Nga Vepror Hasani*/
KORÇË- Më në fund shpresat për një Skënderbe të lavdishëm u bënë të mëdha. Në ekipin e Skënderbeut pritej të vinte Qemal Omari. Qyteti i Korçës dinte gjithçka që thuhej për të. Do ta emëronin kapiten të përgjithshëm të futbollit, në të njëjtën kohë do të ishte dhe trajner. Gjithçka do të lihej në dorë të tij. Askush nuk do t’i ndërhynte. Për skuadrën e Skënderbeut gjithçka do të niste nga e para. Ai do ta rikrijonte atë sipas mënyrës së vet. Besimi te Qemal Omari ishte i madh. Sigurisht, nuk mungonin as skeptikët, por ata ishin të pakët. Omari kishte një përvojë të madhe sportive. Kishte luajtur me skuadrat e Stambollit. Prisnin, që pas kësaj futbolli korçar të merrte një trajektore tjetër- atë të fitoreve të mëdha. Besonin te mençuria dhe dhuntitë e tij. Ardhjen e Omarit e priste me padurim edhe themeluesi i ekipit të Skënderbeut, Fazlli Frashëri, i cili njihej nga të gjithë për patriotizmin e tij. Frashëri kishte qenë pjesëmarrës edhe në ditën e çlirimit të Vlorës. “Gazeta e Korçës”, 4 shtator 1920, shkruante: “Në festimin për lirimin e Vlorës, i cili do të mbahet më 2, vjesht e I-rë, si përfaqësues i Korçës, shkoi nga senatorët z. Fazlli Frashëri, bashkë më z. Pandeli Calen dhe Tefik Panaritin”. (Tefik Panariti, kryetar i parë i qeverisë së krahinës autonome në Korçë, shënimi ynë V.H). Ardhja së shpejti e Qemal Omarit e kishte ngazëllyer Frashërin. E kishte ëndërruar gjatë shfaqjen e një njeriu të tillë në ekipin e Skënderbeut. Omari po vinte si një njeri i rënë befas nga qielli. Gjithashtu, ekipit të Skënderbeut do t’i shtohej edhe dikush tjetër. Ai ishte qendërsulmuesi Servet Teufik Agaj. Këta do të ishin tre njerëzit që do t’i dhuronin lavdi Skënderbeut. Gjithçka do të fillonte në pranverën e vitit 1931.
Futbolli korçar
Deri atëherë futbolli korçar nuk kishte patur ndonjë përvojë kushedi se çfarë. Todo Vaso, Mjeshtri i merituar i sportit, tek një artikull ku flet për historinë e futbollit korçar, shkruan: “Skuadra e parë në Korçë me emrin “Vllazëria” ishte krijuar më 14 prill të vitit 1909 nga Hil Mosi”, duke identifikuar me këtë datë fillimet e sportit korçar, por në të vërtetë kjo shoqëri nuk ishte sportive. Sigurisht, ashtu si në çdo vend tjetër të botës djemtë e shoqërisë “Vllazëria” luanin edhe futboll, por nuk ishin ekip futbolli. Thanas Viso Mborja te “Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar”, f. 22, në lidhje me këtë shoqëri, shkruan: “ Më 7 prill të vitit 1909 u mblodhëm në sallën e klubit të ‘Diturisë Shqip”, Hil Mosi, Thanas Floqi dhe unë (Thanas Viso Mborja), dhe aty shtruam nevojën e organizimit të djemve të rinj të Korçës në një shoqëri të tyre. Pasi e biseduam mirë çështjen në këtë mbledhje, vendosëm më në fund të krijonim shoqërinë e djalërisë shqiptare me emrin “Vllazëria”. Kjo shoqëri kishte për qëllim të mbillte në gji të djalërisë shqiptare ndjenjat e dashurisë, të bashkimit dhe të vllazërimit, t’u mësonte atyre shkrim dhe këndim, t’i zhvillonte nga ana fizike me anë të stërvitjes gjimnastikore”. Pra, nga sa shihet më sipër, nuk bëhet fjalë fare për ndonjë shoqëri sportive, por për një shoqëri shkollore. Dhe jo vetëm kaq, kjo shoqëri që përbëhej vetëm nga djemtë ortodoksë, kishte si qëllim të parë shkëputjen e tyre nga “kthetrat” e kishës greke dhe mësimin e gjuhës shqipe. Kryetar i shoqërisë “Vllazëria” nuk ishte Hil Mosi, por A. Pirro Korça dhe veç kësaj, kjo shoqëri nuk mundi të kishte aktivitet. Ndaj ardhja e Qemal Omarit dhe e Servet Teufik Agajt ishte shpresa e vetme për një ndryshim të madh.
