
Vështrim për librin e z. Hys Hasa, “Vatra të atdhedashurisë kuksiane”, promovuar sot, me 21 mars 2026, në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” në Philadelphia.
Nga dr. Sadik Elshani
Hyrje
Ka vite që z. Hys Hasa me punën e tij studiuese e publicistike është bërë një autor e studiues serioz e prodhimtar, jo vetëm në diasporë, por edhe në Shqipëri e gjithë trevat shqiptare. Objekti i veprave të tij të botuara gjer më tani, 28 botime, janë historia, traditat, figurat e njohura të fshatit të tij të lindjes, Vilë, Qarkut të Kukësit, diasporës shqiptaro – amerikane, si dhe shumë figurave të ndritura të kombit tonë. Një vend të rëndësishëm në botimet e tij zënë edhe temat nga shërbimi i tij në Ushtrinë Shqiptare. Ai është pensionuar me gradën kolonel. Të gjitha këto botime i përshkon një frymë atdhedashurie, një ngrohtësi njerëzore, respekti për bashkëkombësit e tij, krenaria e ligjshme për ngjarjet historike nga e kaluara heroike e popullit tonë. Z. Hys e adhuron fshatin e tij të lindjes, e do Kukësin, Shqipërinë e gjithë trevat shqiptare Me shumë dashuri e sinqeritet ai shkruan për trungun e familjes së tij, shokët, figurat e shquara të kombit tonë, sepse ai është një njeri fisnik e burrë qe i ka hije fjala e vendi. Dikush ka thënë se, që ta duash vendin tënd, duhet ta njohësh atë mirë. Por, dashuria për atdheun bëhet edhe më e fortë kur je larg tij, kur e ndien mungesën e tij. Malli për atdheun ta përqendron më thellë mendimin, prandaj, botimet e z. Hys Hysës paraqesin ngjarje e figura të njohura edhe në detajet më të imta.
Me një këmbëngulje për t’ia patur zili, ai i grumbullon meterialet, kërkon informacione nga njerëz të ndryshëm të të gjitha fushave të jetës: arsimit, shkencës, teknikës, mjekësisë, mbrojtjes. Por, ai paraqet edhe njerëz të thjeshtë, sepse edhe ata e kanë përvojën e tyre jetësore, edhe ata e kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar për zhvillimin e përparimin e vendit. Është ajo përvoja, filozofia e popullit tonë, e zhvilluar gjatë shekujve, kryesisht nëpër odat shqiptare. Jo çdo gjë mësohet në shkolla, universitete e akademi. Veprat e Hyses janë nje mozaik që gur-gur e paraqesin një tabllo të plotë të subjekteve që ai trajton. Me botimet e tij ai është bërë një enciklopedi, kronist, dëshmitar serioz i jetës së trevës së Kukësit e më gjërë, diasporës shqiptaro – amerikane. Një vlerësim domethënës e mjaft përmbledhës për tematikën e veprave të z. Hys Hasa e ka bërë studiusi mjeshtëror i trevës së Lumës, profesor Shefqet Hoxha: “Për mua Hysa nuk është një individ, por një institut që nuk do të ngurroja ta quaja, “Instituti i Studimeve Biografike Hys Hasa””.
Vatra atdhedashurie
Libri që kemi në dorë, “Vatra të atdhedashurisë kuksiane”, në dy vëllime, siç nënkuptohet nga vetë titulli, objekt studimi ka disa familje të njohura, shtëpi të mëdha të trevës së Kukësit. Gjatë gjithë historisë sonë familjet e mëdha kanë luajtur një rol vendimtar në kultivimin e vlerave shpirtëror, ngritjen e mirëqenies materiale të popullit tonë, mbrojtjen e vendit nga armiqtë tanë të shumtë. Ndër shekuj janë të njohura shtëpitë, familjet, fiset e njohura: Kastriotët, Balshajt, Arianitët, Vlorajt, Frashëllinjtë e shumë e shumë të tjera. Autori në këtë libër me vlera të padiskutueshme historike, antropologjike, kulturore, krahinore e kombëtare është fokusuar në disa shtëpi të mëdha është fokusuar në 32 trungje familjare të trevës së Kukësit. Janë këto shtëpi të mëdha, shtëpi të njohura për rëndësinë e vlerat e tyre njerëzore e kombëtare, vatra të atdhedashurisë, trimërisë, besës, burrërisë, mikpritjes, bujarisë. Këto familje nuk janë të rëndësishme vetëm për numrin e madh të anëtarëve të familjes, por edhe për vlerat e tyre morale e kombëtare që ato i rrezatojnë, atdhedashurinë, autoritetin dhe respektin që ato kanë gëzuar në tërë krahinat ku kanë jetuar e vepruar. Ato kanë mishëruar karakterin e fortë të popullit tonë, fisnikërinë shqiptare.
