• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BETEJA KUNDËR COVID-19, MISION HUMANITAR I KOHËVE TONA

March 27, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca/ E premtja, krahas rritjes të numrit të infektuarëve në Shtetet e Bashkuara(85,996  të infektuar në total), ku New Yorku prinë, pati dhe një lajm shpresdhënës: nënshkrimi nga presidenti Donald Trump i paketës stimuluse për ekonominë e goditur rëndë, shumë që rrok shifrat e 2 trilionë dollarëve, e cila mendohet se do të japë efekte pozitive në kalimin e krizës. Lajmi tjetër pozitiv është shpresa që vjen nga eksperimentet për përdorimin e plazmës si mjekim shpresdhënës për mjekimin e të infektuarëve,-injektimin me plazmën e personit të shëruar tek një pacient i infektuar. 

Shqipëria, të premten regjistroi viktimën e 9-të, ndërkohë që u raportua se nga enjtja- të premten u infektuan dhe 12 persona të tjerë duke e cuar shifrën në 186, ndërsa Kosova në krizë politike raportoi për 88 të infektuar dhe një viktimë.

Italia vazhdon të trondisë botën me 9 mijë  e 134 viktima,ku 969 persona u raportuan të vdekur gjatë së premtes.

      Beteja kundër COVID-19 vazhdon e tensionuar. Në ballë janë mjekët të cilët po luftojnë me vdekjen dhe të gjithë bluzat e bardha, por jo vetëm ata. Një pjesë prej tyre kanë përjetuar tmerrshëm vdekjen e 13 pacientëve në një ditë(siç ndodhi në Elmhurst NY) dhe e kanë përshkruar këtë që po ndodh si “apokaliptike”. Kjo betejë po nxjerr në pah karakterin human të shoqërisë, ku secili përpiqet të japë kontributin e vet, dhe po vë në provë karakteret njerzore.

NEW YORK, USA – MARCH 14: Times Square seen quite on a busy hour in New York, United States on March 14, 2020. Coronavirus outbreak has effected New York Cityâs most touristic place. (Photo by Tayfun Coskun/Anadolu Agency via Getty Images)

Spitalet janë të mbushuar tej kapaciteteve dhe tash u kërkohet të zgjerojnë kapacitetet e shtretërve, pasi kulmi i krizës dikton masa urgjente. Deri më tani, trishtetshi(deri të premten në mëngjes) raportohej se kishin më shumë se 54,600 të infektuar dhe 648 të vdekur në NY, NJ dhe CT, por shumicën i kishte New Yorku.

Shteti i New York-ut vazhdon të shohë  me shqetësim trajektoren e COVID-19 të rritet pa kritere, e pa respektuar parashikimet e specialistëve. Rastet e infeksionit rrokin  shifrën 45,000 dhe vdekjet tejkalojnë shifrën 519 deri të Premten në mëngjes. Guvernatori i shtetit të New York-ut Andrew Cuomo njoftoi shifrën më shumë se 7,000 raste të reja pozitive brenda natës.

Analistët që ndjekin shifrat po thonë se COVID-19, në dy javë, ka marrë më shumë jetë në New York City sesa vetëvrasjet gjatë të gjithë vitit të shkuar.

Numri i shtrimeve në spitale është rritur më shumë se 13 herë gjatë 10 ditëve të fundit, tha Cuomo, por niveli i pranimeve po ngadalësohet, nisur nga e enjtja. Kjo, pavarësisht rritjes së numrit të përgjithshëm të të infektuarëve, mund të sinjalizojë një ngadalësim të përhapjes të virusit, ka përcjellë shpresa dhe optimizëm Cuomo. Por, ai pranoi se kulmi i krizës është ende përpara, duke llogaritur rreth 21 ditë nga shpërthimi i Coronavirusit.

“COVID-19 nuk sulmon të fortët midis nesh. Ai sulmon të dobëtit midis nesh, njerëzit që duam të mbrojmë,” tha Cuomo të Premten. “Këta janë prindërit tanë, hallat dhe xhaxhallarët tanë, një i afërm yni, i cili mudn të jetë i sëmurë sëmurë. …”

Që në mëngjes të Premten, New York kishte gjithsej 44.810 raste dhe 519 vdekje. Zyrtarët thane se rreth 14.5 përqind e numrit të përgjithshëm të rasteve kërkuan shtrimin në spital, dhe prej tyre, gati një e katërta ishin në kujdes intensiv. Qyteti i dëmtuar nga dendësia që e bën atë një nga vendet më të populluara në botë, mban ngarkesën e epidemisë, me mbi 25.500 raste në të pesë bashkitë. Nga të infektuarit, rreth 20 përqind, më e lartë se mesatarja e shtetit, kanë kërkuar shtrimin në spital.