Pas vitit 1920
Dhe ndërsa prisnin ardhjen e Qemal Omarit, (kapiten dhe trajner njëkohësisht), pse jo edhe të Servet Teufik Agajt, (edhe ai luante në Stamboll), gjithkush kujtonte me nostalgji rrugën nëpër të cilën kishte ecur futbolli i Korçës. Përpjekjet e Korçës për të patur një skuadër të denjë futbolli kishin nisur pas vitit 1920. Më 1923 u themelua shoqëria “Shpresa” e liceut frances. Bashkia e Korçës nuk e kurseu ndihmën ndaj kësaj skuadre që ajo të ngrihej në nivelin e shumëndërruar. Madje në shtypin e kohës gjejmë edhe informacione të tilla, ku thuhet: “Falenderojmë nxehtësisht Bashkinë e Korçës, e cila pati mirësinë të ndihmojë shoqërinë tonë për të realizuar programin e saj sportiv me një shumë prej 500 franga ar. Shpresojmë që gjithë përkrahësit e sportit të na ndihmojnë qoftë edhe me dhurata të vogla. Kryetari i shoqërisë “Shpresa”, Refi Kasimati”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 7 shkurt 1925). Pas shoqërisë “Shpresa” u krijuan edhe shoqëri të tjera sportive, madje Fazlli Frashëri u bë themeluesi i dy shoqërive sportive; i sportklub Korçës dhe i Skënderbeut, të cilat mbetën të shënuara në historinë e futbollit të Korçës si dy nga ekipet më të sukseshme të asaj kohe. Tashmë Frashëri ishte i sigurtë se me ardhjen e Qemal Omarit dhe të Servet Teufik Agajt, vlerat e sportistëve korçarë do të dilnin në pah dhe ata do të bënin emër.
Sportklub “Korça”
Sigurisht, themeluesi i sportklub Korçës ishte Fazlli Frashëri. “Gazeta e Korçës”, 17 gusht 1926 shkruante: “Këto ditë u themelua këtu në Korçë klubi sportiv nën kryesinë e z. Fazlli Frashëri, i cili kohët e fundit po tregon një energji me pasion për organizimin e sportit. Këto ditë do të kërkojnë lejen e qeverisë dhe do të nisin nga veprimet…”. Fazlli Frashëri mundi ta ngrinte në këmbë shumë shpejt këtë skuadër, madje edhe të ndeshej me ekipet e vendeve fqinje. Këtë gjë e mësojmë nga shtypi i kohës: “Sot u nisën për në Manastir lojtarët e sportklub “Korça”, nën kryesinë e kryetarit të klubit z. Fazlli Frashëri për të dhënë një maç futbolli me lojtarët e sport klub “Bitola”, prej të cilit dhe u ftua. Maçi do të bëhet nesër pasdreke dhe lojtarët tanë do të kthehen pasnesër, të hënë. Ju urojmë sukses të plotë. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 18 shtator 1926). Fill pas sportklub “Korça” erdhi në jetë edhe një skuadër tjetër: “U formua në qytetin tonë (Korçë) një grup sportiv me emrin “Zhgaba” dhe dje mori pranimin duke u njohur zyrtarisht. I urojmë të suksesojnë dhe të përparojnë”. (“Zëri i Korçës”, 23 nëntor 1926). Megjithatë, pavarësisht nga skuadrat e tjera që po krijoheshin, Sport klub “Korça”, kishte nisur të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. Jashtë kësaj vëmendjeje nuk mbeti as Presidenti i asaj kohe, Ahmet Zogut. Shtypi i kohës shkruante: “Prej burimesh të sigurta informohemi se Shkëlqesia e Tij, Ahmet Zogu, Kryetar i Republikës Shqiptare, i dhuroi sportklubit “Korça” 1000 franga ari si ndihmë që të mund të zhvillohet dhe të përparojë. Shkëlqesia e tij ka përkrahur kurdoherë artin, sportin, muzikën moralisht dhe materialisht dhe djelmuria ka mbetur kurdoherë e kënaqur dhe çfaq falenderimet”. (“Zëri i Korçës”, e shtunë, 29 janar 1927).
