Nga Alma LIÇO/Ishte një ditë e zakonshme shkurti. I ftohti i hidhur i janarit ja kishte lënë vendin ditëve relativisht më të ngrohta. Po ecja e shkujdesur në rrugët e qytetit kaotik e të betonizuar. Babëzia e ndërtimeve të pallateve në formë kullash, jashtë çdo kriteri urbanistik, pothuajse e ka shndërruar në të pabanueshëm qytetin tim të lindjes. Dhe gjithë kjo gjëmë ndodh duke grabitur toka, troje, e duke tjetërsuar në mënyrë të paskrupullt pronësinë e tyre. Kjo masakër është kryer me bekimin dhe në favor të personave të veshur me pushtet, pinjollë të komunizmit. “Padronët” e Shqipërisë gllabëruan e vazhdojnë të grabisin gjithçka, duke flakur tej, të lodhur, të dekurajuar, të zhgënjyer, pronarët e vërtetë, të çpronësuar e përdhosur nga diktatura më mizore në historinë e këtij vendi të përçudnuar.
Duke u afruar drejt qendrës së qytetit, nuk ka si të mos më tërheqë vëmendjen një kullë e lartë, ende në ndërtim e sipër, që ngjason me një shishe gjigante të përmbysur. Boshllëqet që ndoshta do të shërbejnë në të ardhmen si dritare, i japin asaj pamjen e shqyer të kafshimeve të shkaktuara nga dhëmbë të stërmëdhenj. Sa herë më bie rruga pranë saj, më kaplon një ndjenjë pakënaqësie që ndërthuret me frikë e pasiguri. Seç kam një parandjenjë të trishtë se mos ndonjë copë beton do të bjerë nga lartësitë, për t’u përplasur mbi kokat e kalimtarëve. Akoma më kërcënuese e bën situatën vinçi i lartë pranë saj, stoik dhe i palëvizshëm, që duket sikur do shkëputet nga mbajtëset e tij, për t’u rrëzuar mbi trotuar.
Si kurrë më parë, ndën atë kullë të betontë, atë ditë kishte shumë njerëz, që me sytë në drejtim të lartësisë, po shihnin diçka, me sa dukej, të pazakontë. Ndonëse nuk më pëlqente aspak të hidhja vështrimin në majën e asaj kulle, si për inerci, instiktivisht, sytë e mi të tmerruar u ndalën majë vinçit, ku një fatkeq, i hipur mbi të, ishte i gatshëm të vetëflijohej. Dukej aq i vogël dhe i pambrojtur mbi ato hekura që të krijonin përshtypjen sikur preknin qiellin. E mbërthyer nga kthetrat e pamëshirshme të vdekjes, një jetë ishte e rrezikuar të shuhej tragjikisht. Mjaftonte një shkëputje e beftë, një shkarje e vogël, që ai i pafat të largohej padrejtësisht nga kjo botë, nga një vend të cilin cinizmi i qeverive dhe i njerëzve e ka katandisur të përjetojë një tranzicion rraskapitës, që duket sikur nuk do të ketë fund.
E tmerruar sa më s’ka, u ndala të kuptoja çfarë po ndodhte. Pamja e qytetarëve që po ndiqnin këtë skenë makabre, më konfuzoi mjaftueshëm. Pashë fytyra të tronditura, por edhe të tjerë thjesht kuriozë e të ekzaltuar, si të ishin duke ndjekur ndonjë ekzibicion cirku. Madje, kishte tek tuk dhe ndonjë të pashpirt, që thërriste:
– Hidhu, se na le këtu. Mos e zgjat…..jepi……
Nuk po u besoja veshëve. Mungesa e empatisë ishte frikësuese. Vallë kaq kriminale ishin instiktet e disa prej bashkëqytetarëve të mi, sa ta konsideronin sport zbavitës humbjen tragjike të jetës së një njeriu?
………..Fundja…… pse duhej të çuditesha?
-A nuk ishin shqiptarë, ata që masakruan e vranë për gjysëm shekulli vëllezërit e tyre, vetëm se kishin bindje të ndryshme politike nga ata?
-A nuk vijuan me degdisjen më pas të grave e fëmijëve të djepit në kampe me tela, me gjemba, shumë prej të cilëve, për shkak të kushteve çnjerëzore nuk arritën të mbijetojnë? Krijesa të vogla, të tretura në pafajësinë e tyre, që u varrosën nga duar të dridhura nënash të vetmuara.
