-Kryeministri Mustafa: Policia e Kosovës simbol i përkushtimit në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës/
-Policia e Kosovës vlerësohet se vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008/
PRISHTINË, 6 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Policia e Kosovës festoi sot ditën e 17-vjetorit të themelimit, me një ceremoni zyrtare, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e quajti përvjetor të punës dhe sakrificës 17- vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, të cilin e quajti institucion të rëndësishëm dhe të besueshëm.“Mund të them se ju keni bërë një punë të mrekullueshme, se Policia e Kosovës e ka bërë një punë të lartë profesionale, ka treguar profesionalizëm, ka treguar disiplinë, ka treguar përkushtim për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në shërbim të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë. Ka zbatuar në mënyrë të përkushtuar ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës ”, ka thënë kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë që të ndihmoj edhe më shumë zhvillimin e këtij institucioni.
“Ajo që mbetet të them si kryeministër është se ne mburremi me ju, mburremi me punën që e keni bërë, dhe do ta keni një përkrahje të pa rezervë, në mënyrë që ky institucion të zhvillohet ashtu siç është zhvilluar, dhe të kryej përgjegjësitë e saj në mënyrën më të mirë. Unë e di që ju nuk e keni pasur lehtë, sidomos kohëve të fundit, jeni ballafaquar me shumë sfida dhe probleme, por mund të them se të gjitha këto i keni menaxhuar mirë, e keni mbrojtur qytetarin e Kosovës, keni mbrojtur pasurinë e shtetit, e keni zbatuar ligjin. Ju përgëzoj për të gjitha punët e mira që i keni bërë dhe për sukseset që i keni arritur, juve, udhëheqësinë e juaj, Ministrinë e Punëve të Brendshme. Po ashtu dëshiroj që këto suksese bashkërisht t’i rrisim dhe t’i shtojmë edhe në periudhën e ardhshme”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se 17 vjet pas themelimit, Kosova ka arsye për të qenë krenare me polici profesionale, me integritet të madh njerëzor dhe profesional, e cila me përkushtim ka mbrojtur Republikën.
“Ju të nderuar oficerë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, më mirë se çdo kush tjetër keni dëshmuar se jeni mbrojtës të pa kompromis të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Do të vazhdoni të përballeni me sfidat që jeni përball gjatë vitit që po e lëmë pas, por unë jam i sigurt që do të vazhdoni po me të njëjtin intensitet t’i adresoni ato sfida, me ekspertizë të pashoqe që e keni demonstruar gjatë vitit që po e lëmë pas, me integritet, me guxim edhe qytetar edhe institucional, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie etnie, përkatësie fetare, kulturore apo gjinore, ta ndjejnë veten të sigurt në shtëpinë e vet. E, shtëpia e të gjithë neve është Republika e Kosovës, që ndonjë i shkalluar mund edhe ta mohoj, mirëpo Republika e Kosovës po bëhet gjithnjë më e fuqishme, më e fortë dhe më e konsoliduar”, ka theksuar ministri Hyseni.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, foli për rrugëtimin e Policisë së Kosovës që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme, por edhe për përkushtimin dhe sfidat me të cilat u përballën.
“Rrugëtimi 17-vjeçar i mijëra grave dhe burrave të Policisë së Kosovës të devotshëm për t’iu shërbyer qytetarëve çdo herë, ka bërë që Policia e Kosovës të gëzoj respekt dhe mbështetje nga të gjithë”, tha drejtori Maxhuni.
Gjatë kësaj ceremonie u bë ndarja çertifikatave për zyrtarët policorë që janë shquar për punën e tyre dhe rezultatet e arritura.
Policia e Kosovës vlerësohet se vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008.
Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur në qytetin e Vushtrrisë Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.