MITRUSH KUTELI/
Jam Shqiptar, e Kosovar;/
Zot, e krenar, Zot, e bujar,/
mbi këtë dhé, /
q’e kam si fe, /
e përmbi fé:/
e kam Vatan! /
e kam Atdhe!/
që gjysh stërgjysh,/
që brez pas brez,/
që gjithëmonë./
Ti shqa thërret,/
ti shqa bërtet,/
gjer lartë në retë,/
se jam barbar./
Jo, s’jam,/
si bërtet ti,/
si buçet ti,/
ti, Mal i Zi./
Po vendin tim e dua,/
lirinë e dua,/
e s’dua,/
Zot mbi mua./
Kënga e pare/
Qëndrimi
Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi,
as fqinjëri,
as shqa të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi,
ish Iliri;
kur nga një det në tjetrin det,
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti,
kur vetë Zoti,
e bëri fushën fushë,
e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem,
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi,
e hiri mal përsëri.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim,
që në vegjëli.
Jam si më sheh,
e si më njeh;
kësulëbardhë e kryelidhur,
kryelidhur me një shami;
me tri shami
për trimëri!
Jam eshtërmadh,
i vrazhdë jam,
e bojalli –
dhe sytë e mi,
janë plotë shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
si s’ka njeri –
për drejtësi,
e për liri.
Si të gjithë asimët,
e të gjithë qerimët,
e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim,
që në vegjëli;
se babën tim ma vranë,
naçallnikët,
podporuçnikët
edhe gllavnikët.
Ma vranë,
se urdhër dha vojvodi,
e krali vetë:
“Të vritet!”
Se ish Kosovar,
dhe se ish Zot,
mbi këtë dhe!
Dhe tokën që kisha nga baba,
nga gjyshi,
rrënjë pas rrënjë –
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet,
ma morën.
Ah!
Ma morën vatanin,
që e desha si xhanin!
Ma morën,
me armë në duar,
me gjak nëpër duar.
Agrarët!
Xhandarët!
Tyxharët!
Të gjithë tok,
u bënë shok;
si sorrat,
për kërrmë.
Oborin ma morën,
gjer në shtëpi,
dhe ngrenë për vete shtëpi,
në sytë e mi!
Dhe unë,
ja, unë,
që isha Zot,
që qëmot,
mbeta pa dhé,
bujk pa dhé,
bari pa kopé –
këtu,
në dheun tim.
Dhe plori m’u ndryshk,
hambari m’u myshk…
Po shpresa s’mu vyshk!
Kënga e dytë
Durimi
Durova,
durova,
sa nuk duron njeri,
as Perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik,
e mynafik,
i Kombit tim.
Më dhanë armë të vras,
vëllanë,
sipas kanunit,
të gjakut…
Po s’desha!
Dhe në e bëra ma falni,
se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik,
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej,
paska për ne,
popull pa zot –
vend boll…
Po malli i tokës s’më la,
po malli i fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu,
i huaj,
si qen,
në vendin tim,
të babës tim…
Mbeta rajá,
e ndër rajá,
si për hatá;
Në uri,
në qesëndi,
në skllavëri
të shqaut të zi.
Më thanë të ik në Allbani,
vatan i ri,
i Kombit tim,
si shkoi Selmani,
Hasani,
e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava,
dhe mbeta të jem,
ku jam,
e ku do të jem.
Më thanë të shkoj në sheher
të shqahut të madh,
me sharrën në krah,
me kryet përdhé,
jaban,
e beter;
portë më portë,
derë më derë,
i mjerë,
e zemër sterrë,
për një kotherrë
bukë.
Po malli i vendit s’më la.
Ah, malli i gjakut s’më la
e mbeta këtu,
rajá./
Ta shemba shqa kufirin,/
që ngrite ti,
në vendin tim e përmbi varr,
të babës tim.
Ta shemba,
ta dogja,
me zjarrin e shpirtit,
të vuajtjes,
dhe të urrejtjes.
Me zemërim,
me vrull të madh,
e bubullimë,
që s’ka mbarim
Se vjete ti më çave,
më ndave,
më vrave,
armik – lugat,
armik -xhelat!
Kënga e tretë
Sulmi
Ti bëre azape – s’u tremba,
ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite;
t’i shemba!
Tani,
tani,
atje ku ti,
o Mal i Zi,
ngrite kufi,
që ndanin,
e çanin,
vëllazëri;
Hej!
Sot!
Shkon,
e valon,
parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty,
gjurma t’u zhduk,
si në ujë.
I bie arë mes për mes,
e gjer në brez,
e përmbi brez,
humbas,
me gaz,
në grurin tim,
të dheut tim,
të babës tim,
të birit tim;
sot e përjetë,
jetë pas jetë!
Dhe ndie qysh flet,
me zë të qetë,
im atë vetë
nga balta poshtë:
“Ta mbroni dhenë,
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë,
e pluhur jam.
Ta mbroni dhenë,
që e ushqej,
dhe sot si dje,
me kurmin tim.
Ta mbroni dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni!
Të derdhni gjakun
Me grushte plot –
po kurrë lotë,
as sot, as mot!
Se loti është robëri,
gjaku – liri!”
Kënga e katërt
Ndërtimi
Jam eshtërmadh,
e bojalli,
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.
Po kam një zemër
në gjoksin tim,
që pa pushim,
më rreh,
si Drin.
Dhe babën tim kur e kujtoj,
lotoj…
Të pashë të vrarë, or Baba,
e pa qefin, si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, sbërtita dot,
pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.
Tani,
tani,
unë jam gati
të vdes që sot,
se rroj përmot;
mbytur me gjak,
po jo me lotë,
për këtë dhe,
q’e kam si fé
e përmbi fé.
E kam vatan,
e kam atdhe!
Hej!
Po buças me zë kabá,
sa të dëgjohet në qiell lá,
sa të dëgjojë fund e kreje
kush gjak shqiptari ka në deje:
Shaban – vëlla!
Destan – baba!
Hej!
Komb i lirë Kosovar,
ti Komb Shqiptar, ti Zot krenar,
ti djalëri – ti pleqëri,
bëru gati!
Bëru gati për vrull të ri,
ta djegësh botën,
ta bësh hi,
për liri,
për Shqipëri!
Kënga e pestë
Qëndrimi
Tani,
tani!
– O Mal i Zi –
ja unë,
ja ti!
Po unë – jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri,
dhe as kufi,
as fqinjëri…
Unë jam këtu kur Mal i Zi,
me Shumadi,
me Dallmati – sa mban e gjitha Shqehëri,
ish Iliri!
Kur nga një det në tjetrin det,
isha zot vetë!
Se jam këtu nga moti,
kur vetë Zoti,
e bëri fushën – fushë
e malin mal.
Unë jam këtu
e do të jem,
– dem baba dem –
sa mali të bëhet hi,
e hiri mal përsëri…