e opozitës, megjithëse ishin atje sot thjesht në një reagim krejt normal në mbrojtje të qytetarëve të burgosur të Kukësit që edhe vet Rama i ka shpallur të pafajshëm dhe në mbështetjen e kërkesës sonë logjike për përjashtimin e një kryeministri që ka fyer popullin e tij. Një kryeministër që krahason popullin e tij me organin gjenital të mashkullit ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk ka ndodhur edhe me politikanin më bastard.
Ishim në mbështetje të qytetarëve kuksianë që mbrojtën të drejtën e tyre, në një Parlament ky sot pritej që të vinte Saimir Tahiri për të mbrojtur mandatin e tij, një ministër i akuzuar jo vetëm nga opozita por edhe institucione ndërkombëtare si njeriu që ka ndjekur strategjinë e Ramës për kanabizimin e Shqipërisë dhe njeriu që Rama e vendosi në krye të trafikut të drogës në Shqipëri.
Komisioni hetimor do të vazhdojë punën normalisht, derisa sa t’i dalë në krye. Në një qeveri që mbron Saimir Tahiri dhe dënon qytetarët që proteston për bukën e gojës, këto janë çështje që i zgjidh jo më parlamenti, që sot është një Parlament privat i Edi Ramës dhe do të trajtohet si i tillë. Të jeni të bindur që Rama nuk ka marrë asgjë që meriton.
Unë i kam thënë pa mikrofon se ky duhet të jetë kryeministri më guximtar. Duhet të kesh guxim të marrë që vazhdon të sillesh në këtë mënyrë kur është një popull i tërë që të urren.