Shkruan: Dr Gëzim Alpion/Angli/
Tani qe rezultatet e zgjedhjeve të 23 Qershorit u pranuan zyrtarisht, ne intelektualet dibranë, që iniciuam peticionin online për Rrugën e Arbërit, do t’iu luteshim të na përkrahni pa rezerva në mënyrë qe kjo vepër e rëndësishme lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare të përfundojë sa më shpejt.
Ne i urojmë suksese Qeverisë se re që do të krijohet së shpejti dhe shpresojmë që të kemi për herë të parë në politikën shqiptare një opozitë konstruktive dhe besnike, ashtu siç ndodh në demokracitë perëndimore, ku interesat e vendit gjithmonë përparësohen mbi interesat e partisë apo kaulicionesh partiake.
Sot është fillimi i vërtetë i peticionit. Ju premtojmë se ne nuk do të rreshtim së lobuari për Rrugën e Arbërit deri në përfundimin e metrit të fundit.
Edi Rama u premtoi dibranëve gjatë fushatës se do ta përfundojë Rrugën e Arbërit po qe se e majta do të fitonte. Intelektualët dibranë do t’ia freskojnë kujtesën Kryeministrit Rama dhe Kabinetit të tij çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj që ata të dëshmojnë me fakte se e kuptojnë se sa e rëndësishme është që në truallin shqiptar të gjitha rrugët të kalojnë në Dibër.
Na vjen vërtet mirë që askush deri tani nuk na kaq quajtur ‘lokalistë’ dhe se peticioni ynë është përkrahur nga një numër i madh bashkëatdhetarësh në të gjitha trojet shqiptare dhe në Disaporë si dhe nga shumë të huaj nga e gjithë bota. Kjo dëshmon se shqetësimi ynë për gjëndjen mjeranë të Dibrës reflekton edhe pakënaqësinë tuaj ndaj Tiranës dhe Prishtinës për injorimin e një numri të madh zonash në Shqipëri dhe Kosovë. Përkrahja juaj dëshmon edhe shqetësimin tuaj të ligjshëm ndaj disa qeverive të tjera në Ballkan të cilat prej kohësh kanë lenë pas dore disa krahina duke ngadalësuar kështu procesin e afrimit të popujve të këtij rajoni me njëri tjetrin dhe integrimin e tyre evropian.
Dhe së fundi, një mesazh i shkurtër për deputetët e rinj të Dibrës. Ne shpresojmë që ju të na përkrahni në iniciativën tonë. Ne nuk do të bëjmë dallim mes deputetëve të së majtës apo të së djathtës. Për ne ju jeni thjesht deputetë të Dibrës. Po qe se flisni si të majtë apo të djathtë, dibranët do të dinë si t’i trajtojnë partitë tuaja pas katër vitesh. Bëni diçka për Dibrën, sipas rregullave, tani që e keni në dorë dhe mos u ngjani merhumëve para jush të cilët, që nga fillimi i shtetit shqiptar, më shumë e kanë cpërfaqësuar një zonë që gjeografikisht dhe historikisht është zemra e kombit shqiptar. Nuk kërkojmë që Dibra të trajtohet me preferencë; duam thjesht që Dibrës t’i jepet ajo që i takon. Le të jetë Rruga e Arbërit fillimi i Rilindjes kombëtare.
Jemi të sigurtë se shumë prej jush kur të përfundohet Rruga e Arbërit do t’i kaloni pushimet në Dibër peisazhi epik i së cilës si dhe mikëpritja e dibranëve do t’iu mbeten në kujtesë përgjithmonë.
******
Ju lutemi nënshkruani peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’:
*****************************************