Ne Foto:Sotir Peci ne krah te djathte te Nolit ne Boston/
Në shkurt 1919, qeveria e Durrësit e emëroi Pecin drejtor të arsimit për Tiranën. Po atë muaj, një dërgatë amerikane e kryesuar nga konsulli Jozef Haven, kërkon takime me patriotë shqiptarë për të krijuar një ide sa më të saktë për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga figurat kryesore që takoi ishte Sotir Peci
Kush është Sotir Peci
Sotir Peci (1873-1932) lindi në Dardhë të Korçës, në një fshat që e meriton të jetë një kapitull më vete, për hir të zhvillimit të tij social, arsimor e kulturor jashtëzakonisht të rrallë në Shqipërinë e shekujve 19-20. Ishte i biri i Jovan Pecit, një tregtar i pasur druri që si edhe dardharë të tjerë bënte prerjen e tregtinë e lëndës së drurit nga Greqia e Veriut deri në Anadoll. (Prej këtij profesioni ka mbetur edhe shprehja: “Ta pret me sopatën e dardharit”) Nga nëna, rridhte prej familjes së famshme të Themelinjve. Dy vëllezërit Themeliu, Jovani e Athanasi, gjatë një lëvizjeje greke për të shkëputur troje të tjera nga perandoria otomane rreth viteve 1850, që njihet si lëvizja e Limbozit, kishin armatosur 400 burra që i mbanin me pagë. Lëvizja dështoi dhe ata u gjendën të rrënuar. Për kompensim, mbreti Othon iu fali një çiflig në Gavrolimbi, të cilin Sotir Peci, si trashëgimtar i vetëm nuk e mori kurrë. Pas studimeve të larta në Athinë, më 1905 Pecin e gjejmë në SHBA. Ishte nga të rrallët, në mos i vetmi mërgimtar me Universitet, i bashkohej turmës së hallexhinjve, prandaj u prit krahëhapur prej atdhetarëve.
Shkruar nga Teodor Laço/
Disa njerëz, hyjnë në kujtesën e historisë si për inerci të një posti të lartë që kanë pasur dikur dhe pastaj, si pa kuptuar fillojnë të dalin prej saj, të shtyrë nga brrylat e padukshëm të figurave të tjera, lavdiveshura me hak apo të vëna më kot, mbi piedestale prej rëre. I tillë është edhe rasti i Sotir Pecit. Emrin e tij e mban ndonjë rrugë, nga ndonjë stendë muzeu të ndjek prapa syzeve optike shikimi i tij i qetë, paksa ironik, por veprimtaria e tij është thuajse e pazbuluar. Në 70-vjetorin e vdekjes së tij, më vuri në ngasje për të zgjedhur si kryetitull të këtij shkrimi, vlerësimi i Mitrush Kutelit të ri, njërit prej emrave më të mëdhenj të letrave shqipe, bërë në gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës. Kuteli e përcjell vdekjen e Pecit me këto fjalë: “Tani trupi i tij i rraskapitur prej dyzet vjet veteranërie, shlodhet në tokën e zhuritur të Atdheut, të cilin e pat dashuruar aq bujarisht… se virtytet e tij patën qenë regëtimat e mëse kthjelltës shqiptarizme. Ky apostull i shndërritshëm që shqipëzoi shqipen dhe kombësoj kombin, kalon që nga jeta në jetë…”
Nga “Kombi” tek alfabeti i Manastirit
Më 1906 Peci boton gazetën “Kombi”. Kjo nuk ishte gazeta e parë e mërgatës shqiptare. Para saj dy nga gazetat më të njohura ishin “Albania” e Faik Konicës dhe “Drita” e Shahin Kolonjës, por pa dyshim “Kombi” ka qenë gazeta me më shumë lexues, pikërisht sepse delte në Boston, ku po dyndej një turmë e madhe mërgimtarësh. Ishte meritë e veçantë e Pecit tërheqja në gazetë dhe përfshirja në lëvizjen kombëtare e Fan Nolit dhe pavarësisht marrëdhënieve të tyre të mëtejshme që shumicën e kohës mbeten të acaruara për shkak të pikëpamjeve të ndryshme (thelbi i tyre mund të përmblidhet ndoshta në fjalët evolucion apo revolucion) dyshja Peci-Noli, “Kombi” dhe shoqatat e shumta të shqiptarëve të Amerikës, patën një rol të dorës së parë në përgatitjen e ditës së Pavarësisë. Nga gazetaria e Pecit, zgjodha një fragment nga artikulli “Vetëm bashkimi mund të na shpëtojë” (“Kombi” Nr.5, 15/7/1906).