Numri i vdekjeve të qytetit, ndërkohë, u rrit në 366 të Premten, zyra e kryetarit të bashkisë tha se kjo është pothuajse një e treta e vdekjeve totale në të gjithë vendin, sipas vlerësimeve të NBC Neës. Ndërsa shumica e rasteve të infektuara në NYC janë njerëz më të rinj se 50 vjeç, tre të katërtat e vdekjeve janë njerëz të moshës 75 vjeçare dhe më të vjetër se kaq. 

Fatkeqsisht vdekjet kanë përfshirë edhe njerëz që luftojnë në vijat e para të krizës; një menaxher i infermierisë Mount Sinai, ndërroi jetë të marten. Ai sapo kishte mbushë të 40-tat.

New York-u mbetet shumë më përpara me shifrat e infeksionit krahasuar me shtetet fqinj.Kështu ai e ka pesë herë më të lartë shifrën e të infektuarëve se shteti i dytë më i prekur në të tre shtetet, Neë Jersey. Gjithësesi edhe NJ po i rrit shifrat; nëse para të premtes rritja ishte me 19 persona në ditë, të Premten, guvernatori Murphy tha se shifra e rritjes ishte  29 persona, dhe viktimat në total deri tani janë 108. Ai gjithashtu raportoi se ishin gati 2,000 raste të të reja, dhe ka tashmë 8,825 raste të konfirmuara. Connecut i ka shifrat më të ulta; 1,112, ndërsa të vdekurit 21.

NUK KA KOHË AS PËR “LAMTUMIRË”

Epidemia vazhdon të sulmojë; të dashurit nuk kanë mundësinë t’u thonë as lamtumirë atyre që ndahen nga kjo botë.

“Shumë njerëz po vdesin vetëm,” i tha AP-së mjeku i dhomës së urgjencës në Nju Jork, Dr Kamini Doobay. Është jashtëzakonisht e dhimbshme të shohësh vuajtjet e pjestarëve të familjeve, që unë i thërras nga NJQH, duke dëgjuar lotët, duke qarë me ta në telefon. Kjo është një nga gjërat më të tmerrshme. Ata nuk mund t’i takojnë…” Rregullat e rrepta i dikton COVID-19.

Shenjat e pasojave të betejës anti/Coronavirus janë kudo: Linjat e njerëzve për t’u testuar që shtrihen nëpër blloqe të qytetit përpara lindjes së diellit, pamje të tilla i gjenë edhe në Spitalin Elmhurst, i cili raportoi 13 vdekje në një ditë të vetme. Kohen qe po jetojme mjekët e përshkruajnë si “apokaliptike” – ku fëmijët e rritur këmbëngulin të shohin prindërit e tyre në shtëpi pleqsh; por s’mundin, punonjësit e kujdesit shëndetësor, që trajtojnë pacientët për orë të tëra në fund ndjehen të dëshpëruar që nuk mund të shpëtonin jetë…

Disa e kanë komentuar koronavirusin si “misioni humanitar i kohërave tona”. Të tjerët e kanë përshkruar atë si “kriza më e madhe humanitare të shekullit”.

Cuomo dhe de Blasio, dy “strategët” e betejës në New York, duken më të qetë dhe thonë se tashmë kanë furnizime disi më të mjaftueshme, tash për tash. Por ata flasin për sot, jo për nesër e tutje. Sidoqoftë, thotë Cuomo, ne do ta kapërcejmë këtë krizë bashkë – u zotua ai nga Javits Center të Premten.

“Ju po jetoni një moment historik. Ky është një moment që do të ndryshojë këtë komb. Ky është një moment që ndryshon karakterin, ndryshon njerëzit”, tha Cuomo.

“Dhjetë vjet më pas, Ju do të flisni me fëmijët tuaj, nipërit tuaj dhe do të derdhni lot sepse do të kujtoni jetët e humbur, të dashurit, fytyrat, emrat. Do të kujtoni se sa shumë kemi punuar bashkë.Por edhe ju do të jeni krenarë. Do të jeni krenar që u treguat  njerëz me karakter, humanë”.

