



Prof. Dr. Luan Përzhita/
Skerdilaidi – një figurë e panjohur dhe e anashkaluar nga historiografia.
Komandant ushtarak dhe sundimtar i shtetit ilir më 217-205 para Kr. Skerdilaidi ishte një nga përfaqësuesit e fuqishëm të klasës sunduese ilire, që ndikoi në politikën e brendëshme dhe të jashtme të shtetit ilir gjatë tri dekadave të fundit të shek. III para Kr.
- Ndonëse përmendet për herë të parë si komandant më 230 para Kr., në betejen kundër Epirit, ngjarjet e zhvilluara më parë tregojnë se Skerdilaidi, ishte komandant i ushtrisë mbretërore ilire dhe në kohën e sundimit të vëllait të tij, Agronit.
Në burimet historike, mbi dinastitë që kanë udhëhequr ilirët në gjysmën e dytë të shekullit të III para Kr., njihen si mbretër të Shtetit Ilir, Agroni dhe Teuta. Më vonë, kryesisht gjatë luftrave që bën mbretëria ilire kundër Romës, vendin kryesor në këto ngjarje e kishte mbreti Gent, me të cilin mbyllet cikli i zhvillimit historik të mbretërisë ilire, për t’i lënë vendin një kapitulli të ri në historinë e lashtë të popullsisë ilire, natyrisht në kuadrin e kushteve të reja që u krijuan pas pushtimin romak. Mirëpo, në tërë ecurinë e zhvillimit të historisë ilire ende nuk është e qartë periudha që përfshin Ilirinë pas luftës së parë iliro-romake të vitit 229 para Kr., e deri në ardhjen në pushtet të mbretit Gent.
Agroni del në dokumentat historike si mbret i ilirëve në vitin 232. Sipas Polibit, historian grek (200-120 para Kr.), në veprën e tij ‘Historia’ mësojmë se Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin patur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë. Kufijt e shtetit të tij përfshinin një trevë të gjërë që nga Narona deri në Aoos, më përjashtim të Dyrrahut e Apolonisë. Gjatë kësaj periudhe shteti ilir përfaqësonte jo vetëm një fuqi të rëndësishme ushtarake por dhe një forcë diplomatike në ruajtjen e ekuilibrit të forcave në Mesdhe. Mbreti Agron ishte pasardhës i mbretërve të tjerë të Ilirisë që i takonin linjës dinastike të Glaukias dhe Monunit.
Burimet historike gjatë kohës së sundimit të mbretit Agron nuk përmendin asnjë herë vëllain e tij Skerdilaidin, i cili fillon të shfaqet në historinë antike vetëm pas vdekjes së Agronit, në kohën e sundimit të shkurtër të Teutës.
Në periudhën e sundimit të Agronit, në vitin 231, pas prishjes së aleancave që ishin krijuar ndërmjet Maqedonisë dhe Epirit si dhe krijimit të aleancave të reja me Romën, u kërkua nga maqedonasit ndihma e shtetit Ilir. Epiri u shkëput tashmë nga aleanca me Maqedoninë dhe u bashkuar me etolët, një fis i madh helen që banonte në jug të Ilirisë dhe në kufi me Maqedoninë. Ata mbanin të rrethuar kryeqytetin e Akarnanisë- Medionin.
Në këtë situatë aleanca e etolve me Romën e cila në atë kohë ishte e okupuar me luftrat kundër Kartagjenes, tregonte qartë se kjo e fundit po përgatitej për të qenë një superfuqi jo vetëm në anën perëndimore të Adriatikut por edhe në pjesën Lindore të tij. Mirëpo kjo rrezikonte kufijtë e Ilirisë sepse afronte Romën më pranë qyteteve ilire. Qellimi i Romës nuk është vetëm mbretëria Ilire por dhe ajo Dardane,. etj.
Situata e krijuar e asaj kohe do të nënvizonte dy çeshtje kryesore që lidheshin me- ndërhyrjen e Shtetit Ilir si aleatë i Maqedonisë në luftë kundër etoleve dhe së dyti- aleancë reciproke për miqësinë ndërmjet dy shteteve kundër armiqve të tjerë që pretendojnë pushtimin e tyre.
