Arrihet paqja shqiptaro-serbe në Romë: Futbollistët i tejkalojnë politikanët nacionalistë/
Foto që vlen më shumë se mijëra fjalë. Pas incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe deklaratave tensionuese nga ana e dy qeverive, serbët dhe shqiptarët e Lacios kanë dashur të pozojnë për një “foto paqeje”.
Kjo foto e Lorik Canës, Filip Xhorxheviçit, Etrit Berishës, Dushan Bastës dhe Tomas Strakoshës, dëshmon qartë se ngjarja e ndodhur të martën e shkuar është lënë pas krahëve.
Sulmuesi Xhorxheviç e nisi ndeshjen nga stoli të martën në mbrëmje, ndërsa mbrojtësi Basta nuk ishte grumbulluar për shkak të dëmtimit.
Në të vërtetë, siç shkruan shtypi italian, pesë futbollistët, së bashku me drejtorin sportiv Igli Tare, kanë folur dhe janë sqaruar pas kthimit nga Beogradi në Romë dhe në fund kanë shtrënguar duart dhe janë përqafuar, duke i dhënë fund çdo aludimi për mungesë komunikimi në klubin ku luajnë.
Mes tyre nuk ka pasur asnjëherë ndonjë problem para ndeshjes së kombëtareve dhe pavarësisht atmosferës së tendosur, Loriku dhe Filipi, kanë provuar në çdo mënyrë të zbusin situatën me batuta të ndryshme.
Edhe në Formelo, në prani të drejtorit Tare nuk ka ndodhur asgjë speciale, përveç premtimit se do të vazhdojnë të bëjnë të njëjtat gjëra që bënin edhe para sfidës mes Serbisë dhe Shqipërisë.(Kortezi: Express)