-Para 21 viteve, në 12 Qershor 1999, raportoja drejtpërdrejë nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin në Kosovë prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga ora 05 e 17 minuta të përcjella nga helikopterët Apaçë/
– Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…/
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, takim në Shkup, derisa konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999, u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.Vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë…/
-12 Qershor 2019: Kosova 20 vjet liri, Amerika në festën e madhe – Clinton , Albright, Palmer,…
-Raportim imi i 14 Qershorit 1999: Ëdhe pas hyrjes së NATO-s në Prishtinë forcat e kamufluara serbe vazhdojnë pnaninë e plaçkitjet/
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në mesazhin e urimit në vitin 2002: Ditë të Lirisë së Kosovës – 12 Qershori/
-Sot-12 Qershor 2020, u bën pesë vjet dhe nis viti i gjashtë i raportimeve të mia për Gazetën DIELLI, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA. Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të herëshme shqiptare… /
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 12 Qershor 2020/ Kosova sot shënon Ditën e Paqes e të Lirisë- 12 Qershorin edhe me një seancë solemne të Kuvendit të Republikës, në oborrin e të cilit mbillen 1133 lule në shenjë kujtimi për fëmijët e vrarë gjatë luftës së përfunduar para 21 viteve.
Kosovës para 21 viteve nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën tëhynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të focës më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit…
Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hersëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave serbe.
Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë: “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…”
Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…”
Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet për NATO-n në Kosovë nga një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të pa armatosur.
Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli.
Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepalit dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githënjë e më të rëndë e në numër më të madh…
Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej…
Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishin në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo.
Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën e edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”, “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…
Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit, diku pas mesnate, ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.
Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi.
Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës.
Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë.
Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga urie në mungesë të bukës. Vajza tregonte se quhet Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katër të tetëvjeçares. Një e afërm e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler…
Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen.
Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreeziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s.
Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…
Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur…
Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota.
Paramilitarët serbë i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim…
Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…
Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.
Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”.
“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”…
Në kryeqytetin e Kosovës edhe gjatë gjithë natës së 12-13 Qershorit 1999 breshëritë e armëve serbe vazhdonin dhe plumbat qorr binin mbi kulmin e shtëpisë së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.
Në mëngjesin e 13 Qershorit 1999 qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi që po raportoja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisëpo shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Ishin djegur edhe selia e Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe.
Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria…
Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”, vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”
Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.
Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.
Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.
Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.
Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe…
Kështu ishte 21 vite më parë…
Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.
Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi poashtu para 12 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së…
12 QERSHOR 2019: KOSOVA 20 VJET LIRI, NË FESTËN E MADHE AMERIKA -CLINTON , ALBRIGHT, PALMER…
Në12 Qershor 2019 kam raportuar për Gazetën DIELLI, mes tjerash: Festë të madhe sot ka Kosova për 20 vjetorin e lirisë, është festë e gjithë shqiptarëve, urime e përgëzime vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës së lirë e demokratike. Presidenti Amerikan Bill Clinton dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright, nga koha e luftës dhe e fitores së paqes e lirisë në Kosovë, si dhe zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, ishin sot dhe mbajtën fjalime në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në Sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë. Mes shumë pjesëmarrësve ishe edhe ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, i cili ka drejtuar ndërhyrjen shpëtimtare-humanitare në kohën e luftës në Kosovë. Në festimin madhështor ishin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.
Më Prishtinë sot bëhet edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn.
Pjesë e festës, mbrëmjen e djeshme u mbajt koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Kosova po feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.
CLINTON-RUGOVA-DOLE, PARALAJMËRIM LIRIE PARA 21 VITEVE
PARA 21 VITEVE, NË 5 MARS 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.
Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999, u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.
Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991 me votim 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…
Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë, në vendin që në 2020-tën feston 21 vjetorin e lirisë e 12 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.
Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…
Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s…
Njëmbëdhjet vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lire Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.
Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…
RAPORTIM I 14 QERSHORIT 1999:
EDHE PAS HYRJES SË NATO-S NË PRISHTINË FORCAT E KAMUFLUARA SERBE VAZHDOJNË PNANINË E PLAÇKITJET
PRISHTINË, 14 QERSHOR 1999/- Edhe pas hyrjes së NATO-s në Prishtinë forca të kamufluara serbe vazhdojnë praninë dhe plaçkitjet.