Ja si e përshkruan Polibi betejën e vitit 231 para Kr. për çlirimin e qytetit Medion nga ushtria ilire: Natën njëqind anije, me pesë mijë ilirë, lundruan në drejtim të Medionës dhe iu avitën qytetin. Etolët tashmë, duke qenë të sigurtë për fitorën janë të shkujdesur nga çdo problem, bile… ata janë aq të sigurtë në fitore sa kanë filluar të bëjnë hesapet për ndarjen e plaçkës së luftës. Kur errësira kishte mbuluar gjithçka, të maskuar mirë, me qetësi të plotë, flota ilire u drejtua limanit në gjirin e Ambrakisë. Në konspiracion të plotë dhe pa u ndjerë, ushtria ilire u rreshtua në formacion luftarak gati për sulm kundër lëmit etol. Më pas, përqendrimi i forcës goditëse të ushtrisë do të jetë në pikën më të dobët të armikut. Sulmi i papritur dhe i befasishëm ilir u kordinua me medionasit, të cilët deri në këto çaste ishin të mbyllur brënda mureve të qytetit, do të hapin portat dhe do të sulmojnë etolët. Kështu ushtria etole përveç befasisë u ndodh në mes të ushtrisë ilire dhe ushtrisë medionase.
U mposht kështu ushtria që mbahej më e forta në Greqi e cila kishte fituar mbi galët dhe që prej 10 vjetësh kishte bllokuar Maqedoninë.
- Kush e drejtoi ushtrinë ilire në betejën e Medionës?
Në burimet e shkruara historike nuk del emri i udhëheqësit të kësaj beteje. Fakti që mbreti Agron ndodhej në pallatin e tij kur mori lajmin e fitores së ushtrisë ilire kundër etoleve tregon se kjo luftë nuk u drejtua prej tij. Polibi që shkruan më pas në vitin 230 para Kr. pra vetëm një vit më vonë se komandanti i ushtrisë ilire ishte vëllai i Agronit, Skerdilaidi, na lë të kuptojmë se edhe beteja e vitit 231 para Kr. ishte drejtuar prej tij.
Lëvizjet taktike të Skerdilaidit në prag të luftës me Romën.
Fushata e vitit 230 para Kr., kundër Epirit
Fitorja e fundit e ilirëve kundër një ushtrie që s’kishte njohur humbje, e vendosi shtetin ilir në një ballancë pothuajse të barabartë me Romën duke përfaqësuar kështu një forcë të madhe në Adriatik gjë që solli më pas konfliktin e armatosur 60 vjeçarë ndërmjet tyre i njohur në histori si lufrat Iliro- Romake.
Gjatë kohës së mbretërimit të Teutës dhe më pas, emri i Skerdilaidit bëhet i pranishëm në të gjithë veprimtarinë e shtetit ilir të asaj kohe. Ai është një figurë qendrore që vendos mbi fatet e zhvillimeve jo vetëm ushtarake por edhe diplomatike. Fillimi i luftës së pashmangshme me Romën solli si domosdoshmëri krijimin e një strategjie mbrojtëse, kryesisht nga disa vende që i shkaktonin vazhdimisht probleme shtetit ilir.
Për realizimin e kësaj strategjie peshen kryesore do ta kishte Skerdilaidi i cili filloi manovrimet ushtarake në Epir. Ishte viti 230 para Kr. kur një forca ushtarake u vu në lëvizje drejt jugut. Këtë rradhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior në atë kohë të etolëve dhe aheasve, Epirin. Qellimi ishte i qartë, me aksionin e saj do të mbante nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte qendrimin e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve dhe aheasve. Forcat ilire zbritën në afërsi të kryeqendres së lidhjes epirore Foinikes (Finiqi i sotëm-Sarandë) dhe u drejtua kundër saj.
Ushtria ilire duke vënë re se armiku kishte shpërndarë forcat dhe kalonte kohën i shkujdesur dhe e kishin lënë pas dore rojen e qytetit të Foinikës, kapen në befasi ushtrinë mercenare gale. Ndërsa, Skerdilaidi me nje ushtri tjetër prej 5000 vetësh kaloi ngushticën e Antigonesë dhe u vëndos përballë ushtrisë Epirote që kishte ardhur në ndihmë të qytetit të Foinikës, diku pranë lumit të sotëm të Bistricës.
Epirotët të shpartalluar plotësisht, humbën çdo shpresë dhe iu drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë dhe aheas. Nuk vonoi shumë dhe dy ushtritë, ajo ilire dhe epirote së bashku me etolët dhe aheas u rreshtuan përballë, diku në pellgun e Vurgut (Gjirokastër). Ato nuk arritën të përleshen pasi një dyluftim i Skerdilaidit me komandantin e forcave armike përcaktoj fitoren e ilirëve.