Skuadra të tjera
Sportit të Korçës nuk i kishte munguar kurrë ndihma, por futbollistët kishin nevojë për një trajner të mirë ashtu siç ishte Qemal Omari dhe për një futbollist të tillë siç ishte qendërsulmuesi Servet Teufik Agaj, nga të cilët mund të mësonin shumë. Bashkë me Fazlli Frashërin ata bëheshin tre, shpirt i plotë i futbollit të Korçës. Por a do të vinte vallë Qemal Omari dhe Servet Teufik Agaj? Të gjithë ishin në pritje. Disa muaj më vonë u themelua edhe një skuadër tjetër. Shtypi informonte: “U formua në qytetin tonë edhe tjatër shoqëri e re, me emrin “Klubi Sportiv Artistik” me qëllim që të merret me çvillimin e ndjenjave sportive dhe artistike të djelmurisë”. “Gazeta e Korçës”, e shtunë, 1 janar 1927). Por edhe kjo shoqëri ishte më shumë artistike dhe më pak sportive. Viti 1927 solli edhe skuadra të tjera të quajtura “Leka i Madh”, “Pirro”, “Brekverdhit”, “Zjarri”, “Tigri”, “Diamanti” etj, por asnjëra prej tyre nuk e pati jetën të gjatë. Në vitin 1929, sipas gazetës “Zëri i Korçës”, 27 gusht 1929, përmenden këto shoqëri sportive: Skënderbeu, Kastrioti, Monarkia, Pirro dhe Dominasten. Edhe nga emrat e përmendur më sipër, si skuadra më e mirë e Korçës, do të përmendej Skënderbeu. Edhe kjo e fundit ishte themeluar nga Fazlli Frashëri.
Ethet e kampionatit
Todo Vaso, mjeshtër i merituar i sportit, te artikulli ku flet për historinë e futbollit korçar, shkruan: “Skënderbeu” u themelua në vitin 1925”, por pa sjellë ndonjë referencë. Gjithsesi, themeluesi i këtij ekipi mbetet sërish Fazlli Frashëri. Viti 1930 do t’i nxiste të gjitha skuadrat e vendit të hynin në një stad të ri më të kualifikuar e më profesional
Enti Kombëtar, organ qendror në Tiranë, kishte përcaktuar 3 prillin e vitit 1930 si datën e kampionatit të parë të futbollit shqiptar. (Federata Shqiptare e Futbollit u krijua më 6 qershor 1930). Në këtë kampionat do të merrte pjesë edhe Skënderbeu. Mesa duket Skënderbeu kishe qenë skuadra më shpresëdhënëse nga të gjitha skuadrat e tjera të Korçës. Pjesë e këtij kampionatit do të ishin edhe Tirana, Bashkimi shkodran, Teuta, Urani (Elbasani) dhe Vlora”. Për këtë arsye njerëzit e sportit në Korçë ishin vënë në lëvizje, dëshironin që në këtë kampionat të prezantoheshin sa më denjësisht. Që prej shumë muajve, po bënin të gjitha përpjekjet për një riformim të Skënderbeut. U zgjodh gjithashtu edhe një këshill i ri për drejtimin e ekipit
Ahmet Zogu, 1000 franga ari
.Përpjekjet për reformim të Skënderbeut janë pasqyruar edhe në shtypin e kohës. “Sikundër patmë lajmëruar në një numë më parë, shkruante “Gazeta e Korçës”, e shtunë, 13 shtator 1930, që prej disa ditësh çështja e riformimit të shoqërisë sportive të Korçës, “Skënderbeu”, kishte hyrë në rrugë të mirë dhe përfundoi brenda një kohe te shkurtër. Botimet tona u vërtetuan plotësisht prej fjalëve dhe çështja sportive e Korçës përfundoi në mënyrën më të mirë e më të pëlqyer. Skënderbeu u formua përsëri. Dje u bënë formalitetet e duhura zyrtare pranë Prefekturës prej anës së Federatës Sportive të Korçës”. Edhe në këtë riformim të Skënderbeut në krye të Këshillit Drejtues të ekipt është përsëri Fazlli Frashëri. Në këto përgatitje të mëdha që kishin përfshirë qytetin e Korçës, sërish ishte bërë pjesë edhe mbreti Ahmet Zogu. Gazetat përcillnin këtë lajm: “Me gëzim muarëm vesh se Lartmadhëria e Tij, Mbreti, i ka dhuruar shoqërisë sportive “Skënderbej” të Korçës, një mijë franga ari. Interesimi i L.M.T. Mbretit, dhe simpathia që yshqen për sportistët korçarë ka bërë përshtypjen më të mirë në gjithë popullin e qytetit”. (Zëri i Korçës, e shtunë 6 dhjetor 1930).
