Pas një grindjeje një kosovar e një shqiptar vrasin një shqiptar tjetër me thikë në një strehimore në Bonn. Fradjovola 32 vjeçar kishte plane për të vazhduar jetën në Gjermani. Autorët heshtin para hetuesisë.
Dy refugjatët, një kosovar dhe një djalë shqiptar që vranë refugjatin tjetër Fradjovolën nga Tropoja heshtin para hetuesisë gjermane. Në një bisedë me Deutsche Wellen, drejtuesi i zyrës së shtypit të policisë së Bonnit, Robert Scholten njofton se dy autorët e arrestuar që kryen vrasjen e shqiptarit 32 vjeçar në një strehimore azili Bonn të dielën (03.04) i janë paraqitur gjykatësit dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë në arrest, ndërkohë që hetimet vazhdojnë, sepse deri më tani të dy autorët heshtin.
Policia e prokuroria po bashkëpunojnë ngushtë për pistat e hetimit, por deri më tani nga të dhënat duket se sherri mes shqiptarëve që përfundoi me nxjerrjen e thikës e vdekjen e shqiptarit, ka pasur arsye personale. Një i afërm i Fradjovolës është shprehur për median gjermane se Fradjovola ishte provokuar më parë nga njëri nga autorët që kryen vrasjen me thikë dhe kritikon mosreagimin e autoriteteve. “Pse nuk u çua ai në një strehimore tjetër?” Njëri nga autorët, një djalë kosovar që jetonte prej disa muajsh në strehimore duket se ka pasur grindje edhe me banorë të tjerë. “Kishim planifikuar që ai të jetonte me mua në Köln, tani më duhet ta varros Fradjovolën në vendlindjen e tij në Tropojë”, thotë kushëriri.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes banorët e strehimores dhe ata përreth kanë vënë lule e kanë ndezur qirinj. Tre metra para hyrjes u vra Fradjovola, para një pllakati me mbishkrimin “Welcome” – një zënkë që kishte nisur më parë dhe ishte vazhduar jashtë qendrës së azilit. Megjithë përpjekjet e forcave të shpëtimit dhe mjekëve, viktima humbi jetën ende në vendngjarje. Jana Biesenbach, drejtuese e strehimores thotë se “u njoftuan të gjithë banorët, shumë vetë shpërthyen në lotë, pastaj ne e kujtuam viktimën me një minutë heshtje.” Biesenbach e kujton shqiptarin si një njeri punëtor. “Një njeri i zellshëm, vetëm para pak ditësh ai ndihmoi në rinovimin e një dhome duke lyer.” Strehimorja e azilit në Bonn konsiderohej e qetë dhe policia njofton se deri më tani nuk ka pasur incidente të rënda.(DW)