Epirotët tashmë drejt shkatërrimit total të zënë në panik dërguan delegatë në pallatin mbretëror tek Teuta dhe bashkë me akarnanët bënë aleancë me ilirët, duke marrë përsipër që tani e tutje dhe të jenë kundër akejve dhe etolëve. Rezultati u arrit. Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me arkarnanët krijoi tani një kufi të largët, por të drejtpëtdrejtë midis lidhjeve greke dhe shtetit ilir.
Ishte pranverë e vitit 229, kur flota ilire u drejtua kundër Korkyrës (ishulli i Korfuzit) dhe rrethuan qytetin. Korkyrasit, kërkuan nepërmjet delegatëve ndihmën e etolëve dhe të aheasve. Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte vrapoi drejt Korkyrës. Ilirët si morën dhe 7 anijet që i’u kishin derguar akarnanët u dolën ahejve përpara në ishullin Paksos. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën fatin e kësaj beteje, përballë anijeve të rënda katër pesërremëshe greke. Flota ahease u shpartallua. Morën në dorëzim qytetin, dhe lanë këtu një garnizon nën komandën e Demetër Farit.
Fitorët rradhazi të Skerdilaidit, të këtij strategu dhe gjenerali të shquar të historisë antike të ilirëve, zgjerimi i kufijve, stabiliteti ekonomik, forcimi dhe njësimi i shtetit etj., i rradhitën ilirët në një pozitë supremacie ndaj shteteve të tjerë të asaj kohe. Frika ndaj fqinjit të fortë dhe oreksi në rritje i Romës për dominimin e Mesdheut shkaktuan në këtë periudhë ndërmjet ilrëve dhe romakëve konfliktin e viti 229 para Kr,. Kaq i madh ishte preokupacioni i romakëve për fushatën ilire dhe kaq të ndërgjegjshëm ishin ata për vlerën reale të ilirëve sa angazhuan për këtë fushatë një flotë prej 200 anijesh me një ushtri prej 20000 këmbësoresh që do të merrnin pjesë në këtë operacion, të cilin do ta drejtonin vetë dy konsujt që ishin në fuqi atë vit Gnej Fulvi dhe Aul Postumi.
Skerdilaidi mbret i Ilirisë. Riorganizimi i shtetit
Duke analizuar gjendjen e krijuar pas depërtimit të Romës në Iliri, të cilët kishin vendosur Demetër Farit (228-218 para Kr.,) si regjent, në vend të Teutës, Skerdilaidi, vendosi që të ndërmarre disa levizje diplomatike. Ai me ndërmjetësinë e Agelaut vëndosi paqen me etolët të cilët pranuan që të luftonin romakët, ndonëse më parë kishin qenë miqtë e tyre. Ndërkohë u krijua një ushtri e madhe në numër nën komandën e Skerdilaidit dhe komandantit etol. Vetëm 5 vjet më vonë pas vendosjes së Demetër Farit si regjent në Iliriri, ky i fundit filloi tendencat për shkëputje nga Roma nepërmjet disa veprimeve ushtarake, që në një mënyrë ose tjetër ishin në kundërshtim të hapur me interesat e Romës. Demetër Fari, i dërgon një delegacion Skerdilaidit dhe i kërkon miqësi dhe bashkim për të luftuar romakët. Ndërkohë në vitin 220 para Kr. Skerdilaidi dhe Demeter Fari u bashkuan pasi ky i fundit e njohu Skerdilaidin si mbretin e vetëm të ilirëve. Ata u nisen me anijet e tyre për çlirimin e Kerkyrës, të cilën Demetër Fari e mori përsipër ta realizoj pa Skërdilaidin si shenjë të pendimit të tij. Rikthimi i Këlkyrës dhe riorganimi që Skërdilaidi po i bënte shtetit ilir rriten shumë atmosferën e besimit jo vetëm tek qytetarët ilire por edhe tek fqinjët e tyre. Pas kësaj Skerdilaidi bëri një marrëveshje me mbretin e maqedonasve Filipin e cila nuk u prit mirë nga etolët, të cilët kërcënuan me prishjen e traktatit që kishin arritur më parë. Situata politike dhe ushtarake filloi të përkeqsohet. Një letër e kapur rastësisht nga një postë ilire që dergohej nga mbreti i Maqedonisë Filipi për Demitër Farin, tregonte se Roma kishte humbur luftën me Hanibalin. Ky duke përfituar nga rasti e këshillon mbretin që do të ishte mirë që maqedonasit të mos merreshin më me luftën kundër etolve por t’ju kthehen Ilirëve dhe pastaj të hidheshin në Itali. I ndodhur dhe një herë përpara tradhëtisë së dytë të Demetër Farit dhe të aleatit të tij Filipit, Skerdilaidi përshpejtoi lëvizjen për ribashkimin e Ilirisë. Ai sulmon Filipin në tokë, pushton disa qytete si dhe bën për vete qytetin e rëndësishëm Antipatrean. Kapërcimi i vështërsive të brëndshme që vinin nga trazirat e dinastëve të vegjël i dha fund përçarjes politike që ekzistonte në Iliri. Tashmë ai kishte një ushtri të organizuar mirë si këmbësorinë, flotën detare dhe kalorësinë dhe shfaqet në burimet historike së bashku me të birin Pleuratin. Në veprën e tij të ribashkimit të Ilirisë, Roma mbajti një qendrim indiferent.