“Nuk është nevoja, sic thonë ca, për një njeri me rëndësi, i cili të na bashkojë se ky bashkim nuk është bashkim me rrënjë, duhet të na bashkojë dashuria e Atdheut, duhet të na bashkojë gardhi i interesave të kombit, duhet të na lidhin qëllimet dhe dëshirat për lirinë dhe qytetërimin e Shqipërisë, vetëm kjo lidhje është e shëndoshë, vetëm këtë nuk mund ta këputin armiqtë tanë”. Le të vihet re se edhe para një shekulli, Peci është kundër kultit të individit, të liderit të vetëm e të pakundërshtueshëm, psikozë nga e cila shqiptarët vazhdojnë të vuajnë edhe sot e kësaj dite, duke dëshmuar prapambetjen e tyre në mendësitë demokratike.
Në Kongresin e Manastirit që njihet si Kongresi i Shkronjave, Peci ishte delegat i shqiptarëve të Amerikës dhe i kolonisë së Bukureshtit. Duke u nisur drejt Manastirit, as vetë nuk e priste që kjo të qe ndarja e fundit me Amerikën. Rrjedhat e patriotizmit do ta rrëmbenin për ta lënë përfundimisht brenda mëmëdheut.
Debati për shkronjat latine të shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës apo alfabetit të Stambollit, ishte ndezur tek “Kombi” dy vjet para Kongresit. Që në numrin e parë, “Kombi” kishte dalë me shkronja latine duke marrë mbi vete akuzat si “përçarës” nga shumica e mërgimtarëve jugorë, të cilët ishin mësuar me alfabetin e Stambollit. Peci mundohej qetësisht t’i bindte se formimi i një alfabeti është problem i vështirë dhe punë shkencëtarësh. Noli u binte druve më shkurt. Ai thoshte se në SHBA nuk gjendeshin gërmat e alfabetit të Stambollit, midis të cilave kishte cirilike e greke. Në Manastir, Fishta, Gurakuqi, Peci, etj., ia dolën të vendoset për alfabetin që kemi edhe sot, duke dëshmuar një prirje të dukshme pro perëndimore.
Nëpër shkolla, tekste, fjalorë
Veprimtaria pedagogjike e Pecit zë fill në shtator 1909 në trupën mësimore të shkollës së parë Normale në Elbasan, ku jepte lëndët e Shkencave të Natyrës dhe mbaron me detyrën e Ministrit të Arsimit, në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Normalja e parë, vazhdoi aq sa një flakë që shkrepet e fiket, me shpresë për t’u rindezur, por pas mbylljes së saj të parë, skeptik siç qe për shumë gjëra, Peci nuk iu rikthye më aty dhe drejtoi për një vit “Mësonjëtoren e Parë” në Korçë. Përvoja e parë si pedagog si dhe kultura e gjerë, i ngjallën zellin për të hartuar tekste mësimore. Bënte projekte për 24 tekste të fushës së shkencave, por… si çdo ëndërrim i pambështetur prej forcës së parasë, projektet u rudhën vetëm tek një “Viti premtar i gramatikës” për klasat 3-4. Ndërkohë, për 20 vjet, me atë durimin e thneglës që rrokullis barrë të rënda, ai skedoi një leksikon apo fjalor të gjuhës shqipe me rreth 25.000 fjalë e me trajta krahasuese në 4 gjuhë të huaja që ai i njihte mirë. Fjalor që ndodhet në Arkivin e Shtetit, duke pritur ndonjë studim serioz. Siç do të duket edhe në dokumenta të mëvonshme kur ishte ministër, ky jugor i thekur parapëlqen shumë trajta eleksikografi të veriut, duke dëshmuar një vizion krejt modern për mënyrat e formësimit të një gjuhe të përbashkët shkollore. Ai nuk ngutet në parapëlqimet vetjake dhe ngulmon që gjuha letrare të mos formësohet me urdhëra administrativë, por të lihet një kohë e mjaftueshme konkurimi midis dy dialekteve.
