
Behar Gjoka/
Ka edhe një Shqipëria letrare, ku ngjizen andrrat dhe zhgjëndrrat, mjeshtria dhe mllefi, një Shqipëri egërshane dhe lozonjare…Një Shqipëri ku duket sikur ka vetëm shkrimtarë, sikur janë mbaruar lexuesit. Ku ka më bukur se një vend me shkrimtarë! A janë shkrimtar apo mbahen si të tillë? Një dilemë hamletiane, që nuk ka fjalë për të dhënë përgjigjen e duhur…
Jemi në klimën e piedestaleve…Po ngrihen piedestalet, madje janë porositur buste dhe shtatore…Shaka pa kripë, do thotë dikush… E vërteta është më e madhe se unë, se ti, se të gjithë ne. Pas ikjes në amshim të Kadaresë, ka një garë, pa tender, në fillim më e heshtur, tani edhe më uluritëse…Kush do jetë i pari…Shqipëria ka halle të tjera, ama gara për garuesit është jetike, e vlen të hysh, ndonëse duhet të jesh pajosur me shpata dhe helmeta, me thika dhe pisqiolla të kohës, për të sharë sa më shumë, në FB, në portale, në telebingo. Sharësi më i madh ka gjasa të jetë në shtegun e duhur për te merita për ta vënë bustin a shtatoren në piedestal…
Beteja është hapur…Shkruan diçka për të rinjtë, zemërohen të vjetrit…Thua ndonjë fjalë për të vjetrit, lëndohen dhe të shpallin armik të rinjtë. Shkruan për poezinë, të emërtojnë armik prozatorët…Shkruan për të vdekurit, të urrejnë gjithë të gjallët, shkrimtarët…
Në fakt me të vdekurit, ndjehesh më mirë, se atje në parajsë, së paku janë mirënjohës, ose me heshtjen e tyre, ke ndjesinë e tillë…Të gjallët edhe nëse shkruan, mendojnë se e ke për detyrë t’i lexosh, të shkruaç, madje t’i lëvdoç…Ka mbetur në shkruash në qiell…
Shkrova disa fjalë për dëshirën time, jo për debat, sepse kushdo në këto punë ka mendjen e tij…Fillim i fillimit, pasi shkruajmë le të lexojmë njëri-tjetrin, e të mos matemi me hijen e mëngjesit…Letërsia atdheu i lirisë, jo i marrëzisë… Në letërsi secili ka andrrën e vetë, le të fluturojë në hemisferat ku e shpie talenti dhe magjia e fjalës…