Përfundimi i kampionatit
Ndeshjen e parë të kampionatit Skënderbeu e pati me Vlorën, më 6 prill 1930, të cilën e humbi me rezultatin 2-0, por, megjithatë ai, mundi të qëndronte fort deri në ndeshjen e kulmore të 22 qershorit të këtij viti, cilën e pati me Tiranën dhe që përfundoi me rezultatin 0-0. “E korçarët, siç dihet, – shkruan Besnik Dizdari,- nuk pranojnë të zhvillojnë dy finalet (nga 14 pikë secila) për shkak “të padrejtësive” që i ishin bërë Skënderbeut nga arbitri italian Carlo Lorenzo”. Korça nuk u paraqit as në Korçë më 29 qershor 1930 dhe as në Tiranë më 6 korrik, 1930, për shkak të pretendimeve që patën për ndeshjen direkte midis Skënderbeut dhe Tiranës në javën e fundit të kampionatit. Për këtë arsye, Tirana doli fituese në tavolinë me dy fitore aforfe me të njëjtin rezultat 2-0. Megjithatë Në vitin 1931, në ndeshjet për Kupën e Mbretit Zog I, Skënderbeu mundi të thyente më 18 tetor të këtij viti, ekipin e Tiranës, fituesen e kësaj kupe, me rezultatit 2-1. Kjo fitore e Skënderbeut është e lidhur ngushtë edhe me ardhjen e Qemal Omarit, pasi ai kishte mbërritur në Korçë së paku që nga prilli i vitit 1931, gjë që jo vetëm nuk është thënë, por dhe është manipuluar, duke lënë të kuptohet se Omari kishte ardhur në Korçë në vitin 1932 apo në vitin 1933. Gjithsesi, fitorja e vitit 1933, që i dha Skënderbut titullin kampion, mbetet e paharueshme. Emocionet e kësaj fitoreje po i sjellim më poshtë, ashtu siç janë përjetuar 82 vjet më parë
Mbërritja e Qemal Omarit
Siç e thamë e më sipër, Qemal Omari mbërriti në Korçë që nga prilli i vitit 1931. Pas kësaj date emrin e tij e gjejmë të përmendur edhe te gazetat që botoheshin në këtë qytet. Përmes njoftimeve të ndryshme, kuptojmë se ai është bërë pjesë e ekipit të Skënderbeut. Që të gjithë sportistët e Korçës përpiqen t’i bashkohen kësaj skuadre, të jenë protagonistë në ndeshjet e mëdha të kampionatit e të bëjnë emër. Qemal Omari dhe Servet Teufik Agaji po shndërroheshin në një ogur shpresëdhënës. Gjithkush dëshironte të regjistrohej. Ja çfarë thuhet në një kronikë të shkurtër te“Gazeta e Korçës”, e enjte 4 qershor 1931: “Shoqëria sportive e Korçës “Skënderbeu”, duke dashur t’u përgjigjet lutjeve që i drejtohen, lajmëron të gjithë sportistët e qytetit, të cilët s’janë anëtarë të shoqërisë, se gjer më 4 korrik 1931 pranon të regjistrohen anëtarët të rinj futbollistë kundrejt një takse për hyrje, dy lekë. Pas asaj date nuk do të merret parasysh asnjë lutje. Dëshironjësit duhet t’i drejtohen kapitenit të përgjithshëm z. Qemal Omar ose Këshillës. Nga zyra e shoqërisë”. Tashmë gjithë banorët e Korçës i kishin kthyer sytë nga sporti, me shpresën se mund të ngjiteshin në krye për të qenë kampionë të Shqipërisë. Gaztetat nisën të shkruanin gjithnjë e më shumë për ecurinë e Skënderbeut. Por, kush ishte Qemal Omari, i cili duhej të kishte mbërritur në Korçë në prill të vitit 1931?
