
Kapja oligarkike, instrumentalizimi i marrëveshjeve themelore, fragmentimi i përfaqësimit politik shqiptar dhe relativizimi i arritjeve kushtetuese formojnë një zinxhir të pandërprerë që synon të mbajë drejtësinë larg dhe integrimin evropian në nivel retorik. Mesazhi është i qartë dhe i pashmangshëm: ose sundimi i ligjit bëhet i panegociueshëm dhe shteti çlirohet nga frika e drejtësisë, ose Maqedonia e Veriut do të mbetet peng i një oligarkie që prodhon kriza.
Nga Prof.dr Skender ASANI
Në historinë e çdo shteti ekzistojnë momente kur krizat nuk mbeten më sinjale paralajmëruese, por shndërrohen në prova përfundimtare të një rendi që ka hyrë në fazën e tij mbrojtëse. Vitet 2024 dhe 2025 për Maqedoninë e Veriut përfaqësojnë pikërisht një udhëkryq të tillë. Para syve të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë shpaloset jo një përplasje politike e zakonshme, por një reagim i strukturuar dhe i koordinuar i oligarkisë ndaj rrezikut ekzistencial që përfaqëson drejtësia dhe integrimi evropian. Ky vit ka ekspozuar më qartë se kurrë hendekun midis retorikës dhe veprimit, midis premtimeve të mëdha dhe paaftësisë për t’i bërë ato realitet. Nuk është thjesht një vit tjetër tranzicioni; është një vit që ekspozon dobësitë sistematike, shkatërron besimin qytetar dhe risjell në pah rrezikun e konsolidimit të tranzicionit të pafund.
Për herë të parë pas tre dekadash tranzicioni të zgjatur, oligarkia maqedonase del hapur nga prapaskenat, duke përdorur të gjitha instrumentet e saj për të mbajtur nën kontroll proceset shtetërore. Politika, ekonomia,media dhe institucionet janë vënë në funksion të një qëllimi të vetëm: pengimin e reformave që mund ta çojnë vendin drejt një procesi të pakthyeshëm të sundimit të ligjit. Ky mobilizim nuk buron nga ideologjia, por nga paniku, paniku i një elite që e di se integrimi evropian nuk toleron pandëshkueshmërinë.
Thellësia e këtij shqetësimi bëhet e qartë kur analizohet krahasimi rajonal: Mali i Zi dhe Shqipëria kanë demonstruar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është më një ushtrim formal diplomatik, por një mekanizëm i drejtpërdrejtë i drejtësisë. Burgosja e figurave të larta politike dhe ekonomike nuk ishte devijim, por kusht i domosdoshëm. Kroacia përjetoi integrimin përmes ndjekjeve penale ndaj elitave që cenonin interesin shtetëror, ndërsa Shqipëria provoi se SPAK-u nuk është instrument formal, por mjet për thyerjen e epokës së pandëshkueshmërisë. Në kontrast, Maqedonia e Veriut, duke e asgjësuar Prokurorinë Speciale, ka lënë shtetin pa mekanizmin e vet të vetëpastrimit, duke i hapur rrugë konsolidimit të pandëshkueshmërisë.
Kaosi politik dhe ekonomik nuk është rezultat i paaftësisë, por produkt i një strategjie të vetëdijshme. Krizat prodhohen për të fituar kohë, relativizuar kushtëzimin evropian dhe imponuar narrativën e rreme se stabiliteti duhet të paraprijë drejtësinë. Beteja nuk zhvillohet më midis qeverisë dhe opozitës, por midis sundimit të ligjit dhe mbijetesës së oligarkisë. Instrumentalizimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë kornizën maqedono-bullgare, pasqyron të njëjtën logjikë bllokuese. Marrëveshjet themelore, si ajo e Ohrit dhe e Prespës, përdoren më shumë si mjete presioni dhe monedha këmbimi për interesa të ngushta.
Fragmentimi i qëllimshëm i subjektit politik shqiptar dhe likuidimi i atij subjekti që rridhte nga Marrëveshja e Ohrit nuk ishte spontan, por operacion i porositur nga oligarkia dhe realizuar përmes pushtetit ekzekutiv, me rolin qendror të kryeministrit. Qëllimi ishte çmontimi i një faktori politik që mbante lidhje organike me frymën konsensuale të shtetit multietnik dhe orientimi i spektrit shqiptar drejt skajeve ekstremë, për t’i përdorur më pas si faktor destabilizimi. Në fazën e dytë, këto skaje shërbejnë si alibi për fajësimin e shqiptarëve për stagnimin e shtetit dhe dështimet integruese. Dobësimi i statusit të gjuhës shqipe, relativizimi i të arriturave të Marrëveshjes së Ohrit dhe ekspozimi i çështjeve identitare në hapësirën publike janë pjesë e një agjende të mirëkalkuluar, ku oligarkia përdor shqiptarët si instrument për të ruajtur mbijetesën politike.