Kërkesa për më shumë shtretër spitalor dhe ventilator

Shteti i Nju Jorkut po Lufton që të sigurojë më shumë objekte ku të rrisë edhe numrin e shtertërve, që i kërkon rritja e krizës në të pesë bashkitë si dhe në qarqet Ëestchester, Suffolk, Nassau dhe Rockland, tha Cuomo të enjten. Shteti po punon gjithashtu për të transferuar një ngarkesë të pacientëve nga spitalet e mbivendosur në objektet e tjerë.

De Blasio, ndërkohë, po punon brenda administratës së tij për të trefishuar kapacitetin e shtretërve të NYC.

Guvernatori dha shpresa për zgjerimin e hapsirave dhe shtimin e shtretërve: Operacioni Javits Center – projekti 1.000-shtretër i siguruar nga shteti dhe katër zonat me 250 shtretër të drejtuar nga FEMA dhe me personel të plotësuar – do të jetë plotësisht funksional deri të hënën, tha Cuomo të Premten. 

Filed Under: Reportazh Tagged With: beteja

BERISHA NË KOSHARE: ZOTI E DESHI, TË JEM UNË, NË KRYE TË BETEJËS!

April 9, 2018 by dgreca

MINISTRI RRUSTEM BERISHA NË KOSHARE: ZOTI E DESHI, TË JEM UNË, NË KRYE TË BETEJES/

1 perkujtimi koshare1 Rustem Berisha

-Ministri dhe Komandanti i FSK-së morën pjesë në manifestimin për shënimin e  pervjetorit të Betejes së Koshares/

Ministri Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama morën pjesë në shënimin e përvjetorit të 19-të të fillimit të Betejes së Kosharës, në Koshare.

Fillimisht, u intonua himni kombëtarë si dhe u vunë kurorë lulesh për nderë të jetës dhe rënies së dëshmorëve të kombit.

Me këtë rast, ministri Rrustem Berisha pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, krerët e shtetit, përfaqësuesit e institucioneve, veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve bëri një retrospektivë të luftës së Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të përjekjeve dhe sakrificës për liri të luftëtarëve të saj: “Jemi mbledhur këtu, sikurse çdo vit, më 9 prill për të kujtuar të rënët dhe të gjallët, të cilët me pushkë në dorë e bënë atë që gjenerata të kësaj toke e kishin pritur për gati një shekull”.

Ministri Berisha, duke qenë se ka komanduar gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare me këtë Brigadë, tha gjithashtu se: “këtu u luftua, nga Rrasa e Zogut, deri në Morinë, nga Bjeshkët e Padeshit, deri tek Livadhi i Shabanit e më tutje. U luftua ditë për ditë, e natë për natë, në borë e në shi, e nën breshërinë e plumbave e predhave të armikut. Edhe sot, si ministër i FSK-së  dhe gjithmonë, pavarësisht ku do të na shpie detyra, në shërbim të atdheut, une do të jem krenar që Zoti e deshi, të jem unë, në krye të kësaj beteje”.Ky manifestim, për të 19-tën herë u zhvillua në Koshare, dhe u mbajt në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.

Filed Under: Opinion Tagged With: beteja, Koshare, Rrustem Berisha

Shamia në Shkolla, debati

September 22, 2016 by dgreca

Bartja e shamisë në shkolla, mes vendimit politik dhe përcaktimit individual/

Nga Luljeta Krasniqi – Veseli/

Ilustrim

Lejimi i mbajtjes së shamisë për femrat e besimit mysliman në shkollat fillore dhe të mesme është rikthyer si një temë diskutimesh në Kosovë.

Debatet kanë nisur që para gjashtë viteve, kur fillimisht ishte vërejtur një numër i nxënëseve që kishin vendosur shaminë, teksa ishin ende duke vijuar shkollimin e ulët apo të mesëm, dhe më pas ishte Ministria e Arsimit që kishte lëshuar një udhëzim administrativ që ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Një vajzë, me inicialet A. I., nga Gjilani, (identiteti i së cilës është i njohur për redaksinë) ka tri vite që ka mbuluar kokën e saj me shami. Ajo tregohet e vendosur kur bëhet fjalë për të drejtën e mbajtjes sëshamisë në shkollë, ndërsa thekson se kjo gjë duhet lejuar të gjithëve që e ndjejnë si nevojë për të përmbushur, siç shprehet ajo, obligimin e një myslimani.

