Mbijetesa e njeriut dhe e letërsisë/
Nga Agron Tufa/
Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që sapo ka shfaqur majën e ajzbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, ” MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, ” GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, ” KOLONELI KRYEDHJAK”, ” SHPRESAT E NËMURA”, ” PËSHTJELLIMET E FATIT I, II”, dhe vepra të tjera, të gjitha romane me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste. Por Sokrat Shyti me sa duket, i përket asaj rrace shkrimtarësh që nuk mposhten dhe nuk dorëzohen. Ëndrra e vjetër e shkrimtarisë u mbajt e fshehur dhe e topitur nën lëkurë, përfund një shpirti, që e di mirë, se diktaturat janë nomade, sado absurde e të egra qofshin dhe se karakteri i tyre nomad, nuk mund të fitojë mbi karakterin e shkrimtarit, i cili është i përjetshëm, së paku, sa për t’i shkruar diktaturës nekrologjinë e saj.
Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe kështu ndodhi dhe me Sokrat Shytin. Oshënar i dëbuar në një “bermundë” të një province të humbur, ai doli i gjallë, pas 27-30 vjetësh dhe filloi ringritjen nga hiri.
Po kush është Sokrat Shyti?
Po japim një portret të shpejtë, blic, në pamundësi të një portreti të plotë, ngase jeta e tij është e tillë, sa nuk mund të rroket me një shënim si ky.
I kthyer nga studimet në Univesitetin shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti punon në radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga rregjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nese e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit. Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti e internojnë familjarisht me nënën dhe motrën e vogël në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nështrohet punëve të detyruara. Pëgjatë 27 viteve ai është i shtrëguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë tek i Plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasollje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pas rënies së komunizmit, vazhdoi të qëndrojë edhe për tre vjet të tjera në atë vend vuajtjeje dhe vetëm në vitin 1993, kur dy fëmijët iu bënë për shkollë, arrin të shpërngulët pa plang në Tiranë, ku së bashku me 9 familje të tjera të internuarish politikë, pushteti i atëhershëm i strehon në ish-kopshtin nr 9. Pas viteve ‘2000, me mundime të mëdha e falë ndihmës së dashamirëve të tij, Sokrat Shyti ia del të botojë në tirazh të pakët e lidhje të thjeshtë 3-4 libra – një pjesëzë të vockël të krijimtarisë së tij.
Romani “Nata fantazmë” i Sokrat Shytit.
Mund të them se asnjë roman shqiptar deri më sot, nuk ka arritur të prek në mënyrë aq kaleidoskopike shtresat e realitetit shqiptar të kohës së diktaturës. Në sfondin e tejngopur me intriga të mëdha politike të përmasave perandorake, në një pezhishkë të botës, frymon e regëtin “njeriu i vogël”, “njeriu i tepërt”, fati i të cilit rrokulliset nga njëra gjysmëperëndi politike tek tjetra. Por jeta, përditshmëria që konfigurohet mes presave të egra e ingranazheve, fatet e hipertrofizuara që rrëkëllehen nga ankthi në ankth nën syrin survejues të diktaturës, ka gjetur shprhjen e saj autentike në qindra faqe tek romani “Nata fantazmë”. Në faqet e romanit ndjehen ngërçet dhe paralizat e këtyre fateve të njerëzve të vegjël, sikundërse drithërimat e drejtorëve, shefave, ministrave: askush nuk është i sigurtë për fatin e tij, për ekzistencën e tij. Planet e romanit janë të gjera, të tipit tolstojan, por bota, psikika emocionale, komplekset dhe përjetimet metafizike të personazheve që popullojnë romanin janë të frymës dostojevskiane. Për nga përmasat dhe ndjeshmëria romani “Nata fantazmë” mund të quhet gjithëpërfshirëse, sepse rrok dhe prek të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, nga jevga, polici, kasapi, peshkshitësi, deri tek funksionarët e mesëm e të lartë partiakë e shtetërorë, sekretarë politikë e ministra, përfshirë dhe kryetarin e parlamentit, të cilët vetëm kur ndjejnë në rrembat e gjakut mashtrimin përjetojnë në vetvete zhgënjimin më të hidhur, por e kanë të pamundur ta pakësojnë grykësinë e ligësisë. Nga ana tjetër secili kërkon të përligjë ekzistencën e tij, secili kërkon të thotë të vërtetën e tij, secili kërkon një mbështetje nga dikush më i fortë, që të mos skartohet nga agregati i hekurt e nivelizues i diktaturës. Dhe gjithka e ka një çmim: dikush e paguan varësinë, përuljen, dobësinë me dorëzimin e nderit dhe personalitetit, dikush tjetër e paguan guximin me jetën: në një bota ku nuk ekziston mëshira, njeriu duhet të shpikë armën e mbijetesës. Shkrimtari i jep gjithkujt mundësinë, pavarësisht rrangut apo pozicionit në hierarkinë shoqërore, të zbulojë atë çfarë përfaqëson, atë që e mban gjallë. Dikë e mban gjallë sfida, arroganca, dikë dinakëria, intriga e servilizmi, po dikë tjetër e mban gjallë frika, sikundër është kapter Bakiu, që e përdor frikën e tij, alivanosjen, si armë të mbijetesës. Meqë ra fjala, gjithë romani pulson nga frika, nga lloje të ndryshme ankthi e frike. Frika mund të themi, se është dhe Kryepersonazhi që ndërton polet e fuqishme emocionale të veprës.
