-Koordinim i aktiviteteve për të siguruar që legjislacioni i Bashkimit Evropian i përkthyer në Shqipëri dhe Kosovë ka një gjuhë unike juridike me qëllim të harmonizimt të legjislacionit tonë nacional. Takime zyrtare në Tiranë/
TIRANË, 1 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Mimoza Ahmetaj realizoi takime të ndara kortezie në Tiranë me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministren e Integrimit Evropain të Shqipërisë, Klajda Gjosha.
Gjatë takimit ministrat diskutuan ambientin politik në kuadër të BE-së dhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Shqipëri, përvojen e Shqipërisë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shfrytëzimin e fondeve të BE-së për financimin e reformave të parapara me axhendën evropiane.Në takim me ministrin Bushati temë e diskutimit ishin zhvillimet aktuale në dy vendet tona, respektivisht avancimi me procesin e integrimit evropian. Te dy ministrat u pajtuan që të rritet koordinimi ndërmjet dy institucioneve tona si për të avancuar me implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ashtu edhe për të ecur përpara me axhendat evropiane të Shqipërisë dhe Kosovës.Ndërsa, në takim me ministren Gjosha u diskutua koordinimi ndërinstitucional për zbatimin e MSA-së, procesin e përafrimit dhe përkthimit të legjislacionit, si dhe programimin e fondeve te BE-se për të përkahur reformat në kuadër të procesit integrues. Pas takimit të dyja ministret ju drejtuan mediave në një konferencë për shtyp.