Nga Astrit Lulushi/
Njeriu paturp është arrogant. Ai e di që s’e prek njeri; është i fuqishëm, i pushtetshëm, pra ndjehet i sigurt. Kështu mund të kuptohet pushtetari sot; ka pushtet prandaj s’ka turp, ose edhe anasjelltas.
Duhet të jesh i paturpshëm për të marë një pozitë të lartë sot në Shqipëri; nuk duhet të kesh turp nëse ke qenë spiun, informator, polic vullnetar, fuks, hetues, prokuror e deri ministër në kohën e diktaturës, për të aplikuar, për t’u komanduar a vendosur në poste me përgjegjesi. Kaq të sigurt ndjehen ata.
Siguria morale është shenjë inferioriteti kulturor, thotë H. L. Mencken, gazetar amerikan, eseist, gjuhëtar, leksograf filozof (1880-1956). Pra, sa më i pacivilizuar është njeriu, aq më i sigurt është se di saktësisht se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Por dihet se gjithë progresi njerëzor, përfshi moralin, ka qenë punë e njerëzve që kanë dyshuar në vlerat morale të kohës, dhe jo e njerëzve që janë përpjekur t’i zbatojnë ato.