POEZI NGA ELIDA BUÇPAPAJ/nuk pres/
me sytë/
fiksuar/
në mur/
me shpresën/
se do të zgjoj/
turmën/
turma kalitet/
në kudhër/
turma zgjohet
me urdhër
turma nuk është
sovrane
turma i lan
këmbët
tiranëve
ua lëpin
altelet me jargë
turma është
bajgë
turma nuk është
urë
turma është
mur
sovrani
është shqiponja
prangosur
në flamur
turma ndryshon
vetëm fytyrë
e pafytyrë
ngutem nuk pres
më kurrë
turmën rrokapujë
që kohën vret
e nëpër grigja
bariun pret
me krrabën sfurk
veshur shik
kostume firmato
hajvanësh
që kushtojnë
sa disa qindra
rroga mjeranësh
turma shkon
pas rrjedhës
turma kurdiset
si tren lodër vrik
pas lokomotivës
rrangallë
model sovjetik
turma atavizëm
bisht i hajnave
turma i mban
në këmbë
stërvinat e tiranëve
nuk pres
që turma të dehet
nga poezia
që shkruaj
me vizion futurist
jo turma dehet
me fjalime
proletarësh
stakanovistë
turma kalon
në delir,
ekstazë
orgazëm
kolektive
dhe pastaj bie në gjumë
me barkun kosh
mbushur
me kuti teneqeje
konservash
bosh
turma ka dekada
qe fle gjumin
letargjik
turma zgjohet
si një përbindësh
shumëkokësh
me tru kolektiv
që vihet
në lëvizje
me telekomandë
ose kurdisje
nuk e pres turmën
as ti mos e prit
se konvertohesh
nga sovran në mi