Nga Uk Lushi/
Pas më shumë se pesëqind viteve, në fillim të shekullit të 19-të, si në rastin e çdo perandorie tjetër që nuk mund të shkëlqejë përjetësisht, rënia zuri t’i rrëzbiste edhe themelet e Perandorisë Osmane. Në njërën anë popuj të shumtë, që ishin pushtuar qoftë me zor qoftë me joshje, dhe në anën tjetër Rusia dhe shtetet europiane, duke ndjerë dobësinë e shkërmoqjes së fuqisë së Stambollit, filluan ta godasin trupin perandorak kudo mundeshin. Krerët dhe elitat e popujve nën thundrën osmane po shihnin rastin dhe interesin e tyre ndërkaq që përpiqeshin të përfitonin sa më shumë për vete dhe popujt që i udhëhiqnin drejt pavarësisë.
Në këtë periudhë të turbullt, ndonëse nuk i ishte nënshtruar sundimit otoman asnjëherë plotësisht por— paralelisht dhe paradoksalisht— i kishte dhënë perandorisë udhëheqës dhe komandantë të jashtëzakonshëm nga gjiri i saj, elita e të vetmit popull e cila sillej si e ndërkryer dhe pa përgjegjësinë historike ishte ajo e shqiptarëve.
Gjatë viteve 1820, ndërsa dukej qartë që Greqia do të fitonte mëvetësinë duke ju falënderuar edhe luftës së shumë shqiptarëve, fuqia e elitës ushtarake në trojet shqiptare ishte shumë e madhe dhe bile edhe Egjipti administrohej dhe drejtohej nga valiu shqiptar Mehmet Ali Pasha. Mirëpo çuditërisht, në vend se për veten, shqiptarët herë luftonin për osmanët kundër të tjerëve, e herë për të tjerët kundër osmanëve. Mund të thuhet që ata në fakt luftonin më së pakut për veten e tyre!
Sidoqoftë, diku në kapërcyell të dekadës së tretë, ose më saktësisht kah fillimi i vitit 1830, duke parë që perandoria nuk po i paguante dhe shpërblente edhe pse gjakoseshin për të, katër prijës madhor— Mustafa Bushatliu, Veli Beu, Silehdar Poda dhe Arsllan Beu— u pajtuan të linin anash mospajtimet private dhe të bënin kauzë të përbashkët vetëm luftimin kundër turqve. Jugu dhe veriu i trojeve shqiptare u ngritën në revolta lokale. Rebelimi nuk u organizua në tërë gjeografinë e Shqipërisë njëkohësisht dhe si rrjedhojë veziri osman me prejardhje greke Reşid Mehmed Pasha arriti fitore të pjesshme kundër jugut, përpara se gegët e veriut të bëheshin gati për kryengritje dhe t’u vinin në ndihmë vëllezërve të tyre toskë.
Atë që nuk mundi ta bënte në fushëbetejë dhe i frikësuar nga bashkërendimi i jugut dhe veriut Reşid Pasha e vendosi të bënte me mjete tjera. Me dijeninë dhe miratimin e Sulltan Mahmudit II greku e mendoi një plan tinëzar për liderët e jugut shqiptar. Ai u premtoi pagesën e plotë gjithë atyre që kishin shërbyer në ekspeditat turke dhe i ftoi 1000 komandantë dhe krerë të Toskërisë që të takoheshin me të në qytetin e Manastirit në një gosti madhështore ku do të gjenin së bashku zgjidhjen e të gjitha problemeve. Rreth 500 fisnikë iu përgjigjën vezirit të Padishahut dhe dhanë fjalën që do të merrnin pjesë në ahengun xhymert të Pashait.
Sot— saktësisht— 184 vjet më parë, pra, me datën 8 të muajit të tretë të Pranverës së Parë të vitit 1246 sipas kalendarit islamik respektivisht me 26 gusht 1830 sipas kalendarit tonë afërsisht 500 elitarë— shumica e parisë së jugut të Shqipërisë dhe ajka e e gardës së tyre— në mesin e tyre edhe Veli Beu dhe Arsllan Beu— veshur, mbathur dhe armatosur si për ceremoni më—u drejtuan kah hipodromi i Manastirit ku ushtria perandorake— siç u ishte thënë— do të parakalonte në nderim të tyre.
