Nga Gaspër Marku/ – Është vetëm 15 vjeçe, ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por prindërit e saj emigrantë ia kanë ushqyer shumë dashurinw vendlindjen, Elizabeta Pllumbit, aq sa ftesës së organizatorëve për të qenë njëra ndër 25 vajzat e konkursit të bukurisë “Miss Malësia 2014”, iu përgjigj me kënaqësi. Me thjeshtësinë, mençurinë dhe intelektin e saj dhe padyshim edhe me vlerat e padiskutueshme që mbart në vetvete portreti i saj, aq simpatik, nuk kishin se si të mos i mbushnin mendjen jurisë që unanimisht ta votonte atë si më të mirën mes konkurenteve malësore nga Malësia e Shqipërisë dhe e Malit të Zi, duke e kurorëzuar “Miss Malësia 2014”.
“Të dashur miq! Sot ishte një krenari shumë e madhe që isha pjesë e një spektakli aq madhështor në Malësinë time të bukur, Razëm. Ju falenderoj me gjithë zemër të gjithve për përkrahjen tuaj. Jam shumë krenare të prezantoj Malsinë e Madhe, Miss Malsia 2014! Ju dua të gjithëve, Faleminderit!”, shprehet tejet e entuziazmuar menjëherë pas spektaklit të organizuar në Pikën Turistike të Razmës, fituesja e çmimit të parë, numri 12-të, Elizabeta Pllumbi.
Në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, Elizabeta, thotë se fitorja e “Miss Malësisë”, është gjëja më e bukur në jetën e saj. “Dhe me sinqeritet jua them, që jam shumë krenare që jam malësore. Dhe sa do sukses të kem në jetë, unë kurrë nuk do të ndryshoj. Edhe pse isha shumë e emocionuar që nuk i kisha prindërit e mi të pranishëm, malësorët më bënë që të ndihem shumë mirë. Për këtë i falenderoj me gjithë zemer për mbështetjen që më dhanë”, shprehet shqiptaro-amerikanja, Elizabeta Pllumbi.
Më tej, duke vlerësuar vendin e origjines së familjes së saj, Elizabeta, thotë se edhe pse ka lindur në USA dhe është rritur atje, Malësia është vendi më i bukur në botë për të. “Kjo është falë prindërve të mi që më kanë sjellë çdo verë me pushime këtu dhe kujtimet më të bukura të jetes time i kam në Malsi.”, vijon ajo.
Jeta në Amerikë
Teksa dëshirojmë të dimë diçka më tepër për të dhe familjen e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elizabeta e fillon me prindërit. ”Babai im quhet Gjergj Pllumbi prej Dedajve, mama quhet Diella Turmalaj nga Vrrithi. Ne jemi tre fëmijë Elsoni 17, unë 15 dhe vëllai i vogël Danjeli 3. Jetojmë në Bronx, NY prej 17 vjet. Baba punon në ndërtim, kurse mama ka mbaruar universitetin atje dhe punon mësuese Matematiket në shkollë publike 8 vjeçare.”, thotë Elizabeta.
Të përkushtuar dhe të nderuar si një nga familjet shqiptare më të respektuara në komunitetin shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, prindërit e Elizabetes, bënë gjithçka që fëmijët e tyre të merrnin edukimin e duhur përkrah bashkëmoshatërëve të tyre. Dhe për këtë Elizabeta dhe dy vëllezërit e saj i janë shumë mirënjohës prindërve për gjithçka që ata po bëjnë për to dhe se me punë e përkushtim maksimal do të përpiqen t’ia shpërblejnë atyre, në mënyrë që ato të ndihen krenarë për fëmijët e tyre. Më së shumti, për Elizabetën, mirënjohja e tyre për prindërit e tyre është se falë tyre, janë të edukuar me shpirt malësori, që për to është një gjë shumë e shtrenjtë e jetes së tyre.
Talenti
Në vijim të bashkëbisedimit me Elizabetën, njihemi edhe me jetën dhe aktivitetin e saj, si dhe e dy vëllezërve të saj, Elsonit, dy vite më i madh se ajo, dhe Danielit të vogël. “Unë studioj në një shkollë private katolike shumë të mirë dhe jam në vitin e dytë. Elsoni sapo ka mbaruar shkollen e mesme. Angazhimet deri tani kanë qënë vetem sportive. Njëkohësisht luaj football për shkollen, plus merrem me çdo aktivitet që zhvillon shkolla ime.”, thotë Elizabeta, ndërkohë që përmend edhe moden. “Përsa i përket modes, që kur kam qënë e vogël kam ëndërruar të jem një modele dhe aktore me famë botërore. Të them të drejtën, kërkesa kam pasur për modele, por deri tani nuk kam firmosur ndonjë kontratë, por tashti kur të kthehem po mendojmë për një gjë të tillë”, vijon ajo. Por, nuk është vetem Elizabeta që kërkon të bëhet e famshme. Ajo ndiehet shumë e lumturuar për talentin që ka në fushën e futbollit vëllai i saj, Elsoni,. Sipas saj, këto ditë, mamaja e saj, Diella, është në Londër me Elsonin, sepse ai është një footbollist i talentuar. “Elsoni ka shkuar në prova tek një klub shumë i madh. Nuk mund t’ia them emrin për momentin, deri sa të firmosi kontratën zyrtare, por sigurisht që ju do të jeni i pari që do të informoheni për këtë, për t’ia përcjellë mediave të Shqipërisë”, citon Elizabeta..
Por, ndërsa ka folur për veten e saj dhe të vëllait Elson, Elizabeta, nuk mund të lërë pa komentuar edhe vëllain e vogël, Danielin, apo siç e quan ajo, “zemra e jeme”. Ai është fëmia më i bukur dhe me i lumtur në botë, është ëmbëlsira e shtëpisë tonë. Edhe ai ështe krenar që ështe malësor, dhe kur e pyesin në Amerikë, se prej nga je, thotë me njëherë që jam prej Dedajve te Shkrelit. Edhe ai e ka pasion sportin, luan futboll e basketboll, dhe edhe për të, të dhënat janë shumë premtuese, por sipas Elizabetes, është shumë shpejt për të vendosu në lidhje me profilin e aë ardhmes së tij.
Mesazi i Elizabetws
E brumosur fort prej pasionit dhe dashurisë për vendin e origjinës së saj, që thuajse në çdo pjesë të bisedes, ajo e rikujton vazhdimisht me shumë krenari, në mbyllje të kësaj interviste, Elizabeta, ka edhe një mesazh. “Kam një mesazh për të gjithë Malësinë time, popullin shqiptar. Rrënjët tona nuk duhet t’i harrojmë kurrë dhe të jemi krenar që jemi Shqiptar. Dhe të vazhdojmë t’ia shtojmë edhe më shumë vlerat këtij populli fisnik.”, shprehet e mbushur me emocione, vajza 15 vjeçare, Elizabeta Pllumbi, e lindur në Amerikë, por që me krenari pohon se është shqiptare, duke rifalenderuar edhe një herë prindërit e saj, Gjergj Pllumbi nga Dedaj dhe nënën e saj, Diella Turmalaj nga Vrrithi, të cilët e ushqyen më së miri me gjakun dhe traditat shqiptare.