Në odat e tyre të mëdha e të mbajtura mirë janë organizuar tubime ku është vendosur për fatin e vendit, janë organizuar shkolla ku fëmijë e të rritur kanë mësuar shkrim-lexim e janë brumosur me ndjenjat e atdhedashurisë. Në ato oda janë mbajtur gjallë traditat tona kombëtare, ka lulëzuar mençuria, filozofia jonë popullore. Aty është mbajtur gjallë historia jonë, aty është krijuar edhe një pjesë e mirë e folklorit tonë: anekdota, këngë kreshnike, përralla, etj. Këto familje, falë gjendjes së tyre të mirë ekonomike, angazhimin ndër vitë për mbrojtjen dhe çlirimin e zhvillimin e vendit e kanë vulosur identitetin dhe emrin e mirë të krahinave të tyre. Pothuajse të gjitha trungjet familjare të paraqitura në këtë libër ndajnë vlera të ngjashme kombëtare, por secila e ka fatin e vet të veçantë me episode të veçanta jetësore. Ato gjatë gjithë historisë së tyre i kanë ndarë së bashku edhe fatet e popullit tonë, ballafaqimet me sfidat e ndryshme për të mbijetuar.
Njerëz dhe ngjarje që bënë histori
Nga këto familje kanë dalur mjaft udhëheqës ushtarakë, fetarë, tregtarë të njohur, punonjës të administratës së kohës, mësues që kanë hapur shkolla shqipe dhe kanë përhapur dritën e diturisë. Vlen të ceket këtu veprimtaria atdhetare – arsimore e Harun Jakup Domit (1888 – 1968), i cili nga Rumania ka sjellur abetaret e para në rrethin e Dibrës dhe ka hapur shkollën e parë shqipe në Kalis, më 1921. Pjesëtar të trungjeve të këtyre vatrave të atdhedashurisë kanë qenë prijës, flamurtarë të luftërave të popullit tonë për liri e pavarësi. Në luftërat e Periudhës së Lidhjes së Prizrenit janë shquar: Haxhi Osman Vata, Maksut Mahmut Palushi, Islam Tahir Spahiu e shumë të tjerë. Islami ka qenë pjesëmarrës i Lidhjes dhe njëherësh edhe e ka pritur e përcjellur Abdyl Frashërin gjatë udhëtimit të tij për në Prizren. Në luftimet kundër forcave serbe të cilat në vitet 1912 – 1915 po masakronin popullsinë e pambrojtur shqiptare, janë dalluar: Nebi Zitë Mici, Nexhip Dullë Mici, Sheh Jahja Shehu, Latif Demir Jata e shumë të tjerë. Disa nga pjesëtarët e këtyre shtëpive të mëdha kanë marrë pjesë edhe në Luftën e Dytë Botërore, disa si përkrahës të Muharrem Bajraktarit që luftonin fashizmin, por ishin kundër komunizmit dhe disa të tjerë në anën e komunistëve, të cilët luftonin për ideologji komuniste. Shumë nga këta u bënë edhe vetë viktima të komunizmit.
Krenaria, dinjiteti njerëzor mbi të gjitha
Dallgët e stuhishme nëpër të cilat kaloi Shqipëria nuk i kurseu as këto familje fisnike, madje këto familje pësuan edhe goditjet më të rënda, sepse sipas komunistëve, ato mund të rrezikonin regjimin e tyre. Por, edhe në ato rrethana tepër të vështira këto familje e ruajtën fisnikërinë, atdhedashurinë, traditat burrërore, dinjitetin e tyre dhe kurrë nuk u përkulën para marrëzive komuniste. Kur Sigurimi i kërkon Shuaip Nelës bashkëpunim zbulim – kundërzbulim, ai u përgjigjet: “Po, nga vija e kufirit e jashtë në Jugosllavi jam plotësisht dakord, por përbrenda Shqipërisë nuk jam dakord”. Shaban Nela, vëllau i Shuaipit ka qenë babai i poetit martir, Havzi Nela, i varur në Kukës më 10 gusht të vitit 1988. Është edhe një rast tjetër që ilustrton karakterin e fortë burrëror të këtyre familjeve. Kur Latif Demir Jata i tregon vëllait të tij, Dinit, i cili ishte i dënuar me pushkatim, se ai (Latifi) e kishte takuar Enver Hoxhen dhe i kishte kërkuar që t’ia falnin jetën, por me një kusht që Dini te tregonte një nga shokët e tij.