Qemal Omari
“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 6 qershor 1931, shkruante: “Kapiten Qemal Omari fillon rregullimin e skuadrës futbollistike të Skënderbeut. Me kënaqësinë më të madhe informohemi se shoqëria sportive e këtushme “Skënderbeu” emëroi si kapiten të përgjithshëm të futbollit anëtarin e saj të shquar z. Qemal Omari duke i lënë një kompetencë të gjerë. Z. Qemal Omari s’ka nevojë për rekumandime. Ndonëse në Shqipëri ndodhet vetëm prej dy muajsh, është i njohur mirë midis atyre që merren me lëvizjen tonë sportive dhe veçanërisht me futbollin. Megjithatë e quajmë të arsyeshme të japim disa informata të shkurtra mbi zotërinë e tij, sado që e dimë se kështu do të gjendemi në kundërshtim me modestinë që e karakterizon. Z. Qemal Omari ka njëzet vjet që po merret me futbollin. Disa vite më parë ka marrë pjesë edhe në skuadrën nacionale të Turqisë, vjete me radhë ka qenë sekretar i përgjithshëm i Federatës së Stambollit, ku shërbeu për sa u kthye në atdhenë e tij. Është një arbitër internacional me kartë arbitri GIFA-s (Federation Internacional de Football Association). Në kohërat e fundit organizoi në Stamboll një shoqëri të re sportive “Istambulspor”, e cila sot ndodhet në kategorinë e parë dhe skuadra e saj footballistike fitoi vjet kupën e atij qyteti”.
Qemal Omari, arbiter
“Kur ndodhej para pak kohe në Stamboll, me rastin që arbitroi matchin e championatit midis shoqërive Fenerbahçe-Gallatasaray dy skuadrat më të forta të Turqisë, gazetat e atjeshme e komentuan më fjalët më të bukura arbitrazhin e tij. Për tregim, gazeta “Vëkët” datë 21 mars 1931 shkruan se “… matchi u arbitrua prej z. Qemal Omari, arbitrit më të mirë e më të drejtë të Stambollit”. “Politika” gjithë po asaj date, thosh këto: “Z. Qemal Omari e arbitroi matchin duke mos i lënë vend as parregullimit më të vogël. E përgëzojmë”. Kapiteni i skuadrës nacionale turke Zeqi bej, i pyetur prej bashkëpunëtorëve sportivë të gazetës “Xhumhuriet” midis të tjerave deklaroi edhe këto, në mbarim t’atij matchi: “Dua të flas dhe mbi një pikë kryesore, që ka shumë rëndësi për sportin e Stambollit. Me këto fjalë dua të hyj në çështjen e arbitrave, kundër të cilëve kemi patur ankime. Arbitronjësi i matchit z. Qemal Omari me shikimet e tij në vend dhe duke mos u lejuar lojtarëve as gabimet më të vogla, e drejtoi lodrën me të vërtetë si një arbitër i mbaruar i Europës dhe plotësoi detyrën e tij gjer në fund me zotësi të çquar. Do të qemë shumë të kënaqur sikur edhe arbitrat e tjerë duke vazhduar me këtë mënyrë ta plotësonin kështu detyrën që u përket, e cila lot një rol me rëndësi në përparimin e sportit. Me këtë rast e ndjej për detyrë të falenderoj z. Qemal Omar”, shkruan Gazeta e Korçës, 6 qershor 1931.
