
Sa më shumë shqiptarët e trajtonin Perëndimin si fat historik dhe garanci ekzistence, aq më shumë një pjesë e elitave maqedonase e shihnin atë si proces që duhej kontrolluar, modifikuar dhe zvarritur. Nëse shqiptarët flisnin me gjuhën e idealit, elitat maqedonase flisnin me gjuhën e interesit. Nëse të parët besonin se integrimi do të shndërronte shtetin në hapësirë të barazisë qytetare, të dytët e përdornin integrimin si makijazh politik për të shmangur transformimin real.
Nga Prof.dr.Skender ASANI
Në historinë moderne të Maqedonisë, euro-integrimi nuk ka qenë kurrë vetëm një proces teknik; ai ka qenë projekt identiteti, akt legjitimimi dhe shpesh instrument i pushtetit. Por pas kësaj fasade të retorikës evropiane, janë shfaqur dy realitete të kundërta: njëri idealist, që e pa Evropën si horizont emancipimi dhe barazie; tjetri pragmatik, që e përdori atë si mburojë për ruajtjen e status quo-së së brendshme. Kjo dykuptimësi e procesit ka prodhuar një histori kontradiktore, ku shqiptarët u shfaqën si shtytës të pandalur të orientimit perëndimor, ndërsa elitat maqedonase si administruese me hezitime, kalkulime dhe frikë nga barazia e brendshme që Evropa nënkupton.
Sa më shumë shqiptarët e trajtonin Perëndimin si fat historik dhe garanci ekzistence, aq më shumë një pjesë e elitave maqedonase e shihnin atë si proces që duhej kontrolluar, modifikuar dhe zvarritur. Nëse shqiptarët flisnin me gjuhën e idealit, elitat maqedonase flisnin me gjuhën e interesit. Nëse të parët besonin se integrimi do të shndërronte shtetin në hapësirë të barazisë qytetare, të dytët e përdornin integrimin si makijazh politik për të shmangur transformimin real. Kështu, çdo krizë, çdo kompromis, çdo vonesë u shpjegua si “çmim për Evropën”, ndërsa në thelb shërbeu për ruajtjen e asimetrisë së pushtetit dhe të mendësisë hegjemoniste.
Në këtë lojë të gjatë të perceptimeve, shqiptarët nuk hynë si spektatorë, por si garantë të kursit perëndimor. Ata investuan më shumë se kushdo tjetër në arkitekturën e këtij orientimi nga Marrëveshja e Ohrit e deri te anëtarësimi në NATO, duke mbajtur mbi supe peshën e reformave dhe stabilitetit, shpesh në dëm të vetvetes. Subjekti politik shqiptar që lindi nga Marreveshja e Ohrit nuk ishte thjesht një parti; ishte kolona e shtetit, ura midis paqes dhe transformimit, garancia që Maqedonia do të qëndronte në kursin euro-atlantik. Por ky mision, sa historik aq edhe tragjik, pati një kosto ekzistenciale: sa më shumë ky subjekt mbronte proceset shtetërore, aq më shumë zvogëlohej politikisht; sa më shumë siguronte paqen, aq më shumë akuzohej për stagnim; sa më shumë gar synonte Perëndimin, aq më shumë rrezikonte të mbetej pa vend në brendësinë e tij. Historia, në mënyrë ironike, i ndëshkon ata që mbajnë urën, para se të kalojnë mbi të.
Kështu, euro-integrimi, që u shpall si projekt i përbashkët, u shndërrua në projekt me barrë të pabarabartë. Shqiptarët investuan besim, energji dhe durim; elitat maqedonase shpesh investuan taktika vonese, krizash të simuluara dhe premtime që zhdukeshin në mjegullën e tranzicionit. Integrimi u përdor për të shtyrë reformën, jo për ta përshpejtuar; për të mbuluar asimetrinë, jo për ta shëruar atë. U krijua një doktrinë e heshtur: “stabiliteti sot, barazia nesër” por “nesër” u bë formula e përhershme e mosbarazisë.
Shqiptarët nuk e sfiduan asnjëherë orientimin perëndimor; ata sfiduan padrejtësinë brenda tij. Sepse një shtet nuk evropianizohet duke u njohur nga Brukseli, por duke njohur vetveten në frymën e vlerave të Evropës: në respektin për barazinë, në reciprocitetin e të drejtave dhe në dinjitetin qytetar të paprekshëm. Kjo është arsyeja pse euro-integrimi i Maqedonisë sot nuk mund të matet vetëm me nënshkrime marrëveshjesh, por me sinqeritetin e brendshëm për ta bërë shtetin pjesë të Evropës së vlerave, jo vetëm të Evropës së institucioneve.
Dhe sot, kur procesi integrues përplaset me lodhjen politike, me rikthimin e nostalgjive sllave dhe me instrumentalizimin e retorikës evropiane për qëllime të brendshme, bëhet e qartë se rreziku më i madh nuk vjen nga jashtë, por nga brenda: nga mungesa e vullnetit për ta bërë Perëndimin pjesë të ADN-së institucionale të shtetit.
Kjo është koha për ta thënë me zë të lartë: Evropa nuk është më premtim i ardhshëm, është provim i tashëm. Dhe Maqedonia nuk mund të kalojë këtë provim duke ruajtur logjikën e vjetër të dominimit etnik e institucional. Shqiptarët e kanë dhënë provimin e tyre me stabilitetin, me besimin, me përkushtimin ndaj kursit perëndimor. Tani është radha e tjetrit, e shtetit, që ta provojë se nuk kërkon integrim për legjitimitet të jashtëm, por për transformim të brendshëm.
Sepse pyetja nuk është më: “A do të shkojmë drejt Perëndimit?”, por: “A do të guxojmë të bëhemi Perëndim brenda vetes?”
Nëse kjo pyetje mbetet pa përgjigje, atëherë procesi euro-integrues rrezikon të shndërrohet në një referendum moral për të ardhmen e shtetit: midis idealit që frymëzon dhe politikës që devijon; midis Perëndimit si fat dhe instrumentalizimit të tij si alibi. Dhe në këtë referendum të heshtur, shqiptarët për të disatën herë në histori do të jenë përsëri busulla që e mban anijen në drejtim, edhe atëherë kur spiranca e së vjetrës përpiqet ta ndalojë lëvizjen.
Ky është alarmi i kohës: Euro-integrimi nuk është më strategji; është provë ekzistence.
Dhe kush dështon ta kuptojë këtë, rrezikon të mbetet jo vetëm jashtë Evropës, por edhe jashtë historisë.