Atëherë, Dini plot zemërim ia kthen vëllaut: “Paske bërë gabim…unë nuk mund të marrë njerëz në qafë kot, siç më kanë marrë mua…unë nuk shpif dot. S’ka më keq kur burri i pret shokët në besë…ti vëlla luftove për këtë regjim, por ky është më i zi se ai i pari”. Ja, pra, njerëzit me karakter të fortë e tradita të shëndosha familjare e kombëtare, më parë e pranojnë vdekjen sesa nënshtrimin, poshtërimin. Ka edhe mjaft episode e ngjarje të tjera interesante nga historia, sfidat e jetës së këtyre shtëpive të mëdha, të cilat me besnikëri e saktësi paraqiten njëra pas tjetrës në faqet e këtij libri – këtu ne sollëm vetëm ca fragmente sa për ta ngacmuar pak kërshërinë e lexuesit.
Tradita vazhdon…
Ajo qe i bën këto familje edhe më të mëdha e të rëndësishme, është vazhdimësia e këtyre vlerave e traditave të trashëguara te brezat më të rinj, janë pasardhësit e tyre që i rrezaktojnë ato vlera, duke u dhënë një emër të mirë e të respektuar të parëve të tyre. Janë me qindra pasardhës ttë dalë nga trungjet e këture familjeve që kanë arritur suksese në të gjitha lëmitë e jetës shoqërore, politike, kulturore, arsimore, ekonomike, shkencore, teknike, sportive, etj. Të përmendim këtu vetëm disa prej tyre, pa lënë anash edhe shumë e shumë të tjerë: prof. dr. Lefter Daku, profesor në Universitetin Virxhinia Tech (nga trungu i familjes së Daut Vehap Dakut); profesori i mjekësisë, onkologu dr. Fadil Spahiu, profesori universitar i fizikës, prof. dr. Dritan Spahiu – që të dy nga trungu familjar i Islam Tahir Spahiut; shkencëtari, Esat Bilalli, nga familja e Hamëz Bilallit; Abdulla Nurë Domi, Kryetar i Këshillit të Qarkutt ë Kukësit (vitet 2019 – 2023), nga trungu i familjes së Avdullah Shaban Domit.
Diçka për në fund
Sikurse në librat e tjerë edhe në këtë vëllim z. Hys Hasa në mënyrë të detajuar e me plot adhurim e dashamirësi ka pasqyruar jetën e familjeve, shtëpive të mëdha të Kukësit, si shtylla të forta të kombit tonë, që kanë mbajtur peshën e rëndë të historisë, vatra të atdhedashurisë, qëndresës e traditave tona të shkëlqyera kombëtare, duke çuar përpara edhe ndërtimin e zhvillimin e vendit. Jeta e secilës familjeje të paraqitur në këtë libër është një roman më vete, prandaj lënda që paraqitet e shtjellohet këtu është mjaft e bagatë – në çdo faqe parakalojnë ngjarje nga historia dhe e përdtshmja jonë, është portretizuar bukur një galeri e tërë portretesh të figurave të njohura e më pak të njohura të historisë sonë, por edhe shumë të atyre që me punën e tyre profesionale, me të arriturat e tyre në lëmitë përkatëse janë duke shkruar faqet më të reja të historisë sonë, janë duke ia ngritur emrin e mirë vendit e kombit tonë.
Për lexuesin ky libër do të jetë një lexim i këndshëm, sepse ofron mjaft të dhëna: histori familjare, ngjarje nga e kaluara dhe e tanishmja jonë, emra e data të rëndësishme. Ky libër me plot histori ka edhe karakter enciklopedik, etnograhik, folklorik e antropologjik. Është me rëndësi të veçantë, sidomos për hulumtuesit e studiusit që merren me historinë, dukuritë shoqërore dhe aspektet e tjera jetësore të zonës së Kukësit. Me këtë libër z. Hys Hasa i ka ngritur një përmendore kujtesës sonë kombëtare.
Duke përfunduar këto radhë, e pergezoj përzemërsisht autorin për punën e tij me plot përkushtim, vlerësimet e qarta për personalitetet e ngjarjet historike e të ditës së sotme, për sinqeritetin, gjuhën e drejtpërdrejtë dhe atdhedashurinë e zjarrtë që na percjell. I dëshirojmë z. Hys Hasa shëndet e krijimtari të begatshme!
Philadelphia, më 21 mars 2026