“Shaminë e mbaj që kur i kam pasur 15 vjet, që gati tre vjet. Nuk ma ka imponuar askush, e kam bërë me vetë dëshirë. Kam pasur probleme kur e kam vendosur shaminë, pasi që familja ime e ka kundërshtuar këtë, ngase në familjen tonë askush nuk mban mbulesën fetare. Edhe në shkollë nga disa jam paragjykuar. Por, unë mendoj që çdo femër myslimane e ka obligim të mbajë shaminë. Unë i jam përkushtuar fesë myslimane, kam lexuar edhe Kuranin”, thotë ajo.

Krejt ndryshe mendon J.S. nga Prishtina, për të cilën mbajtja e shamisë në shkollë të mesme nuk do duhej toleruar, për shkak të moshës së re të nxënësve që vijojnë mësimin e mesëm.

“Bartja e shamisë nëpër shkolla fillore dhe të mesme parqet problem për shoqërinë dhe ata fëmijë, pasi që ata janë ende nën moshën 18 vjeç dhe nuk e kanë moshën e pjekurisë për ta ditur se a dëshirojnë të mbajnë shaminë. Ata mund të ndikohen prej shoqërisë, familjes apo rrethit për bartjen e mbulesës”.

“Unë mendoj që duhet të ketë bazë ligjore dhe duhet të jetë e rregulluar kjo çështje që të mos i lejohet bartja e shamisë deri në momentin kur përfundojnë shkollën e mesme. Pastaj në universitet është e drejtë e secilit, pasi që konsiderohet të kenë arritur moshën madhore dhe konsiderohen se është rrugë që ata kanë vendosur vet ta zgjedhin”, thekson ajo.

Së fundi, ish- lideri i subjektit opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për mediet lokale në Kosovë, ka ri aktualizuar çështjen e bartjes së shamisë. Ai ka deklaruar se subjekti politik Vetëvendosje është “për bartjen e shamive prej moshës 16 vjeçare dhe me fytyrë të zbuluar”, për ato femra që vendosin vet të bartin shaminë.

Kushtetuta e definon Kosovën si shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multi-etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, besimet fetare të të cilave janë të ndryshme.

Në vitin 2010, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës kishte nxjerr një Udhëzim Administrativ, i cili ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Ky udhëzim, në atë kohë, kishte nxitur reagime të mëdha të përkrahësve të idesë për mbajtjen e shamive nëpër institucione publike.

Ata patën protestuar kundër ndalimit të shamisë në shkollat publike të Kosovës dhe kishin kërkuar nga ish kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, që të shfuqizohet një vendim i tillë.

Ky udhëzim administrativ, sipas zyrtarëve të arsimit, nuk ka ndonjë efekt që nga momenti kur në vitin 2011 në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar ligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Faton Fetahu, këshilltar ligjor i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në bazë të ligjit nuk përcaktohet e drejta për të bartur shaminë ose cilindo simbol fetar.

Ai thekson se shkollat publike në Kosovë janë të ndara në raport me qëndrimet fetare apo me simbolet të cilat i prezantojnë qëndrimet fetare.

“Ligji për arsimin parauniversitar përcakton që institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare dhe nga veprimtaritë tjera të cilat propagandojnë një fe të caktuar, që në rastin konkret nuk është se e mohon, por as nuk e lejon që në shkollat tona të këtë prezantim të një feje të caktuar”, thekson Fetahu.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se bartja e mbulesës apo shamisë është obligim, përkatësisht detyrim fetar, për gjininë femërore dhe se kjo obligohet nga mosha madhore apo ndryshe, mosha e pubertetit. Kjo moshë thuhet të jetë nga mosha 14- 15 apo 16 vjeç.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se duke pasur parasysh faktin që mbulesa është obligim fetar, vajzat nuk duhet të pengohen që të vijojnë mësimin shkollor për shkak të mbulesës, e cila është obligim fetar.

“Ne kemi pasur probleme, ku në shkollat fillore dhe të mesme vajzat nuk i kanë lejuar t’i bartin shamitë bazuar në një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit, me të cilin ndalohet mbajtja e shamisë në shkolla. Në disa komuna është respektuar e në disa ka pasur tolerime dhe nuk ka qenë pengesë bartja e mbulesës. Me ligj, shkollimi fillor dhe i mesëm është obligativ dhe nuk do të ishte mirë të ishte pengesë mbulesa në shkollimin e femrave dhe vajzave”, thekson Sadriu.