Ditë festive
Sigurisht, Fazlli Frashëri, njeriu i pasionuar pas futbollit korçar, që kishte ëndërruar kaq gjatë ardhjen e një njeriu si Qemal Omari, tashmë po ndihej më më i qetë. “Skënderbeu” do të shkëlqente medoemos. Në të vërtetë kështu mendonin të gjithë. Në gjithë qytetin e Korçës ditët po bëheshin edhe më të hareshme. Edhe gazeta e përmendur më sipër, kështu e përshkruante atnmosferën e atyre ditëve: “Shoqëria e Korçës mund të quhet e lumtur dhe mund të mburret që numëron midis radhëve të saj një sportsmen me zotësinë e z. Omari. Ne nga ana jonë i urojmë suksese në detyrën që ka marrë përsipër, duke qenë të sigurtë se aktiviteti i tij do t’i sjellë shumë dobira jo vetëm sportit të Korçës, por edhe atij të Shqipërisë përgjithësisht. Edhe një rekumandim të vogël sportistëve të “Skënderbeut”, na duket jo i tepërt. Në qoftë se ata duan të përparojnë vetë dhe të ngrejnë gjithmon lart ngjyrat e shoqërisë së tyre duhet të tregohen përherë sportistë të disiplinuar e të zellshëm. Kështu do të mundin t’ua lehtësojnë barrën udhëheqësve të tyre dhe do të plotësojnë detyrën që kanë kundrejt popullit sportdashës të Korçës, i cili po i ndihmon sikundër nuk ndihmohen sportistët në asnjë qytet tjetër të shqipërisë”. (“Gazeta e Korçës, e 6 qershorit 1931) . megjithate pas dy vjet perpjekjesh, Skenderbeu mundi te merrte titullin kampion. Emocionet e ketij kampionati po i sjellim me poshte
Kampionati i vitit 1933
Besnik Dizdari e përshkruan kështu: “Kampionati i vitit 1933 ka një ecuri marramendëse për skuadrën e Korçës, një aventurë rrokullisëse për skuadrat e tjera, qysh nga java e parë deri tek e fundit. 2-0 me SK Tiranës, 3-1 Bashkimit Shkodran në Shkodër, 0-0 me Teutën në Korçë, por 0-0 me SK Tiranën në Shallvare, 2-1 Bashkimit Shkodran në Korçë, 1-0 SK Kavajës dhe kampion dy javë pa mbaruar gara”. Dhe pothuajse në përfundim të kampionatit të vitit 1933, skuadrat pjesëmarrëse kishin arritur këto rezultate: Skënderbeu: 8 matche, fituar 5, barazim 2, humbur 1, goalsa 18:6, pikë 12. Bashkimi shkodran: 7 matche, fituar 5, humbur 2, goalsa 14:8, pikë 10. Teuta: 7 matche, fituar 2, barazuar 2, humbur 3, golasa 11:10, pikë 6. Sportklub Tirana: 7 matche, fituar 2, barazuar 2, humbur 3, goalsa 10:11, pikë 6. Sportklub Kavaja: 7 matche, fituar 1, humbur 6, goalsa 4:19, pikë 2. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë 10 qershor 1933) Ndërkaq, po kjo gazete, e kësaj date, e përshkruante kështu situatën mes skuadrave që mund të shpalleshin kampione:
Ndeshjet e fundit
“Nesër çvillohen në fushat e Durrësit dhe të Tiranës matchet e fundit të kampionatit kombëtar. Skënderbeu u dha fund që pardje matcheve të kampionatit. Tani mbeten katër skuadrat e tjera, të cilat kanë për të zhvilluar edhe një match, nesër rivalja e Skënderbeut për titullin e kampionatit të këtij viti, skuadra e Bashkimit shkodran piqet në fushën e Durrësit me Teutën, të inkurajuar prej fitimit të pardjeshëm kundër Skënderbeut. Ky match do të jetë tepër interesant, ose të paktën kështu paraqitet. Në një