Tregim nga Hazir MEHMETI/ Nën pikat e ftohta të shiut vjeshtak, mbi krahët e bardhë të avionit, shpërthyen shtëllunga reshë drejt qiellit të kaltër. Rrezet e diellit shkëlqenin në horizontin pa kufi. Muzika e mjeshtrit të klasikes i jepte shpirt pamjeve që ngjallnin fantazinë e pakufishme.
Liqeni i Poradecit vinte në pamjen e Shtërgut, ku në një ditë si kjo do të nisej drejtë jugut, atje ku dielli jep jetë. Por jo, sot fluturimi i veçantë drejt Qytetit të Vaut. Shtërgu shijonte amshimin e përmotshëm në botën engjëllore, prapa qiellit mbi retë shtëllunga të bardha.
“Sa më lartë të jesh përmallshëm i ndien përjetimet në tokë bashkë me dëshirën të kthehesh në fortësinë e saj”,- mendoj ai.
Kur avioni shponte me shpejtësi errësirën e reve të zeza përplot shi, ndjeu dëshirën ta shihte Poradecin e tij, edhe pse e dinte se pas reve është krejt një qytet tjetër, i një bote tjetër. Karrigia e vjetër, para derës së shtëpisë stërgjyshore, që mezi mbahej nga pesha e moteve, ishte ngulitur në ninëzën e syrit bashkë me ndriçimin e rrëzëthyerjeve nga liqeni përballë.
Miku shtrëngoi dorën. Shtergu kërceu pragun. Shkallët e trenit dukeshin të larta në hapat e vegjël të atyre që udhëtimin me tren e kishin një privilegje në vendin e tyre. Derisa vagoni si një djep i madh lëkundej bashkë me pasagjerët, Miku lexoj në aiped drejtimin e cakut pesë kilometra e dyqind metra.
Arritja e cakut, Haben Sie das Ziel erreicht, tingëlloi fuqishëm në vorbullën e dëshirave të kamotshme për zbulimin e horizonteve artistike gjithë njerëzore. Para dukej një rrugë e gjerë me trotuar të ngushtë dhe e shkurtër rreth njëqind metra, e zbrazët dhe e rrethuar me shtëpi trikatëshe, muret e të cilave të kufizuara me drunjtë të gdhendur mirë, krijonin katërkëndësh të shumtë. Kulmet e larta, dritare të ngushta e të zgjatura pingul çatisë, tregonte për hapësirat e banimit brenda tyre që në shekuj. Ashtu siç ishte parë nga pamjet satelitore, rruga e shtruar me gurëkatrorë, më të vjetër se vetë shtëpitë e banorëve trashëgimtarë gjeneratash që ecnin mbi të. Ishte hera e parë që takonin një arkitekturë tipike të rajonit të rrjedhës së Moin-it, i cili rridhte shekujve mes fushave e kodrave nga të cilat dallohej Römerbergu me Katedralen e Paulusit dhe gjithë historinë e saj.
Shtërgu iu afrua portës në të cilën shkëlqente një dry i verdhë në parmakët e metaltë mbrojtës. Nuk i besohej, ishte ëndërr apo zhgjëndërr. “Sa e vogël tani bota, e tëra në një shtëpi, në një dhomë apo në një kuti, e cila lidhet me gjithësinë dhe i di të gjitha”. Një ndjenjë nga brenda shqetësuese ia përshkoi trupin.
“Nuk ka vizitë”,- lexoi duke lëvizur buzët me një zë që nuk u dëgjua.
Në çast atij iu duk sikur dëgjoi një vaj foshnje të sapolindur, derisa mushkëritë i mbusheshin me ajrin e jetës. O zot, mendoj ai, dhe shkundi veshin me dorën e majtë në mëdyshjen, se ishte zë apo i bënin veshët.
“Tani merr frymë njeriu i shekullit të lirikës e artit që nuk njeh kufi e as moshë”, – mendoi duke soditur Goette Haus nga pragu i portës deri në oxhakët ngulitur në qiellin e trazuar përplot re të cilat sfidonin ngrohtësinë e diellit drejt nesh.
-Mik, dëgjon ti vaj foshnje apo më bëjnë veshtë?