Ai thekson se mbulesa – që ata kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të lejohet në shkollat fillore dhe të mesme – nuk nënkupton mbulim të fytyrës.

Problemet rreth kësaj çështjeje, tregon Sadriu, ende nuk janë zgjidhur dhe se Bashkësia Islame e Kosovës vazhdon të bëjë kërkesën e njëjtë tek institucionet e Kosovës që të mos pengohet shkollimi i vajzave të cilat bartin shaminë.

Për me keq, thekson Sadiku, çështja e bartjes së shamisë ka tendenca të politizohet, e që sipas tij, nuk do të duhej të ndodhte.

“Unë kisha thënë që çështja ka tendenca të politizohet nga ana e subjekteve politike. Kjo duhet t’iu lihet institucioneve fetare, në këtë rast BIK-ut, dhe në bazë të kërkesës sonë të merret një vendim dhe assesi të mos jetë çështje e subjekteve politike dhe të politizohet një problem i tillë”, thekson Sadiku.

Bartja e mbulesës për studiuesit e religjioneve vlerësohet se nuk mund të rregullohet as me udhëzim administrativ për heqje të mbulesës e as me udhëzime apo përkufizime se duhet të bartet. Sipas tyre, kjo është çështje personale e secilit njëri.

Ismajl Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se bartja e mbulesës nuk ka mundësi të ndalohet në mënyrë rigoroze në asnjë udhëzim administrativ, siç nuk ka mundësi të paragjykohet bartja e shamisë.

“Bartja e shamisë nuk mund të rregullohet as me udhëzim administrativ për heqje e as me udhëzime, përkatësisht me përkufizime se duhet të bartet…është çështje personale e secilit njëri se çka dëshiron të mbajë në kokën e vet…është çështje se si ajo shami kompozohet edhe në aspektin estetik të dukjes e veshjes, në shkollë, shkollën laike”, thotë Hasani.

Ai sqaron se si studiues i çështjeve të religjionit nuk ka rastisur të gjejë një përkufizim të tillë që mosha 16 vjeçare është mosha për bartjen e shamisë, sepse siç thekson ai, mosha 16 vjeçare është moshë minore.

“Nuk do të duhej që një lider politik të japë verdikt se është në rregull bartja e shamisë nëpër shkolla për vajzat mbi moshën 16 vjeçare. Subjektet e ndryshme politike përmes këtyre joshjeve bëjnë përpjekje të mbledhin vota në zgjedhjet e ardhshme tek ata njerëz që mund të jenë militantë të tyre në proceset zgjedhore”,thekson Hasani.

Përveç çështjes së lejimit të mbajtjes së shamisë në shkolla, së fundi ishte iniciuar si temë debati edhe futja e lëndës së mësim-besimit në shkollat fillore dhe të mesme.

Ky debat është përcjellë me qëndrime kundërthënëse, për dhe kundër, të përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Lidhur me këtë, ligji aktual për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës nuk lë hapësirë që të futet si pjesë e arsimit edhe edukata fetare, si lëndë e veçantë. Futja e kësaj lënde në institucionet arsimore dikton nevojën e ndryshimeve paraprake ligjore. (Kortezi: REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: beteja, feja, Politika, Shamia ne shkolla