Rrugëve të kryeqytetit të Kosovës edhe sot janë parë shumë njerëz të sigurimit shtetëror, të policisë sekrete, të forcave special policore, ushtarake e paraushtarake serbe të kamufluarame vëshje civile. Këto forca sërbe, siç bëhet e ditur nga shumë burime, kanë fshehur armatime nëpër shtëpia, bunkere, kisha, etj, si dhe nëpër makina me regjistrime civile, të cilatlëvizin rrugëve.
Shumë policë, ushtarakë e paraushtarakë serbë janë edhe në kolonat që inskenojnë ikjen serbe nga Kosova, në të cilët kamionët, traktorët e autoveturat janë të mbushura me plaçkitjet e mëdha që iu bënë pasurive e pronave të shqiptarëve.
Edhe gjatë natës së kaluar bandat serbe hynë nëpër shtëpitë e shqiptarëe për të plaçkitur e vodhën edhe shumë vetura nëpër rrugë e parkingje. Ka pasur edhe shëkëmbime zjarri ndërmjet vetë serbëve që grindeshin rreth ndarjes së plaçkes. (Behlul Jashari)
VITI 2002-MESAZHI I PRESIDENTIT RUGOVA: 12 QERSHORI ËSHTË NJË NGA DITËT MË TË MËDHA NË HISTORINË E KOSOVËS
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në mesazhin e urimit në vitin 2002 bënte të ditur se kishte vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin:
Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s që vlerësohet si ditë e çlirimit të Kosovës, u ka drejtuar sot një mesazh qytetarëve të Kosovës. Në këtë mesazh thuhet:
– Qyetarë të nderuar të Kosovës,
Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e lirisë së Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.
Dita e 12 Qershorit është një nga ditët më të mëdha në historinë e Kosovës – të Dardanisë antike.
Sot, pas tri vjetësh, do pranuar se Kosova e lirë ka pasur një progres të madh në të gjitha segmentet e jetës, falë miqve tanë dhe popullit të gjallë e dinamik të Kosovës.
Prandaj, njohja formale e Pavarësisë së Kosovës shtrohet si detyrë e drejtpërdrejtë në të cilën po punojmë intensivisht.
Me këtë rast urime të ngrohta u shprehim ushtarëve dhe Komandantit të KFOR-it, gjeneralit Valenten.
Poashtu, urime të përzemërta i shprehim kryeadministratorit të Kosovës, zotit Mihael Steiner dhe OSBE-së.
Urime të sinqerta u shprehim përfaqësuesve diplomatikë në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.
Në këtë ditë gëzimi të lirisë së Kosovës përshëndesim presidentin Bush, kryeministrin Bler, presidentin Shirak, kancelarin Shrëder dhe kryeministrin Berluskoni.
Përshëndetje të madhe i dërgojmë Papa Gjon Pali II për kujdesin e tij për Kosovën.
Zonja dhe zotërinj,
Dëshiroj t’ju njoftoj se sot kam vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin.
Gëzuar Dita e Lirisë.
Zoti e bekoftë Kosovën.
SOT-12 QERSHOR 2020, 5 VJET RAPORTIMI PËR GAZETËN DIELLI
PRISHTINË, 12 Qershor 2020/ Sot u bën pesë vjet dhe nis viti i gjashtë i raportimeve që bëj si korrespondent nga Kosova i Gazetës DIELLI që e njoha nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar. E që edhe shumë vite para 12 Qershorit 2015 botonte shkrimet e mia që i merrte nga Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë e në shtypin shqiptar.
Raportimet për DIELLIN i nisa pikërisht në Ditën e Lirisë, në përvjetorin e 16-të të hyrjes së NATO-s në Kosovë, me një reportazh për ngjarjen historike, ku në 12 Qershor 1999 isha gazetar i akredituar në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare që kishte nisur misionin shpëtimtar e paqerujtës…
Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të herëshme shqiptare, DIELLI, që në 15 Shkurt 2020 festoi 111 vjetorin, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA, për të gjithë shqiptarët në SHBA që aq shumë kontribuan për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet tjera etnike. Falënderime e mirënjohje të përgjithëmonëshme…
Me shumë respekt,
Behlul Jashari