Derisa priste fjalën e Mikut, zëri i foshnjës u dëgjua në këndin e rrugicës, ku tani dukej karroca e mbuluar nga vinte zëri gjithnjë më fuqishëm. Pa shqetësime afrohej një zonjë bionde, nën këmbët e së cilës dëgjohej kërcitja e takeve kalldrëmit të gurtë. Në moment iu kujtua Ana e Yllit të Zemrës. Shtërgu shikoj nga bashkudhëtari i tij i habitur sikur ndihej fajtor për atë, përse kishte pyetur i nxituar. Ndjenjat brendshme tani qetësoheshin pranë mureve të ftohta të pajetë të një shtëpie shekullore, të cilën e kishte parë disa herë në marrjet navigatorë. Mbështeti ballin për muri, mbylli sytë të qetësohej në heshtjen e murit brenda të cilit kishte filluar një dritë e re në artin e poetikës.
Për një çast iu kujtua shkrimgërvishtja e poetit në muret e burgut të Spaçit “Mehr Licht”. Prej atëherë e kishte menduar se pikërisht ky do të ishte tregimi më i shkurtër në botë, e jo ai i Ubicolës: “Ubicolës: “Cuando desperto, el dinosaurio todavio estaba alli”. Kush do ta kuptoj Mehr Licht, që ta korrigjoj historinë e tregimeve të jetës më mirë se sa i vuajturi qelive të errëta me rrjetë hekurash në robërimin e dritës. Çuditërisht, dielli nuk u hidhërua në Zeusin ashtu si dikur në parahistori.
Kohët e përplasura kalldrëmeve bashkë me gjuhën e akullnajave kishin ftohur çdo gjë. Asgjë nuk ishte si dikur, as ajri, as kënga ndaj dashurisë, e cila ishte bërë monedhë e përbaltur shkëlqimeve të asfalteve përplasur qelqanave të pallateve qiellore. Tani engjëjt nuk zbritnin më në kalldrëmet e dikurshme, ku i këndohej dashurisë për njeriun e zemrës, rrinin lart në pavlerën e mjegullinës së ftohtë e të tejmbyllur.
Derisa mendonte kështu Miku ishte larguar dhe mezi vërehej, i bëri shenjë me dorën e ngritur lart që ta përcjell pas. U nis sikur të ishte i sapo zgjuar nga gjumi. Për herë të parë i pa këmbët e tij mbi gurët e ftohtë dhe gati sa nuk thirri: Hej, të kujt janë ato opinga, dhe filloi para syve të vinin pamjet e kasolles, aroma e pogaçes së ngrohtë sapo e shpaluar nga çerepi, pamja e gjyshes me grushtin e kripës. Sikur nuk besoj se do largohej pa hyrë në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit të madh gjerman Goette. Ngushëllimi se do qëndronte dhe dy ditë në fundjavën e parë të Muajit Historik sikur e sollën në trastën e tij të praruar nga leckat e shtresuar njëri mbi tjetrin, nga të cilët i fundit i zi si futa.
Era krijonte melodi fërshëllimash të panumërta kthinave mes shtëpive e rrugicave të shtruara me kalldrëm si dikur që s’i dihej koha. Moini i disiplinuar me të turbulltën e tij rridhte poshtë luginës, e cila lakohej e përcjellë me shinat e hekurt dyfish sipër të telëzuara. Nga dritaret e A- Rosa, krijoheshin pamje të Grüngürtel, me gjelbërimin e zverdhur nëpër të cilat gjarpëronte asfalti, aty këtu mbi të cilin dukeshin drita që ecnin pa cak të njohur.
-“Sheshi i Goettes”- u dëgjua altoparlanti. “Prapa statujës, është qendra më e njohur bankare e botës”.
Të gjithë drejtuan sytë andej, me përjashtim të një grupi vendës, të cilët luanin letra dhe nuk iu bënte përshtypje fjala e udhëdrejtuesit. Shtërgu përcillte konditat e motit dhe tani vinte shtypja e ajrit prekshëm më e ulët në ekranin përballë. Loja e erës u hapi rrugë reve përplot shi të ftohtë vjeshte që ngrinte degëve e aty- këtu ndonjë gjethe e mbetur majë së cilave dalloheshin pikat që zmadhoheshin dhe binin poshtë pa ndërprerë në heshtjen lëvizëse. Lëkundjet e anijes pasqyronin thyerjet e dritës nga qelqanat gjigante përballë.