-Vallë, nuk ishin bashkëatdhetarë të mi, ata që u vunë kazmën objekteve të kultit, duke torturuar e çfarosur klerikët, si në asnjë vend tjetër të botës?….
….e sa, e sa gjëma të tjera rrënqethëse shkaktuan bashkëqytetarët e mi, në emër të një ideologjie kriminale…. monstër që shqeu bijtë e vet…….
Për një moment, u shkëputa nga ato refleksione të trishta, për të kuptuar shkaqet që e kishin detyruar atë të gjorë, të arrinte në kufijtë e vetflijimit. Nga bisedat sporadike të kureshtarëve, arrita të dëgjoja se ai burrë, që dukej aq i vogël e i pambrojtur majë atij vinçi, baba i tre fëmijëve, ishte duke protestuar kundër të gjithë gënjeshtrave dhe mashtrimeve të qeverive të rradhës, për të përfituar të hollat e premtuara të dëmshpërblimit për vitet e burgut, gjatë regjimit komunist. Me sa dukej, i ishte sosur durimi. Dëshpërimi i manifestuar në mënyrë aq dramatike, si dhe shtysa për të ndërmarrë aktin ekstrem të vetëvrasjes, më sollën në kujtesë, se për të njejtat arsye, disa vite më parë, një bashkëvuajtës i tij, pas një greve të shpërfillur urie, dhe indiference totale të përgjegjësisë së shtetit për të zbatuar ligjet e miratura nga vetë ai, i vuri flakën vetes. Askush nuk e dëgjoi, askush nuk e parandaloi atë veprim makabër, ekstremisht të dhimshëm. Kërrkush nuk u ndje përgjegjes për atë akt tragjik. Humbi jetën disa ditë më pas, i djegur e përvëluar.
Në rradhat e padenja dhe të stërzgjatura të haraçit të dhimbjes, më kishte rastisur të shihja të moshuar të vuajtur, që duke u dridhur shtrëngonin dosje e dokumenta nëpër duar, në koridorin e ngushtë, të një zyre të vetme, për të gjithë Shqipërinë. Ato letra mbartëse të terrorit e padrejtësisë, duhej të rinovoheshin vazhdimisht që ata mijëra viktima të krimit komunist, të përfitonin dëmshpërblimin fyes, të katandisur në thërrime përçmuese, lëmoshë e turpshme, e shtrirë në pafundësinë e viteve. Dhe ata të gjorë, duhej të ktheheshin aty sërish, deri në pafundësi, nëse do të ishin aq me fat sa kontrata misterioze me vitet dhe jetën, t’ua mundësonte këtë gjë. Kishte rastisur të shihja me dëshpërim të shtyheshin e keqtrajtoheshin me arrogancë gjatë përpjekjeve për të marrë një përgjigje të qartë e korrekte pranë asaj zyre. Kjo ndodhte rëndom, veçanërisht pas gënjeshtrave të publikuara në shtypin abuziv, që në përpjekje për të shitur ato fletushka të pavlera, luanin me mjerimin dhe gjakun e pashpaguar të viktimave. Kishte nga ata që nën ndikimin e pritjeve të gjata, të ndjeheshin keq, e të largoheshin zvarrë, për t’u rikthyer përsëri në të njejtin ferr pritjeje të pafund.
