1- QYTETI I BARDHE I URES LEGJENDE /
Nga Agim Xh. Dëshnica/
Dikur, diku, te vendi i shenjtë,/
poshtë nën kala, ndërsa po ngrysej/
dhe tej Osumi po arratisej…/
djaloshi i urës mos u rizgjua?/
Befas u shkund, u dridhërua./
Mjegull harresash u nda,/
u përça, u shpërnda…/
E fluturon mbi dallgë e mall,/
ndër vetëtima një shterg i rrallë,/
përtej fenerit të Kejp Kodit,/
te tokë e dashur, bekim i Zotit./
„Se Berat, se Berat,/
këndoi Mara atë menatë“*/
dhe digjnin shkëmbenjtë/
nga lotët e saj./
Por muret qëndronin…
e këngët vajtonin.
„Se Berat, se Berat…“
Atje të ngjitet te një kështjellë,
me portë të hekurt hark në qiell.
Fortesë Ilire, ndeshjesh epike!
Kala e rëndë, dramash tragjike!
Mbi shkëmb e pisha e qark me shkurre,
frëngji, bedena, rradhë në mure,
përzhitur nga flakë,
spërkatur me gjak.
E të vështrojë mbi hon, qytetin,
të bardhë, të lashtë,
rreth me gurë, blerim mëndafsh.
Vakëf, ullinjsh-kryeBeratit,
lagjen me park, me kullë Sahati,
Goricën-Hënë, me fresk mbi shkëmb,
përballë-të bardhin Diell-Mangalem.
Fenerë-dritaret një mbi një,
buzë më buzë, çati e strehë.
Shtëpi saraje, shpinë më shpinë;
pranë xhamisë edhe një kishë,
përbri selvisë edhe një pishë.
Rrugë të gurta, shkallë pas shkalle,
sokakë me lule nëpër mëhallë,
me porta-harqe, pritje bujare
dhe sytë e shkruar nëpër dritare.
Dritat rrëzuar ndërgjeratore,
me gurë e drurë, si gjak në valë;
me zhurmë e gaz a gjëmë mortore;
tymra degdisur tutje në mal.
O po pazaret! Mallra gjithfarë,
mjeshtra te njohur në zdrukth e farkë,
skalitës, piktorë e argjendarë,
me punë arti, renditur varg!
Pajtonët me kuaj, trok e buri,
me thirrjet: „Hajt Çelepi!“
Te zbres ngadalë nga urë e gurtë
e të mos zgjojë vashën e urtë,
te këmbëz e trishtë e ngujuar.
Të marrë ku msallën e shkretuar.
T’i qepet rrymës në rrukullimë,
peshkut mbi ujë, në turbullirë,
në rremë roses me ga-ga-ga,
ndër britma e qeshje,
zhveshur e zbathur,
lodhur e lagur,
aq shumë, aq shumë sa s’ka
e të shpëtojë nga mbytja e frikshme
vashën në va.
Pa të përgjojë, pas pirgjesh bari
o po, po, qyqen se vjen behari!…
E krisëm kaposhi, sipër në tjegull
e cicërima fshehur në pjergull,
kur mëni shtron sofrën e ëmbël.
Gu-gu-në në kulme, zënë e gjinkallës,
në zheg korriku, kur piqet fiku.
Çikrikët lehtë për në kopshtije,
sovakët vrullshëm për në ingjire.
Në puse kovat poshtë me zinxhirë.
Pa të dëgjojë te mënge e lumit,
atë këngë shekujsh të Osumit
dhe myezinin sipër minares,
jehonën larg të kambanares.
Pa le, këngëtarët me def e saze,
me valle burrash e grash me naze,
me këngë që s’vdesin të bejtexhinjve
e bubullimat e tamburxhinjve.
Gajdat e pipzat me uturimë.
Nëpër burime me ujë dëbore,
me buzë të thara, shtrirë në bregore,
çdo çuçurimë, çdo mërmërimë…
Kjo lashtësi e madhërishme!
Para artistit një art magji,
para shtegtarit një mrekulli,
para të mirit një shënjtëri.
„Se Berat, se Berat,
këndoi Mara, atë menatë”
dhe digjnin shkëmbenjtë nga lotët e saj,
nga plagët e saj…
Kjo lashtësi e mjegulluar,
një dallgë që vjen e të thërret,
një shpend që niset e larg humbet
dhe pas feneri e ndjek në det.
Matanë Shpiragut diçka shkëlqen,
dëgjohet shpesh po një refren.
Por cfarë po shfaqet kur bie mbrëmja,
mos vallë djaloshit iu shua dhëmbja?
OSUMI I LEGJENDAVE
Buzës Osumit- gurgullimë,
ndihet përqark veç uturimë,
Rrepet stolisen mbi ujë në zall.
Qielli ka zbritur, në mëhallë?
Nga borë malesh zbret i kulluar
nga rrebeshet i turbulluar,
lë prapa krojet, mërgon larg
mbledh udhës bashkudhëtarë.
Në rrjedhë djaloshi, valën vështron,
bijën e lumit, prek, përgëzon.
Me britmë uron, udhë të mbarë,
kthehet jehona si me të qarë.
Ndaj fjalën rreket të kap prej valës,
nën urë tek fle shpirti i vashës.
Ah! i kujtohet, me thirrje në va,
kalonin të qeshur, të lumtur sa s’ka.
Lumnohej dora te dorë e saj,
rreth këmbësh uji nga skaji në skaj.
Flokrat ua prishte erë e Tomorit,
jehona vinte nga faqet e honit.
Të lagur, vrap të dy pas rrjedhës,
me gjurmë në ranë, në ajrin dehës.
Kur vala shuhej në shkumëzim,
ndalnin, dëgjonin me psherëtimë…