
Bashkëpunëtori i gazetës Dielli, historiani Ndue Bacaj u largua prej nesh përgjithmonë. Në New York, më 30 maj 2025, në moshën 71 -vjeçare, shkrimtari, publicisti, studiuesi i përkushtuar dhe historiani i trevës së Malësisë kaloi në amshim duke lënë pas një trashëgimi të çmuar të veprave të tij studimore. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe Gazeta “Dielli” i dërgojnë familjes, miqve e bashkëpunëtorëve të tij ngushëllimet më të dhimbshme për ndarjen nga jeta. Ndue Bacaj pjesëmarrës në disa simpoziume brenda dhe jashtë atdheut, është vlerësuar nga Bashkia e Malësisë së Madhe me titullin e lartë “Qytetar Nderi” e njëkohësisht është nderuar e vlerësuar nga disa shoqata e organizata patriotike për punën e tij publicistike. Ndue Bacaj ishte modeli i njeriut patriot, korrekt, i ndershëm dhe punëtor. Gazeta Dielli e përkujton me respekt të veçantë kontributin e tij në lartësimin e figurave kombëtare, ngjarjeve e datave të shënuara historike.
I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për jetën dhe veprën e tij.