anë skuadra do të përpiqet të fitojë kundër Durrësit për ta barazuar nga pikët me Skënderbeun, por do të kërkojë një fitim të bujshëm që të mundë kështu të barazojë, ose më mirë të themi të kalojë Skënderbeun nga golat për të fituar kampionatin. Por që të kalojë skuadrën korçare i duhet një punë tepër e madhe, i duhet të futë një seri golash, gjë që na duket e pabesueshme, në rast se të dy skuadrat do të çvillojnë lodrën e tyre të rregullueshme. Më anën tjetër, Durrësi duke qëndruar përkrah Tiranës nga pikët si dhe golat, do të përpiqet me çdo mënyrë të shkëputë nga duart e Tiranës vendin e tretë të klasifikimit duke u munduar të mundë Shkodrën me një rezultat të mirë. Sidoqoftë, në rast se të dy skuadrat që piqen nesër në Durrës do të bëjnë një lodër me të vërtetë sportive futbollistike, rezultati do të jetë me një ndryshim të vogël dhe me këtë mënyrë kampionati i mbetet përfundimisht skuadrës së Skënderbeut, nga që ajo ka bërë gola më tepër dhe ka marrë (pësuar) më pak, gjë që shpresojmë se do të merret parasysh”
Në Tiranë
“Matchi i dytë i kësaj dite zhvillohet në Tiranë midis sportkub Tiranës dhe sport klub Kavajës. Skuadra e kryqytetit do të përpiqet të triumfojë kundër Kavajës për të siguruar vendin e tretë në kampionatin e këtij viti, në rast që nuk anullohet matchi i zhvilluar pardje të dielë në Tiranë midis Bashkimit shkodran dhe skuadrës Tiranase që përfundoi 3-2 në favor ë së parës. Në rast që anallohet ky match, dhe në rast fitimi nesër të sportklub Tirana, kundër Kavajës dhe një humbje të Shkodrës në Durrës, sporklubi vete 8 pikë si dhe Shkodra mbetet 8 pikë. Gjithashtu 8 pikë vete edhe Durrësi, porse të dy të parat do të kenë për të zhvilluar dhe matchin e anuluar dhe ajo skuadër që do të fitojë nga ai match do të klasifikohet e dyta në kampionat. Por a do të anulohet matchi Shkodër –Tiranë? A do të humbasë Shkodra kundër Durrësit. Këto janë pyetje që askush nuk mund t’u përgjigjet me siguri, prandaj dhe çdo parashikim është i tepërt. Matchi i nesërm do të na përgjigjet për pyetjen e dytë dhe vendimi i Federatës për të parën”
(“Gazeta e Korçës” e shtunë, 10 qershor 1933)
Skënderbeu kampion
Të dielë muar fund matchet e kampionatit kombëtar që përfunduan. Në Durrës: Teuta – Bashkimi shkodran 1-0. Në Tiranë: Sportklub Tirana-Kavaja 4-1. Me këtë humbje të Shkodrës në Durrës, Skënderbeu i Korçës fiton kampionatin kombëtar të futbollit. (“Gazeta e Korçës”, e martë, 13 qershor 1933). Ndërsa “Gazeta e Korçës”, e mërkurë 14 qershor 1933 sjell këtë përshkrim: “Korça fiton kampionatin kombëtar të futbollit. Vullneti për fitim, kurajoja dhe fati janë tri gjërat që futnë këtë vit në kampionatin e katërt të futbollit skuadrën korçare Skënderbeun. Atje ku ka vullnet dhe kurajo, ka edhe fitim. Dhe kjo thënie kaq e bukur u vërtetua me fitimin e kampionatit. Skuadra e Korçës në fillim të kampionatit dukej një skuadër jo në formë dhe kjo provohet nga thëniet e shumë sportdashësve të cilët gjer në atë moment që shihnin skuadrën e tyre në fushë ishin të kënaqur me