
Roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është rastësi historike, por rezultat i një përvoje të gjatë rezistence dhe kontributi në të gjitha fazat shtetërore. Që nga ruajtja e gjuhës dhe arsimit, deri te pjesëmarrja vendimtare në proceset demokratike e integruese, shqiptarët kanë dëshmuar se janë një faktor i pazëvendësueshëm. Duke u përpjekur të rrënohet struktura e tyre politike, nuk goditet vetëm një organizim partiak, por minohet ura e besimit mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja e përbashkët.
Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Shoqëritë shumëetnike, si ajo e Maqedonisë së Veriut, kanë dëshmuar ndër shekuj se stabiliteti nuk është një dhuratë, por një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar ura besimi mes komuniteteve. Pa dashur të involvohem në fushatën parazgjedhore, ky tekst ka një qëllim jo politik: të evidentojë një fenomen që prek bashkëjetesën dhe stabilitetin e shtetit. Pozita e shqiptarëve, të cilët përbëjnë një faktor politik dhe shoqëror vendimtar, shpesh është kushtëzuar nga valë të ndryshme të retorikës politike herë integruese, herë përjashtuese. Deklarata e fundit e kryeministrit Mickovski për të shkatërruar subjektin politik shqiptar nuk është thjesht shprehje e një momenti politik, por simptomë e një krize më të thellë në kulturën e bashkëjetesës. Në thelb, ky qëndrim nuk sfidon vetëm një strukturë politike, por synon të delegjitimojë një subjekt historik të përfaqësimit të komunitetit shqiptar, duke rrezikuar kështu ekuilibrin mbi të cilin ngrihet vetë shteti.
Shoqëritë që nuk kultivojnë respektin e ndërsjellë, në fakt shembin themelet mbi të cilat ngrihet liria. Respekti nuk është një luks moral, por një rend i brendshëm që e bën bashkëjetesën të mundur. Kur ky dimension shpërfillet, krijohet një kontradiktë tragjike: mikut që ofron dorën i kthehet shpinë, ndërsa armiku që mban kamxhikun ngrihet në piedestal. Ky është një iluzion pushteti që ushqehet me frikë, një metafizikë e shtrembëruar e politikës, ku njeriu mësohet të admirojë dhunën dhe të përçmojë mirësinë. Në këtë rrjedhë, mungesa e respektit shndërrohet në një logjikë vetëshkatërruese, ku qytetari humb dimensionin e lirisë dhe kthehet vetëm në një figurë të frikës: të pranuar nga tirania, por të mohuar nga vetvetja.
Deklarata e Mickovskit për të shkatërruar subjektin politik shqiptar duhet parë jo vetëm si një provokim i radhës, por si një përpjekje për të ringjallur fantazmat e së kaluarës, kur përjashtimi ishte mjet sundimi.
Kjo qasje jo vetëm që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit e menduar si arkitekturë e re e bashkëjetesës por edhe rrezikon stabilitetin e brendshëm të shtetit. Historia ka treguar se kur pushteti përpiqet të delegjitimojë zërin e një komuniteti etnik, ai nuk forcon unitetin, por e brishtëson atë, duke hapur rrugë ndarjeve, krizave dhe mosbesimit.
Në këtë kontekst, gjuha nacionaliste e përdorur nga Mickovski, e cila synon shkatërrimin e një subjekti politik të dalë nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit, nuk mund të kalojë pa gjykim. Ajo duhet të vlerësohet jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga e gjithë shoqëria, sepse çdo heshtje ndaj kësaj retorike do të kishte pasoja të rënda për orientimin strategjik të shtetit.
Nëse lejohet që kjo gjuhë të normalizohet, atëherë Maqedonia e Veriut jo vetëm që rrezikon të humbasë ekuilibrat e brendshëm të bashkëjetesës, por edhe besueshmërinë përballë partnerëve euroatlantikë, duke vënë në pikëpyetje vetë rrugën e integrimit.
Në këtë dritë, respekti ndaj subjektit politik shqiptar nuk është vetëm një detyrim demokratik, por një garanci për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Të shkatërrosh përfaqësimin e një komuniteti etnik do të thotë të rrënosh mekanizmat e ekuilibrit, dhe aty ku mungon ekuilibri nuk ka as stabilitet, as paqe, por vetëm ringjallje të hijeve të përjashtimit.
Nëse kthehemi në retrospektivë, kjo retorikë e Mickovskit kujton gjuhën e liderëve nacionalistë të viteve ’90, të cilët me slogane për “mbrojtjen e shtetit” i çuan vendet e tyre drejt luftërave civile dhe shpërbërjes.
Në Bosnje, mohimi i të drejtave të boshnjakëve dhe kroatëve solli konfliktin më të përgjakshëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në Kroaci dhe Serbi, nacionalizmi agresiv i shndërroi komunitetet në armiq dhe i ndau për dekada të tëra. Historia ka dëshmuar se ata që kanë synuar të qeverisin përmes frikës dhe gjuhës së shkatërrimit, përfundimisht kanë rënë viktima të politikës së tyre. Në këtë prizëm, deklarata e kryeministrit Mickovski nuk është vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme: ajo ringjall një logjikë të konsumuar, të cilën bota dhe vetë rajoni e kanë dënuar e lënë pas.
Roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është rastësi historike, por rezultat i një përvoje të gjatë rezistence dhe kontributi në të gjitha fazat shtetërore. Që nga ruajtja e gjuhës dhe arsimit, deri te pjesëmarrja vendimtare në proceset demokratike e integruese, shqiptarët kanë dëshmuar se janë një faktor i pazëvendësueshëm. Duke u përpjekur të rrënohet struktura e tyre politike, nuk goditet vetëm një organizim partiak, por minohet ura e besimit mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja e përbashkët. Çdo tentim për ta margjinalizuar këtë dimension është rrezik që shtetin e kthen prapa, duke e ekspozuar ndaj krizave të reja politike e sociale.
Prandaj, respekti ndaj subjektit politik shqiptar nuk është thjesht një detyrim formal i demokracisë, por një kusht themelor për paqe dhe stabilitet. Një Maqedoni e Veriut që guxon të injorojë ose të shtypë zërin e shqiptarëve, nuk i bën dëm vetëm këtij komuniteti, por shkatërron themelet e veta. Historia na mëson se aty ku mungon barazia dhe respekti, lindin kriza që askush nuk mund t’i kontrollojë. Sot, më shumë se kurrë, është koha për të kuptuar: pa shqiptarët nuk ka stabilitet, pa partneritet nuk ka të ardhme dhe pa respekt nuk ka integrim. Ky është mesazhi që duhet ta dëgjojnë të gjithë brenda dhe jashtë vendit nëse duan që Maqedonia e Veriut të ecë përpara si shtet i barazisë dhe i paqes së qëndrueshme.