Dielli i asaj të enjteje sapo kishte nisur zbritjen e pasdites. Prijësit shqiptarë u rreshtuan përballë 1000 trupave turke që t’i vështronin ndërsa ata do të kryenin marshin ceremonial. Mirëpo, ende pa mbaruar pozicionimi i shqiptarëve vis-à-vis efektivit, ushtarët turq filluan të shtinin rrufeshëm dhe tradhtisht mbi bejlerët dhe komandot toske. Sigurisht që burrat e rënë në grackë rezistuan deri në frymën e fundit dhe mbase disa duhet të kenë paguar vetveten shtrenjtë, porse bilanci i plojës ishte katastrofal dhe shqiptarët u vranë nga ushtarët e sulltanit deri në njeriun e fundit. Pas kësaj masakre barbare të paparë ndonjëherë kufomave ju prenë kokat, të cilat u dërguan në Stamboll nga një njësit tartar, ndërkaq trupat u lanë në të hapur të haheshin nga qentë dhe shpendët grabitqar.
Osmanët pasi e zhvoshkën jugun nga udhëheqësit, një vit më vonë, me 1831, e mposhtën edhe Shkodrën dhe u ndaluan të gjithë shqiptarëve mbajtjen e armëve, përshirë edhe shqiptarët e fesë islame. Në të gjitha vilajetet shqiptare në role drejtuese u transplantuan kodoshë dhe xhahilë pro-otoman. E tërë kjo ndodhi ndërsa shtetet dhe kombet ballkanike bëheshin të mosvarme dhe zgjeroheshin në shpinë të atyre që vonoheshin— me apo pa fajin e tyre. Shumë shqiptarë të ballafaquar nga pa-perspektiva dhe terrori osman u detyruan të emigrojnë për në Rumani, Egjipt, Bullgari, Itali të Jugut, Stamboll dhe më vonë për në SHBA. Porta e Lartë nuk fitoi kushedi çfarë nga masakra mizore dhe aktet e egra më pas, por kombi shqiptar humbi shumë sepse mbeti historikisht mbrapa— së pakut gjysmë shekulli— derisa (ri)lindi Rilindja Kombëtare.
Po pse, edhe pas 184 vitesh, Masakra e Manastirit kullon gjak? Pse edhe gati pas dy shekujsh ne shqiptarët duhet të ndalemi për disa momente dhe dëgjojmë rënkimin dhe gulçet e paraardhësve tonë që u prenë si kallinj gruri në qytetin e Manastirit me 26 gusht 1830?
Sepse efektet e kësaj masakre ndihen edhe sot. Sepse hierarkia shoqërore dhe kombëtare ndër shqiptarë ka pësuar dëme të mëdha prej 26 gushtit 1830 dhe ne jemi bërë pre e apetiteve hegjemoniste të shumë fqinjëve. Sepse masakra ka tentuar zhbërjen e Shqipërisë dhe— përkundër se dështoi— ja ka dalë ta vonojë Shqipërinë— që nuk është bërë ashtu si duhet të jetë akoma, as sot. Sepse duke mos hedhur dritë historike mbi këtë masakër dhe duke e mbajtur gjysmë të fshehur tragjedinë kastat e mëvonshme shqiptare, e bile as ato të sotmet, nuk kanë kuptuar se çdo të thotë të bëhesh dhe jesh elitë. Sepse në çdo komb ka dhe duhet të ketë një pakicë që ka privilegjin por edhe përgjegjësinë që të udhëheqë dhe ruaj interesin e pjesës më të madhe të shoqërisë. Sepse pjesëtarët e elitave ushtarake, politike, ekonomike, intelektuale dhe tjera që zënë postet e udhëheqjes dhe që influencojnë vendimmarrjen për të tashmen dhe ardhmen duhet të reflektojnë çfarë u ka ndodhur bejlerëve me 1830 dhe duhet të lidhen me njëri-tjetrin dhe sidomos ta lidhin interesin vetjak me atë të popullit, përndryshe përfundojnë sikur cjapi te kasapi. Sepse elitat e përgjegjshme duhet të punojnë në rekrutimin e pjesëtarëve të aftë nga të gjitha shtresat e popullsisë për të ripërtërirë vazhdimisht bazën dhe zgjatur rrezen e rrethit kombëtar. Sepse pasardhësja e Perandorisë Osmane sot u kërkon Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës që të rishkruajnë historinë e “(bashkë)jetesës” me dhe nën pushtimin osman ndërkaq që për një masakër të tmerrshme si kërdia e Manastirit me 1830 para se të rishkruhet duhet të shkruhet historia dhe Turqia duhet të shprehë keqardhje dhe pendesë dhe ne do ta falim, por pa pasur nevojë të harrojmë. Sepse një popull i cili nuk e di të kaluarën e tij, e cila përmban edhe ngjarje të llahtarshme si gjëma e Manastirit dhe nuk i kujton përvojat e tilla duke reflektuar për pse-të e tyre, nuk mund të shkojë në të ardhmen. Sepse…sepse-të janë aq të shumta dhe unë jam i sigurt që shumë nga to do t’i gjeni ju vetë!