Deklaratat e BE-së mbi Ballkanin Perëndimor, si dhe aktet zyrtare të Shteteve të Bashkuara, adresojnë drejtpërdrejt këto devijime. Po aq domethënëse është hapja e vendit ndaj narrativave të “botës serbe” dhe rritja e ndikimit ruso-kinez gjatë dy viteve të fundit. Kur Perëndimi kërkon transparencë dhe llogaridhënie, oligarkia kërkon alternativa gjeopolitike ku pandëshkueshmëria nuk vihet në pikëpyetje dhe ku korrupsioni trajtohet si mjet qeverisjeje. Kjo strukturë nuk kufizohet më vetëm në sabotimin e heshtur; ajo prodhon tensione etnike, instrumentalizon ndasitë fetare dhe kultivon frikë kolektive për të zhvendosur debatin publik nga pyetja thelbësore: kush ka kapur shtetin dhe pse i frikësohet drejtësisë? Pengimi i reformave kushtetuese nuk është akt sovraniteti, por përpjekje për ta shndërruar kushtetutën në mburojë personale dhe për ta ngritur pandëshkueshmërinë në parim shtetëror.
Institucionet shtetërore tregojnë shenja të dobësisë së pashmangshme: politizim i thellë, lodhje administrative dhe paaftësi për të menaxhuar sfida afatgjata. Vendimet e vonuara dhe shpesh të nxitura nga interesa të ngushta partiake kanë krijuar një atmosferë cinizmi publik dhe mosbesimi sistemik. Reformimi i administratës, realizimi i projekteve infrastrukturore strategjike dhe përballimi i krizave ekonomike dhe sociale mbeten të pamjaftueshme. Ky boshllëk strategjik ushqen tensionet etnike dhe ndarjet qytetare, duke rrezikuar destabilizimin dhe reduktimin e kredibilitetit të shtetit në arenën ndërkombëtare.
Integrimi evropian, shpallur si orientim strategjik, gjatë këtij viti ka marrë një rol kryesisht retorik. Ai përdoret herë si instrument legjitimues i pushtetit ekzistues, herë si alibi për mosveprim dhe dështimet e brendshme. Ky përdorim i deformuar ka kthyer horizontin e integrimit evropian nga shpresë reale në simbol të pritjes së pafund, duke rrezikuar besimin publik dhe angazhimin qytetar për reforma reale. Nëse kjo dinamikë vazhdon, projekti evropian për Maqedoninë e Veriut mund të degradojë në një narrativë iluzore, duke e izoluara vendin në dimensionin politik, ekonomik dhe diplomatik.
Dobësimi i kapacitetit shtetëror, fragmentimi politik dhe etnik, konsolidimi i tranzicionit të pafund, humbja e besimit qytetar dhe dobësimi i perspektivës evropiane janë kërcënime reale dhe të prekshme. Mosveprimi ka pasoja të drejtpërdrejta: rrit varfërinë, nxjerr jashtë vendit kapitalin njerëzor dhe intelektual, redukton investimet e huaja dhe përkeqëson pozicionin e vendit në dialogun ndërkombëtar. Historia ka treguar se bllokimi i proceseve zgjedhore, mosrealizimi i reformave gjyqësore dhe menaxhimi i dobët i krizave sociale dhe ekonomike çojnë në rritje të tensioneve dhe destabilizim politik, duke dobësuar kredibilitetin e shtetit dhe besimin publik. Pa veprim urgjent, Maqedonia e Veriut rrezikon të hyjë në një fazë afatgjatë të destabilizimit.
Rikthimi i unitetit politik shqiptar është i domosdoshëm për të vendosur interesin shtetformues mbi fragmentimin partiak dhe për të forcuar kapacitetin për ndikim real. Depolitizimi i institucioneve kyçe dhe konsolidimi i mekanizmave të transparencës, llogaridhënies dhe profesionalizmit janë të domosdoshme për vendime afatgjata dhe efektive. Integrimi evropian duhet të shndërrohet nga narrativë retorike në projekt real reformues, me matje të qarta të progresit dhe monitorim të vazhdueshëm. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe garantimi i standardeve të barazisë janë jetikë për të reduktuar tensionet dhe për të siguruar stabilitet institucional.
Hartimi i një narrative shtetformuese gjithëpërfshirëse që harmonizon interesat etnike, qytetare dhe integruese është i domosdoshëm për të ndërtuar besim publik dhe vizion afatgjatë. Veprim urgjent është i domosdoshëm; çdo vonesë mund të shkaktojë krizë të menjëhershme dhe pasoja të pakthyeshme për stabilitetin politik, ekonomik dhe social të vendit.
Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq historik;pa unitet politik, institucione funksionale dhe orientimi strategjik ndaj integrimit evropian, vendi rrezikon të mbetet peng i tranzicionit të pafund, i fragmentimit politik dhe i paaftësisë institucionale.
Ky realitet nuk përbën thjesht një krizë qeverisjeje, por një provë morale dhe strategjike për karakterin e shtetit. Kapja oligarkike, instrumentalizimi i marrëveshjeve themelore, fragmentimi i përfaqësimit politik shqiptar dhe relativizimi i arritjeve kushtetuese formojnë një zinxhir të pandërprerë që synon të mbajë drejtësinë larg dhe integrimin evropian në nivel retorik. Mesazhi është i qartë dhe i pashmangshëm: ose sundimi i ligjit bëhet i panegociueshëm dhe shteti çlirohet nga frika e drejtësisë, ose Maqedonia e Veriut do të mbetet peng i një oligarkie që prodhon kriza për të shtyrë llogaridhënien. Integrimi evropian nuk është më çështje kapitujsh apo afatesh teknike, por zgjedhje thelbësore midis shtetit si komunitet qytetarësh të barabartë dhe shtetit si strehë e pandëshkueshmërisë. Vetëm aty ku askush nuk është mbi ligjin, Evropa pushon së qeni premtim politik dhe shndërrohet në realitet historik.