Fatet e njerëzve janë vendosur në një sfond të tejnginjur nga pasiguria dhe terrori: ata sot janë, nesër dalin para skudrës së pushkatimit, shpesh pa e mësuar se për çfarë ekzekutohen. Jemi në pikun e terrorit dhe pasigurisë: shteti komunist bën hekatomba të përgjakshme mbi intelektualët, për t’i treguar bindjen dhe nënshtrimin servil Stalinit. Në mënyrë artistike është përcjellë në qendër të romanit “shën bartolomeu” shqiptar, që nis me hedhjen e një sasie dinamiti në ambasadën sovjetike. Përgjatë natës arrestohen qindra intelektualë dhe pushkatohen 22 prej më të shquarve. Me këtë banjë gjaku Stalini do të kënaqet dhe siguria e burrecëve të shtetit tonë është e garantuar. Ajo çka mbetet është shija e hidhur tragjike e fatit, jo më të të pushkatuarit, por fati i familjes. Por në këtë lëmsh mpleksen dhe personazhe të tjerë, nga njerëzit më të thjeshtë deri tek shefja e kabinetit të ministrit të shtetit, e cila, si femër me ndjeshmëri të butë bëhet përçuese e zërit të brendshëm, futet në qelinë e skëterrshme të viktimës, profesorit kirurg, bashkëshortit të mikeshës së saj, jo thjeshtë ta ngushëllojë përpara pushkatimit sa të krijojë një urëlidhëse mes tij dhe të shoqes, të marrë me shkrim amanetin e fundit, që ky ta çlirojë të gjorën grua nga vetmia e vejanes për vitet në vazhdim.
Gjuha e personazheve është dhënë në mënyrë adekuate, në përputhje me vokalin njerëzor e shoqëror, shpesh me paradokse, pasazhe të humorit të zi, logjikës absurdiste dhe sarkazmës. Karakteristikat ligjërimore ruajnë koloritin ambiental, por edhe shkallën e përkatësisë kulturore e sociale të personazheve.
Romani “Nata fantazmë” është një roman i shkruar, kryesisht, në traditën realiste, i cili shterron ato kuadre të realiteteve tona shoqërore e politike, të cilat për pesëdhjet vjet mbetën jetime, të papërjetuara nga “shkrimtarët e partisë” dhe dogma sunduese e “realizmit socialist”. Romani i Sokrat Shytit i ringre këto realitete për t’u ripërjetuar, duke i kthyer asaj kohe një pjesë të borxhit tonë moral dhe për të theksuar, se asgjë nuk është harruar. Është një roman thellësisht human për mesazhin dhe frymën që përcjell, ndërsa botët e polarizuara dhe të homogjenizuara artistikisht, i sjellin letërsisë shqipe një kontribut thelbësor në gjuhën dhe ndjeshmërinë e narrativës romanore.
Vlerësimi i këtij romani, përveç velrave të padiskutueshme letrare, është një mirënjohje dhe gjest, që sado i vonuar, duhet të na përbashkojë rreth aktit të rezistencës njerëzore, rezistencës ndaj të keqes dhe mbijetesës së njeriut dhe letërsisë. A nuk është një mrekulli, që të gjitha këto virtyte njerëzore dhe artistike kanë mbijetuar të padëmtuara tek njeriu dhe shkrimtari Sokrat Shyti?
Agron Tufa,
Tranë, shtator 20014