E pra……tek ai i mjerë që lëkundej majë vinçit, brenda pak çastesh imagjinova dhe ndjeva të gjitha padrejtësitë që kishin shoqëruar në vite atë proçes të turpshëm. Isha mëse e bindur se ai i dëshpëruari, zhgënjimi i të cilit kishte mbërritur në kufijtë e humbjes së dëshirës për të jetuar, kishte provuar në kurriz mashtrimet dhe talljet e paskrupullta, kishte pësuar fyerjen, përplasjen e dyerve në fytyrë……..ndoshta ai i ngratë nuk kishte një shtëpi ku të fuste kokën…..apo të holla për të ushqyer femijet…
Dëshpërimisht, po mundohesha të kuptoja atë që po ndodhte në psikikën e tij të rënduar. Arrestimi, hetuesia, torturat, burgu i padrejtë për shumë e shumë vite, puna e rëndë, ndarja nga familja dhe gjithë të afërmit e tij….. këtij kalvari tmerri ai i gjorë, i kishte rezistuar. Ishte ajo e mbinatyrshmja, që e kishte mbajtur gjallë, me bindjen e magjishme se një ditë do rifitonte lirinë, e shpëtonte nga ai ferr. Ishte ajo hyjnorja, shpresa. Por me sa duket, ajo ndjenjë e bukur ishte ngatërruar keqas me pritshmëritë e natyrshme ndaj saj, duke pasuar me zhgënjimin. Keqpërdorimi i tejskajshëm i vuajtjeve, demagogjia e pështirë, ndoshta e kishin gjunjëzuar atë burrë. Shpresa dhe zhgënjimi. Anë të kundërta të së njejtës monedhë. Njëra rrezatuese, tjetra e zhytur në lot. Një dyzim ndjenjash, një konfuzion mbytës, e dilemë e pafund.
Vërtet duhej të vdiste? A e meritonte vallë një fund të tillë? A do pranonte triumfin e dëshpërimit të këtyre përmasave? A do të lejonte të mbeteshin jetimë fëmijët e tij, ndoshta dhe më të varfër e pambrojtur se më parë….. …
Teksa isha zhytur në këto përjetime të zymta, thirrjet e njerëzve me uniformë, për të zbritur prej andej, e për të dialoguar me autoritetet, sikur e çtendosën disi situatën. Nuk mund ta dija, nëse ishin ato thirrje të përsëritura, apo një frymë hyjnore, dhuratë e Zotit, që vinte nga Katedralja aty pranë, që e lëkundën dhe tulatën disi kryerjen e aktit makabër. Ndoshta ishte një qartësi e beftë sa njerëzore, po aq dhe hyjnore, që e orientoi atë të heqë dorë nga fundi tragjik. Me gjithë varfërinë, ai baba duhej të ishte i pranishëm teksa fëmijët e tij rriteshin…. Ai duhej të jetonte atë që dhurohet vetëm një herë, atë të mistershmen dhe paparashikueshmen…. ai duhej të jetonte krijesën sa të mundimshme, po aq dhe të mrekullueshme të Zotit, jetën.
Mbase ishte kjo forcë e padukshme, ky reflektim i mjegulluar, që ndoshta e bindi të hiqte dorë nga akti i vetëvrasjes. Disa minuta më pas, ia doli të zbresë në mes të turmës. Një ëngjëll mbrojtës e kishte ndihmuar duke e mbajtur në krahët e tij. Por unë nuk munda ta shihja, aq më pak t’i afrohesha. Shpërndarja e njerëzve më bëri të kuptoj se edhe ai ishte larguar prej aty, për t’ju bashkuar familjes që e priste me zemër të copëtuar.
Sa do dëshiroja të artikuloja një ngushëllim premtues, për t’ja bëlbëzuar vetes. Një të vetëm. Kisha kaq nevojë. Por nuk mundesha dot. Më mbetej në fyt, për t’u zhdukur më pas në labirintet e padrejtësive që kanë paralizuar çdo qelizë të ekzistencës…….më kot kërkoja pak frymëzim. Ai kishte ngecur në rrjetën e thirrjeve çnjerëzore të asaj dite, ishte tretur në panelet e tavolinat luksoze të vendimarrjes hipokrite dhe babëzisë banditeske të përfaqësuesve të politikës shqiptare.
E megjithatë, imazhi i atij të vuajturi mbi ato mbajtëse hekuri, që mes dëshpërimit dhe dilemës ja doli të kapërdinte shtysën e vetëflijimit, më transmetoi një ngarkesë me përmbajtje pozitive. Në atë ylber të ndritshëm të triumfit mbi vdekjen, së bashku me heqjen dorë nga akti ekstrem i vetëvrasjes, ai i panjohur, sikur më dhuroi një copëz të dashurisë për jetën e pajetuar të qindra mijra shqiptarëve që nuk patën fatin të mbijetojnë, por e humbën atë në birucat apo galeritë e burgjeve mizore të komunizmit. U shuan në emër të drejtësisë së munguar, që me kthetrat e saj e saj të pabesa, vazhdon ende dhe sot e kësaj dite të shkaktojë viktima të pafajshme. Deri kur??????????
Tiranë, shkurt 2017