Peci në fushën e politikës
Mbi të gjitha, Peci shkëlqen në fushën e politikës. Qëkurse themeloi “Kombin” dhe derisa mbylli sytë, kudo ku ngjyen penda e gazetarit dhe pasioni i mësuesit, kudo ku ndërhyn humanizmi dhe filantropia e tij, intelekti dhe guximi qytetar, ai shfaqet jo thjesht si një pasues i Rilindasve, por më gjerë, më lart, si një vizionar i drejtimit perëndimor e demokratik të vendit. Në ditët e luftës ballkanike, i ndodhur në Korçën e pushtuar nga grekët, që në rrethana të tilla (kujtojmë edhe vitin 1941) nuk mënonin të rishpallnin “Koricën” helene, Peci gjendet nën një trysni të fortë. Guvernatori ushtarak Kondulis, me gjak fshatari nga arvanitasit që asokohe thirreshin edhe “barbaçe”, u mundua ta joshte me premtime për pronat e Gavrolimnit dhe me para, por kjo “shpirtmadhësi” nuk pinte ujë tek Peci. Nën kërcënime të përditshme, i maskuar si fshatar i rëndomtë mysliman, Peci ikën drejt Vlorës ku magneti i lirisë po thithte cdo ditë grupe patriotësh. Vëzhgues kritik siç qe “i hidhur” e quan Noli, ai dhe të tjerët vënë re se në qeverinë e Ismail Qemalit, shumë gjëra nuk vinin siç duhej. Nëpër zyrat e administratës, flitej e shkruhej ende turqisht, kishte poste parazitare të paguara me rroga të majme… Por ajo që nuk ia falnin plakut të Vlorës, ishte projekti i tij për ndarjen e Shqipërisë në tre kantone, sepse edhe duke qenë e bashkuar ajo rrezikonte copëtimin e jo më e ndarë në kantone. U mendua formimi i një partie opozitare që duhej t’i jepte shtytje qeverisë për reforma të guximshme. Nëpër kujtimet e bashkëkohësve, kjo parti herë quhet Kombëtare e herë Nacional-Liberale. Por projekti mbeti vetëm një ide propagandistike edhe partia nuk u formua. Qeveria e Ismail Qemalit u ndodh nën kërcënimin e një kryengritjeje xhonturke dhe pastaj të Esat Toptanit. Inisiatorët e një opozite politike, midis të cilëve edhe Peci, nuk mund të viheshin në një front me antikombëtarët. Të njëjtin qëndrim mbajti ky grup (Hil Mosi, Dervish Hima, S. Peci, Sabri Qyteza etj) edhe ndaj qeverisë së Princ Vidit, kur ky u kërcënua nga Esat Pasha. Në vitet ’14-’18, me refugjatë të tjerë të mbledhur pas ikjes së Vidit si I.Buletini, S.Nivica, Ç.Topulli, B.Curri, I.Kosturi etj., Peci strehohet në Shkodër, ku bashkë me patriotë vendas të prirë nga Nikollë Ivanaj, krijojnë organizatën “Krahu Kombëtar” që në ato vite, pati një rol tepër të madh. Veprimi politik më i spikatur i Pecit në atë kohë, mbetet të nënvizohet reagimi i tij ndaj konsullit italian De Faccenti, i cili u mundua ta bindte se ishte në dobi të interesit kombëtar shqiptar, që Italia të pushtonte Vlorën e Sazanin, çka duhej përkrahur nga patriotët e “Krahut Kombëtar”. Ai premtoi një ndihmë prej 2000 lirash për “Refugjatët” që vuanin për bukën e gojës. Peci i refuzoi të dyja.
Në shkurt 1919, qeveria e Durrësit e emëroi Pecin drejtor të arsimit për Tiranën. Po atë muaj, një dërgatë amerikane e kryesuar nga konsulli Jozef Haven, kërkon takime me patriotë shqiptarë për të krijuar një ide sa më të saktë për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga figurat kryesore që takoi ishte Sotir Peci. Ky ngulmoi fort që Haveni ta kuptonte se qeveria e Durrësit dhe delegacioni i saj në Paris ishin lart aspiratave të vërteta të popullit shqiptar. Dokumenti më domethënës për këtë është përgjigja me shkrim që Peci i jep zv/ministrit P.Poga, i cili e pat urdhëruar që, si nënpunës i qeverisë, të mos merrej me veprimtari politike. Ja ç’shkruan Peci, ndër të tjera: Qeveria e dalë nga Kongresi historik i Lushnjes, duke njohur vlerat e Pecit, e futi në kabinetin qeveritar si Ministër të Arsimit. Ishte 47 vjeç dhe mbarte mbi supe jo vetëm përvojë, por mbi të gjitha një figurë të pastër morale. Sipas “Gazeta e Korçës” 12.4.1932, Peci ishte në Lushnje një nga hartuesit kryesorë të Statusit të parë themeltar të shtetit shqiptar. Shumë nene, sidomos ato që flasin për të drejtat e njeriut, u hartuan e u vunë me propozimin e tij. Në vitet që pasuan, Pecin e gjejmë deputet, ministër dhe njërin nga 4 anëtarët e Këshillit të Lartë, apo regjentë siç quheshin.
