
Gjon F. Ivezaj/
Spiridon Ilo lindi më 30 shtator 1876 në qytetin e Korçës, një qytet i cili në fund të shekullit XIX ishte ndezur si një pishtar i dritës e i vetëdijes kombëtare, një vatrë e ngrohtë ku zemrat e njerëzve rrihnin për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për të mos u zhdukur në përplasjen e gjatë e të mundimshme me errësirën e perandorisë, që synonte të shuante çdo shenjë të identitetit të popullit tonë. Familja e Ilos ishte një familje e njohur për ndershmëri dhe përkushtim ndaj punës e traditës. Babai dhe nëna e rritën me ndjenjën se njeriu nuk është vetëm një qenie që jeton për veten, por një filiz i gjallë i trungut të kombit, i cili duhet ta ushqejë e ta forcojë trungun me mundin e tij. Qysh në fëmijëri, ai përthithi frymën e dashurisë ndaj gjuhës amtare dhe ndjenjën e thellë se populli shqiptar kishte lindur për të qenë i lirë dhe i dinjitetshëm.
Arsimi bazë i tij u krye në shkollat e Korçës, në një kohë të vështirë kur gjuha shqipe ishte e ndaluar, ndërsa mësimet në shumicën e rasteve zhvilloheshin në gjuhë të huaja. Spiridon Ilo e kuptoi herët se gjuha është gurthemeli i ekzistencës së një populli dhe se pa gjuhë nuk ka kujtesë, nuk ka shpirt, nuk ka atdhe, siç nuk ka as rrënjë, as degë, as frut. Kjo ndjenjë e brendshme do ta ndiqte gjatë gjithë jetës së tij. Ai u rrit me libra të pakët, por me etje të madhe për dije. Ai nuk ndoqi fakultet të lartë universitar, sepse koha nuk ia dha këtë mundësi, por ai ishte një shembull i lartë i vetë-arsimit: lexonte çdo gjë që i binte në duar, dëgjonte bisedat e njerëzve të mençur, vëzhgonte historinë dhe mbante mend, siç mban mend zemra e një njeriu që e di se jeton jo vetëm për veten, por për diçka më të madhe se ai vetë.
Rinia e tij e shtyu drejt Bukureshtit, aty ku kolonitë shqiptare ishin bërë qendra të rëndësishme të mendimit dhe organizimit kombëtar. Në Bukuresht, Spiridon Ilo u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” dhe “Shpresa”, të cilat ishin rrahjet e zemrës së atdhetarizmës shqiptare jashtë atdheut. Aty u organizuan, u botuan libra, u përkthyen tekste, u kënduan këngë, u mblodhën fonde dhe u ndezën shpirtra. Ilo u gjet në mes të tyre, jo si spektator, por si punëtor i heshtur, si krah që nuk lodhet, si sy që nuk mbyllet, si mendje që nuk stepet. Ai e kuptoi se rilindja e popullit shqiptar nuk do të vinte vetëm nga pushka, por mbi të gjitha nga pena, nga fjala, nga kënga, nga arsimi.
Roli historik i Spiridon Ilos arriti majën e tij më 28 Nëntor 1912, ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Në Vlorë, ai ishte ndër ata burra të urtë e të guximshëm që nënshkruan aktin e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë. Me dorën e tij, ai vendosi firmën për idealin e lirisë, duke dëshmuar se nuk ishte vetëm një poet i ndjenjës kombëtare, por një veprues i realitetit historik. Me atë firmë, Ilo u bë kujtesë e gjallë e lindjes së shtetit shqiptar dhe pjesë e themeleve të tij. Por për të, pavarësia nuk ishte një pikë fundore, ishte vetëm fillimi i një pune edhe më të rëndë: puna për të ndërtuar arsimin kombëtar.
Arsimi ishte besimi i tij i thellë. Ai e dinte se liria pa dituri është një derë e hapur drejt errësirës së re. Prandaj, Spiridon Ilo punoi pa reshtur për shkollën shqipe. Ai kujdesej për librat, për materialet didaktike, për përkrahjen e arsimtarëve, për hapjen e qendrave të reja të mësimit. Ishte ndër të parët që e kuptoi se atdheu nuk është vetëm një tokë fizike, por është një qiell shpirtëror ku flenë kujtesat dhe ëndrrat e popullit. Dhe ky qiell ndërtohet me shkollë.
Një ndër veprat më të mëdha të tij, që e bën emrin e tij të pavdekshëm jo vetëm në histori, por edhe në zemrat tona, është fakti se Spiridon Ilo regjistroi për herë të parë me fonograf Himnin e Flamurit. Ky akt, i thjeshtë në dukje, ishte në të vërtetë një akt i pamatshëm historik. Ai ruajti tingullin e shenjtë të identitetit tonë kombëtar, këngën që ngre zemrën e popullit tonë drejt qiellit, këngën që valëvitet bashkë me flamurin, këngën që na bashkon kur jemi në gëzim e kur jemi në vaj. Pa këtë regjistrim, shumë nga kujtesa e këngëve tona kombëtare do të ishte zhdukur në erërat e kohës.
Jeta e Spiridon Ilos nuk ishte as e pasur materialisht, as e lehtë. Ai nuk kërkoi asnjëherë shpërblim, as titull, as lavdi. Jetoi mes njerëzve, modest, i thjeshtë, por i madh në shpirt. Ai nuk ndërtoi shtëpi të larta për veten, por ndërtoi themele të pathyeshme për kombin. Nuk foli shumë për vetveten, sepse e dinte se veprat flasin më gjerë se fjalët. Në plakjen e tij, ai u kthye sërish në Korçë, në qytetin e zemrës, ku kaloi vitet e fundit të jetës me qetësi dhe me dinjitet. Spiridon Ilo ndërroi jetë më 7 nëntor 1950, duke lënë pas një trashëgimi që nuk shuhet.
Sot, emri i tij rron si një fener i dritës kombëtare. Ai është dëshmi se njeriu i madh nuk është ai që ngrihet mbi të tjerët, por ai që i ngre të tjerët bashkë me veten. Spiridon Ilo është një gur i çmuar në ndërtesën e identitetit tonë. Dhe si çdo gur i shenjtë, ai nuk duhet harruar. Është detyrë e brezave që vijnë ta përkujtojnë jo vetëm emrin, por frymën e tij: frymën e përkushtimit të heshtur, të dashurisë së pastër për gjuhën, arsimin dhe atdheun.
Në këtë mënyrë, jeta e tij nuk është thjesht një kapitull historie. Është thirrje. Thirrje për me punua, me dashtë, me ruajtë, me mbrojtë. Thirrje për me kuptua se kombi jeton vetëm atëherë kur bijtë e tij ia kushtojnë zemrën, mendjen dhe mundin. Dhe kështu, Spiridon Ilo mbetet shembull për ne sot, për brezat që do të vijnë, për ata që e kuptojnë se vepra e njeriut mbetet vetëm atëherë kur ajo vepër është ndërtuar mbi lirinë, dijen dhe dashurinë e pastër njerëzore.