Masakra që kullon gjak tash 184 vjet

August 26, 2014 by dgreca

Nga Uk Lushi/
Pas më shumë se pesëqind viteve, në fillim të shekullit të 19-të, si në rastin e çdo perandorie tjetër që nuk mund të shkëlqejë përjetësisht, rënia zuri t’i rrëzbiste edhe themelet e Perandorisë Osmane. Në njërën anë popuj të shumtë, që ishin pushtuar qoftë me zor qoftë me joshje, dhe në anën tjetër Rusia dhe shtetet europiane, duke ndjerë dobësinë e shkërmoqjes së fuqisë së Stambollit, filluan ta godasin trupin perandorak kudo mundeshin. Krerët dhe elitat e popujve nën thundrën osmane po shihnin rastin dhe interesin e tyre ndërkaq që përpiqeshin të përfitonin sa më shumë për vete dhe popujt që i udhëhiqnin drejt pavarësisë.
Në këtë periudhë të turbullt, ndonëse nuk i ishte nënshtruar sundimit otoman asnjëherë plotësisht por— paralelisht dhe paradoksalisht— i kishte dhënë perandorisë udhëheqës dhe komandantë të jashtëzakonshëm nga gjiri i saj, elita e të vetmit popull e cila sillej si e ndërkryer dhe pa përgjegjësinë historike ishte ajo e shqiptarëve.
Gjatë viteve 1820, ndërsa dukej qartë që Greqia do të fitonte mëvetësinë duke ju falënderuar edhe luftës së shumë shqiptarëve, fuqia e elitës ushtarake në trojet shqiptare ishte shumë e madhe dhe bile edhe Egjipti administrohej dhe drejtohej nga valiu shqiptar Mehmet Ali Pasha. Mirëpo çuditërisht, në vend se për veten, shqiptarët herë luftonin për osmanët kundër të tjerëve, e herë për të tjerët kundër osmanëve. Mund të thuhet që ata në fakt luftonin më së pakut për veten e tyre!
Sidoqoftë, diku në kapërcyell të dekadës së tretë, ose më saktësisht kah fillimi i vitit 1830, duke parë që perandoria nuk po i paguante dhe shpërblente edhe pse gjakoseshin për të, katër prijës madhor— Mustafa Bushatliu, Veli Beu, Silehdar Poda dhe Arsllan Beu— u pajtuan të linin anash mospajtimet private dhe të bënin kauzë të përbashkët vetëm luftimin kundër turqve. Jugu dhe veriu i trojeve shqiptare u ngritën në revolta lokale. Rebelimi nuk u organizua në tërë gjeografinë e Shqipërisë njëkohësisht dhe si rrjedhojë veziri osman me prejardhje greke Reşid Mehmed Pasha arriti fitore të pjesshme kundër jugut, përpara se gegët e veriut të bëheshin gati për kryengritje dhe t’u vinin në ndihmë vëllezërve të tyre toskë.
Atë që nuk mundi ta bënte në fushëbetejë dhe i frikësuar nga bashkërendimi i jugut dhe veriut Reşid Pasha e vendosi të bënte me mjete tjera. Me dijeninë dhe miratimin e Sulltan Mahmudit II greku e mendoi një plan tinëzar për liderët e jugut shqiptar. Ai u premtoi pagesën e plotë gjithë atyre që kishin shërbyer në ekspeditat turke dhe i ftoi 1000 komandantë dhe krerë të Toskërisë që të takoheshin me të në qytetin e Manastirit në një gosti madhështore ku do të gjenin së bashku zgjidhjen e të gjitha problemeve. Rreth 500 fisnikë iu përgjigjën vezirit të Padishahut dhe dhanë fjalën që do të merrnin pjesë në ahengun xhymert të Pashait.
Sot— saktësisht— 184 vjet më parë, pra, me datën 8 të muajit të tretë të Pranverës së Parë të vitit 1246 sipas kalendarit islamik respektivisht me 26 gusht 1830 sipas kalendarit tonë afërsisht 500 elitarë— shumica e parisë së jugut të Shqipërisë dhe ajka e e gardës së tyre— në mesin e tyre edhe Veli Beu dhe Arsllan Beu— veshur, mbathur dhe armatosur si për ceremoni më—u drejtuan kah hipodromi i Manastirit ku ushtria perandorake— siç u ishte thënë— do të parakalonte në nderim të tyre.
Dielli i asaj të enjteje sapo kishte nisur zbritjen e pasdites. Prijësit shqiptarë u rreshtuan përballë 1000 trupave turke që t’i vështronin ndërsa ata do të kryenin marshin ceremonial. Mirëpo, ende pa mbaruar pozicionimi i shqiptarëve vis-à-vis efektivit, ushtarët turq filluan të shtinin rrufeshëm dhe tradhtisht mbi bejlerët dhe komandot toske. Sigurisht që burrat e rënë në grackë rezistuan deri në frymën e fundit dhe mbase disa duhet të kenë paguar vetveten shtrenjtë, porse bilanci i plojës ishte katastrofal dhe shqiptarët u vranë nga ushtarët e sulltanit deri në njeriun e fundit. Pas kësaj masakre barbare të paparë ndonjëherë kufomave ju prenë kokat, të cilat u dërguan në Stamboll nga një njësit tartar, ndërkaq trupat u lanë në të hapur të haheshin nga qentë dhe shpendët grabitqar.