Miku mbështeti veshin në xhamin e lagur e të ftohtë, sikur donte të dëgjonte frymëmarrjen e anijes, e cila luhatej para nisjes së re. Iu duk sikur i erdhi zëri nga thellësia e lumit (ëndrronte thellësinë e Liqenit të Poradecit), se dielli po lindte kujdesshëm pas fjetmadhës pesë shekullore. Hija tjetër e hënës po largohej bashkë me erëstepën dhe pluhurin e verdhë të saj.
Moini i fryrë tani na barte në shpinë lakadredhave të tij drejt bashkimit me Reiniin e gjerë e të njohur për huqet e tij shekujve.
“ Rein- i lumi më me shumë lundruese në Botë”,- lexoi Miku në fletë itinerarin ku tani sapo përfundonte njëri emër dhe fillonte tjetri më i fuqishëm e rrëmbyeshëm.
-Pamjet magjepse që vinin tejxhamave nën thyerjet e pikave të shiut, zëra rosash të egra, zhaurma kuzhine, erëmirë ushqimesh e mbushnin hapësirën. Tani dukej udhëtimi më i lehtë, Motorët fuqizuan rrotullimin e tyre.
Pas kodrës së parë u hap horizonti e një fushe kufiri i së cilës nuk dukej nga errësira e reve vjeshtake dhe pikave të imta të shiut. Çatitë e shtëpive të qytezës dukeshin të bashkuara me retë dhe nga larg dukej sikur pesha e tyre binte vetëm mbi to.
Shtegtarët u gjenden në qytezën Koblenz buzë jo larg lumit me famë. Një ndërtesë e stilit kështjellë me mure të trasha e shumë dritare të vogla krijonin përshtypje hijerëndë e cila u thye nga pritja miqësore e personelit që në takimin e parë me emrashkruhesit e bujtinës. Monitori i gjerë informonte gjithandej mbi mysafirin e sapo ardhur. Kësaj radhe emrat luanin lojën e kohës së tyre me domethënien absurde të jetës sonë në Gadishullin Ilirik. Kuptimi i tyre shpjegohej përtej Bosforit, atje ku Dardanelet flasin me historinë e tyre të mbytur në det.
– Këta janë poetët e krijuesit shtegtarë nga trevat shqiptare, tha Miku.
– Janë vetëm shtegtarë apo më shumë se kaq,- pyeti Shtërgu, i cili çuditërisht nuk e dinte se ishte i ftuar edhe ai.
-Shtegtarë,- vazhdoi Miku.
Ishte dimër i ashpër, mbijetesa e racës ishte në rrezik. Çdo gjë rrënohej nga furtuna, edhe lisat më të fuqishëm bashkë me foletë e ngritura nëpër mote. Kullat e gurta me frëngji ishin nxirë nga tymi i barutit dhe bota shihej vetëm deri tek shënjestra,- shtoi Miku me gjysmë zëri.
-Shtërgu, me fytyrën e vrenjtur nuk foli. Nga xhepi nxori çibukun bashkë me “Taraboshin” e verdhë si këmba e sokolit. Sapo deshi ta mbushë, në veshin e djathtë dëgjoi pëshpëritjen, “Nuk lejohet tymosja zotëri”.
-“Dashuria do ta shpëtoj botën”,- tha Nëna e Madhe shtegtare përtej Kulmit të Botës me krahët e saj gjithë andej globit ku jeta ishte dhembje. “Shtegtarët u takojnë njerëzimit. Kënga e tyre tejshkon male e oqeane, krijon miq të cilët aq shumë na duhen në ecjen tonë”- foli Shtergu. Një hije engjëllore shkëlqeu në copëza krahësh mes kaltërsisë së horizontit. Çibuku lëshonte dredha tymi në shikimin tonë të kujdesshëm.
Vendlindja priste shtegtarët e shpresës shekujve. Shtërgu e Miku ishin aty.