![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/07/800-0-63c8266b5ddd3-771x1024-1.png)
Artan Nati/
Gjykata e Lartë të premten anuloi planin e faljes së huave studentore të Presidentit Biden, duke vendosur se një ligj federal i vitit 2003 nuk lejon që programi të fshijë gati gjysmë trilion dollarë borxh.Gjithashtu Gjykata e Lartë e SHBA-së i dha një goditje të rëndë veprimit afirmativ të enjten në ndryshimin e fundit konservator të gjykatës, duke përmbysur dekada të precedentit që lejon pranimet në kolegje dhe universitete të studentëve me bazë racore dhe jo meritokratike. Veprime të tilla vërtetojnë faktin se në Amerikë sundon ligji në kundështim me praktikat që ndiqen në Shqipëri, ku sundohet nëpëmjet ligjit. “Sundimi nëpërmjet ligjit” i referohet një situate ku ligjet përdoren si mjete kontrolli nga ata që janë në pushtet, sesa si instrumente për të promovuar drejtësinë. Në një skenar të tillë, ligji mund të manipulohet dhe zbatohet në mënyrë selektive për t’i shërbyer interesave të individëve ose grupeve të veçanta, duke u lejuar atyre që janë në pushtet të ruajnë autoritetin e tyre dhe të shtypin divergjencat e mendimeve. A nuk ndodhi kështu në Shqipëri në 2008? Politika, pozitë dhe opozitë në bashkëpunim miratuan ndryshimet në Kushtetutë, duke aprovuar një sistem të ri zgjedhor, proporcional rajonal me lista të mbyllura. Kjo marrëveshje i dha pushtet të padiskutueshëm kryetarëve të partive, duke e shndërruar Parlamentin në një dhomë noterie nën drejtimin absolut të Kryeministrit të radhës. Zgjedhjet që pasuan marrëveshjen politike të 2008 prodhuan qeveri të dobëta nën kontrollin absolut të kryeministrit; një Parlament përherë e më apatik; deputetë me nivel të ulët për të qenë në atë sallë. Kjo marrëveshje bëri të mundur që kryeministri dhe kryetarët e partive jo vetëm të ishin mbi ligjin, por edhe të sundonin nëpërmjet ligjit.
Ndërkohë në SH.B.A dhe Europën perëndimore shikojmë se kur premtimet elektorale të kryetarëve të shteteve janë në kundështim me ligjin, konsiderohen të pavlefshme nga sundimi i ligjit,biles edhe janë të rrezikuar të shkojnë në burg, siç po ndodh me ish presidentin Trump kohët e fundit. Gjithashtu qeveria godet në mënyrë selektive bizneset që nuk sponsorizojnë partinë në pushtet,apo duke u bërë favore biznesmenëve që përkrahin pozitën. Është e vështirë sot në Shqipëri të bësh biznes pa shkelur ligjet dhe këtë fakt e shfrytëzon qeveria për të ndëshkuar kundështarët e saj. Kështu ndodhi para zgjedhjeve vendore me goditjen e “Birra Tirana” dhe disa bizneseve të tjera që konsideroheshin pranë opozitës.
Sundimi i ligjit është koncepti i shtetit të së drejtës se të gjithë individët, përfshirë zyrtarët e qeverisë, i nënshtrohen dhe duhet t’i përmbahen ligjit. Kjo nënkupton që ligjet duhet të jenë të qarta, transparente dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror, pasuria ose ndikimi politik. Sundimi i ligjit mbështet idenë se askush nuk është mbi ligjin dhe se vendimet ligjore duhet të merren në mënyrë të pavarur dhe të paanshme nga një gjyqësor i paanshëm. “Një komb që nuk mund të vetëqeveriset me ligj, nuk është as civil dhe as i lirë.” thoshte filozofi i shquar anglez John Locke.
Në mungesë të shtetit ligjor, njerëzit mund ta gjejnë veten duke jetuar në një gjendje pasigurie të vazhdueshme dhe cenueshmërie ndaj tekave të të tjerëve. Në këtë këndvështrim mund të themi se demokracia jonë qëndron e tillë vetëm në emër,por praktikisht është e dështuar dhe bashkë me të gjithë struktura shtetërore. Shtetet e dështuara janë vende ku qeveria nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të ofrojë shërbime bazë dhe siguri për qytetarët e saj, duke çuar në një prishje të rendit dhe ligjit, paqëndrueshmëri politike dhe vështirësi socio-ekonomike.
Në situata të tilla, institucionet mund të jenë të dobëta ose inekzistente, korrupsioni mund të jetë i shfrenuar dhe dhuna dhe konflikti mund të mbizotërojnë. Këto rrethana krijojnë një mjedis jo mikpritës për rritje dhe zhvillim ekonomik. Pa sundimin e ligjit dhe të drejta të sigurta pronësore, investimet dhe zhvillimi i biznesit bëhen të vështira. Si rezultat, popullsia mund të luftojë për t’i shpëtuar ciklit të varfërisë. A nuk po ndodh kjo në Shqipëri? Aferat korruptive me incineratorët,mungesa e shërbimeve jetike për popullsinë si dhe aferat e pafundme korruptive në nivel lokal dhe qëndror tregon qartë dështimin e demokracisë. Në këto kushte qytetarët e vendit gjejnë si varkë shpëtimi braktisjen e vendit. Afera e fundit seksuale në zyrën e kryebashkiakut të Kukësit ishte një shembull i qartë i batakut në të cilin ka rënë administrata shtetërore. Francis Fukuyama, si shumë studiues dhe politikëbërës të tjerë, thekson rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të forta dhe efektive për të nxitur zhvillimin dhe zbutjen e varfërisë në këto vende. Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, institucionet transparente dhe të përgjegjshme dhe një shërbim civil funksional janë të gjithë komponentë thelbësorë të shoqërive të qëndrueshme dhe të prosperuara.Dixhitalizimi i kadastrës,i propaganduar nga kryeministri është një hap i madh drejt transparencës dhe shpresojmë të funksionojë normalisht, ndërkohë që vjedhjet e mashtrimet e qytetarëve mbeten të pazbardhura dhe një preçedent i rrezikshem për krimin e pandëshkuar. A do të funksionojë apo jo mbetet për tu parë dhe a do të pasohet nga akte të tjera transparence? Zhvillimet e ngadalta por të sigurta të SPAK-ut tregojnë qartë se drejtësia ka filluar të funksionojë e të jetë e pavarur. Mbështetja amerikane dhe e BE është garanci për vazhdimin ne drejtimin e duhur.Gjithashtu dalja e disa forcave të reja politike, m.gj.s të vogla por me programe të qarta dhe me drejtues të rinj të edukuar në perëndim dhe mbështetje perëndimore tregon se Shqipëria po shkëputet nga tranzicioni drejt familjes dhe civilizimit perëndimor.