Viti 1924, qëndresa dhe arratija
Në historinë e Shqipërisë, viti 1924 është nga më të turbulltit e më vendimtarët. Në qershor, erdhi në pushtet qeveria e Fan Nolit. Ndërkohë, Peci mbeti i vetmi nga katër regjentët që nuk u largua. Noli iu bëri kërkesë gjithë vendeve të mëdha ta njihnin qeverinë e tij, mirëpo qeveritë perëndimore, besnike të parimit të tyre për ardhjen në pushtet vetëm me rrugë legale, pra me zgjedhje të lira, nuk mund të pranonin një qeveri të dalë nga një lëvizje e armatosur, aq më shumë kur këtu mpleksej edhe ngutja e qeverisë ruse për ta njohur. Tipik është deklarimi anglez. Meqenëse qeveria e tanishme shqiptare kishte ardhur me forcë, Forign Office nuk ka ndërmend të largohet nga qëndrimi tradicional në raste të këtij lloji. “Në këto rrethana, Peci, që në fillim ishte një nga përkrahësit e lëvizjes, pati një rol kyç si asnjëherë në jetën e vet. Më 1 korrik sipas statutit të Këshillit të Lartë, ia ngarkon Nolit formimin e qeverisë dhe vetë largohet “për arsye shëndetësore”. Vetëm më 3 tetor, pasi pa rrjedhat që po merrte qeverisja, rikthehet nga Dardha në Tiranë. Përderisa qeveria nuk po njihej, me largpamësi Peci ia njeh vetes të drejtën për t’u paraqitur si i vetmi përfaqësues i shtetit legal. Mosmarrëveshjet e Pecit me Nolin, të vjetra dhe pa këtë situatë, kthehen në konflikte të përditshme. Kontradikta kryesore lidhej me legalizimin e qeverisë. Peci mendonte se përderisa njohja e saj po mohohej nga Fuqitë e Mëdha, përderisa Lidhja e Kombeve ia mohoi Shqipërisë një hua të kërkuar prej saj, përderisa vendimi i 28 qershorit për të hyrë në marrëdhënie diplomatike me qeverinë bolshevike shkaktoi një reaksion zinxhir kundërshtimesh në botën tjetër dhe në opinionin publik europian, qeveria u cilësua si “komuniste”, mbetej vetëm një rrugë: legalizimi i qeverisë nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare. Peci e paralajmëroi Nolin se nuk do t’i nënshkruante asnjë dekret, përveç atij për zgjedhjet parlamentare. Sipas Nolit, ky ishte një qëndrim i hapur pengues që i bëhej revolucionit, i cili gjithë sipas Nolit, dhunës feudale duhej t’i përgjigjej me dhunën e masave kryengritëse. Peci, si liberaldemokrat, ishte kundër çdo dhune. Ai mendonte se si regjent, duhej të qëndronte përmbi klasat e luftrat klasore, me “pa anësinë e lypun” siç shprehej dhe të ruante në çdo rrethanë funksionin e ligjit. Në akuzat e tij, Noli arrin ta quajë Pecin si mik të klasit të bejlerëve dhe të Zogut, por ky është një vlerësim emocional dhe i pabazuar. Me të vërtetë, gjatë Kongresit të Lushnjes, Peci dhe mjaft politikanë të vjetër, e përkrahën Zogun duke parë tek ai një djalosh me të ardhme, por fill pasi ky hyri në Shqipëri me trupat e tij dhe të huaja për ta përmbysur qeverinë e Qershorit me po ato metoda që kishte përdorur edhe ajo, Peci, si besnik i parimit të tij të shenjtë të ligjshmërisë, u largua nga vendi dhe nuk u pajtua deri në fund të jetës me këtë akt të Zogut.
Në vitet 25-32, i dënuar fillimisht si edhe të tjerë me vdekje në mungesë dhe i falur më pas, Peci mbeti një emigrant politik, fillimisht në Itali dhe më pas në Greqi! Megjithëse iu bënë oferta për ofiqe e shpërblime, ai mbeti kokëfortë siç qe në bindjet e veta. I sëmurë e pa mjete financiare për t’u kuruar, i varfër, pa mbushur të 60-të vitet, mbylli sytë në Follorinë më 10 prill 1932. U varros në Korçë, me nderime të mëdha zyrtare, mbi shtratin e një topi. Nuk mund të mohohet, Zogu dinte si të sillej edhe me kundërshtarët e tij…(Dielli Vol. 93,N 2)