
E nderuar familja Prifti/
E dashur dhe e çmuar mikja dhe bashkëpunëtorja jonë e ngushtë Rafaela
Me trishtim dhe keqardhje të thellë mësova lajmin e largimit nga jeta tokësore të babait tuaj të nderuar, njeriut të madh të letrave shqipe, shkrimtarit të apasionuar, njeriut të mençur të fjalës shqipe, mjeshtrit të prozës e tregimit, mikut tonë, patriotit të madh, linguistit, njeriut të veçantë, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Naum Prifti.
Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e babait tuaj të shtrenjtë e të pa harruar.
Me ikjen e Naum Priftit, Vatra humbi ish-sekretarin e saj që kontribuoi për 15 vjet, gazeta Dielli humbi kontributorin dhe bashkëpunëtorin e saj më të ngushtë prej dekadash me radhë, kombi shqiptar humbi një emër të nderuar në fushën e letërsisë e gjuhësisë. Mediat humbën një penë të mprehtë, mërgata e Amerikës humbi një zë të fuqishëm që kontribuoi me dekada për komb e atdhe.
E dashur Rafaela
Zoti ju dhashtë forcë për të përballuar dhimbjen për humbjen e babait tuaj të dashur e të shtrenjtë.
Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë jush e familjes Prifti, familjarëve, miqve e dashamirësve tuaj në këto momente trishtimi, lamtumire e humbjeje të pa kthyeshme. Lusim Zotin për shpirtin e të paharruarit Naum Prifti.
Shpirti i pushoftë në paqe e përjetësi.
I pikëlluar
Pranë jush dhe me nderime
Kryetari i VATRËS
Elmi BERISHA