Osmanët pasi e zhvoshkën jugun nga udhëheqësit, një vit më vonë, me 1831, e mposhtën edhe Shkodrën dhe u ndaluan të gjithë shqiptarëve mbajtjen e armëve, përshirë edhe shqiptarët e fesë islame. Në të gjitha vilajetet shqiptare në role drejtuese u transplantuan kodoshë dhe xhahilë pro-otoman. E tërë kjo ndodhi ndërsa shtetet dhe kombet ballkanike bëheshin të mosvarme dhe zgjeroheshin në shpinë të atyre që vonoheshin— me apo pa fajin e tyre. Shumë shqiptarë të ballafaquar nga pa-perspektiva dhe terrori osman u detyruan të emigrojnë për në Rumani, Egjipt, Bullgari, Itali të Jugut, Stamboll dhe më vonë për në SHBA. Porta e Lartë nuk fitoi kushedi çfarë nga masakra mizore dhe aktet e egra më pas, por kombi shqiptar humbi shumë sepse mbeti historikisht mbrapa— së pakut gjysmë shekulli— derisa (ri)lindi Rilindja Kombëtare.
Po pse, edhe pas 184 vitesh, Masakra e Manastirit kullon gjak? Pse edhe gati pas dy shekujsh ne shqiptarët duhet të ndalemi për disa momente dhe dëgjojmë rënkimin dhe gulçet e paraardhësve tonë që u prenë si kallinj gruri në qytetin e Manastirit me 26 gusht 1830?
Sepse efektet e kësaj masakre ndihen edhe sot. Sepse hierarkia shoqërore dhe kombëtare ndër shqiptarë ka pësuar dëme të mëdha prej 26 gushtit 1830 dhe ne jemi bërë pre e apetiteve hegjemoniste të shumë fqinjëve. Sepse masakra ka tentuar zhbërjen e Shqipërisë dhe— përkundër se dështoi— ja ka dalë ta vonojë Shqipërinë— që nuk është bërë ashtu si duhet të jetë akoma, as sot. Sepse duke mos hedhur dritë historike mbi këtë masakër dhe duke e mbajtur gjysmë të fshehur tragjedinë kastat e mëvonshme shqiptare, e bile as ato të sotmet, nuk kanë kuptuar se çdo të thotë të bëhesh dhe jesh elitë. Sepse në çdo komb ka dhe duhet të ketë një pakicë që ka privilegjin por edhe përgjegjësinë që të udhëheqë dhe ruaj interesin e pjesës më të madhe të shoqërisë. Sepse pjesëtarët e elitave ushtarake, politike, ekonomike, intelektuale dhe tjera që zënë postet e udhëheqjes dhe që influencojnë vendimmarrjen për të tashmen dhe ardhmen duhet të reflektojnë çfarë u ka ndodhur bejlerëve me 1830 dhe duhet të lidhen me njëri-tjetrin dhe sidomos ta lidhin interesin vetjak me atë të popullit, përndryshe përfundojnë sikur cjapi te kasapi. Sepse elitat e përgjegjshme duhet të punojnë në rekrutimin e pjesëtarëve të aftë nga të gjitha shtresat e popullsisë për të ripërtërirë vazhdimisht bazën dhe zgjatur rrezen e rrethit kombëtar. Sepse pasardhësja e Perandorisë Osmane sot u kërkon Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës që të rishkruajnë historinë e “(bashkë)jetesës” me dhe nën pushtimin osman ndërkaq që për një masakër të tmerrshme si kërdia e Manastirit me 1830 para se të rishkruhet duhet të shkruhet historia dhe Turqia duhet të shprehë keqardhje dhe pendesë dhe ne do ta falim, por pa pasur nevojë të harrojmë. Sepse një popull i cili nuk e di të kaluarën e tij, e cila përmban edhe ngjarje të llahtarshme si gjëma e Manastirit dhe nuk i kujton përvojat e tilla duke reflektuar për pse-të e tyre, nuk mund të shkojë në të ardhmen. Sepse…sepse-të janë aq të shumta dhe unë jam i sigurt që shumë nga to do t’i gjeni ju vetë!

Filed Under: Histori Tagged With: 184 vjet, beteja, kullon gjak, Uk Lushi

Artikujt e fundit

  • LAMTUMIRË DALIP GRECA
  • SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj
  • Liria e popujve kërkon sakrificë dhe vetëmohim
  • Poezi nga Lulëzime Malaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT