
Akademik Gjovalin Shkurtaj/
(Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë , ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.)
Data 21 shkurt është Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve Amtare. Me këtë rast, ashtu si dhe herë të tjera, le të kujtojmë interesimin dashamirës për gjuhën shqipe si tipari kryesor përbashkues i kumtimit dhe i marrëveshjes midis të gjithë shqiptarëve në trojet e veta ballkanike, si dhe të atyre që janë në diasporat e hershme (në Greqi, Itali, Zarë, Mandricë, Ukrainë etj.) dhe të grupeve mërgimtare më të reja në metropolet e Evropës, të SHBA-së , të Kanadasë, të Australisë etj.
Të gjithëve sa janë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi etj. gjuha shqipe u shërben si mjet komunikimi, po edhe si tregues e simbol i përbashkësisë etnike dhe shpirtërore e kulturore, si hallkë e fortë lidhjeje e shqiptarie.
Kjo përbashkësi është kënduar e lëvduar në vjershat e poetëve më të shquar të Kombit tonë, të cilat çdo shkollar shqiptar duhet jo vetëm t’i dijë përmendsh, po edhe t’i kujtojë me nderim e t’i ketë si peng të çiltër qytetar e kombëtar.
Të flasësh e të shkruash në gjuhën amtare, në gjuhën e nënës (apo sikundër thuhet zakonisht “në gjuhën e të parëve”), për shumicën e popujve të botës ka qenë një nga gjërat më të natyrshme dhe të patjetërsueshme, si procesi i frymëmarrjes dhe të ushqyerit apo i rritjes dhe i jetesës së njeriut. Por, për fat të keq, nuk ka qenë kështu për shqiptarët, për njërin nga popujt më të hershëm të Evropës, autokton në trojet e veta në brigjet e Adriatikut e të Jonit, në këtë vend të bukur, me pasuri e bukuri të mahnitshme natyrore, i lakmuar dhe i pushtuar me shekuj prej të huajve, të cilët, ndër të tjera, për ta mbajtur nën sundim, popullin shqiptar nuk e lejonin as të hapte shkolla shqipe. Kjo, sidomos, në kohën e pushtimit pesëshëkullor nga Perandoria Osmane, prandaj, historikisht, përpjekjet dhe lufta e popullit tonë për çlirim kombëtar, kanë pasur si kërkesë të parë e themelore ruajtjen e gjuhës shqipe, të drejtën për të pasur shkolla në gjuhën amtare, të drejtën për t’iu lutur Zotit në gjuhën shqipe.
Gjuhës amtare, shqipes e shkronjave shqipe u janë kënduar këngë popullore ku, ndër të tjera, thuhet: “E ka marrë lahutën në dorë,/mirë po i bjen, ma mirë po i këndon,/krejt po e këndon kangën në gjuhë të të parëve”(Eposi i Kreshnikëve); “Se për atdhe e për gjuhë amtare, o ngrihen prapë o heronjtë ndër varre.” (Mirditë), kurse yjësia e poetëve dhe e shkrimtarëve arbëreshë e shqiptarë vargjet më të përmallshme e më të pavdira ia kanë thurur shqipes. Poeti Nikollë Keta, nga diaspora arbëreshe e Sicilisë, qysh në agimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në shekullin XVIII, shkruante: “Na i lutemi t’ën Zoti, po me gjuhën që na dha, /si i lutej Kastrioti e gjiria ka rrjedhim na.”
Në atë hulli, do të ngrihej i fuqishëm zëri i mbarë rilindasve arbëreshë e shqiptarë, duke pasur si kërkesë kryesore: ”Të nxëmë gjuhën tënë, / kombin ta ndritojmë, gjithë ç’është e ç’ka qenë, ngadalëz ta mësojmë”.
Dita e 21 shkurtit, natyrisht, është rasti që, jo vetëm t’i përmendim porositë e vyera të poetëve dhe atdhetarëve shqiptarë për gjuhën amtare shqipe, po edhe të na shërbejnë për të bërë një “mea culpa” të thellë për dëmin që i është sjellë e po i sillet gjuhës shqipe në ditët tona nga mungesa e kujdesit për shqipen e shkruar e të folur në mjedise e për qëllime zyrtare, shtetërore a private, por me karakter publik. Kurrë më me forcë se sot nuk ka qenë e domosdoshme të zbatohet kërkesa e Naim Frashërit që, pa u lodhur së lëvduari shqipen (“Pa shihni sa e mirë, sa e ëmbël, sa e dlirë) përgjërohej e na linte si porosi të pavdirë “…Shqip të flisni përherë, fjesht e të papërzjerë”.
Sa herë bie rasti që ndokush, me dashakeqësi e me synime të mbrapshta, rreket të mbjellë përçarje e gërvërre të dëmshme e antikombëtare, na vijnë me të drejtë në mendje vlerësimet e Mjedës që thotë: “Kjoftë mallkue kush qet ngatërrime,/ ndër këta vllazën shoq me shoq,/ kush e ndan me fjalë e shkrime/ çka natyra vetë përpoq!” Kurse Fishta, i cili me mllef e forcë të madhe, shprehet kundër fjalëve të huaja të panevojshme: “Dhe atij ju thaftë, po goja,/ që në gjuhë të huaj kur nuk asht nevoja/ flet e të vetën e len mbas dore!”.
Dëgjoj shpesh me ëndje një këngë të Nikollë Nikprelajt, këngëtar i shquar nga trojet shqiptare në Malin e Zi, që thotë: ”Pse jemi toskë e pse jemi gegë,/Jemi një lis po me dy degë,/Nuk ka fe as ka parti, që e përçan këtë shqiptari ”.
Prandaj, kërkesa për ta dashur, për ta njohur, për ta nxënë me baza të shëndosha gjuhën shqipe ka qenë dhe duhet të mbetet edhe më tej kërkesë me rëndësi të dorës së parë për shkollat shqipe, për administratën shtetërore e publike, për të gjitha botimet me karakter zyrtar e publik.Gjuha amtare është jo vetëm mjet kumtimi e marrëveshjeje, po edhe ushqyese e përbashkësisë etnike e kombëtare të një populli.
Me keqardhje shohim se është zbehur ose edhe mungon kujdesi apo disiplina gjuhësore e shtetit dhe e institucioneve arsimore e kulturore. Në të gjithë botën e qytetëruar gjuha mbahet gjallë dhe përpunohet nëpërmjet shkollës dhe institucioneve kulturore, ku tradicionalisht kanë luajtur rol të madh letërsia artistike dhe teatri e, mbi të gjitha, gjuha e zyrave të shtetit dhe institucioneve zyrtare. Edhe tek ne për shumë vjet radhazi në këtë drejtim është punuar dhe ka pasur suksese të ditura.
Në kohët e reja, sidomos në fund të shekullit që u mbyll e në ditët tona, rolin e dorës së parë përsa i takon modelit gjuhësor e kanë marrë mediat e shkruara (gazetat, revistat, interneti) dhe të folura (televizioni, radio dhe cd-të). Për gjuhën e shkrimit, pas viteve të shkollës, njerëzit kanë si model kryesor atë që gjejnë në gazetat dhe revistat që lexojnë përditë, ndërsa për gjuhën e folur, natyrisht, ndikojnë fuqishëm gjuha e radios dhe e televizionit. Me fjalë të tjera, mediat, qofshin të shkruara, qofshin të folura, ditë për ditë, me atë që shkruajnë e thonë, o ndreqin o prishin diçka në gjuhë. Kam thënë gjithnjë dhe po e përsëris: shoqëria shqiptare dhe kombi shqiptar u detyrohen mjaft shtypit dhe radio-televizionit për sukseset që kemi arritur në gjuhën letrare të njësuar. RTSH-ja dhe radiot e televizionet private kanë pasur e kanë mjaft folës e redaktorë të mirë, që e kanë shqiptuar e intonuar bukur shqipen dhe kanë dhënë modelin e të folurit të mirë për masën e gjerë të dëgjuesve e shikuesve.
Dikur bëhej shumë kujdes nga autorët dhe redaktorët, po kishte edhe një korrektor gjuhësor për çdo gazetë. Edhe fjalimet apo artikujt e raportet më të rëndësishme të personaliteteve politike të asaj kohe, cilido që të ishte autori, po të kishin gabime drejtshkrimore, nuk lejoheshin të dilnin ashtu, por korrektoheshin e ndreqeshin. Periudha ka qenë ajo që e dimë, por përvoja e saj për sa i takon gjuhës ka qenë e mirë dhe nuk ka pse të mos zbatohet.
Ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe nuk është censurë, por detyrim zyrtar për secilin institucion që shkruan e boton. Kjo duhet bërë sidomos në titujt e gazetave e revistave, në përkthimet me shkrim të filmave, në reklamat e faqet popullarizuese etj.Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Në Francë revista “Defence organizèe de la langue française” (Mbrojtja e organizuar e gjuhës frënge) vazhdimisht boton artikuj e studime “contre le franglais”
kundër fjalëve të huaja nga anglishtja).Edhe në Itali, çdo të shtunë e të diel, në RAI-1 mbahet rubrika “Prontosocorso linguistico” (Ndihma e shpejtë gjuhësore) si dhe punohet me kujdes për cilësinë e të gjitha llojeve të botimeve zyrtare.
Shqiptarët e Maqedonisë, ndonëse janë pakicë gjuhësore e etnike, po kërkojnë e po punojnë me ngulm për mbrojtjen e shqipes zyrtarisht. Dhe kanë krijuar edhe institucionin e “INSPEKTORIATIT GJUHËSOR” për ruajtjen e zbatimin e rregullave të gjuhës shqipe.
Me keqardhje shohim se në Shqipëri,në vend që të jepnim modelin e pastrimit e zbatimit të rregullave të shqipes, në plot raste të gazetarisë së shkruar e të folur, si dhe në reklamat në mediat e shkruara e të folura, si dhe në mbishkrime e tituj të enteve, objekteve, udhëve e shesheve publike ka vërshim të papranueshëm të fjalëve të huaja të panevojshme e të pakuptueshme, po edhe të mënyrave të të thënit krejt në kundërshtim me rregullat gramatikore të shqipes.
Gjuhëtarët e kanë kryer detyrën e tyre, kanë hartuar e botuar rregullat e drejtshkrimit, gramatika e fjalorë të përgjithshëm leksikorë dhe terminologjikë, po realizohet nga Akademia e Shkencave dhe Projekti madhor për një Fjalor më të plotë apo një Fjalor të përditësuar të shqipes së sotme. Përkundrazi, institucionet zyrtare shtetërore e publike, jo të gjitha e jo gjithmonë i lexojnë dhe i zbatojnë rregullat dhe normat e shqipes së njësuar.
Me ngut e me përgjegjësinë e duhur kërkohet të pastrohen e të rishikohen nga ana gjuhësore reklamat e televizioneve dhe titujt e titullimet e rubrikave, shumica e të cilave janë padrejtesisht e pa asnjë motivim bindës vetëm në gjuhë të huaja.
Ka pasur e vijon të ketë ka gabime të rënda në gjuhën e teksteve shkollore, ndaj të cilave me të drejtë duhet të shqetësohet krejt shoqëria shqiptare. Ka një rënie të dukshme të kujdesit për gjuhën e këngëve të reja, në të cilat, ndonjëherë, mbushen me aq shumë forma dialektore saqë nuk kuptohen dhe, sigurisht, kjo shkon edhe kundër vetë artit të këngës.
Po lexoja një poezi të një poeti bashkëkohës që e do gjuhën dhe, ndër të tjera, më pëlqeu metafora “gjuha është këmisha e shpirtit”(Ilrian Zhupa). Sa metaforë e bukur, por puna është se këtë këmishë të bukur, të hershme e të hirshme të shpirtit të shqiptarëve, po na e ndyjnë (ndotin e baltosin) dhe po na e grisin paturpësisht e padrejtësisht disa “analfabetë me diplomë”, që nuk po pyesin fare as për rregullat më elementare të gramatikës shqipe.
Dita e sotme, natyrisht, na jep rastin të shprehim edhe disa kërkesa konkrete të lidhura me disiplinën gjuhësore të shtetit e të shoqërisë shqiptare, duke theksuar (qoftë edhe pse të përsëritura) vërejtjet e kritikat dashamirëse që janë bërë nga gjuhëtarët dhe dashamirësit e shqipes deri sot, por që nuk kanë gjetur zbatim, për të mos thenë: janë shpërfillur gati masivisht. Si p.sh.: në zyrat e shtetit, në Kuvendin e Shqipërisë e në gazetarinë e shkruar e të mediave elektronike nga prirja veskeqe për t’i thënë mbrapsht, shtrembër e me kalkime prej anglishtes kumtet, lajmet e shkrimet që mund (e duhet) të thuhen shqip e që, në të vërtetë, do të ishin shumë më këndshëm e bukur ashtu si janë thënë në shqipen motejetë.
Një sy qoftë edhe i shpejtë i publikimeve, reklamave, lajmeve të shkruara e të folura na jep rastin të tmerroheni nga përçudnime të palejueshme leksikore dhe kuptimore (semantike), si: SHI AGRESIV (në vend të -i rrëmbyeshëm, i fortë), RRUGË E PAAKSESUESHME (për e pakalueshme); ÇMIME TË ÇMENDURA (për-të lira, të mira), RRËMBEU ÇMIMIN (në vend të fitoi, mori); KËRKESË ULURITËSE, athua se jetojmë në ndonjë kopsht zoologjik apo në pyjet e Amazonës etj. etj. Për të mos u marrë me gabime qesharake, si p.sh. BETONALJA e Shkodrës, në vend të pedonalja, VENDE TË PAHARTUARA ( që nuk janë hedhur në hartë); LEKSIONOJ (ligjëroj, mbaj leksion); SPIKEROJ (jap lajmet në radio apo në televizor).
Shpesh ndeshim gabime gramatikore trashanike, që as analfabetët e dikurshëm nuk do t’ia lejonin vetes. Askund dhe në asnjë prej gjuhëve të Evropës nuk ndodh si në gazetarinë dhe mediat elektronike të Shqipërisë, që nuk dinë të dallojnë se kur duhet thënë KUSH dhe kur duhet CILI, CILA, CILËT, CILAT, ÇFARË, Ç’.
Mund të duket e rëndë, por ai (apo ajo) që kur flet a shkruan thotë: “Kush është problemi? Kush ministër? Kush qeveri? Kush deputet? Kush dyqan? Kush televizion? Me kë kryebashkiak (në vend të me cilin…) etj. e meritojnë epitetin e Konicës së madh.As bariu i Vermoshit apo bujku i Konispolit nuk thotë KUSH DASH apo KUSH DELE, KUSH KRYETAR apo KUSH QEVERI?!
Kurse në mediat shqiptare është përhapur si epidemi gjuhëprishëse përdorimi i gabuar i KUSH në vend të CILI, CILA, ÇFARË.
Latinët e urtë thoshin: “Të gabosh është njerëzore, por të mos i ndreqësh gabimet është djallëzore”.
Shumë shkrues e folës në publik kanë rënë në dashuri me foljezime të çuditshme e të papranueshme, të sajuara nga fjalë të huaja, si DAKORDËSOHEM ( në vend të merrem vesh, pranoj), SPIKEROJ (në vend të lexoj lajmet, flas në radio e televizion), HOSPITALIZOHET ( në vend të shtrohet në spital); ALOKOJ (në vend të ndaj, ruaj, caktoj), KOMISONOHET (në vend të del para komisionit mjeko-ligjor); ALERT, ALERTOHET (në vend të alarm, alarmohet); si dhe tmerri veshçjerrës i fjalëve fokus, fokusohem e fokusim, si dhe i reklamave ku nuk mungojnë limit, limtoj, i limituar. Dhe, si qershia mbi tortë, fjala e kotë PROBLEMATIKË, që ka marrë një dendri të shfenuar e të palejueshme.
Në mediat e shkruara e të folura, po edhe ne dokumentacionin zyrtar po përdoret gabimisht: me pa tjetër, madje tashti se fundmi po thuhet edhe “me se s’bën”, kur dihet se shqip thuhet: duhet bërë pa tjetër, duhet bërë se s’bën.
Mbi të gjitha përbëjnë shkelje të rregullave gramatikore numërori tre, që po përdoret për të dyja gjinitë, kur dihet se shqipja ka si normë: tre (për meshkuj) tre djem, tre burra; tre byrekë, tre kulecë,tre gjela; kurse përkundrazi tri (për gjininë femërore): tri gra, tri vajza, tri lugë, tri petulla; tri pula.
Në ligjërimin e folur të disa politikanëve dhe në mediat e folura shpesh ka sharje të rënda e të pakontrolluara, ka vulgarizma e prurje nga pornoligjërime. Shikoni (dhe dëgjoni) sa për turp janë shtrirë togfjalëshat: nuk më plas, nuk më rruhet, si dhe shumë të tjera të disa “analfabetëve me diplomë”, që për fjalët e ndyra dhe zotësinë e sharjeve, ua kalojnë edhe ngjelkave më gojështhurura të lagjeve anësore të qyteteve shqiptare.
Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë , ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.
Tiranë, 21 shkurt 2026