Dr. Emira Bajçinca- Konjufca/
Kuptimet e 28 Nëntorit janë shumëdimensionale andaj të tilla duhet të jenë edhe perspektivat e studimit të tij. Së pari kjo datë duhet të shtjellohet nga dimensioni i përfytyrimit kolektiv shqiptar. Qysh nga rezistenca e Gjergj Kastriotit përvijohet një koncept embrional i një formacioni arbëror (parashqiptar). Çka i priu 28 Nëntorit? Ngjeshje dhe sublimim i ç’përpjekjesh e ideshë shekullore është Dita e Flamurit?
Ahistorizmi ka të bëjë me strukturën e imagjinares identitare e cila e supozon ekzistencën e përhershme të një ‘Shqipërie’ që është atdheu legjitim i shqiptarëve. Shqipëria perceptohet si Iliria e dikurshme e cila është transformuar gjatë mesjetës si Arbërí, por e cila doli në modernitet me identitet kolektiv të vetëdijshëm.
Sipas kësaj skeme Shqipëria ekzistonte edhe gjatë mesjetës, dhe u konfirmua fuqishëm gjatë luftërave të Skënderbeut kundër pushtimit otoman. Sipas Hyllit të Dritës Skënderbeu po e mbronte ‘Shqipërinë’. Një ‘Shqipëri’, pra, e cila ekzistonte tashmë. Në anën tjetër Perandoria Osmane pretendohet se e pushtoi dhe e ‘copëtoi’ këtë ‘Shqipëri’ kur e organizoi popullin shqiptar në 4 vilajete.
Po ashtu, kjo ‘Shqipëri’ imagjinare u ‘copëtua’ tutje nga Kongresi i Berlinit dhe ky fat tragjik vazhdoi edhe me Konferencën e Londrës. Vendoset pra një ‘Shqipëri’ e sigurtë por ahistorike, një ‘Shqipëri’ imagjinare e cila konstruktohet gjithmonë në pozicion pësor. Kaluan mbi të armiqtë më të ashpër e perandoritë e shumta të botës. E pushtuan, e robëruan, e dhunuan dhe e shfrytëzuan, e copëtuan dhe e sakatosën, por ajo vazhdon të ekzistojë si koncept i pastër.
Ky koncept i pastër i ‘Shqipërisë’ ahistorike dhe imagjinare u farkëtua gjatë Rilindjes Kombëtare. Konceptet e Hyllit të Dritës duhet të situohen plotësisht brenda ligjërimit të Rilindjes Kombëtare. Kësaj Shqipërie në një nga poezitë e tij kushtuar 28 Nëntorit, Gj. Fishta ia jep edhe kufijtë e vet natyrorë:
Po, por neser, me nihmë t’Zotit
Do t’a bâjm prap Shqypnië t’lirë
Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,
Prej Tivarit n’Monastirë;
Edhè flamuri i Shqypniës,
Si flakë mnije t’Perendiës,
Do t’valvitet m’Kaçanik.[1]
Një qasje e dytë na orienton që 28 Nëntorin duhet ta shqyrtojmë nga aspekti i kohës së vet. Përderisa etapa e parë e përfytyrimit kolektiv përshkohet nga kodi romantik, dëshmitë e shumta të protagonistëve dhe eksponentëve të 28 Nëntorit tregojnë për të gjitha komplikimet e mundshme. Kjo është një perspektivë realiste e mbushur me kundërthënie e gabime, inate, luftëra politike e intriga nga ku mund ta shquajmë kontrastin e plotë të realitetit të egër politik me idealin e përfytyrimit romantik.
Ismail Qemali e braktisi Shqipërinë në favor të një protektorati ndërkombëtar dhe fati i Shqipërisë deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore rrugëtoi nëpër fijen e perit. Fuqitë e Mëdha, vendosën që princi i ardhshëm i Shqipërisë të propozohej nga Austro-Hungaria dhe Italia. Më 28 nëntor të vitit 1913 u vendos që princi i Shqipërisë të ishte Wilhelm-i i Wied-it. Ky vendim pati jehonë pozitive në qarqet përparimtare shqiptare[2].
Një rrafsh i tretë ka të bëjë me shndërrimet e shumëfishta të 28 Nëntorit shikuar nga analiza e diskursit të pushteteve historike. Mbretëria zogiste e strukturoi duke e nënvlerësuar rolin e atyre revolucionarëve qe iu bënë ‘kundërshtarë’ kurse komunizmi i vuri në spikamë figurat e ‘vegjëlisë’ në kurriz të ‘feudalëve reaksionarë’ dhe ‘borgjezëve kolaboracionistë’.
Por 28 Nëntori gjithmonë triumfon. Ai është ndjesia kolektive e identitetit që do të festohet përgjithmonë, pavarësisht konteksteve historike, rrjedhave shoqërore apo ngjarjeve të ndryshme politike.
Ngritja e flamurit në Vlorë ishte një projekt i planifikuar dhe i organizuar mbarëkombëtar me synim të ‘shpalljes së pavarësisë’. Ky nuk ishte një flamur i ngritur pas betejës thjesht për ta konfirmuar fitoren apo identitetin. 28 Nëntori ishte projekt politik për mëvehtësi. Së dyti – 28 Nëntori, ndryshe nga ngjarjet e mëparshme, u njoh nga disa faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Dhe – së treti – ngjarjet e deriatëhershme nuk maten me 28 Nëntorin për nga entuziazmi dhe jehona mbarëkombëtare që ngjalli dhe mobilizoi.[3]
[1] Hylli i Dritës (Nr. 2, 1921), fq. 71.
[2] Duka, Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912- 2000, (Kristalina KH, Tiranë, 2007), fq.53.
[3] Shih Hylli i Dritës (Nr. 11, 1937), fq. 527.