vendin e tretë, ose të katërt në klasifikim se lojtarët ishin dhe të papraktikuar, ardhja e papandehur e centërforwardit, Servet Teufik Agaj u dha një kurajo të madhe dhe i shtyti, si edhe disa arsye të tjera për një bashkëpunim më vllazëror. Fitimi i match-it të parë kundër skuadrës kampione të tri viteve me radhë ua shtoi edhe më tepër zellin për fitim. Vazhdojnë matchet e tjerë edhe skuadra kampione e përkrahur prej vullnetit, kurajos, sigurimit dhe fatit, korr njëpasnjë fitime të bujshme. Qendron në krye të klasifikimit, që në krye gjer në fund të kampionatit, dhe asnjë skuaddër tjetër nuk mund ta rrezikojë për ta rrëzuar. Shkodra e ndjek këmba këmbës, por fati i saj i keq, nuk e lë që ta arrinjë. Herë e ngre me një pikë diferencë dhe herë e rrëzon me dy pikë. Dhe së fundi në matchin me Durrësin mundet me një rezultat vërtet të shtrënguar 1-0, por që i kushtoi dy pikë të vlefshme se me këtë mënyrë Korça do ta merrte kampionatin vetëm nga golasat. Thamë më sipër faktorët krysorë të fitimeve të skuadrës korçare në kampionatin e katërt, por nuk duhet të harrojmë se njëmbëdhjetësihi i Skënderbeut kishte në gji të tij dy kollonat. Me këtë nuk duam të themi se skuadra përgjithësisht nuk lojti mirë, përkundër, shumica çvilloi një lojë të bukur- këto dy kollona janë patjetër Klani Marjani i çkathët, gjak ftohtë dhe kudroherë gati, ruajtës besnik i portës së tij dhe Halfi Fori Stasa i shpejtë, dredharak dhe kurdoherë i pari në vendin e rrezikut, të cilit i bën ballë fare bukur. Kurse vija e parë ushqehet bukur prej vijës së dytë, Agaj është rregullonjës, shpirti i vijës së parë si edhe i tërë skuadrës. (“Gazeta e Korçës”, e mërkurë 14 qershor 1933).
Servet Teufik Agaj
Megjithatë, na duhet të themi se Servet Teufik Agaji edhe sot e kësaj ditë përmendet edhe nga analistët e sportit shqiptar. Besnik Dizdari, ndërsa përmend emrat Tomor Ypi, Thoma Vangjeli, Enver Kulla dhe Nexhat Dishnica, shkruan: “në mes të të cilëve qëndronte Servet Teufik Agaj-qendërsulmuesi më i mirë i kampionatit, ardhja e të cilit nga Turqia për te Skënderbeu rriti tejet forcën sulmuese. Të gjithë këta gjetën në këtë kampionat harmoninë e lojës, efikasitetin e sulmit, larminë taktike – natyrisht në kontekstin e vetë nivelit modest që paraqiste futbolli në Shqipëri”. Gjithashtu, në lidhje me këtë kampionat Besnik Dizdari shkruan edhe diçka tjetër: “Korça këtë titull e kishte pritur prej 4 vjetësh. Kundërshtuese, krenare, befasuese, braktisëse, ajo gjithmonë kishte menduar se i takonte titulli. Shpesh gjykonte se me pa të drejtë ia rrëmbenin atë nga duart. Trajneri Qemal Omari kishte guxuar, në një farë mënyre, ta shformonte për ta riformuar këtë Skënderbe. Ia kishte arritur. …Skënderbeu qe laboratori dhe praktika e punës së tij, që solli suksesin e titullit: Korça kampione…”, Në këtë kampionat Servet Teufik Agaj rezultoi shënues i 7 golave përcaktues të titullit kampion.
*Redaksia e Diellit falenderon gazetarin Vepror Hasani per bashkepunimin me Diellin. Ai e nisi shkrimin enkas per ne. Faleminderit!