Shtirja e sundimit të Skerdilaidit mbi qytetet e Desaretisë përbën zanafillën e konfliktit të armatosur me Maqedoninë. Beteja e madhe ndërmjet ushtrisë së Skerdilait dhe Filipit të Maqedonisë u zhvillua pranë qytetit të Apolonisë.
Gjatë dimrit të vitit 217 para Kr., Filipi mbreti i maqedonisë, ndërtoi një flotë të madhe detare prej 100 anijesh me skllevër ilir të zënë rob më parë, pasi këto të fundit ishin mjeshtër në këtë fushë si dhe për të kopjuar anën teknike për të cilat tashmë gjithë bota njihte shpejtësinë dhe manovrinit e anijeve ilire në det.
Në fillim të pranverës të vitit 216 para Kr. ai u nis së bashku me anijet dhe u dislokua pranë Apolonisë ku një pjesë të anijeve të tij i la në ishullin e Sazanit. Apoloniatët të rrethuar kërkuan ndihmë nga Skerdilaidi i cili menjëherë mori masat për mbrojtjen e qytetit.
- Filipi, me agresionin kundër Ilirisë, bëri një hap fatal, jo vetëm për Maqedoninë por për tërë popujt e Ballkanin. Pasojat e këtij injektimi do të reflektohen në zhdukjen e shtetit maqedonas dhe të një sërë shteteve të tjera të asaj kohe gjë që do të sjellë ndryshime të mëdha në përbërjen etnike të Ballkanit.
Në këtë situatë të krijuar, i kërcënuar nga Maqedonia, Skerdilaidi ishte i detyruar të kthehej me fytyrë nga Roma dhe që nga kjo kohë ai do të veproj si aleatë i Romës për rreth katër dekada. Duke shfrytëzuar konfliktin që ekzistonte ndërmjet Maqedonisë dhe Romës, Skedilaidi kërkoi ndihmë nga kjo e fundit e cila dërgoi 5 anije të rënda të cilat u vërejtën nga anijet që kishte lënë Filipi në ishullin e Sazanit. Skerdilaidi kishte rreshtuar në formacion luftimi këmbësorinë, kavalerinë si dhe me flotën detare. Tashmë gjithçka ishte gati për të sulmuar pozicionet e Filipit, i cili u tremb shumë kur vuri re anijet që po vinin në drejtim të tij. I zënë në befasi urdhëroi që ushtria të kthehet prapa. Kjo terheqje u bë në çrregullim të madh duke rënë pre e shpatës së ilirëve. Humbjet e Filipit ishin shumë të mëdha si në njërëz ashtu dhe në materiale. Ushtria ilire mori dhe një pjesë të mirë të anijeve të Filipit të cilat nuk mundën të lëviznin.
- Pas betejes së Apolonisë, Skerdilaidi arriti të ribashkoi tokat ilire të cilave iu shtuan vullnetarisht dhe qytetet e Desaretisë. Nuk ka dyshim që pas kësaj Skerdilaidi është sundimtar i vetëm i Shtetit Ilir.
Historia e mëvonshme e shtetit ilir, gjatë viteve 214-205 para Kr, është e mbushur me ngjarje që lidhen me një aktivitet të dëndur të Skerdilaidit si në aspektin diplomatik nepërmjet aleancave antimaqedonase ashtu dhe në luftrat të cilat vazhdimisht forconin shtetin ilir.
Pas vitit 210 para Kr, Skerdilaidi shfaqet së bashku me të birin Pleuratin në të gjithë aktivitetin e tij diplomatik dhe ushtarak. Në vitin 205 para Kr., Pleurati, djali i Skerdilaidit dhe i ati i mbretit Gent do të jetë trashëgimtari i fronit mbretëror të shtetit Ilir.