Me datën 4 shkurt, Ambasada Shqiptare ne Londër në bashkëpunim me Shoqatën Anglo – Shqiptare, organizuan një mbrëmje për nder të Profesorit, Sir Noel Malcolm, Presidenti aktual i nderit i shoqatës.
Profesor Malcolm ka marrë vetëm pak javë më parë nga Madhëria e saj Elizabeth II, titullin Kalorsiak Sir i cili përbën një ndër nderet më të mëdha dhe titujt më të nderuar që një individ mund të marrë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sir Noel Malcolm është nderuar me këtë titull për kontributin e tij të çmuar në fushën e botimeve, gazetarisë, studimeve historike, analizave të thella që ai ka botuar në vazhdimësi. Ambasada shqiptare, duke vlerësuar punën e tij të madhe, e nderoi atë në veçanti për kontributin e jashtëzakonshëm dhe nderin që i ka bërë historiografisë shqiptare, me studimin e tij “Kosova, një Histori e shkurtër”.
Ne fjalën e tij Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar theksoi rëndësinë që ka për vetë bashkësinë shqiptaro – britanike vepra e një studjuesi kaq të shquar të historisë së shqiptarëve në Ballkan dhe për më tepër një miku si Sir Noel Malcolm. Ai shtoi se sa ndikim të madh ka pasur libri i Sir Noel Malcolm në njohjen e së vërtetës mbi Kosovën dhe njohjen e pavarësisë së saj.
Në fjalën e tij, Kryetari i Shoqatës Anglo – Shqiptare, ish-Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, z. Stephen Nash vuri në dukje kontributin e Sir Noel Malcolm në dobi të çështjes shqiptare në Ballkan. Po ashtu ai ftoi antarët e shoqatës që të vazhdonin përpjekjet në njohjen e kontributit të anglezëve në dobi të çështjes shqiptare.
Më pas, Sir Noel Malcolm, në një përshendetje dhe falenderim shumë elokuent falenderoi Ambasadën e Shqipërisë, Shoqatën Anglo – Shqiptare si dhe Ambasadën e Kosovës në Londër nëpërmjet pranisë së zv/Ambasadorit të saj, studjuesit dhe botuesit z. Bejtullah Destani.
Nderimi për Sir Noel Malcolm, edhe në cilësinë e Presidentit të Nderit të Shoqatës Anglo-Shqiptare ishte një tjetër ngjarje e rëndësishme e organizuar nga miqtë dhe dashamirësit e Shqipërisë në Londër.
Sir Noel Malcolm, vetëm pak ditë më parë ka përfunduar një studim të plotë për historinë e Shqipërisë me titull “Ernesto Cozzi (1870 – 1926). Një figurë e lënë pas dore në Studimet dhe në Historinë e Shqipërisë”.